Mero Baze: Videomania dhe mitomania e Ilir Metës

Nga Mero Baze

Duket se videoja ka bërë histori në vetëdijen politike të Ilir Metës. Prej vitit 2011, kur një video e regjistruar nga ish ministri i tij, tronditi politikën shqiptare dhe opinionin publik, me sa duket Ilir Metës i është mbushur mendja se politika bëhet me video. Dhe vitin e fundit, kur përballja e Metës me shumicën në pushtet ka shkuar në ekstrem, ai ka pasur si kërcënim të përhershëm “videon” si formë kundërpërgjigje. Këtë e thoshte vetë, e thonin portalet e kontrolluara prej tij, gazetarë që janë simbol i tij në opinion publik, njerëz të partisë së tij, etj.

Kështu ndodhi dhe në përballjen e fundit me kryetarin e KED , gjyqtarin Adrian Dvorani, i cili është dhe një nga pesë gjyqtarët e videos së tij që ka dalë në pakicë kundër arsyetimit të trupës gjykuese. Dhe këtë tha që do ta sulmojë me video. Dhe për ta bërë më relaksuese situatën, e ngjyrosi paralajmërimin dhe me video të tjera erotike për ambasadorë të Perëndimit, që i ka shpallur armiq dhe për fakte tronditëse për gjyqtarin. Dje duke shkuar për në Prokurori, ai më në fund e nxori një video.

Ishte një shpjegim sipas pikpamjes së tij i arsyeve pse po bllokohej Gjykata Kushtetuese, me titra dhe fakte të lexuara, siç bën zakonisht ndonjë portal, kur përton të ulet të shkruajë. Në fakt kur shkon para prokurorit, duhet të çosh fakte, fakte penale, që të provojnë veprën penale, dhe jo video-montazh që shpalos pikëpamjet e tua. Ato duhen për në Skrapar. Prokurorët kuptojnë mbi nivelin e elektoratit të LSI dhe nuk ka nevojë t’ua shpjegosh me video, pse KED është kundër tij. Të jesh kundër pikëpamjeve të Ilir Metës, në shumicën e rasteve është heroizëm dhe jo vepër penale.

Por në këtë rast ai nuk kishte as fakte penale, por pikëpamje të tij për interpretimin e Kushtetutës, që as nuk kishin logjikë ligjore. Por përtej kësaj, videoja, është e rëndësishme të komunikosh me popullin e thjeshtë që nuk kupton nga ligjet dhe të bësh fushatë elektorale, por jo të bësh betejë ligjore. Në prokurori shkohet me fakte, me analizë ligjore dhe me prova kundër të akuzuarit. Nëse i ke këto nuk pse i drejtohesh popullit me video, por prokurorisë me fakte. Ose do t’i drejtohesh prokurorisë, ose popullit.

Kur i drejtohesh popullit pasi del nga zyra e prokurorisë dhe pasi kërcënon se do ta mbrosh me gjak zyrën tënde , do të thotë që ke dështuar në prokurori, dhe nuk ke fakte për ta mbrojtur karrigen  me ligj dhe Kushtetutë. Në atë rrugë që është nisur Ilir Meta është i pambrojtshëm nga ligji dhe mund të mbrohet vetëm politikisht. Por jo në Presidencë. Kur të vijnë zgjedhjet, nëse do të jetë kandidat.

Shantazhi i djeshëm i Ilir Metës dhe videoja amatore që vlen si shpjegim për budallenjtë që nuk kuptojnë Ilir Metën, tregon se ai shpreson më shumë tek videoja e tij dhe “revolucioni popullor” në mbrojtje të tij, se sa tek prokuroria, të cilës i është drejtuar. Fiksimi i tij se videoja të shpëton kur je në hall, duket se i ka mbetur nga fuqia e videos kundër tij në vitin 2011.

Ajo pati vërtet shumë fuqi, se ishte e vërtetë. Po të ishte kështu me titra, nuk do kishte lëvizur njeri nga shtëpia. Video-mania e Ilir Metës ndoshta buron nga tronditja që ai ka pësuar nga videot në politikë, por mitomania dhe deliri i tij, se populli do ngrihet pas këtyre videove me titra, duket më shumë si problem psiqik.

Përpjekje për një protestë kundër Perëndimit më 8 Dhjetor!

Nga Mero Baze

29 vite pas 8 Dhjetorit, kur studentët u ngritën dhe ndryshuan historinë e vendit duke thirrur “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, Ilir Meta i cili është në zemër të një konikti me Bashkimin Europian, OSBE dhe SHBA, po tenton ta bëjë qesharake këtë datë, dhe ta kthejë në një tubim kundër Perëndimit. Presidenti në largim, i cili ka javë të tëra që po polemizon me SHBA dhe kancelaritë e tjera Perëndimore, duke u tundur kartën e sovranitetit, po tenton të kthejë 8 Dhjetorin, nga një ditë qëndrese pro Perëndimit, në një ditë pendese kundër Perëndimit.

Njoftimi i tij i sotëm se, më 8 Dhjetor do të thërras shqiptarët në një tubim në Qytetin Studenti, është një përsëritje komike e 8 Dhjetorit 1990. Më 8 Dhjetor 1990 studentët u ngritën për të thyer izolimin e Shqipërisë dhe “sovranititetin” e Komunizmit dhe për t’iu bashkuar Europës. Më 8 Dhjetor 2019, Ilir Meta po kërkon të mbledhë një “çetë dumbabiste”, që të kërkojë ruajtjen e sovranitetit të Shqipërisë nga Europa dhe SHBA dhe luftë kundër tyre.

Beteja e tij e gjatë dhe e pashpresë me Perëndimin gjatë mujave të fundit, dhe në fakt prej tre viteve të fundit, qyshkurse u miratua Reforma në Drejtësi, po tenton tani të institucionalizohet në një parti politike anti-Perëndimore, që për ironi të fatit po tenton të përdorë datën dhe simbolet e lëvizjes studentore më pro-Perëndimore në historinë e Shqipërisë. Nuk është problem pse Ilir Meta po tenton të mbledhë njerëz kundër Perëndimit në Shqipëri.

Edhe pse qesharake, nuk është problem, as data dhe vendi që po keqpërdor. Problemi është se pushteti i Ilir Metës dhe modeli i tij politik, janë një dëshpërim i madh për idealistët e 8 Dhjetorit, janë objektivi që ata nuk deshën ta arrinin, janë fundi ku ata nuk deshën ta shikojnë kurrë Shqipërinë. Nëse studentët e Dhjetorit 1990 ndjehen në një mision të papërfunduar, ndjehen pikërisht për shkak të modelit të Ilir Metës në politikë, për shkak të një Shqipërie pa drejtësi dhe një drejtësie të korruptuar, për shkak të një qeverisje nepotike dhe klanore, për shkak të një Shqipërie të padrejtë, të ndarë dhe të keqqeverisur.

Ndaj 8 Dhjetori është një datë për ata që u ka vajtur në majë të hundës, mes të tjerash dhe nga Ilir Meta, dhe jo një date për “Rilindje” të Ilir Metës. 29 vite më pas, Ilir Meta po kërkon t’i mbyllë dyert e shtëpisë Europës dhe SHBA, po kërkon të mobilizojë shqiptarët kundër atyre që “ndërhynë në punët e brendshme të Shqipërisë”, në përpjekje për të testuar një forcë të re politike anti-Perëndimore në Shqipëri.

Udhë e mbarë i qoftë, por ata që më 8 Dhjetor bërtitën sa kishin fuqi “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, nuk  kanë fuqi dhe as ndonjë pikë dëshire tani të bërtasin tani, “E duam Europën, si Ilir Meta”. Se siç ka thënë dhe Marksi, të cilit Ilir Meta i beson, “historia në fillim është tragjike, por përsëritja e saj është komike…!”

Përpjekja e Metës për t’u sjellë si “prokuror Antimafie”, ndaj diplomatëve

Nga Mero Baze

I gjithë ligjërimi politik i Ilir Metës, pas humbjes së kontrollit nga vendosmëria e faktorit perëndimor për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, është përqendruar tek akuzat, se diplomatët perëndimorë në Shqipëri janë hajdutë.

Të akuzuarit e përjetshëm të opozitës “Meta-Berisha”, janë ambasadori i SHBA dhe ambasadori i Bashkimit Europian, pavarësisht emrit.

Ambasadori i SHBA në Shqipëri, prej vitit 1995 është gjithmonë një “armik” i Berishës, ndërsa ambasadori i BE ka dalë armik pak më vonë, kryesisht kur nisi reforma në drejtësi.

Për shkak të përballjes me ta për reformën në drejtësi,  ata janë konsideruar diplomatë të korruptuar. Nuk është se kanë ndonjë akuzë konkrete, por dhe nuk u duhet të mendojnë për këtë gjë.

E kanë vendosur veten për një moment në vend të tyre dhe kanë menduar: “Me sa lekë do ta bënin këtë punë”, që po bëjnë ata si diplomat, dhe i kanë caktuar vetes një çmim të majmë imagjinar.

Dhe meqë nuk bëhen dot ambasadorë të SHBA apo BE, tani lekët që ëndërrojnë për vete, ua kanë caktuar atyre, dhe i kanë shpallur të korruptuar.

Kjo listë tani po zgjerohet. Duket se dhe ambasadori i Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe, dhe gjithkush që ka përshëndetur zgjedhjen e dy anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese nga Kuvendi, është shpallur diplomat i korruptuar.

Në daljen e tij të fundit publike, presidenti i Shqipërisë, ishte kthyer në “kryeprokuror” diplomatësh perëndimorë, dhe fliste vetëm për lekë. Kjo fjalë i ngjallte një tërbim dhe çekuilibër të paparë, kur shqiptonte se këto lekë i marrin diplomatë perëndimorë.

I dukeshin si lekë të ikura nga duart, më shumë se sa ishte duke vajtuar integritetin e shpikur për diplomatët perëndimorë në Shqipëri.

Për fatin tonë të mirë, Perëndimi nuk e konsideron më Ilir Metën një institucion përfaqësues në Shqipëri dhe nuk e merr seriozisht.

Nëse do ta merrte seriozisht, sot SHBA dhe Bashkimi Europian, por dhe Gjermania, Italia e Britania e Madhe, duhet të paraqisnin notë proteste pranë Qeverisë shqiptare dhe ndoshta të rrezikonin të ardhmen e raporteve me Shqipërinë.

Në fakt, ndodh e kundërta. Sa më shumë presidenti ynë lëshohet si qen i tërbuar ndaj Perëndimit dhe përfaqësuesve të Perëndimit në Shqipëri, aq më shumë Perëndimi po i qëndron afër Shqipërisë, për ta kaluar këtë krizë, e cila është bërë e rrezikshme, për shkak se fati i drejtësisë në Shqipëri, tashmë është lidhur dhe me fatin e Ilir Metës, dhe është në konflikt interesi me të.

Sa më shpejt të bëhet drejtësia, sa më parë të ngrihet Gjykata Kushtetuese, sa më parë Shqipëria të përmbushë hallkat e mbetura bosh në reformën në drejtësi, aq më pak shpresë ka për Ilir Metën si president dhe qytetar i lirë në këtë vend.

Dhe kjo e prodhon gjithë këtë trazirë.

Ndaj merreni lehtë. Ilir Meta me këtë gjuhë nuk është Sali Berisha i vitit 1997, por pak a shumë Gruevski i vitit 2017.

Sali Berisha i vitit 1997, me gjuhën e egër ndaj Perëndimit, u muar seriozisht, pasi përfaqësonte një pushtet kundër Perëndimit, dhe e mori përgjigjen.

Meta ngjan me Gruevksin e vitit 2017, kur ishte në këto pozita me Perëndimin, para arratisjes, por që nuk merrej më seriozisht, as kur kërcënonte, as kur çonte banditët në Parlament të përgjaknin demokracinë.

Ky është një individ i dëshpëruar që ka kapur një vulë dhe një zyrë, dhe kërkon të luftojë si Don Kishot kundër Perëndimit, për hallin e tij.

Thjesht ja ka hipur kalit mbrapsht dhe askush nuk e merr seriozisht, përveç Sanço Pançove në zyrën e vet.

Gjykata Kushtetuese duhet mbrojtur nga Ilir Meta

Nga Mero Baze

Ilir Meta nuk priti të shkonte në zyrë për të bërë atë që pritej të bënte, të dublonte një anëtare të Gjykatës Kushtetuese, që ndërkohë është zgjedhur sipas Kushtetutës, me një të vetën, me shpresë se do delegjitimojë procesin e ngritjes së Gjykatës. E ka bërë këtë në hollin e aeroportit, në shkelje të kompetencave që i jep Kushtetuta për Gjykatën, në shkelje të procedurës dhe të ligjit që rregullon formimin e Gjykatës Kushtetuese.

Kushtetuta i jep të drejtë të zgjedhë dy vetë nga lista që i ofron KED brenda 30 ditëve. Ai zgjodhi vetëm një. Për këtë situatë, Kushtetuta ka parashikuar mekanizëm çbllokues. Në rast se presidenti nuk e përmbush detyrën e vet për 30 ditë, zgjidhet i pari i listës së renditur nga KED. Dhe ashtu u bë. U zgjodh Arta Vorpsi.

Dublimi i Arta Vorpsit një javë më pas me Marsida Xhaferllarin, e cila ndërkohë ka ende probleme me drejtësinë nëpër këmbë, është veprim i vetëdijshëm për bllokim të Gjykatës, që i duhet mbajtur shënim në procesin e shkarkimit si president. Për gjë tjetër nuk vlen.

Tani Gjykata Kushtetuese ka pesë anëtarë legjitimë, dhe një anëtare shtesë ilegjitime, të zgjedhur nga Ilir Meta.

Ajo që ai ka ndërmend, është që në procesin e betimit ai të mos lejojë të betohet Arta Vorpsi, por Marsida Xhaferllari. Në fakt, Arta Vorpsi nuk ka pse betohet tek presidenti. Ajo nuk u zgjodh nga presidenti, por nga mekanizmi çbllokues dhe si e tillë, mund të betohet në Gjykatë Kushtetuese.

Xhaferllari duhet konsideruar deri në fund një zgjedhje ilegale dhe nuk duhet lënë të hyjë në Gjykatë Kushtetuese. Pastaj kur të ngrihet Gjykata mund të ankohet për të gjetur të drejtën e saj. Pasi të gjejë një herë të drejtën e tij presidenti, i cili kërkon të shkatërrojë Gjykatën për të mos u shkarkuar vet.

Kjo Gjykatë tani ka vetëm një armik, dhe ai është presidenti i Republikës. Kuvendi duhet ta mbrojë prej tij.

Arta apo Marsida, është si pyetja: 30 qershori apo 13 tetori?!

Nga Mero Baze

Mos u lodhni të kuptoni debatin ligjor që tenton të prodhojë Ilir Meta pasi ai më të qartë se sa Kushtetutën ka objektivin e vet. Objektivi i vet ka të bëjë me mos ngritjen e Gjykatës Kushtetuese. Tre ditë më parë kjo gjë u kuptua qartë. Presidenti refuzoi të dekretojë si gjyqtare të Gjykatës Kushtetuese, njërin nga kandidatët e renditur sipas Kushtetutës, nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, duke ngritur pretendime absurde se e ka pezulluar procedurën dhe afatet kushtetuese dhe se do të emërojë kandidatin e tij pasi të plotësojë më parë vakancën Kuvendi.

Pas kësaj sipas Kushtetutës emërohet automatikisht e renditura e para në listën e KED dhe kjo gjë u bë. Arta Vorpsi është anëtare e Gjykatës Kushtetuese nga lista e Presidentit.

Nesër Kuvendi do mblidhet të zgjedhë dy anëtarët e tij për në gjykatë dhe do të kemi një Gjykatë Kushtetuese me pesë anëtarë.

Deri këtu gjithçka është ligjore dhe nuk kemi as tagër ta debatojmë. Ajo që është thelbi i debatit, nuk është rruga ligjore dhe çfarë parashikon Kushtetuta, por strategjia e Ilir Metës për ta lënë vendin pa Gjykatë Kushtetuese, pasi ngritja e Gjykatës Kushtetuese i jep fund mandatit të tij dhe i hap vendit, rrugën për zgjidhjen e gjithë krizave.

Strategjia e Ilir Metës është e parashikueshme. Është e njëjta, pikë më pikë, si ajo e zgjedhjeve të 30 Qershorit. Zgjedhjet e dekretuara në afatin kushtetues, siç e tha më pas dhe Komisioni i Venecias, nuk mund të shtyhen dhe sikur të jetë luftë, pa konsensusin e palëve. Ilir Meta i shtyu për të ndjellë luftën dhe dekretoi 13 tetorin me shpresë se vendi do zhytej në flakë dhe ai do shpëtonte.

Po bën të njëjtën gjë me Gjykatën Kushtetuese. Thotë që nuk e dekretova për 30 ditë, pasi prisja radhën të dekretonte një dhe Kuvendi, ndërkohë që vakanca e shpallur për Presidentin është e ndarë nga vakanca e shpallur për Kuvendin, dhe ky i fundit është brenda afateve edhe nesër.

E bën këtë që nesër pasi të miratojë Kuvendi dy të vetët, ai të dekretojë anëtare gjykate, Marsida Xhaferllarin, që është renditur e katërta në listën e KED. Nuk po i hyj këtij debatit nepotiko-politik, që është bashkëjetuese e një deputeti të PD, as faktit që ajo është renditur e katërta dhe ligji të detyron të zgjedhësh 3 të parët. Por thjesht faktit që Ilir Meta nuk ka çfarë zgjedh më. Ai ka zgjedhur Besnik Muçin dhe ka konsumuar afatin për të mos zgjedhur asnjë tjetër. Vendi i tij është plotësuar.

Pika 4, neni 7/b i ligjit për Gjykatën Kushtetuese thotë se: “Presidenti brenda 30 ditëve nga marrja e listës nga KED, emëron gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese nga kandidatët e renditur në tre vendet e para të listës”.

Kaq të drejta ka Ilir Meta. Nuk ka përdorur asnjë prej atyre. Do të zgjedhë të katërtën dhe jashtë afatit, vetëm që të mos ketë Gjykatë Kushtetuese, pasi do t’i kontestohet. E sigurt është që ai do të çojë të keqen deri në fund. Do të zgjedhë edhe jashtë ligjit edhe jashtë listës së rendit. Do të zgjedhë atë që do, për të mos u pranuar, për t’u kthyer në betejë dhe për të përsëritur debatin 30 qershor, apo 13 tetor.

Në këto kushte nuk ka çfarë debaton. Thjesht duhet zgjidhur siç u zgjidh 30 qershori. Shumica duhet të respektojë Kushtetutën, ai le të bëjë sikur respekton Alibeajn, por që në fakt kërkon të mbrojë veten, nga Gjykata Kushtetuese.

Beteja e Ilir Metës për të “çdekretuar”, Gjykatën Kushtetuese

Nga Mero Baze

Presidenti ka nisur një betejë të re, në dukje proceduriale, për të sabotuar ngritjen e Gjykatës Kushtetuese. Ai ka refuzuar të  dekretojë si gjyqtare të Gjykatës Kushtetuese, njërin nga kandidatët të renditur sipas Kushtetutës nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, duke ngritur pretendime absurde se e ka pezulluar procedurën dhe afatet kushtetuese dhe se do të emëroj kandidatin e tij pasi të plotësoj më parë vakancën Kuvendi. Pra Presidenti ka “vendosur” atë që është e pamendueshme: të ndalojë zbatimin e Kushtetutës dhe të afateve që ajo e urdhëron për të vepruar. Refuzimi në dukje procedurial i Presidentit, në të vërtet është një skemë e pastër, e përsëritjes së precedentit të “çdekretimit” që Ilir Meta përdori për zgjedhjet e 30 Qershorit.

Duke qenë se pas refuzimit të tij, sipas Kushtetutës, automatikisht është e zgjedhur kandidatja e renditur e para sipas renditjes të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, pra gjyqtarja Arta Vorpsi, Ilir Meta do të përpiqet të zhvlerësoj zbatimin e ligjit nga Kuvendi, duke bërë lojra fjalësh me radhën e plotësimit të vakancave. Sipas Kushtetutës, kompetencën për shpalljen e vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese e realizojnë sipas radhës Presidenti, Kuvendi dhe Gjykata e Lartë.

Ilir Meta ka shpallur vakancën që i takon Presidentit, dhe nuk është më ai që dikton radhën e plotësimit të vakancave, por Kushtetuta. Afati kushtetues i tij për të vendosur përfundon sot pas 30 ditësh, dhe meqë ai nuk e ka emëruar vetë anëtarin e ri të Gjykatës Kushtetuese, është vetë Kushtetuta që e parashikon të emëruar të parën e renditur nga KED.

Të gjitha lojrat e tjera të tij, rreth radhës që duhet të ndiqet për plotësimin e vakancave, duke u përpjekur në marrëzinë e tij për të argumentuar në mënyrë aburde antikushtetuese se këtë radhë na e përcaktoka Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, janë manovra të tij për të bllokuar formimin e Gjykatës dhe për të prodhuar akte juridike të çmendura si çdekretimi i zgjedhjeve, duke mos njohur anëtarët që zgjidhen në rrugë ligjore.

Ajo që duket në horizontë është se Ilir Meta mund të prodhoj ndonjë “çdekret” për emërimin e gjyqtares që mbushi vakancën e Presidentit, për ta futur në një spirale pa fund ngritjen e Gjykatës. Ngritja e Gjykatës Kushtetuese është hapi vendimtar që ritkhen në normalitet krizën institucionale në Shqipëri.

Gjykata Kushtetuese është në pritje për të konfirmuar fatin e Presidentit Ilir Meta, dhe për të krijuar garanci që vendi mund të hyj në zgjedhje, pas çmendurisë që Presidenti bëri me zgjedhjet e 30 Qershorit. Beteja e Ilir Metës për të krijuar kurthe proceduriale të shpikura kundër llogjikës kushtetuese, në të vërtet është një përsëritje e skemës së 30 Qershorit, të çdekretimit të zgjedhjeve për ta mbajtur vendin në krizë të përhershme kushtetuese, dhe për ti mbijetuar shkarkimit të tij.

Mero Baze: Viti i një proteste që ka lindur e vdekur

Nga Mero Baze

Nëse ka një gjë “mizore” të qeverisë ndaj protestuesve të “Unazës së re”, është fakti që i ka lënë një vit të protestojnë për të provuar që kauza e tyre nuk është kauzë e shoqërisë.

Të gjithë ata që tentojnë të përkujtojnë një vjetorin e kësaj proteste, në fakt duhet të kujtojnë, se është shembulli më domethënës, se si një protestë mbetet brenda një unaze të ngushtë njerëzish dhe territori, kur nuk përfaqëson interesin publik, por përpjekjen për t’iu imponuar interesit publik me një hall personal.

Secili prej banorëve të “Unazës së re”, nga ato rreth 30 familje që do t’u prishen shtëpitë, e ka vërtet problem serioz atë me të cilën po përballet. Ata kanë ndërtuar pa leje dhe mbi një njollë që ka qenë prej kohës së Adil Çarçanit, gjurmë e Unazës së Tiranës. Me vetëdije apo vetdije, të nxitur politikisht a jo, ata janë viktima të një Shqipërie që ktheu në prioritet anarkinë mbi ligjin, zaptimin mbi blerjen, masakrën urbane mbi planet e zhvillimit urban etj.

Pra secili prej tyre është në telashe dhe kjo është arsyeja që banorët e kryeqytetit, por dhe më gjerë nuk janë agresivë ndaj tyre, edhe pse ata shpesh kanë bërë gjeste kafshërore ndaj njerëzve që bllokohen në Unazë, ndaj të sëmurëve apo njerëzve që nxitojnë të kapin një orar në Rinas, përfshi dhe sulmin e padenjë ndaj një diplomati që ishte në punë të vet me gruan e tij, siç ishte rasti i ambasadorit të OSBE. E sulmuan ambasadorin në makinën e vet dhe pastaj bëjnë si të zemëruar pse u nxori gishtin. Në fakt po të kishte shtet normal, në atë rast u duhej nxjerrë shkopi i gomës.

Të gjithë  kanë parë si njerëz të zemëruar hallexhinj, por që nuk kanë të drejtë të kërkojnë ndihmë nga shoqëria. I kanë lënë në hallin e tyre.

Ajo që është interesante në këtë histori, është se atyre prej dhjetorit të vitit të kaluar u shkoi në krah Partia Demokratike dhe partitë aleate të opozitës. Më mirw të themi u shkuan kryetarët e opozitës. Kjo nënkuptonte se protesta do rritej, do bëhej më e madhe, më popullore dhe më e mbështetur.

Në fakt nddodhi e kundërta. U bë dhe më e vogël, dhe më agresive dhe më e izoluar. I vetmi produkt i gjithë protestës një vjeçare, është libri me kujtime nga protesta, i djalit të Fariut, që mund t’i shërbejë për t’u rifutur në listë për deputet dhe për të mësuar të lexojë librin e vet. Asgjë tjetër.

Bashkimi i opozitës me ta, në vend që t’i rriste, i zvogëloi dhe i bëri dhe më të izoluar nga opinioni publik.

Kjo tregon se asnjë opozitar i Tiranës, asnjë qytetar i Tiranës, qoftë ky i PD apo partive të tjera opozitare nuk është ndjerë i motivuar të bëhet palë me interesin e 30 banorëve kundër interesit publik, apo me zaptuesit kundër pronarëve.

Edhe pse Mediu apo Shehi, vegjetojnë në politikë, në emër të ish pronarëve, ku shkuan e u solidarizuan me antipronarët, kjo nuk preku telat e zemrës, të asnjë ish pronari që të shkonte e tu thoshte, “ua kam falur tokën time, vetëm ju të fitoni”.

Përvjetori i kësaj proteste, është një leksion i hidhur i një këmbënguljeje një vjeçare për t’iu imponuar shoqërisë me dhunë, me agresivitet dhe me një politizim të tejskajshëm, në emër të një interesi privat, qoftë kjo dhe një kauzë e dhimbshme, siç është prishja e shtëpive.

Shoqëria nuk e bëri pjesë të saj zemërimin e tyre. Ai nisi në Unazë dhe mbeti në një qoshe të Unazës. Aty mbeti dhe opozita që tentoi ta përdorë, edhe kamikazët që donin të penalizonin Tiranën, pse nuk i mbështeste.

Sot Berisha na kujtoi se protesta mbushi vitin. Nuk e di si e kanë zakonin nga anët e Berishës, kur mbushet viti i një të vdekuri, por ajo protestë ka lindur e vdekur dhe lirshëm sot mund të shpërndajnë dhe hallvë, por jo fishekzjarre fitoresh.

Ata që duan të mos gjendet kush qëlloi mbi prokurorin

Nga Mero Baze

Prokurori Arjan Ndoja duket se ka qenë shenjëstra e një sulmi me armë, ndërkohë që ka qenë i shoqëruar në makinën e tij nga njerëz me precedentë penalë. Për fat të mirë ende nuk ka viktima në rrezik për jetën, por ka një debat kanibalesk rreth atentatit për shkak të politikës. Prokurori në fjalë ka qenë lakuar në një fjalim të kryeministrit Edi Rama pa ia përmendur emrin, si njeriu i lidhur me njerëz të inkriminuar në qytetin e Durrësit, pas një vendimi të prokurorit, që Rama dhe më pas Braçe, e konsideruan abuziv ndaj një zyrtari lokal të hipotekave në Durrës.

Kaq ka mjaftuar që askush të mos flas më për krimin dhe autorët e tij, por të fyejnë dhe mbrojnë pa shkak viktimën. Së pari duhet thënë se sot nuk është rasti  që sulmi i kryeministrit ndaj lidhjes së prokurorirt me njerëz të inkriminuar të konsiderohet gabim, pasi sot është provuar ajo që ai ka thënë.  Personat që u gjendën me të në makinë dhe që për fat janë gjallë, janë pikërisht ashtu siç i ka përshkruar kryeministri.

Gabim ndoshta ishte atë ditë që e tha, pasi nuk e shoqëroi me prova, por me shantazhe për fakte që i dinte. Sot provat janë me Ramën, por ato prova janë arsye për të rrezikuar karrierën e Prokurorit, por jo jetën e tij. Debati real sot është kush ka qëlluar mbi prokurorin. Në këtë pikë kushdo që di diçka mund ta thotë dhe të ndihmojë drejtësinë. Por deri tani ka së paku dy qëndrime zyrtare të opozitës, që po përpiqen të fshehin vrasësit. Është qëndrimi zyrtar i Sali Berishës dhe LSI, të cilët mezi kanë pritur të ripublikojnë fjalimin e Edi Ramës në Kuvend dhe ta konsiderojnë atë vrasës.

Kjo nuk është se i prish ndonjë punë Edi Ramës, por tregon se sa shumë është i interesuar Sali Berisha dhe opozita që të mos gjenden vrasësit e vërtetë. Vrasja ka një pistë reale dhe vrasës realë që duhen gjetur dhe çuar para drejtësisë dhe për këtë duket se ka një mobilizim të prokurorisë së krimeve të rënda dhe policisë. Por me sa duket opozita jonë qenka e vetmja që nuk i intereson vrasësi i vërtetë, ose ata që qëlluan mbi prokurorinë.

Ata po janë gati të sulmojnë çdo kënd që gjen vrasësin apo heton atë, pasi i duhet vrasës Edi Rama. Kjo natyrisht nuk duhet ta ndalë prokurorinë dhe policinë të gjejë vrasësin e vërtetë, por dëshira e Berishës që vrasësit të mos gjenden, të shurdhon veshët  në gulçimat e tij. Ka një jetë të tërë që e bën këtë gjë. Nuk i duhen kurrë vrasësit e vërtetë.

I duhet të jetë “vrasës” kundërshtari. Kështu i duhej Fatos Nano ndërkohë që u vra Azem Hajdari para syve tw tij. Pastaj u bë vëlla me të dhe kurrë nuk ia zuri në gojë. Kështu i duhej “vrasës” Edi Rama më 21 Janar, derisa u provua që i vrau vetë katër qyetarët dhe më pas filloi të mburrej për këtë. Kështu i duhet “vrasës” edhe sot Edi Rama. Dhe se ç’kam një frikë që e ka të vetin vrasësin e vërtetë.

Pendarovski mbron Shqipërinë, Meta “vajton” Maqedoninë e Veriut

Nga Mero Baze

Presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski dhe Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta kanë ndërruar rolet në përballjen e tyre me shtypin. Presidenti i Maqedonisë verore, mbrojti qëndirmin se Shqipëria dhe Maqedonia u ndëshkuan jo për shkak të standarteve të tyre, por për shkak kushteve që Franca i vuri BE dhe mbrojti Shqipërinë duke theksuar se ndarja e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut nuk ka qenë kurrë pjesë e fjalorit të tij politik.

Pas tij Ilir Meta bëri të kundërtën. Ai ndau Shqipërinë nga Maqedonia dhe la të kuptohej se mosplotësimi i kushteve nga Shqipëria dogji dhe Maqedoninë. Dmth përballë publikut, Presidenti i Maqedonisë së Veriut mbron Shqipërinë, kuse Presidenti i Shqipërisë përpiqet të jetë në anën e dikujt, që nuk i ka kërkuar ndihmë, duke këmbngulur se Shqipëria ka dëmtuar Maqedoninë e Veriut. Ky pozicion qesharak i Presidenti të Shqipërisë, buron nga disa arsye komplekse.

Fillimisht, buron nga fakti që Bashkimi Evropian jo vetëm nuk përfilli asnjë nga arsyet që Ilir Meta mendonte dhe vazhdon të pretendojë se na kanë shtyrë negociatat, por bëri dhe të qartë se ato nuk janë problem i tyre. Për gjashtë muaj rresht, ndërsa përpiqej ti vinte flakën Shqipërisë, Ilir Meta po përdorte si terror mbi opinionin publik, faktin që nëse nuk bëhej siç thoshte ai, më 18 tetor BE nuk do hapte negociatat për revolucionin e tij. Ai këmbngulte se nëse bëheshin zgjedhjet e 30 Qershorit dhe akoma më keq nëse nuk bëheshin zgjedhjet më 13 Tetor, ne nuk do mernim negociatat. Në fakt asnjë nga këto arsye nuk u përfillën.

Përkundrazi reaksioni ndaj reformës në drejtësi, çfarë ishte në vetevete revolucioni Meta-Berisha i pranverës, janë quajtur sakrificë e Shqipërisë për të merituar negociatat. Nga ana tjetër Ilir Meta ka një problem dhe me enturazhin politik në pushtet në Maqedoni. Si mbështetës i pakursyer i Gruvskit dhe klanit të tij, ai luftoi gjatë që koalicioni i shqiptarëve me Zaevin të dështonte dhe për më tepër ishte dhe kundër mënyrës se si Maqedonia u soll me Gruevskin, sidomos me dënimin dhe arratisjen e tij në rrugën Qafë Thanë-Lalëz-Muriqan.

Stevo Pendarovski, është produkt i koalicionit të shqiptarëve me të majtën maqedonase dhe është i pari president i Maqedonisë, që po përdor shqipen në twiter-in e tij zyrtar, duke u ndjerë president dhe i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Ilir Meta është i shqetësuar nga afërsia e tij me qeverinë shqiptare dhe po përpiqet ti mbush mendjen se Maqedonia është ndëshkuar prej Shqipërisë dhe Edi Ramës.

Stevo Pendarovski e di vet për çfarë arsye është bllokuar Maqedonia ashtu si dhe Shqipëria, dhe nuk ka nevojë për mesazhe publike nga Ilir Meta për këtë çështje. Por fakti, që Ilir Meta sillet si avokat i Maqedonisë së Veriut, pa ja kërkuar dhe Stevo Pendarovski si avokat i Shqipërisë tregon shumë për dëshpërimin e Presidentit tonë nga rruga e përbashkët e Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut drejt BE. Ai i do të ndara dhe mundësisht Shqipërinë jashtë liste. Stevo Pendarovski i do të dyja bashkë.

Pse Berisha kërkon një frymë anti-franceze në Shqipëri?

Nga Mero Baze

Parlamenti Europian ka miratuar një Rezolutë ku distancohet nga veto-ja franceze kundër Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe lë të hapur shpresën që procesi të ringjallet sa më shpejt të jetë e mundur. Edhe pse ngjan si një ngushëllim për “të shtatat” e vdekjes së procesit të zgjerimit, rezoluta në vetvete adreson përgjegjësi individuale për Francën në këtë histori.

Pas kësaj ka dhe një debat të ri, për një përpjekje që Bashkimi Europian të gjejë rrugë të tjera afrimi me vendet e Ballkanit, përmes një stukture horizontale të integrimit, duke ofruar ndihma financiare, strukturore dhe politike, para procesit të anëtarësimit, me qëllim që rajoni të mbahet i lidhur me BE.

Por mënyra se si e përjeton Europa këtë ngjarje dhe si e përjeton politika në vendet e viktimizuara është e ndryshme. Europa po e përjeton dështimin e një “Po”-je për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut si një dështim të saj, si një humbje besimi dhe kredibiliteti dhe është e frikësuar se ka varrosur autoritetin e saj, në një rajon ku janë premtuar negociata kundrejt reformave.

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut kanë lexuar “e bardha mbi të zezë” në fletën e votimit, pyetjen “A dëshironi të ndryshoni emrin e shtetit në shkëmbim të hapjes së negociatave?”. Dhe kur ata e ndërruan emrin e shtetit, Europa nuk ishte në gjendje të mbante fjalën e saj për shkak të Francës.

Dhe kjo natyrisht i bën liderët europianë të ndjehen të turpëruar dhe të bashkohen në një rezolutë si e sotmja, duke ndëshkuar qëndrimin e Francës. Në Shkup kjo rezolutë shikohet si ndihmë për qeverinë e Zaevit, e cila do të hyjë në një betejë elektorale në prill, me shpresë që t’i mbijetojë vrullit anti-europian që ka marrë opozita.

Në Shqipëri, qeveria përpiqet të ndjehet e ngushëlluar nga rezoluta, kurse opozita e ka foksuar betejën tek mbrojtja e qëndrimit francez. Kryetari “de facto” i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka publikuar sot një editorial që vë në siklet dhe mbrojtësit më banalë të Presidentit Macron, duke i dalë atij zot, për shqetësime që Macron nuk i ka. Ai shpall qëndrimin e Macronit si realist dhe të duhurin kundër Shqipërisë dhe akuzon disa botues shtypi, se kanë sulmuar Francën dhe kanë krijuar një klimë anti-franceze në vend.

E vërteta është se Presidenti Macron me qëndrimin e tij ka dëmtuar më shumë Europën, se sa Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ndaj dhe ka një Rezolutë kundër tij nga Parlamenti Europian. Ai ka krijuar më shumë frymë anti-franceze në BE, se sa në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut. Problemi është që Macron dhe Berisha kanë arsye të ndryshme për “Jo”-në ndaj Shqipërisë, pasi Macron e ka “jo” parimore, me mos zgjerimin e Europës, kurse Berisha e ka si dëshiron ai. E vetmja gjë e përbashkët mes tyre në këtë histori, është që ndjehen të kënaqur pas “Jo”-së.

Ndaj dhe nuk vlen të debatosh për ndonjë klimë anti-franceze në Shqipëri, pasi vendimi francez këtu ka më shumë mbështetës se në Francë. Madje, i vetmi rrezik për Francën në Shqipëri është pikërisht ky, pasi vendimin e saj e mbron Sali Berisha. Kjo është një mënyrë banale që t’i biesh më qafë Francës, duke eksportuar tek ajo, përçmimin që shqiptarët kanë ndaj një vrasësi si Berisha. Se dhe Enver Hoxha ka bërë një vit shkollë sa Berisha në Francë, po të paktën nuk e njehsonte veten me Francën. Nuk tentoi t’i bëjë kaq dëm sa shërbëtori i tij.

Skip to toolbar