Mero Baze: krimi virtual i Berishës dhe Metës

Nga Mero Baze

Paniku i së dielës në mbrëmje nuk është një panik i shkaktuar nga nevoja për klikime në portale, por nga një skenar politik. Mbrapa lajmit nuk qëndron as ai reporteri i shkretë që kanë ndaluar, as redaktorët formalë të portalit në fjalë, por një përpjekje perverse politike për të shfrytëzuar ankthin e shkatuar nga tërmetet, në një panik që mund të destabilizonte situatën.

Pikë së pari, duhet çmontuar alibia e një lajmi për klikime, që e hodhi i pari portali në fjalë, sapo pa efektin e lajmit të rremë.

Ata qindra mijëra njerëz që vrapuan të ikin nga shtëpitë me kalamaj e pleq në makina, nuk e kanë klikuar lajmin, por e kanë dëgjuar nga miq, të afërm, komshinj, njerëz në rrugë etj.

Askush nga ata nuk ka klikuar portalin dhe as portali nuk e ka pasur këtë qëllim. Qëllimi ka qenë të shpërndahet një lajm që ngjall panik, duke theksuar në kokë të lajmit dy gjëra thelbësore, “Tërmet i madh” dhe “Dilni nga shtëpia në ora 23. 30”.

Këto dy elementë janë të mjaftueshëm për panik, pasi jepet një orë konkrete dhe në klimën e ankthit që kishte pushtuar kryeqytetin, kjo ishte “benzinë mbi zjarr”.

Lajmi nuk është hedhur në treg për klikime, por për panik, për trazira, dhe mbi të gjitha, për të futur situatën në kolaps. Është thjesht një operacion politik dhe jo gazetaresk.

Pas operacionit qëndrojnë qartazi Sali Berisha dhe Ilir Meta.

I pari, Sali Berisha, e ka portalin pronë joformale të familjes së vet. Portali në fjalë financohet në të zezë prej vitesh dhe nuk ka asnjë mundësi të demonstrojë burimet financiare, por mund të tregojë vetëm adresën tek pallati i Ilir Metës tek “Dogana”, dhe ndonjë ish- drejtor Tatimesh dhe ish- kryetar bashkie, që i paguajnë haraçet e postit të dikurshëm, Shkëlzenit. Çim Peka nuk është as financues, as drejtues i asaj medie, por është zgjedhur si idiot, që të jenë të gjithë në rregull.

Ideatori i lajmit është Sali Berisha dhe në shpjegimet e tij të sotme, ai ka rrëfyer me hollësi se si e ka prodhuar lajmin. Ai përveçse njeh çdo reporter anonim brenda portalit të familjes së tij, tregon dhe se si ka “lindur” lajmi, duke marrë shkas nga një intervistë e një mitomani grek në Top Channel, i cili në fakt nuk ka dhënë as paralajmërime, dhe për më tepër ndonjë orë kur mund të bjerë tërmet.

Rrëfimi i Berishës zbërthen qartë vëmendjen me të cilën ai i është përkushtuar ndërtimit të lajmit për panik.

“Ky akt kriminal, atentat ndaj shtypit të lirë u ndërmor sepse ata ritransmetuan një lajm, të cilin i pari e kishte dhënë Tele Blushi, në të cilin njoftohet se nga motet e mëdha që shoqërojnë tërmetet mund të ketë edhe përmbytje”, shkruan Berisha, i cili duket sikur punon redaktor në tavolinën e portalit.

Në fakt, Top Channel as ka dhënë ndonjë lajm të tillë, as ka caktuar ndonjë orë, por ka transmetuar intervistën e mitomanit grek, që thotë gjithë gjërat që dihen për tërmetet, dhe i quan si zbulime.

Lajmi i pilotuar për panik, është shoqëruar në sfond nga deklarata të LSI, që vazhdojnë kërkojnë llogari pse nuk është marrë seriozisht paralajmërimi idiot i Ilir Metës për tërmetin, për të krijuar kështu sfondin e një përgjegjësie qeveritare për gjendjen e shkaktuar pas tërmetit.

Lajmi është pilotuar pikërisht në këtë kontekst, në kulmin e ankthit të qytetarëve dhe duke përdorur në sfond fajin që ka qeveria, që nuk beson se Ilir Meta parashikon tërmete.

Ai është i gjithë një produkt politik dhe nuk ka asnjë lidhje me gazetarinë, apo raportimet gazetareske. Ai nuk ka lidhje as me klikimet dhe as me mendjelehtësi reporterësh, por me gjakftohtësi kriminelësh politik.

Si i tillë, nuk është rasti të gjykojmë disa reporterë, por autorët e vërtetë të tij, që janë Sali Berisha dhe Ilir Meta, ata që nuk nxorën dot në shesh 2 mijë veta për të përmbysur qeverinë dhe menduan se erdhi ora të hakmerren ndaj popullit që nuk i shkon pas.

Dje, më së fundi ata patën disa orë të lumtura, kur panë se ligësia funksionoi dhe ata i panë shqiptarët nën pushtetin e terrorit të tyre politik, duke vrapuar në panik.

Natyrisht që ëndrra e tyre është sikur t’i kishin nxjerrë në rrugë për hallin e tyre. Por meqë kësaj nuk ja arritën dot, duken të kënaqur që i nxorën në rrugë nga ligësia e tyre dhe urrejtja për shqiptarët, që nuk u shkojnë pas, por që ata arritën t’i vënë përpara si delet.

Nga “Rama Ik”, tek “Gjiknuri ik”

Nga Mero Baze

Në të vërtetë, arsyeja përse Lulzim Basha nuk ulet dot në tryezën për reformën zgjedhore, ka të bëjë më shumë me tryezën e partive opozitare, se sa me Damian Gjiknurin.

Ai është në hall çfarë t’iu thotë atyre, nëse ulet në tryezë, dhe jo se çfarë t’i thotë Gjiknurit.

Problemi që ka Lulzim Basha është se ulja në tryezë, i jep fund dhe zyrtarisht revolucionit që ka nisur në pranverë të këtij viti, dhe ai është ende i pasigurt për pasojat, nëse e pranon këtë gjë.

Kjo është arsyeja parimore. Arsyeja reale është se Edi Rama ja ka lënë në dorë opozitës, pra Bashës, propozimet për reformën zgjedhore, dhe Lulzim Basha nuk është gati t’ia lërë në dorë tekave të aleatëve të tij propozimet për reformë zgjedhore.

Ai në të vërtetë, dëshiron këtë sistem elektoral që është dhe nuk ka ndonjë vërejtje për të, pasi ky sistem i siguron autoritet në parti, ngaqë është autor i listës së deputetëve.

Nëse ai shkon në tryezë, atij do t’i duhet të përcjellë aty dëshirat e aleatëve të vet, që i ka marr më qafë duke i nxjerrë nga Kuvendi dhe që duan si shpërblim t’i rifusë përsëri në zgjedhjet e ardhshme, në listat e PD.

Pra ai është i rrethuar nga të gjitha anët.

Fillimisht nga Edi Rama, që e pret në tryezë duke i lënë një karrige në krah të Rudina Hajdarit. Pastaj nga aleatët e vet, që i kërkojnë të ndryshojë sistemin. Dhe në fund, edhe nga Berisha, që i thotë po të pashë në atë tryezë, gjej vend e futu.

Në këto kushte, i vetmi shpëtim i Lulzim Bashës është të bëjë sikur vazhdon të jetë në revolucion, dhe nuk ulet në tryezë me… Damian Gjiknurin.

Për hir të së vërtetës, nëse do të respektojë revolucionin e dështuar qa ka nisur në pranverë, ai duhet të vazhdojë betejën me Edi Ramën. Se zëvendësimi i lëvizjes “Rama ik” me “Gjiknuri ik”, e bën të dështuar qysh në fillim revolucionin.

Kjo i bie që Basha nuk ka më problem me Ramën, por me njerëz të tjerë brenda PS, dhe po përpiqet të përzgjedhë partnerët e vet brenda PS.

Po të jetë kështu, Rama e ka bërë me kohë këtë gjë, se i ka partneret e vet në PD në Parlament, por është treguar pak më zemërgjerë, dhe u ka lënë një vend dhe të vetëpërjashtuarëve.

Për këtë arsye, kjo lëvizja “Gjiknuri ik” duket qesharake në shumë aspekte. Por mbi të gjitha, shumë dëshpëruese për demokratët dhe goxha vlerësuese për Damianin, i cili për pak po besonte se nuk ja varte më njeri.

Për opozitën, kushtet janë më të këqija, se hapja e negociatave

Nga Mero Baze

Gjermania duket se po shkon drejt votimit pro hapjes së negociatave me Shqipërinë, duke i lënë një sërë detyrash shtëpie, të cilat kanë të bëjnë me hapat e mbetur për të plotësuar Reformën në Drejtësi.

Për opozitën shqiptare, e cila e ka kthyer në betejë të saj politike mos hapjen e negociatave, në fakt kushtet gjermane janë më të këqija se hapja e negociatave.

Nëse do t’i pyesje më vete larg kamerave Sali Berishën, Ilir Metën, apo Lulzim Bashën, ata do të pranonin më qejf hapjen e negociatave dhe mos plotësimin e atyre kushteve, se se sa hapjen me ato kushte, të negociatave.

Kriza politike shqiptare e këtij viti, e ka zanafillën e vet pikërisht tek këto kushte që nuk janë përmbushur akoma.

Frika nga ngritja e SPAK, dështimi i ngritjes së Gjykatës Kushtetuese, mungesa e Gjykatës së Lartë dhe hapat e tjerë të plotësimit të reformës, janë në të vërtetë makthi që ka detyruar opozitën të djegë mandatet e deputetit dhe të mos hyjë në zgjedhje lokale.

Janë pikërisht këto kushte, që janë finalizimi i Reformës në Drejtësi, arsyeja pse Shqipëria u zhyt në krizë dhe pse Berisha e Meta ishin gati të digjnin Shqipërinë, për të mos u realizuar ato.

Tani që këto mungesa reale në institucionet e Reformës në Drejtësi janë kthyer në kushte të Gjermanisë për negociatat, opozita gjendet para një problemi të madh, pasi beteja e saj reale politike ka qenë pikërisht kundër këtyre kushteve. Nëse ato realizohen, opozita ndjehet realisht e dështuar, pasi për ato kushte ka bërë gjithë betejën e saj.

Ndaj ky është rasti i parë, kur opozita më qejf ka të hapen negociatat e këto institucione të mos ngrihen kurrë, se sa të na detyrojnë të plotësojmë këto kushte që të hapen negociatat.

Të 9 kushtet e vendosura nga Gjermania, janë një finale e padëshiruar për opozitën, sidomos për çiftin Berisha- Meta.

Kushtet fillojnë me ndërtimin dhe nisja nga puna e SPAK, nisja nga puna e Gjykatës Kushtetuese, plotësimi i vendeve vakante në Gjykatën e Lartë, nisja e proceseve penale ndaj gjykatësve dhe prokurorëve të rrëzuar nga Vettingu, reforma zgjedhore dhe zbatimi i saj, dënimi i personave të përfshirë në vjedhjen e votave, bilance të suksesshme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, reforma në administratë dhe sqarimi i legjitimitetit të zgjedhjeve lokale.

Nëse këto kushte plotësohen, opozita humbet gjithë arsyet e betejës së saj politike që futi Shqipërinë në krizën më të thellë politike dhe nxori nga sistemi opozitën.

Ndaj ky është rasti që opozita shqiptare lutet që Shqipëria të mos i plotësojë kurrë ato kushte, jo se nuk dëshiron të hapë negociatat, por nuk dëshiron të hapë kartat e historisë së saj.

Revolucioni që po u ha kohën, bijëve të vet

Nga Mero Baze

Pesë aleatët formal të PD, janë mbledhur në Kantinën e Agron Dukës dhe i kanë kërkuar Lulzim Bashës të ulen me Edi Ramën, sipas një plani të hartuar së bashku, ku përfshihen ndryshime kushtetuese, ndryshime të kodit elektoral, ndryshime në ligjin e dekriminalizimit etj. Monika Kryemadhi që ka shmangur darkën me verë mes burrash, ja ka thënë sot, thuajse të njëjtën gjë, duke u përpjekur ti heq turpin për takimin me Ramën. Të dërguarit ndërkombëtarë që vijën e ikin në Shqipëri pa vrarë shumë mendje për krizën, po ashtu po i kërkojnë opozitës të ulet në tryezë për reforma ligjore.

Kushti i vetëm i të gjithëve është që Lulzim Basha të mos ulet vetëm me Edi Ramën por bashkë me të tjerë. Situata është tragjiokomike për faktin se Lulzim Bashën po e trajtojnë të gjithë si një delikuent të papërgjegjshëm që duhet të shkoj i shoqëruar në takim me të rriturit, ndërsa vet Lulzim Basha nuk ka asgjë për të reformuar në tryezë me Edi Ramën. Ai nuk ka gjë për të shtuar në ndryshimet kushtetuese, nuk ka ndonjë ide se si mund të shpëtoj po ndryshoi përsëri ligjin e dekriminalizimit dhe mbi të gjitha ai  është dakord me Edi Ramën, lidhur sistemin elektoral, pasi është i vetmi sistem që i jep atij autoritet në parti.

Ajo që u premtoi Lulzim Basha aleatëve para se të niste revolucioni, ishte gjunjëzimi i Edi Ramës me revolucion, me djegie mandatesh dhe bojkot zgjedhjesh dhe jo mundja e Edi Ramës përmes një marrëveshje të re me të, qoftë dhe me pesë aleatët e tij dëshmitarë. Përpjekja e të gjtihëve për ti nxjerr turpin Lulzim Bashës dhe për ta ulur me Edi Ramën, është qesharake, pasi ai nuk ka problem dialogun me Edi Ramën, por mundjen e Edi Ramës. Nëse ai pranon të ulet sot në tryezë me Edi Ramën, duhet të pranojë që i ka dështuar revolucioni dhe revolucioni i dështuar ka kosto, pasi siç ka thënë dhe Berisha, lideri duhet të ketë bilanc.

Nga ana tjetër nëse Lulzim Basha duhet të ndryshojë kursin dhe të pranoj humbjen e revolucionit, ai duhet të ndryshoj dhe aleatët e tij. Këta që po i kërkojnë të ulet me Edi Ramën janë ata që i kërkuan të nis revolucioni dhe i qëndruan në krah në gjithë atë marrëzi që desh futi në luftë civile Shqipërinë. Ata që e kundërshtuan dhe nuk i shkuan pas Lulzim Bashës, janë në parlament ose jashtë tij në parti të tjera. Lulzim Basha nëse ndryshon kurs, do ti duhet së pari të ulet me ta, të pranoj që gaboi dhe të mbështesë idenë e tyre. Ulja në tryezë me Edi Ramën nënkupton rikthim në sistem dhe rikthimi në sistem bëhet duke ripranuar opozitën parlamentare, duke ja lënë asaj përfaqësimin e PD në parlament dhe duke u përpjekur të rintegrohet përmes tyre.

Pa ata, PD në zgjedhjet e ardhëshme është një parti jo parlamentare, pa asnjë deputetë dhe kryetar bashkie, pa asnjë fond nga shteti dhe pa asnjë të drejt më shumë se Bindja Demokratike e Patozit, apo ndonjë parti tjetër që mund të formojë opozita parlamentare. Ndaj historia e opozitës tanimë nuk zgjidhet nga ata që përkahën rrugën e revolucionit. Ata kanë dështuar dhe të humburit në luftë janë thjeshtë të vdekur. Rikthimi i PD në tryezë bisedimesh është lajm i mirë për PD por jo për Lulzim Bashën.

Atij do ti duhet ti hap rrugë dikujt që nuk kishte përgjegjësi për këtë greminë ku e hodhi PD dhe duhet tu kërkoj ndjesë gjithë atyre që i mallkoi si armiqë të PD, vetëm pse nuk pranuan rrugën që sot të gjithë e quajnë dështim, por Lulzim Bashën nuk guxojnë ta quajnë dështak. Në parim çdo revolucion u ha kokën bijëve të vet, kurse ky revolucioni i dështuar i PD, thjesht po u ha kohën, duke u marrë me Lulzim Bashën. Dhe kanë për ti gjetur zgjedhjet e vitit 2021, duke ju lutur të mos ketë frikë nga Edi Rama.

Mero Baze: Një raport që tregon luftën e dështuar të Ilir Metës kundër shtetit

Nga Mero Baze

Komisioni i Venecias, i cili po shqyrton kërkesën e Parlamentit të Shqipërisë për shkarkimin e Ilir Metës, ka marrë një raport prej 55 faqesh nga Ilir Meta, i cili e përshkruan situatën para 30 qershorit, jo vetëm në mënyrë tërësisht të njëanshme, por duke censuruar ngjarjet kryesore politike dhe qëndrimet ndërkombëtare, që bënë të mundur të realizohej 30 qershori. Dhe kur një president gënjen zyrtarisht në një raport të publikuar në faqen e vet zyrtare, atëherë nuk ke çfarë kërkon më tej në arsyet për ta shkarkuar atë.

Së pari, Ilir Meta nuk ka përfshirë në raportin e tij zyrtar, faktin që ai ishte palë me opozitën për mos pjesëmarrje në zgjedhje. Ai jo vetëm që nuk ishte mbi palët, por ishte frymëzuesi i mos pjesëmarrjes në zgjedhje. Përpara se të fillonte fushata zgjedhore, ai ishte angazhuar në beteja personale kundër qeverisë, në lojëra politike antikushtetuese për mos dekretim ministrash dhe mos dekretim të shkarkimit të ministrit të Jashtëm, në përpjekje për ta përdorur postin e presidentit, si mjet për luftë politike dhe diversion kundër shumicës.

Këtë nuk e ka në raport.

Së dyti, Ilir Meta e paraqet vendimin e tij për shtyrje të zgjedhjeve, si një përpjekje për të shmangur dhunën, ndërkohë që ishte e kundërta. Dekreti për shtyrjen e zgjedhjeve u përdor si krye-arsye për dhunën e opozitës dhe vetëm pas 8 qershorit, kur Ilir Meta bëri dekretin e anulimit të 30 qershorit, opozita me dekretin e tij në dorë, ju sul KZAZ-ve, dogji shkolla dhe sulmoi materialet zgjedhore, duke e konsideruar dhunën legjitime. Pra Ilir Meta nuk shmangu dhunën, por frymëzoi dhe legjitimoi dhunën politike me dekretin e shtyrjes së zgjedhjeve. Dhe këtë nuk e ka në raport.

Së treti, Ilir Meta nuk përshkruan në raport mbështetjen ndërkombëtare për 30 qershorin. Ai i referohet vetëm një lobisti të PD, që është kryetar i grupit parlamentar të CDU, që paska thënë se shtyrja e zgjedhjeve nga Ilir Meta mund të krijojë hapësirë të re, por ai ka censuruar në raport qëndrimin zyrtar të SHBA, qëndrimin zyrtar të Bashkimit Europian, përfshi dhe kancelares Merkel, dhe qëndrimin zyrtar të OSBE, që kërkonin që zgjedhjet të bëheshin më 30 qershor.

Ai po ashtu ka harruar të pasqyrojë faktin që ka sulmuar hapur SHBA, Bashkimin Europian dhe OSBE, si president i Shqipërisë, dhe banda të tij kanë terrorizuar dhe ambasadorin e OSBE në Tiranë, duke i shkuar tek shtëpia.

Kjo tregon shumë për betejën e tij personale dhe politike kundër 30 qershorit dhe keqpërdorimin e postit të presidentit, duke shpallur aleatët strategjikë të Shqipërisë, si armiq të saj.

Falë këtij qëndrimi perëndimor të SHBA, BE e OSBE, Ilir Meta u trajtua si Maduro dhe u injorua, duke shpëtuar Shqipëria. Kjo mungon në raport.

Së katërti, Ilir Meta ka harruar të pasqyrojë në raport faktin që të gjitha arsyet që ai thotë pse nuk mund të bëheshin zgjedhjet më 30 qershor, vlenin dhe për të mos u bërë më 13 tetor, pasi edhe ato do të ishin zgjedhje të njëanshme, vetëm nga njëra palë dhe ishte një datë e vendosur pa marrë konsensusin e palëve.

Kjo tregon se presidenti nuk po kujdesej për konsensusin, por për t’i vënë flakën Shqipërisë, me shpresë se pas kësaj do të mbaronte makthi i tij për gjërat që po shkonin jashtë kontrollit të tij dhe Sali Berishës.

Së pesti, çka është dhe më e rëndësishme, në të njëjtën ditë që Ilir Meta bën publike gënjeshtrat e veta për 30 qershorin si president “konsensual”, në të njëjtën ditë publikon në faqen e tij zyrtare thirrje për përmbysje politike në Shqipëri nën moton “O sot, o kurrë”, që pasqyron më shumë gjendjen e tij depresive dhe makthin politik, se sa pozicionin e presidentit të Republikës.

Ndaj mendoj se raporti që ai ka bërë publik është një arsye më shumë për ta shkarkuar, pasi reflekton edhe përpjekjen për të gënjyer zyrtarisht, duke fshehur të vërtetën që është ende e freskët.

Dhe i bën nder ta shkarkosh si president që i ka shpallur luftë shtetit. Se realisht, nëse e shikon si është katandisur, atë mund ta shkarkosh edhe si president që turpëron shtetin.

Do të mjaftonte videoja e tij me qenin nga Bosnja, videon me macet nga Lalzi, videot me brekë me Çim Pekën nëpër male, apo paralajmërimin për tërmetin apokaliptik, dhe çdo gjë që dëshmon lajthitjet e tij psikike, për ta shkarkuar si president që na turpëron.

Por kjo do ta rëndonte më shumë shtetin shqiptar. Më mirë të iki si njeri që tentoi të vrasë shtetin, se sa siç është realisht, një njeri që nuk e përballoi dot qënien në krye të shtetit.

Presion i pandershëm mbi Lulzim Bashën për një marrëveshje të re!

Nga Mero Baze

Tani që gjithë aleatët formalë të Lulzim Bashës, kanë hequr dorë nga kushti i uljes në tryezë pa Edi Ramën, si pengesë për dialogun. Pas LSI, edhe Agron Dukës, sot dhe Fatmir Mediu këmbëngul që duhet të ulen në tryezë me Edi Ramën për zgjidhjen e krizës.  E parë nga jashtë duket sikur tani gjithçka ka mbetur në dorë të Lulzim Bashës dhe tek një “Po” e tij. Madje ata duket sikur po i përkëdhelin sedrën, sikur ai e ka në dorë uljen në tryezë, për një Marrëveshje të re.

Por e vërteta është se ky është një presion i pashpirt mbi Lulzim Bashën dhe jo një përpjekje për ta mbivlerësuar vendimin e tj. Kjo këmbëngulje tregon më shumë zhgënjimin nga ajo që Basha ka bërë para 30 Qershorit, se sa rrugëzgjidhjen që duhet të gjejnë tani. Dhe sa më shumë të këmbëngulin për këtë gjë, aq më të vështirë do t’ia bëjnë Lulzim Bashës ta pranojë këtë gjë.

Nëse aleatët e Bashës e kuptojnë se nuk ka asnjë zgjidhje pa u ulur në tryezë me Edi Ramën, Lulzim Basha e kupton se ky nuk është fillimi i zgjidhjes së krizës, por fillimi i dhënies së llogarisë së tij për atë që ka bërë. Në Shqipëri nuk ka ndryshuar asgjë, që Lulzim Basha të heqë dorë nga ky kusht. Në emër të këtij kushti, ai nxori PD-në nga Kuvendi dhe nga zgjedhjet, duke i kthyer në gjendjen e parapluralizmit në Shqipëri.

Natyrisht që ai ishte një kusht fallco, dhe i gjithë revolucioni siç e pranon dhe Ilir Meta, ishte një situatë artificiale. Por ndërsa të gjithë janë të lirë ta pranojnë këtë, Lulzim Basha nuk është i gatshëm të paguajë për këtë gjë. Ndaj përpara se të nxisin Lulzim Bashën që të ulet me Edi Ramën, aleatët e tij duhet t’i heqin atij frikën se nuk do marrë përgjegjësi për këtë gjë para partisë së tij.

LSI mund t’ia falë këtë gjëmë që i bëri, se shpreson se i rikuperon deputetët e humbur. Aleatët e PD, nuk kanë çfarë humbasin, veç 30 për qind të rrogës që u ulet si ish deputetë.  Por Lulzim Basha ka çfarë humbet. Ulja në tryezë me Edi Ramën tani mund ta shkarkojë atë nga detyra e kryetarit të partisë, pasi është një kapitullim pa kushte i rrugës thellësisht të gabuar që ai ndoqi për nxjerrjen e PD nga sistemi.

Dhe përderisa ky vendim nuk ishte i tij, por i Sali Berishës, ai nuk mund të ulet në tryezë, pa e marrë këtë vendim Sali Berisha. Ky i fundit nuk ka ndërmend ta hedhë atë hap, pasi ka parimin që Basha e di vetë se çfarë duhet të bëjë. Ndaj gjithë ky presion ndaj Bashës është ose përpjekje për ta ndarë atë nga Berisha, si e vetmja mënyrë që të shmangë shkarkimin, ose presion mbi Berishën që ta tolerojë këtë dështim.

Nëse Basha hyn në konflikt me Berishën, duke marrë shkas këtë krizë dhe duke i lënë atij përgjegjësinë për “revolucionin”, do të jetë një akt i madh reformues, por duke mos qenë i sinqertë mund ta shkatërrojë dhe më shumë Bashën. Për ta bërë këtë, ai duhet së pari të pajtohet me opozitën parlamentare, të ribashkojë PD-në dhe ti thotë Berishës “ose me ne ose vazhdo rrugën”. Por po bëri këtë, nuk i duhen më aleatët që po e ftojnë në tryezë me Ramën.

Nga ana tjetër Berisha nuk është i gatshëm ta dorëzojë Bashën në tryezën e Ramës, për të dalë nga kjo situatë. Në këto kushte nuk ka për të ndodhur asnjëra dhe statukuo-ja e pas 30 Qershorit do jetë i vetmi sukses i gjithë palëve.  

Problemi është se ulja në tryezë kërkon kokën e Lulzim Bashës dhe ai nuk është i gatshëm ta dorëzojë atë “në sini”, si trofe për të filluar zhbllokimin e krizës në vend. Ai nuk e ka aq të lehtë sa Monika, Mediu, Duka apo Shehi, uljen me Ramën. Ai ka më shumë problem uljen me Berishën, për të folur hapur se çfarë duhet të bëjnë, për të dalë nga spiralja ku kanë hyrë. Dhe kjo është një bisedë që do shtyhet gjatë.

Aq  gjatë sa njëri prej të dyve, të marrë i pari guximin që të pranojë se dështuan, ose guximin për t’ia lënë përgjegjësinë atij që e mori këtë vendim.  Deri atëhere, të gjithë do bëjnë, sikur me dialogun po merret dikush tjetër dhe nuk është problem. Madje kam frikë se dhe më 2021 do të jemi vonë dhe do të themi se nuk jemi gati për zgjedhje, se nuk jemi ulur akoma  për Kodin apo reformën elektorale, me pretendimin se “Ai” dikushi që duhet t’i ulte në tryezë nuk është shfaqur akoma.

Në fakt ai nuk do shfaqet kurrë, derisa dikush nuk është i gatshëm të paguajë për atë që ka bërë.30 Qershori nuk mund të ketë dy fitues, edhe Edi Ramën edhe Lulzim Bashën. Dhe ne e dimë kush ka humbur. Nëse do vazhdojmë ta trajtojmë humbësin si fitues, nuk duhet të presim zgjidhje prej tij.

Presidenti zbardhi të vërtetën e dhunës

Nga Mero Baze

E gjithë beteja e dhunës e  para 30 Qershorit i ndante palët vetëm në një pikë, tek ata që pretendonin se ishim para një revolte popullore, që i duhej hapur rrugë (dhe kjo ishte dyshja Meta- Berisha), dhe tek ata që e konsideronin një “revolucion” artificial të sponsorizuar me rroga shteti nga punonjës bashkiakë, që donin të imponoheshin me dhunë.

Presidenti në atë kohë jo vetëm që ishte nga ana e atyre që tentonin ta konsideronin legjitime dhunën dhe si një shpërthim popullor, por bazuar dhe në këtë vlerësim, ai mori vendime që i hodhën benzinë zjarrit siç ishte ç’dekretimi i zgjedhjeve më 30 Qershor.

Dhuna më e rëndë ndaj shtetit, ishte dhuna që pasoi dekretin e Ilir Metës, pasi zjarrvënësit e shkollave dhe qëndrave të votimit marshonin me urë zjarri në njërën dorë dhe me dekretin e Ilir Metës në dorën tjetër. Ai dekret u kthye në një “fatwa” për demokracinë shqiptare dhe rrezikoi që t’i vinte zjarrin Shqipërisë.

Sot Presidenti i Republikës, ka deklaruar se situata e dhunshme ishte artificiale, pra ju bashkua atyre që thoshin se gjithçka është e sajuar për të gjunjëzuar demokracinë me dhunë.

Ky është një qëndrim dhe vlerësim krejt i ndryshëm nga ai i para 30 Qershorit. Qëndrimi i parë i Ilir Metës dhe nxitja që ai i bëri dhunës kundër shtetit me dekretin për ç’dekretimin e 30 Qershorit është zanafilla e dhunës reale kundër shtetit dhe shkaku përse opozita tentoi ta quajë legjitime dhunën.

Tani që ky e quan dhunën artificiale, nuk besoj se ka nevojë për ndonjë raport të detajuar për shkarkimin e Presidentit.

Besoj se mjafton dhe ky pohim që këta gjithçka e kishin të sajuar për të gjunjëzuar përmes dhunës, politikisht shtetin shqiptar. Dhe përtej shkarkimit, këtu ka një vepër të pastër penale, që nuk mund të rrijë pa u hetuar.

Eshtë e para deklaratë e sinqertë e Presidentit  në reflektimet e tij për ato që ka bërë. Dhe mendoj se nuk ka nevojë për ndonjë deklaratë tjetër. Për kaq ishin ndarë palët para 30 Qershorit.

Tani dhe Presidenti bie dakord që dhuna kundër shtetit kishte arsye artificiale. Problemi është se ai e frymëzoi, nxiti dhe udhëhoqi atë dhunë dhe duhet të përgjigjet.

Presidenti i një shteti paralel

Nga Mero Baze

E vetmja ngjarje pozitive nga Komisioni Hetimor për veprimtarinë e presidentit, ishte Ilir Meta i veshur me kostum. Pas shafqjes të së shtunës me brekë në plazh, duke ndihmuar një mace në majë të tendës, performanca e sotme, jep shpresë së paku për shëndetin mendor. Por nga ato që tha me dhe pa dashje, ai demonstroi se është president i një shteti paralel, dhe jo president i Shqipërisë. Nuk di të them a duhet të hetohet penalisht a jo për këtë, por së paku një herë të shkarkohet. Në rrëmin e tij para Komisionit, ai pranoi se kishte marrë vendime bazuar në informacione që nuk i disponon shteti shqiptar.

Fjala vjen, vendimi për shtyrjen e 30 qershorit, sipas tij, ishte marrë në kushtet kur ai ishte informuar nga burime të tjera të tij. Shërbimi Informativ Shtetëror, nuk e ka pasur ndonjë informacion për djegie Parlamenti. Policia jo. “Burimet e tjera” të Ilir Metës, nuk na interesojnë, por nuk janë burime të shtetit shqiptar. I vetmi argument në këtë pikë është nëse ka përgjuar mesazhet e gruas së tij me Lulin, dhe nëse ata kanë pasur ndonjë plan për ta djegur. Por nëse e ka pasur këtë informacion dhe nuk ka denoncuar, është dhe më keq për të. Ne, në të vërtetë e dimë pse e shtyu 30 qershorin.

E shtyu për t’i vënë zjarrin Parlamentit, dhe jo për ta shmangur atë. E shtyu për t’i vënë akën vendit dhe jo për ta shpëtuar atë. Por dhe në këtë version nuk ndryshon gjë fakti që ai sillet si presidenti i një shteti parallel, dhe jo presidenti i Shqipërisë. Argumentet e tij ligjore, po ashtu janë jashtë Kushtetutës sonë. Ai i referohet ose Kushtetutës së Ramiz Alisë, ose ndonjë precedenti të huaj, që duket se ja kanë përkthyer dhe gabim, ku nuk ka asnjë ngjashmëri me historinë tonë. Shtyrja e 30 qershorit nuk ngjan me asgjë, vetëm për shkak të faktit se është shtyrje zgjedhjesh.

Shtyrje zgjedhjesh mund të ketë pasur dhe mund të ketë në të ardhmen. Dekreti i Ilir Metës nuk ishte për shtyrje zgjedhjesh, por për prishje zgjedhjesh dhe për ta lënë Shqipërinë pa institucion të zgjedhjeve. Zgjedhjet shtyhen kur palët bien dakord. Zgjedhjet shtyhen kur vendi është në luftë. Zgjedhjet shtyhen kur ke qëllim të bësh zgjedhje. Dhe rast të tillë nuk ka askund as në Shqipëri, as në botë, përveçse në shtetin paralel të Ilir Metës. Së fundmi, vendimet e Ilir Metës janë marrë dhe kundër interesit kombëtar të shqiptarëve, pasi janë përdorur si një mënyrë për t’u koniktuar me dy aleatët strategjikë të Shqipërisë, SHBA dhe Bashkimit Europian.

Ilir Meta ka marrë qëndrime zyrtare publike kundër të dërguarit special të SHBA për Ballkanin, zotit Palmer, duke e denigruar atë dhe personalisht e familjarisht, dhe po ashtu ka sulmuar qëndrimin e Bashkimit Europian e OSBE për Shqipërinë. Kamikazë të tij i kanë shkuar në shtëpi dhe kanë kërcënuar ambasadorin e OSBE në Tiranë. Ilir Meta ka refuzuar të presë në takim me ambasadorët e tjerë, përfaqësuesen e Ambasadës së SHBA në Tiranë dhe atë të Republikës italiane.

E gjithë kjo krijoi një përplasje formale të institucionit të presidentit të Shqipërisë, me Perëndimin, dhe nese SHBA dhe BE do ta kishte konsideruar Ilir Metën realisht president të Shqipërisë, ne sot do ishim të përgjakur dhe të rrethuar me tela me gjemba. Por SHBA, BE dhe OSBE, nuk e identikuan kurrë Ilir Metën me Shqipërinë. Ata u rreshtuan në krah të shqiptarëve, duke shmangur gjakderdhjen më 30 qershor. Për fatin tonë tonë të mirë, ata nuk e konsideruan si president të Shqipërisë, por udhëheqës të një bande politike që kërkon t’i vërë zjarrin asaj.

Kjo e bën “de facto” Ilir Metën presidentin e një shteti paralel, që nuk ka lidhje me shtetin shqiptar, edhe për Perëndimin. Ndaj duhet trajtuar si i tillë deri në fund, duke i rikthyer institucionit të Presidentit, legjitimitetin e veprimeve, Kushtetutën dhe mbrojtjen e interesit kombëtar edhe në raport me orientimin e shqiptarëve drejt Perëndimit. Ky nuk është presidenti ynë.

“Pazari” që nuk bëhet pa opozitën parlamentare

Nga Mero Baze

Të gjitha palët, përveç shumicës, po përgjojnë se kush do jetë pazari me shumicën dhe kujt do t’i jepet ky pazar. Partia Demokratike po përpiqet t’i mbajë gjallë ende mbështetësit e vet me gënjeshtrën e radhës, që do ketë zgjedhje shumë shpejt, dhe do të jenë edhe parlamentare, edhe lokale. Tani jo se ata të dëshpëruarit e besojnë  atë që u thotë Basha, por janë gati t’ia thonë dhe vetes që duan një pazar që të mos shkrihen fare. LSI dhe aleatët e PD, duken edhe më të tërbuar. Ilir Meta pasi shpëtoi një mace që në pikë të mëngjesit, në drekë u kujtua të shpëtonte demokracinë dhe botoi një fjalim të tij të vitit 2008, kur ishte kundër pazarit Rama- Berisha për ndryshimet kushtetuese.

Në fakt, është e vetmja periudhë kur LSI ishte me të drejtën, por që më pas, kur bëri koalicion me Berishën, e deri më sot, është mbrojtësja më e madhe e sistemit elektoral që prodhoi marrëveshja Rama- Berisha. Por në gjithë këtë histori ku flitet për marrëveshje të mundshme për ndryshime në Kodin Elektoral për ndryshime kushtetuese etj, të gjithë harrojnë që faktori i vetëm politik që i bën të mundshme ato, është opozita parlamentare. Gjuha e baltës që Lulzim Basha vazhdon të përdorë ndaj tyre dhe nënvleftësimi që Rama shpesh bën sikur i ka të sigurtë, mund të zhbëjnë çdo pëprjekje për reforma, nëse i anashkalon ata.

Fakti që SHBA dhe Bashkimi Europian i respekton ata dhe mban të hapur komunikimin me ta, ka të bëjë mes të tjerash me faktin se në këtë vend nuk bëhet dot asgjë, nëse nuk duan ata. Lulzim Basha mund të ulet në tryezë me Edi Ramën, mund të marrë çfarë do ai, apo çfarë do Edi Rama, por ndryshimet do bëhen në Parlament, dhe ato janë në dorë të Rudina Hajdarit dhe grupit të opozitës parlamentare. LSI dhe aleatet e tjerë të vegjël të PD, mund të kenë kërkesa për ndryshim sistemi, por para se të ulen e t’i bëjnë qejfin njëri- tjetrit, është mirë të ulen e të pinë kafe me depuetët që kanë në Parlament. Biles po ta kishin bërë më parë, mund të shpëtonin dhe shkarkimin e presidentit.

Nëse ka sot një faktor real parlamentar që ka në dorë ndryshimet elektorale dhe kushtetuese e mbi të gjitha, dhe afrimin apo jo të zgjedhjeve parlamentare, se ato lokale janë më 2023, kjo është opozita parlamentare. Opozita parlamentare është e vetmja që mund të ndalë një marrëveshje “Rama-Basha 2” dhe jo postimet e Ilir Metës me qen, mace, Çim Pekën dhe me brekë nëpër male. Opozita parlamentare është e vetmja që mund të diktojë shumicën për një reformë elektorale më të ndershme, për t’i hapur rrugë vetes të hyjë në politikë. Opozita parlamentare është e vetmja forcë reale që mund të kthehet në urë komunikimi mes opozitës së rrugës dhe qeverisë.

Përpjekja për ta injoruar atë dhe për të bërë lidhje të shkurtër mes dy palëve, mund të rezultojë një dështim. Para se Lulzim Basha t’i çojë emisarë Edi Ramës, është mirë të thërrasë për kafe deputetët e listës së tij, që i kanë hyrë në Kuvend, e të pajtohet me ta. I duhen më shumë se Fatmir Mediu, Dash Shehi e Nard Ndoka, se pa ata nuk bën dot realitet asnjë ëndërr për ndryshime dhe për zgjedhje. Para se të gënjejë të vetët, që zgjedhjet do bien nga qielli, apo nga ndonjë i dërguar, është mirë të ulë kokën e t’u kërkojë ndjesë për fyerjet atyre që kanë në dorë sot fatin real të opozitës, për ta rikthyer në sistem. Ata nuk janë të shantazhueshëm si qeveria. Nuk janë të kapur.

Nuk janë të detyruar të dëgjojnë dhe fyerjet e PD, dhe t’i shërbejnë asaj. Ata në fakt janë pjesa më e lirë e politikës shqiptare. Llogaritë e bëra për pazare me Edi Ramën, janë “pazare pa hanxhinë”. E vetmja parti opozitare që ka një deputet në Parlament është “Bindja Demokratike”. Të tjerët janë ose duke bërë një parti të tyre, ose disa prej tyre, duke mbështetur “Bindjen”. Por asnjë nuk po shoh ta ketë kokën nga PD, përveç Lefter Maliqit. Ndaj është mirë që para se të ëndërroni për pazare apo marrëveshje, të bëheni të urtë, të pranoni opozitën që keni çuar vet në Parlament, dhe kur të pajtoheni me ta, të keni fuqinë e duhur për negociata. Tani keni vetëm çelsat e kashtës.

Mero Baze: “Ndëshkimi” që rekomandon OSBE/ODHIR për zgjedhjet

Nga Mero Baze

Raporti i OSBE/ODHIR për zgjedhjet e 30 qershorit është një pasqyrë realiste e asaj çfarë kanë ndodhur në ato zgjedhje. Të gjithë jemi të qartë se ishin zgjedhje pa opozitën, zgjedhje nën presion për të mos votuar, dhe në fund, dhe zgjedhje të çrregulluara.

Por të gjithë ishim të përgatitur për të qenë kështu, dhe më keq. Biles beteja dhe basti për 30 qershorin ishin se a do të mund të zhvilloheshin zgjedhjet kështu, pas asaj që opozita bëri duke i bojkotuar dhe duke i kundërshtuar me dhunë, duke i kërcënuar shqiptarët me vëllavrasje?

Por zgjedhjet arritën të bëhen, pa opozitën, pa gjak dhe pa ndonjë rezultat surprizë. Ashtu siç i prisnim të gjithë, njëngjyrëshe dhe formale, për të shpëtuar vendin nga një krizë më e madhe se sa kriza elektorale.

Basti i opozitës për të destabilizuar vendin nuk fitoi. Por bast për zgjedhje konkurruese, nuk vuri njeri, se nuk ke si vë bast për zgjedhje të tilla, kur një palë nuk merr pjesë.

Pas kësaj, ajo që ka rëndësi është se çfarë rekomandon raporti i OSBE/ODHIR, pasi çertifikoi një proces të gjymtuar.

Ndëshkimi që raporti i OSBE/ODHIR, i jep politikës shqiptare pas këtyre zgjedhje, është detyrimi për t’u ulur në tryezë sa më parë për të filluar reformën elektorale sipas rekomandimeve të tyre, me qëllim që palët të jenë gati për çdo zhvillim të ri në raport me zgjedhjet.

Dhe ka plot pika që duhen reformuar, të cilat mund të shpëtojnë sistemin nga kostot e larta dhe kapja prej të fortëve.

Së pari, mendoj se është çështja e komisionerëve. Rropatja për të gjetur komisionerë me formula partiake është kthyer në një terror financiar dhe politik.

Shqipëria duhet të depolitizojë komisionet e qendrave të votimit, duke emëruar me short tre komisionerë në çdo qendër, duke i zgjedhur nga profesione si mësues, juristë apo ndonjë profesion tjetër.

Kjo do të lehtësonte partitë e reja nga stërmundimi për të gjetur komisionerë dhe partitë e mëdha për të shpëtuar nga gracka e shpenzimeve marramendëse për t’i ripaguar që të mos tradhtojnë.

Së dyti, duhet rikthyer numërimi në qendër të votimit, dhe kështu mund të kemi rezultatin në gjithë Shqipërinë brenda 1 ore, duke shmangur dhe kostot e numëruesve.

Tre komisonerë në një qendër votimi mund t’i numërojnë 600 deri 800 vota sa ka një qendër, brenda 40 minutash, dhe brenda një ore Shqipëria njeh fituesin e zgjedhjeve. Kjo i bën zgjedhjet të pamanipulueshme dhe shmang pazaret, që fillojnë me bllokimet e pjesshme dhe “prerjen e barkut” të numëruesve, që urdhërohen me sms nga banditë apo politikanë.

Së treti, partitë duhet të bien dakord nëse do ruajnë këtë sistem, duke e reformuar apo duke e ndryshuar.

Për krizën shqiptare dhe natyrën politike që ka votimi, ky sistem duhet reformuar, për t’u bërë plotësisht i ngjashëm me sistemin grek, i cili është propocional rajonal, por lë votë preferenciale për kandidatët brenda qarkut.

Kjo e ruan ndarjen aktuale të qarqeve dhe u jep më shumë mundësi të zgjedhin, përtej shijeve të kryetarëve të partisë.

Këto tre ndryshime jamë emergjente. Të tjerat që kanë të bëjnë me dekriminalizimin, me financimin e fushatave, blerjen e votës e penalitete të tjera, mund të diskutohen në tavolinë.

Por OSBE/ODHIR i ka ndëshkuar politikanët shqiptarë që të ulen ta zgjidhin këtë çështje një orë e më parë, që të mos jetë më justifikim para zgjedhjeve të reja për bojkot, dhe të mos i ikin përgjegjësisë për të rikthyer zgjedhjet konkurruese, të lira dhe të ndershme.

Biles nëse ka ndonjë tepërim raporti, duket që e ka nën frymën për t’u përdorur si presion politik për dialog.

Nuk di sa i gëzuar është Lulzim Basha për këtë, por  rekomandimi themelor i OSBE/ODHIR, është detyrimi për t’u ulur në tryezë për reformën zgjedhore.

Nëse do të rikthehet në sistem, duhet ta shikojë si një rast të mirë. Nëse do të rikthehet në Holandë, s’ka pse gëzohet kot nga raporti.

Skip to toolbar