Ka zgjatur dy orë “mbrojtja” e presidentit Ilir Meta në Komisionin Hetimor për shkarkimin e tij. Nga “Heavy Metal”, presidenti këtë herë u shfaq i qetë, por pa lënë mënjanë akuzat si ndaj Ramës ashtu edhe ndaj Bashës.
Dy ishin argumentet e përdorur nga presidenti
për mbrojtjen e tij, përgjatë 120 minutave. E para ishte garantimi i të drejtës
së zgjedhjes së qytetarëve përmes një gare me disa kandidatë dhe e dyta shmangia
e gjakderdhjes. Por në të dyja argumentet, presidenti tha gjysmë të vërtetat që
i shkonin për shtat.
E para. Në zgjedhjet e 30 qershorit në gjysmën
e bashkive në garë ishte dy kandidatë dhe jo një, për shkak të pjesëmarrjes në
zgjedhje të Partisë Bindja Demokratike, ndërsa në fletën e votimit zgjedhësit kishin
të renditur jo pak por 39 parti që garonin për Këshillat Bashkiakë.
Ndërsa përsa i përket shmangies së
gjakderdhjes, të gjithë meritat për këtë duhet t’i marrë ndihmës sekretari
amerikan i shtetit Mathew Palmer.
Në prag të protestës së 8 qershorit të opozitës,
Palmer ia bëri të qartë si Bashës ashtu edhe Kryemadhit, se do të mbajnë përgjegjësi
në rast se protesta do të jetë e dhunshme. Ai tha se SHBA-të do t’i fusin partitë
e tyre në listën e organizatave të dhunshme dhe do të ndërpresë çdo marrëdhënie
me ta.
“Më lejoni të jem shumë i qartë: dhuna nuk ka
vend në demokraci. Shtetet e Bashkuara respektojnë të drejtën Demokratike të
qytetarëve për të protestuar në mënyrë paqësore. Megjithatë, përdorimi i
përleshjeve fizike apo mjeteve shpërthyese si mjete proteste është jo vetëm jodemokratik,
por është edhe i paligjshëm.
Shënjestrimi me fishekzjarre dhe molotov i
oficerëve të policisë dhe ndërtesave publike nuk janë akte paqësore. Ata që
përfshihen në aktivitete të tilla të dhunshme kryejnë krim dhe duhet të mbajnë
përgjegjësi.
Iu kemi bërë thirrje në mënyrë të përsëritur
udhëheqësve të opozitës, sidomos kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha
dhe kryetares së LSI Monika Kryemadhi që të dënojnë publikisht aktet e
mbështetësve të tyre, të bashkëpunojnë me hetimet që synojnë të identifikojnë
autorët individualë dhe vënien e tyre para përgjegjësisë, si dhe të sigurojnë
që të gjitha protestat e ardhshme publike të jenë të rregullta dhe paqësore.
Dua të jem shumë i qartë me zotin Basha,
zonjën Kryemadhi dhe të tjerë në partitë e tyre: nëse në protestat e ardhshme
ka akte dhune, për ne ata do të jenë përgjegjësit.
Nxitja e dhunës nga kushdo është një fyerje
për popullin shqiptar dhe duhet dënuar nga të gjithë. E kemi bërë të qartë
kundërshtinë tonë ndaj dhunës si instrument politik. Pengimi i një procesi
zgjedhor potencialisht përbën arsye për moskualifikim për të hyrë në Shtetet e
Bashkuara”, është shprehur Palmer para protestës së datës 8 qershor.
Ka qenë pikërisht kjo deklaratë e fortë e tij që shmangu gjakderdhjen në Shqipëri. Opozita dha sinjale para nisjes së protestës se ajo do të ishte paqësore. Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi u distancua menjëherë nga aktet e dhunës dhe bëri thirrje që protesta e opozitës të ishte paqësore. Më vonë doli presidenti Meta i cili njoftoi se do të anulonte datën e zgjedhjeve të 30 qershorit. Pra vendimi i tij nuk shmangu gjakderdhjen. Pas vendimit të Metës për anulimin e datës së zgjedhjeve kujtojmë se në Shkodër iu vu zjarri shkollës dhe protestuesit e PD-së kërkuan heqjen e materialeve zgjedhore duke përmendur dekretin e presidentit për anulimin e datës së zgjedhjeve. Edhe në qytete të tjera pati protesta, pasi shumë opozitarë i referoheshin vendimit të Metës për të anuluar zgjedhjet. PD e përdori si kauzë dekretin e Metës duke bllokuar marrjen e zyrave nga të zgjedhurit e rinj vendorë pas 30 qershorit, siç ndodhi në Devoll e Kavajë.
Gjatë mbrojtjes së tij përreth 2 orë, presidenti nuk përmendi asnjë nen të Kushtetutës se ku bazohej vendimi i tij për të anuluar datën e zgjedhjeve, por mori si shembull paraardhësit e tij dhe veçanërisht Ramiz Alinë, pavarësisht se situata historike është e krejt e ndryshme. Gjithësesi komisioni hetimor do të vijojë me procedurat e shkarkimit të Metës sipas planit të veprimit të miratuar më parë./Realstory.al