Neni 161 i Kodit Zgjedhor që zgjidh krizën në Shkodër dhe anashkalon Metën

Kriza në Shkodër mund të zgjidhet shumë lehtë nga maxhoranca përmes respektimit të nenit 161 të Kodit Zgjedhor dhe duke nxjerrë jashtë loje presidentin Meta.

Ky nen parashikon qartë se çfarë ndodh në rast të përsëritjes së zgjedhjeve dhe bazuar në pikën 6 të tij thuhet qartë se është KQZ ajo që vendos të përsërisë zgjedhjet dhe të vendosë për datën e zhvillimit të tyre jo më vonë se 4 javë nga marrja e vendimit.

“Zgjedhjet e shpallura të pavlefshme dhe për të cilat KQZ-ja ka vendosur përsëritjen, sipas këtij neni, përsëriten në një ditë të vetme për të gjitha zonat zgjedhore ku është vendosur përsëritja e tyre. Vendimi për caktimin e datës për përsëritjen e zgjedhjeve merret nga KQZ-ja me përfundimin e procedurave ankimore, sipas kësaj pjese ose me kalimin e afateve ligjore të ankimit, të përcaktuara në këtë pjesë. Përsëritja e zgjedhjeve zhvillohet jo më vonë se 4 javë nga data e vendimit”, shkruhet në Kodin Zgjedhor.

Pikërisht kjo dispozitë ligjore nxjerr jasht loje presidentin Meta i cili të premten deklaroi se nuk do të dekretojë datë tjetër zgjedhjesh përveç 13 tetorit, duke synuar të mbante në ngërç bashkinë e Shkodrës.

Për më tepër Meta tha se në krye të bashkisë së Shkodrës duhet të vazhdojë të qëndrojë Voltana Ademi, mandati i së cilës përfundon më 20 gusht, ndërsa përmendi ligjin për organizimin dhe funksionimin e pushtetit vendor.

Realstory bëri një kontroll të fakteve dhe iu referua pikërisht këtij ligji që përmendi edhe presidenti. Dhe referuar nenit 61 të këtij ligji bashkinë e Shkodrës e drejton zëvendëskryetari ose një nga zëvendëskryetarët që zgjidhet nga Këshilli i Bashkiak dhe kryetari aktual i bashkisë nuk qëndron në detyrë përtej mandatit, sikurse pretendon Meta.

“Me përfundimin para kohe të mandatit të kryetarit të bashkisë, sipas këtij neni, deri në zgjedhjen e kryetarit të ri, funksionet e tij i kryen zëvendëskryetari i bashkisë. Në rastet kur ka më shumë se një zëvendëskryetar bashkie, këshilli përkatës, me shumicën e votave të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të tij, cakton një nga zëvendëskryetarët të kryejë funksionet e kryetarit deri në zgjedhjen e kryetarit të ri”, shkruhet në ligj.

Pra zgjidhja për Shkodrën është shumë pranë. Këshilli Bashkiak konstituohet të hënën dhe të hënën zgjedh një nga zëvendës kryetarët që të drejtojë bashkinë deri në përsëritjen e zgjedhjeve. Data e zgjedhjeve përcaktohet nga KQZ dhe këtu merr fund përpjekja e Metës për të vazhduar krizën në Shkodër./realstory.al

Gati dosja për shkarkimin e Metës. Kuvendi, informacion nga 8 institucione

Nuk ka pushime për deputetët e Komisionit Hetimor për shkarkimin e Presidentit Meta. Megjithëse nuk kanë zhvilluar mbledhje deputetët e këtij komisioni kanë punuar për të kopsitur sa më parë dosjen hetimore ndaj presidentit në mënyrë që në shtator me nisjen e punimeve të Kuvendit gjithçka të jetë gati për shkarkimin e tij.

Sipas burimeve të gazetës “SOT”, komisioni hetimor përveç shqyrtimit të shkeljeve të presidentit, u ka dërguar shkresë edhe 8 institucioneve më të rëndësishme në vend për t’u kërkuar më tepër informacione. Më konkretisht, komisioni hetimor i ka dërguar shkresë Prokurorisë së Përgjithshme, Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme në lidhje me krimet zgjedhore. Komisioni ka kërkuar informacione nga këto 3 institucione për të ditur se si ndikoi shtyrja e datës së zgjedhjeve nga ana e presidentit dhe se sa ka ndikuar kjo në nxitjen e dhunës. Një tjetër institucioni që i është kërkuar informacion është edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në lidhje me aktet që 4 anëtarët morën për të refuzuar shtyrjen e datës së zgjedhjeve. Por mazhoranca ka kërkuar informacion edhe nga Presidenca, ku kërkoi sqarime pse e mori këtë akt për të shtyrë 30 qershorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve vendore.

Pak ditë më herët, institucioni i Presidencës kthehu përgjigje, ku theksoi se vendimi për shtyrjen e datës së zgjedhjeve erdhi për t’u dhënë më shumë kohë palëve politike që të ulen në tryezën e dialogut për të zgjidhur krizën politike. Por një tjetër institucioni që i është kërkuar informacion është edhe Kolegji Zgjedhor, i cili ishte institucioni që e nuk i dha fuqi ligjore dekretit të presidentit për shtyrjen e datës së zgjedhjeve. Kolegji ishte ai që la në fuqi 30 qershorin, ku si fakt për këtë ishte edhe kërkesa e Idajet Beqirit për të çregjistruar partinë e tij si subjekt zgjedhor. Por kjo kërkesë u rrëzua nga Kolegji. Informacione i është kërkuar edhe Qendrës së Botimeve Zyrtare, për të marrë më shumë informacione se përse dekreti i presidentit për shtyrjen e 30 qershorit u botua në Fletoren Zyrtare. Një tjetër institucioni që i është kërkuar informacion është edhe Autoriteti i Mediave. Komisionit Hetimor i është kthyer përgjigje nga të 8 institucionet, të cilat janë grumbulluar nga protokolli i Parlamentit.

Pra dosja për shkarkimin e Metës është gati. Në shtator Tirana zyrtare do të vizitohet edhe nga ekspertë të Komisionit të Venecias të cilët do të zhvillojnë takime me Presidentin Ilir Meta, kryetarin e Kuvendit Gramoz Ruçi, përfaqësues nga qeveria, KQZ, Komisioni i Posaçëm Hetimor, përfaqësues të opozitës dhe anëtarë të shoqërisë civile. Ku do të mbledhin informacion rreth kësaj nisme të kuvendit dhe më pas do të hartojnë një raport paraprak mbi bazën e kërkesës së drejtuar nga Kuvendi i  Shqipërisë. Më pas, opinioni i dalë nga Komisioni i Venecias do të jetë në dorën e Kuvendit dhe do të shfrytëzohet nga mazhoranca pa humbur kohë. Sipas të gjitha të dhënave pritet që presidenti Meta të shkarkohet në shtator. Dhe fill pas vendimit të Parlamentit çështja do t’i kalojë Gjykatës Kushtetuese, e cila pasi të jetë funksionale dhe do të thotë fjalën e fundit.

Zgjidhja e krizës mund të vijë nga Shkodra…ose Meta mund ta thellojë

Zgjidhja e krizës politike mund të vijë nga Shkodra, vetëm nëse palët tregojnë se kanë vullnet politik për t’i dhënë zgjidhje situatës së krijuar së fundit. Partia Demokratike zbuloi dokumente sipas të cilave kryebashkiaku i ri i Shkodrës i cili ka marrë mandatin më 29 korrik por ende nuk ka kryer betimin, Valdrin Pejtri, ka qenë i dënuar në Itali. Nëse këto akuza konfirmohen si të vërteta nga prokuroria atëherë në Shkodër do të ketë zgjedhje të reja, pasi Valdrin Pjetri nuk mund të mbajë asnjë post politik e publik, në bazë të ligjit për dekriminalizimin.

Kështu që të ketë zgjedhje të reja topi kalon në fushën e Metës, i cili ka rastin të tregojë këtë herë se është për stabilitet politik dhe për zgjidhje të krizës, apo për kaos dhe amulli. Në bazë të kodit Zgjedhor në rastin konkret kur kryebashkiaku i ri ka marrë mandatin por nuk është betuar akoma, nuk kemi të bëjmë me pavlefshmëri në zgjedhje, por vetëm me zgjedhje të reja të pjesshme.

Bazuar në nenin 10 të Kodit Zgjedhor i takon presidentit të Republikës që të caktojë datën e re të zgjedhjeve të pjesshme. Sipas Kodit Zgjedhor, në çdo rast, Presidenti i Republikës nxjerr dekretin jo më vonë se 48 orë nga njoftimi për ndërprerjen e mandatit. Por a do ta zbatojë Meta Kodin Zgjedhor për të dekretuar zhvillimin e zgjedhjeve të reja në Shkodër, nëse vërtetohen akuzat ndaj Pjetrit?

Kjo është një pyetje, përgjigja e së cilës i jep zgjidhje krizës, për faktin se ekzistojnë dy mundësi. E para presidenti tregohet bashkëpunues dhe dekreton datën e zgjedhjeve të reja në Shkodër dhe kjo është në favor të zgjidhjes së krizës dhe e dyta presidenti nuk i njeh zgjedhjet e 30 qershorit (siç ka treguar deri më sot) dhe si rrjedhojë nuk njeh as Valdrin Pjetrin. Kështu që ai refuzon të dekretojë datë të re zgjedhjesh duke këmbëngulur në zgjedhje më 13 tetor, por jo vetëm në Shkodër, por në mbarë vendin. Në këto kushte kriza thellohet më tej pasi bashkia e Shkodrës mbetet pa kryetar të ri dhe Voltana Ademi vazhdon të qëndrojë në detyrë përtej çdo limiti ligjor.

Por duket se maxhoranca ka dhënë një sinjal bashkëpunimi dhe i ka ofruar një shanc Partisë Demorkatike që të dalë nga ngujimi. Në rast se vërtetohen akuzat ndaj Pjetrit dhe në rast se në Shkodër ka sërish zgjedhje, PD ka shancin të marrë pjesë në to, jo vetëm për kryetarin e bashkisë por edhe për këshilltarët bashkiakë, për shkak se PS ka ‘ngrirë’ procedurat për konstituimin e këshilli bashkiak në Shkodër. PS është duke pritur verifikimin e dokumenteve të bëra publike nga PD ditën e martë lidhur me kandidatin socialist Valdrin Pjetri. Nëse Pjetri rezulton se është në shkelje të ligjit të dekriminalizimit, edhe këshilltarët e zgjedhur nuk do ta bëjnë betimin. Kjo lëvizje tregon për një vullnet të Partisë Socialiste për t’i hapur rrugën Partisë Demokratike për të hyrë në zgjedhje. Pra siç duket Shkodra i dha një mundësi të artë politikës që të dalë nga kriza dhe të tregojë vullnet për të ecur përpara./Realstory.al

Kushtetuesja, SHBA: Gjykatë apolitike që vendos edhe kundër…Metës

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, e angazhuar më shumë se cilido në Reformën në Drejtësi ka bërë publike të martën një video sqaruese rreth mënyrës sesi do të përzgjidhen anëtarët e Gjykatës Kushtetuese në Shqipëri dhe sesi do të funksionojë kjo gjykatë.

Përmes kësaj video të sqaruar në mënyrën më të thjeshtë të mundshme që e bën të kuptueshme për cilindo, SHBA i japin përgjigje të gjitha sulmeve që i drejtohen Reformës në Drejtësi dhe mënyrës së përzgjedhjes së kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese.

SHBA sqaron se përmes kësaj mënyre përzgjedhjeve, askush nuk ka më shumë pushtet në emërimin e gjykatësve dhe se kjo gjë garanton që gjykata të jetë e pavarur dhe apolitike.

Dhe vetëm në këtë mënyrë gjykata e kushtetuese mund të marrë vendime që rrëzojnë si presidentin, ashtu dhe kryeministrin.

Çfarë është Gjykata Kushtetuese?, është pyetja që ngre që në nisje të videos ambasada e SHBA.

“Gjykata Kushtetuese është gjykata më e lartë në Shqipëri e cila vendos çfarë do të thotë Kushtetuta. Ajo mund të vendosë edhe kundër presidentit, kryeministrit dhe agjencive qeveritare.

Gjykata Kushtetuese gjithashtu garanton që autoritetet i respektojnë të drejtat tuaja Kushtetuese”, sqaron SHBA.

Cili ishte problemi me gjykatën kushtetuese në sistemin e vjetër?

“Në të kaluarën parlamenti dhe presidenti duhej të binin dakord që ky gjyqtar të bëhet anëtar i gjykatës kushtetuese. Por shpesh presidenti dhe parlamenti nuk binin dakord për një gjyqtar, çka shkaktonte vende bosh për një kohë të gjatë. Gjykata Kushtetuese ka 9 vende, megjithatë pasi ata iu nënshtruan vettingut, vetëm njëri prej tyre kaloi. Kjo do të thotë se janë 8 vende për t’u plotësuar”, sqaron më tej SHBA.

Si do të bëhet kjo?! Pra si do të plotësohen vendet bosh në Gjykatën Kushtetuese?

Në videon e publikuar nga SHBA sqarohet se gjyqtarët duhet të plotësojnë disa standarde për t’u zgjedhur anëtar të Kushtetueses dhe për këtë shërben KED, i cili bën vlerësimin e kandidatëve.

“Pas reformës në drejtësi, kushtetuta përcakton standarde për të qenë gjyqtar i gjykatës kushtetuese.

Këto standarde vihen në zbatim nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, (KED) i cili është një grup gjyqtarësh dhe prokurorësh me përvojë, të cvilët kontrollojnë kualifikimet e kandidatëve.

Ky këshill rendit tri kandidatët kryesorë për çdo vend në gjykatë, bazuar në kualifikimet e tyre.

Me sistemin e ri presidentit dhe parlamentit nuk i duhet të bëjnë ujdi për të emëruar një gjyqtar të gjykatës kushtetuese.Tani kjo detyrë kalon me rotacion midis presidentit, parlamentit dhe Gjykatës së Lartë.  Por këta mund të zgjedhin vetëm dikë nga ajo listë me 3 gjyqtarëv të kualifikuatr për atë post.

Nëse presidenti, parlamenti apo gjykata e lartë nuk arrijnë të zgjedhin dikë, atëherë zgjidhet automatikisht kandidati i renditur më lart nga Këshilli i emërimeve në Drejtësi.

Ky sistem i ri siguron që gjyqtarët e zgjedhur të jenë të kualifikuar, ndihmon për të parandaluar boshllëqet për një kohë të gjatë, si dhe nuk lejon një person të ketë më tepër pushtet në procesin e përzgjedhjes.

Së shpejti KED do të jetë në gjendje t’i dërgojë listën presidentit. Presidenti do të ketë mundësi të përzgjedhë cilindo gjyqtar nga lista me 3 emra gjyqtarësh të kualifikuar.

Sapo ta bëjë këtë, vendet e tjera do të plotësohen nga parlamenti dhe gjykata e lartë.

Kështu cikli do të përsëritet derisa të jenë të plotësuar të gjitha vendet.

Kjo është mënyra në të cilën Shqipëria do të ketë së shpejti një Gjykatë Kushtetuese të përbërë nga gjykatë të kualifikuar të paanshëm dhe apolitikë”, sqaron SHBA.

Përmes kësaj videoje ambasada SHBA i jep përgjigje të gjitha sulmeve ndaj reformës në drejtësi që vijnë nga presidenti Meta por edhe nga opozita. Pak kohë më herët, presidenti akuzoi ndërkombëtarët për vonesat në emërimin e anëtarëve të gjykatës kushtetuese dhe të lartë, por pas një kontrolli i të fakteve të bërë nga realstory, rezultoi se të gjithë emrat e propozuar nga Meta ishin shkarkuar nga procesi i vettingut. Por për SHBA është mjaft e rëndësishme që kandidatët për gjyqtarë jo vetëm të kenë kaluar vettingun, por edhe të jenë të mirëkualifikuar. SHBA e bën të qartë se gjykata Kushtetuese do jetë funksionale së shpejti dhe me vendimet e saj mund të rrëzojë si presidentin ashtu dhe kryeministrin. Kujtojmë se një ndër çështjet e para me të cilën do të përballet kjo gjykatë është dekreti i Metës për anulimin e zgjedhjeve më 30 qershor, por edhe vendimi i parlamentit për shkarkimin e Metës nga posti i presidentit. Sido që të jetë vendimi, ai do të jetë i pakontestueshëm për shkak se Kushtetuesja do jetë, siç thotë SHBA, apolitike./Realstory.al

Çfarë është Reforma në Drejtësi – Gjykata Kushtetuese

🇦🇱️ | Në videon e kaluar, ju mësuat mbi procesin e vetingut. Këtë javë, ne do të flasim për Gjykatën Kushtetuese. Shihni këtë video për të mësuar se si Shqipëria do të ketë një Gjykatë Kushtetuese funksionale, me gjykatës të kualifikuar, të paanshëm dhe apolitikë. #CfareEshteReformaNeDrejtesi #NdalKorrupsionit🇺🇸️ | In our previous video, you learned about the vetting process. This week, we will talk about the Constitutional Court. Watch the video to learn how Albania will have an operational Constitutional Court with judges who are qualified, impartial, and apolitical. #WhatisJusticeReform #StopCorruption

Gepostet von U.S. Embassy-Tirana am Dienstag, 13. August 2019

Gjinushi i përvishet Metës: Injorant, nuk njeh Kushtetutën

Të premten presidenti Meta ktheu mbrapsht në Kuvend ligjin për Akademinë e Shkencave me argumentin se ai i shkel kompetencat. Menjëherë ka reaguar Kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi i cili edhe ai ashtu si ligji nuk është dekretuar nga Meta. Gjinushi ka shpërthyer ashpër kundër Metës duke e cilësuar atë injorant përsa i përket njohjes së Kushtetutës dhe thotë se ligji për akademinë e shkencave është vlerësuar nga Akademia Europiane, është në përputhje me Kushtetutën dhe nuk shkel kompetencat e askujt. Gjinushi tha se akademia nuk mund të sjellë përplasje kompetencash, pasi duhet të jesh injorant në fushën e jurisprudencës që të kesh përplasje.

“Tani mesa duket kanë viktimizuar Ilir Metën duke e bërë pjesë të këtyre segmenteve politikë pë të sabotuar reformën në akademi. Reforma është ajo që është përshëndetur edhe nga Bashkimi i Akademive Europiane. Argumentet që e sulmojnë nuk kanë lidhje fare. Akademia ka një mision për kërkimin shkencor dhe përpiqet ta ushtrojë këtë mision fisnik dhe nuk mund të sjellë përplasje kompetencash. Duhet të jesh injorant në fushën e jurisprudencës që të kesh përplasje. Meta nuk zgjodhi rrugën e bashkëpunimit, as në rastin e emërimit. Ai duhet t’i ketë cilësitë për ta ushtruar këtë nder. Si mundet që një president të shqetësohet se ligji parashikon zhbllokim, Të shqetësohesh për këtë do të thotë se Meta si specialist i bllokimeve është i shqetësuar për zhbllokimet. Dekreti i tij i para një muaji është anti- kushtetues”, është shprehur Gjinushi për Report TV.

Sipas tij Meta ka bërë autogol pasi nuk njeh Kushtetutën. “Ka bërë një autogol. Kushtetutën në 98 e kemi bërë se bashku. Meqë do të dijë pse është shkruar kështu ky nen, le të lexojë. Nuk marr përsipër t’ia shpjegoj. Vetëm në kërkim shkencor nuk ka status më të lartë apo më të ulët. Kjo është një pengesë 2-3 javore dhe këto lloj argumentesh janë shteruar. Nuk dua të bëj leksione jurisprudence por qëllimi i institucioneve është i përbashkët. Në shkencë më lart dhe më poshtë të vënë rezultatet, sepse këtë e ka në dorë formimi jo ligji. E ardhmja është e qartë. Nuk lejohet asnjë lloj ndërhyrje nga politika në emërime të tilla. Atij i jepet nderi vetëm të dekretojë. Këtu është lapsusi i parë injorant. Ligji dhe vetëm ligji e shpjegon. Meqë klanet politike për arsye klienteliste shkon deri këtu ligji parashikon edhe një zhbllokim”, u shpreh Gjinushi.

Meta ktheu të premten në Kuvend për rishqyrtim ligjin për Akademinë e Shkencave. Katër janë arsyet që renditi Meta për kthimin e ligjit; bie ndesh me parashikimet e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, cenon autonominë e institucioneve të arsimit të lartë, cenon kompetencat e Presidentit të Republikës dhe nuk është në harmoni me kuadrin ligjor ekzistues në Republikën e Shqipërisë.

Por këto argumente janë hedhur poshtë nga kreu i ri i Akademisë së Shkencave Gjinushi i cili gjithashtu bëri të ditur se mos firmosja e dekretit nga Meta nuk ndikon shumë, vetëm se shtyn për 2 ose 3 javë futjen e ligjit në fuqi.

Kuvendi në punë për shkarkimin e Metës. Si ndikoi dekreti për anulimin e zgjedhjeve

Nuk ka pushime për Komisionin Hetimor për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta. Anëtarët e këtij komisioni kanë nisur të mbledhin prova mbi pasojat që ka shkaktuar dekreti i Metës për anulimi e zgjedhjeve të 30 qershorit.

Kështu Kuvendi i ka drejtuar një kërkesë për informacion Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Përgjithshme, ku 2 titullarëve të këtyre institucioneve iu është kërkuar informacion në lidhje me trendin e krimeve zgjedhore, para dhe pasi Presidenti të anulonte me dekret zgjedhjet e 30 qershorit, shkruan gazeta Sot referuar burimeve nga ky komision.

“Numri i kallëzimeve të referuara në organin e Prokurorisë për shkelje penale të procesit zgjedhor gjatë periudhës kohore 1 janar 2019- 10 qershor 2019 në shkallë vendi; Numri i kallëzimeve të referuara në organin e prokurorisë për shkelje penale të procesit zgjedhor gjatë periudhës kohore 10 qershor 2019 e në vijim, në shkallë vendi”, janë disa nga pyetjet që Komisioni Hetimor iu ka dërguar në kërkesë Prokurorisë dhe Policisë. Por këto institucione i kanë dërguar përgjigje Kuvendit në lidhje me kërkesën me informacione që mazhoranca kërkon t’i përdorë për shkarkimin e Ilir Metës nga detyra.

Kështu sipas të dhënave të Policisë së Shtetit, para se Presidenti të dekretonte anulimin e zgjedhjeve, kishte pasur vetëm 2 kallëzime për krime elektorale, ndërsa pas 10 qershorit, u proceduan 192 persona. “Në total, për periudhën 01 janar 2019 -10 qershor 2019 janë gjithsej 2 kallëzime që lidhen me procesin zgjedhor, të referuara në Prokurori, zbuluar 1, ose 50% e tyre.

Në këto vepra penale është proceduar 1 autor, i cili ndiqet në gjendje të lirë. Në total për periudhën 10 qershor 2019 e në vazhdim, janë gjithsej 32 kallëzime që lidhen me procesin zgjedhor, të referuara në Prokurori, zbuluar 27, ose 84,37% e tyre. Në këto vepra penale janë proceduar 192 autorë, nga të cilët 71 persona të arrestuar, 18 të ndaluar, 60 ndiqen në gjende të lirë dhe 43 janë larguar dhe shpallur në kërkim policor”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Shtetit për Komisionin Hetimor.

Përveç institucioneve që janë vënë në lëvizje, duke i kthyer përgjigje Komisionit Hetimor të ngritur nga Kuvendi për shkarkimin e Metës, edhe Komisioni i Venecias është vënë në lëvizje për këtë gjë. Në 9 shtator, ekspertët e Venecias do të zbarkojnë në Tiranë, ku pritet të takojnë palët para se të japin një opinion mbi ligjshmërinë e veprimeve të Presidentit Ilir Meta. Pra maxhoranca nuk po pushon por po punon që në shtator shkarkimi i Metës të jetë fakt i kryer.

Meta nxjerr video nga maja e ujëvarës, komentuesi: A i ke pirë ilaçet?

Presidenti Ilir Meta e ka nisur mëngjesin e së shtunës me një video nga maja e ujavarës së Prevallës. Ai është shfaqur këtë herë jo me bluzën e Celtikut por me një kostum të kuq sportiv duke bërë shqiponjën dhe duke uruar shqiptarët për një fundjavë të mbarë.

 “Mirëmëngjes të dashur miq! Nga kjo ujëvarë e Bjeshkëve të Prevallës, në lartësinë 1850 m, ju uroj të kaloni një fundjavë të mbarë e të gëzueshme me familjet dhe miqtë tuaj!”, shkruan presidenti në të gjitha rrjetet e tij sociale.

Por ajo që bie në sy janë komentet e ndjekësve të tij të cilët i sugjerojnë Presidentit që Zoti t’i ruaj mend. Ndërsa një tjetër e pyet nëse i ka pirë ilaçet. Ka dhe nga ata që i sugjerojnë të hidhet.

Siç duket me aktet e tij të fundit, s’janë të pakët njerëzit që janë indinjuar nga qëndrimet luftarake të presidentit.

Mirëmëngjes të dashur miq!Nga kjo ujëvarë e Bjeshkëve të Prevallës, në lartësinë 1850 m, ju uroj të kaloni një fundjavë të mbarë e të gëzueshme me familjet dhe miqtë tuaj!

Gepostet von Ilir Meta am Freitag, 9. August 2019

“Më cenon kompetencat”, Meta kthen ligjin për Akademinë e Shkencave

Në më pak se 12 orën Presidenti Meta i ka kthyer qeverisë dy ligje atë për “Akademinë e Shkencave” dhe ndërtimin me koncesion të rrugës Orikum –Dukat. Duket se Meta nuk ka ndërmend ta ndalë luftë e tij me Kuvendin dhe këtë e tregoi edhe të premten pasdite me kthimin për rishqyrtim të ligjit për “Akademinë e Shkencave”.

Në argumentet e tij, Meta thekson se një prej neneve të këtij ligji i cenon atij kompetencat , pasi bën një përmbysje të autoriteteve dhe rolit të organeve kushtetuese që nuk gjen asnjë mbështetje në Kushtetutën e vendit. Meta thekson se Presidenti është organi i emërtesës për emërimin e Kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe kjo kompetencë e kurrsesi nuk mund të derivohet dhe as të kufizohet nga asnjë organ tjetër. Madje presidenti cilëson se nuk mund të vendosen as afate për emërimin e kryetarit të Akademisë së Shkencave.

‘Nuk mundet që një organ i Akademisë së Shkencave të shqyrtojë dhe të shprehet me vendim për Dekretet e Presidentit të Republikës, pasi kjo nuk është e parashikuar në Kushtetutë. Afatet dhe mekanizmat zhbllokues të proceseve në raste të caktuara, duhet të vendosen në Kushtetutë. Kushtetuta nuk parashikon për procesin e emërimit të Kryetarit të Akademisë së Shkencave, as afate, as mekanizma zhbllokues dhe as institucione të tjera që mund të marrin vendim për dekretet e Presidentit të Republikës për këtë çështje. Presidenti i Republikës është organi i emërtesës për emërimin e Kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe kjo kompetencë e Kreut të Shtetit kurrsesi nuk mund të derivohet dhe as të kufizohet në një vendimmarrje të dytë të ndonjë institucioni apo organi tjetër, kushdo qoftë ai. Kjo tejkalon kompetencën e parashikuar shprehimisht në dispozitën kushtetuese duke dhënë përparësi një akti juridik me fuqi më të ulët.” – shkruan Meta

Në nga arsyetimet e tjera të presidentit për kthimin e ligjit është edhe përplasja e roleve edhe hierarkisë së Akademisë së Shkencave me Institucionet e Arsimit të Lartë. “Akademia e Shkencave dhe anëtarëve të Asamblesë së saj, u jepet një rol jo vetëm koordinues, por dhe mbikëqyrës ndaj veprimtarisë shkencore të institucioneve të arsimit të lartë. Nëse qëllimi i ligjvënësit është që i gjithë procesi i kërkimit shkencor të udhëhiqet nga Akademia e Shkencave atëherë ai duhet të zyrtarizohet në mënyrë që të mos sjellin në praktikë interpretime mbi rolin, veprimtarinë apo produktet që dy institucione autonome, si Akademia e Shkencave dhe institucionet e arsimit të lartë kanë apo realizojnë.” shprehet Meta.

Kreu i Shtetit gjithashtu nuk la pa sulmuar qeverinë duke thënë se në fakt miratimi i këtij ligji dhe ndryshimet e tij nuk janë mbi parimet e shteti të së drejtës dhe forcimit të pavarësisë së institucioneve por mbi interesa persiane të personave të veçantë për shkak të rrethanave aktuale. Kujtojmë se më herët Meta nuk dekretoi emërimin e Skënder Gjinushit në krye të Akademisë së Shkencave, gjë që nxit përplasje mes tij dhe akademisë, por dhe vetë Gjinushit.

Lexo këtu dekretin e plotë.

Fact Checking/ Metamorfoza e Metës, në 2 muaj 20 sulme ndaj ndërkombëtarëve

Kushdo që e dëgjon tani presidentin Meta i duket shumë larg figurës së tij të dikurshme kur sa herë që dilte në media thoshte sloganin e famshëm “me qetësi e dashuri”. Nga një kryetar Kuvendi që të paktën në media kishte krijuar imazhin e një politikani të qetë dhe kontribuues, në rolin e presidentit Meta ka pësuar një metamorfozë. Përveçse ka marrë rolin e drejtuesit të opozitës, gjë që faktoi me mesazhin e së enjtes përmes të cilit shigjetonte hapur Bashën, Meta ka dalë hapur dhe ka sulmuar ndërkombëtarët në të paktën 20 raste.

Realstory ka bërë një verifikim për të gjitha sulmet e tij ndaj BE dhe SHBA, ku rezulton se brenda një kohe prej gati dy muajsh, Meta ka bërë 20 deklarata të forta ndaj faktorit ndërkombëtar por edhe misioneve ONM dhe EURALIUS për Reformën në Drejtësi.

Sulmet e para ai i filloi më 18 qershor, tetë ditë pas nxjerrjes së dekretit për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, në një konferencë për shtyp, ku doli kundër OSBE dhe ndërkombëtarëve, të cilët kërkuan respektimin e datës së zgjedhjeve brenda afateve kohore duke treguar se njohin 30 qershorin dhe jo dekretin e tij për anulimin e zgjedhjeve. Me një ton të ashpër, Meta  i quajti ato ngatërrestarë dhe tha se është ai përgjegjësi për stabilitetin e vendit. “ Kush ka dëshirë të kontribuojë me ngatërresa, jemi lodhur me disa prej tyre. “ u shpreh Meta.  Por këto sulme nuk u ndalën këtu, por vijuan të shtoheshin dhe ashpërsoheshin akuzat ndaj tyre. Më 24 qershor Meta e cilësoi kuintin e ambasadorëve si një “fondacion ndërkombëtarësh” pasi ato nuk njohën dekretin e tij dhe janë përgjegjës për krizën në vend. Një ditë më pas më 25 qershor gjatë një konference për shtyp Meta i sulmoi ata sërish për mosnjohjen e dekretin e tij për anulimin e 30 qershorit duke u treguar se ai nuk kishte anuluar zgjedhjet as në Itali dhe as në SHBA, por në Shqipëri, ku ishte president vetë dhe vendoste po vetë.” Në Shqipëri i vetmi institucion që vendos për datën e zgjedhjeve është Presidenti i Republikës. Unë nuk kam anuluar zgjedhjet as në Itali, as në Amerikë dhe as në Kinë.”

Por sulmet nuk ndalën këtu, më 26 qershor,  me një ton të ashpër gjatë takimit që zhvilloi me Ministrin e Jashtëm të Hungarisë, Peter Szijjarto, kreu i shtetit i cilësoi ndërkombëtarët përgjegjës nëse do të ketë konflikt në vend. “Çdo veprim drejt rrugës së paligjshmërisë dhe të konfliktit, e nxjerr Shqipërinë nga perspektiva e saj europiane e njëkohësisht të gjithë aktorët e brendshëm ose të jashtëm që i kontribuojnë këtij skenari, do të mbajnë përgjegjësi përpara popullit shqiptar”, shprehej Meta. Një ditë pas dekretimit të zgjedhjeve të reja më 13 tetor, më 28 qershor Meta nuk e uli sulmin e tij, por këtë herë zgjodhi të flasë përmes ish-vartësit të tij, Ylli Manjani me një ripostim të statusit të tij në Facebook, i cili deklaron se të vetmit që përfitojnë dhe kënaqen nga dhuna janë “ndërkombëtarët të cilët “fërkojnë barkun.” por që në “në fakt duhet të kenë turp””. Një ditë pas 30 qershorit, ku Meta u fut në histori si presidenti i parë që nuk voton, më 1 korrik ai sërish zgjodhi të sulmonte dhe fliste përmes Manjanit me ripostimin e statusit të tij në Facebook ku shkruante “Shumë faleminderit ambasadës se USA për deklaratën mbi votimet një partiake. Si gjithmonë edhe këtë herë, nuk ngurroi t’ja fuste kot! “

Meta zgjodhi të fliste me 2 korrik në konferencën e tij të famshme ku sulmet përfshinë këdo, veçanërisht të huajt, deklarata të cilat për shumicën u cilësuan si “të çmendura”. Meta bëri disa akuza dhe deklaratat të paarsyeshme, madje duke shpallur edhe zgjedhje presidenciale në një Republikë parlamentare. Meta akuzoi ndërkombëtarët se po punojnë për interesat e Ramës madje duke i akuzuar edhe për “Deep State” që synon një “total state capture” (kapje të plotë të shtetit) në Shqipëri. “I kam bërë të qartë zotit Basha, Kryemadhit dhe mikut tim doktorit të mos bien pre e provokimeve të një grupi të strukturuar PPPd, që punon sipas parimeve të Deep State që synon kapjen e shtetit. PPPd do të thotë, Politikanët, Propaganda, Policia (Rrugët policeske që ndiqen për të shantazhuar sipërmarrës, gazetarë, opozitarë, qytetarë) dhe d e vogël diplomatë që kanë braktisur parimet perëndimore dhe raportojnë sipas qejfit të Ramës”, deklaroi Meta. Në këto akuza ai nuk kurseu as miliarderin George Soros, të cilin e akuzoi për “Deep State” duke i thënë se “Ilir Meta nuk është i racës së Gruevskit është presidenti i vendit dhe i del për zot vendit, Jam i racës së tipit Avni Rustemi, Mic Sokolit, Vojo Kushi”.

Më 3 korrik zgjodhi të sulmojë reformën në drejtësi, jo pak po 5 herë brenda 12 orëve. Filloi me një sulm mëngjesin e 3 korrikut përmes një postimi në Facebook dhe më pas përfundoi me letrën drejtuar Naureda Llagamit, kryetaret të këshillit të lartë gjyqësor. Si në postimet e tij në Facebook ashtu edhe në letrën zyrtare drejtuar KLGJ-së, Meta sulmon ashpër EURALIUS, ndërkombëtarët e misionit të BE, që janë marrë posaçërisht me hartimin dhe zbatimin e Reformës në Drejtësi, ku sipas presidentit zgjidhjet provizore të propozuara nga misioni ndërkombëtar i BE-së janë në shkelje të Kushtetutës. “Për sa i takon pjesës së opinionit të “EURALIUS V” (që rekomandon një skemë delegimi të gjyqtarëve të përkohshëm në Gjykatën e Lartë deri në emërimin e anëtarëve të përhershëm të saj) presidenti vëren se ky propozim cenon kompetencat kushtetuese të Presidentit të Republikës” – thuhet në deklaratat e tij të shumta atë ditë duke e cilësuar Reformën në Drejtësi si “Ramaformë”.  Sigurisht që po atë ditë nuk i munguat sulmit as ambasadori i BE-së, Luigi Soreca duke e akuzuar se ai ishte ai “realisht për nxitjen e dialogut mes palëve?” dhe shefja e ONM, Genoveva Calavera për Reformën në Drejtësi. Më 5 korrik sërish duke e sulmuar Calaverën dhe ndërkombëtarët Meta tha se nuk i trembët SPAK dhe Reformës në Drejtësi duke treguar se sapo kaloi Spaçin. Mospranimi i zgjedhjeve të reja më 13 tetor si nga ndërkombëtarët dhe vetë aktorët politik të skenës shqiptare, duket se nuk e lanë presidentin të pushonte i qetë. Më 8 korrik ai lajmëroi një tjetër konferencë, që sa vijnë e bëhen më të shpeshta, sërish duke sulmuar aleatët e Shqipërisë dhe akuzuar ato për njëanshmëri në lidhje me zgjedhjet. “Presidenti i fton të gjithë të mos thellohen në rrugën e paligjshmërisë, njëanshmërisë dhe konfliktualitetit .”

Ditën e 16 korrikut, Presidenti Meta e nisi sërish me një status në Facebook duke sulmuar Reformën në drejtësi apo “Ramaformën” nuk kurseu aspak sulmet e ashpra për përfaqësuesit e misioneve OPDAT, USAID, ONM dhe EURALIUS se nuk i kishin ardhur presidentit në dy takime në 2017 dhe 2018 për mbledhjen e KED dhe plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese. “Pra ekspertiza e BE-së (EURALIUS) dhe Delegacioni i BE-së, e “braktisën” këtë iniciativë të Kreut të Shtetit.” – shkruan Meta. Gjatë një vizite në Xhafzotaj të Shijakut, vetëm dy ditë më pas, më 18 korrik,Meta sulmoi sërish ndërkombëtarët duke përdorur shprehjen se ato mund të “bëjnë edhe gomarin të fluturojë”, por kjo nuk ndodh në Shqipëri.  “Le të thotë kush të dojë e çfarë të dojë, çdo shqiptar e çdo ndërkombëtar se gomari fluturon! Ne mund t’i themi se kjo mund të ndodhë në art, mund të ndodhë në ëndërr e mund të ndodhë në piktura, por ne e dimë që gomari, të paktën këtu në Shqipëri nuk është shqiponjë që të fluturojë!”

Edhe pse u duk sikur ra për disa ditë në qetësi dhe shkoi me pushime në Gjirin e Lalzit ku nuk mungonin dhe foto e tij me rroba banjo duke përshëndetur qytetarët, Presidenti Meta u shfaq sërish me sulmet e tij pas dorëzimit të kërkesës në Gjykatën Kushtetuese për shpalljen antikushtetues të ligjit për shembjen e godinës aktuale të Teatrit Kombëtar. Më 24 korrik, nga dera e Gjykatës Kushtetuese, në një deklaratë për mediat, kreu i shtetit foli për““rilindës lokalë” dhe ‘rilindës ndërkombëtarë” që e lanë vendin pa Gjykatë Kushtetuese duke shtuar do të marrë fund njëherë e mirë sundimi i oligarkëve. “Më 30 korrik, presidenti doli në një konferencë për shtyp, që u dukë sikur do të ishte e fundit me nisjen e pushimeve për institucionet dhe administratën, por nuk ishte kështu. Meta tha se do të vijonte konferencat për të bindur palët që 13 tetori është data e zgjidhjes së krizës në vend. Ndërsa nuk harroi të përmendte edhe ndërkombëtarët duke thënë se ato janë bërë palë me Ramën për të krijuar “Ramaformën”. “Siç ka shqiptarë të ndryshëm ka dhe ndërkombëtar të ndryshëm”, ndërsa tha se për integrimin e vendit nuk keni pse pyesni “ndërkombëtarët pasi ato janë me një “mandat të limituar”, por të pyesin atë vetë, pasi është marrë me këtë proces gjatë gjithë karrierës së tij politike.”

Katër ditë më pas, më 3 gusht Presidenti Meta ka shtuar dozën e sulmit kundër SHBA-së duke akuzuar zëvendës ndihmës sekretarit amerikan të shtetit, Mathew Palmer për “njëanshmëri” “Pas një terapie me ujë bore, më lindi një pyetje që dua ta ndaj me ju, dhe që u drejtohet atyre të cilët bëjnë si të paanshëm, pasi kanë shkëlqyer me njëanshmërinë e tyre, duke ia kaluar dhe Kryeministrit tonë, i cili në fund të fundit përfaqëson një anë politike”. Më 5 gusht duket se shënohet edhe sulmi i fundit i Metës ndaj ndërkombëtarëve me dekretimin e dy ligjeve njëri prej të cilëve “ndryshimet për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve” edhe pse Meta i vlerësoi ndryshimet nuk hezitoi të akuzonte EURALIUS se “për shkak të nxitimit të tyre dhe mosgjykimit në mënyrë të thelluar nuk e hartuan në mënyrën e duhur ligjit që në fillim.”

Sulmet e presidentit Meta gjatë gjithë kësaj kohë kanë qenë të paprecedentë, të forta dhe të ashpra, por duket se ditët e fundit po fokusohet në një tjetër rol, atë të drejtimit të opozitës duke lënë në hije dhe mënjanuar Bashën. /RealStory.al

Basha “pajtohet” me Metën, por kaotik për 13 tetorin: Ka zgjedhje por PD nuk hyn

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha doli të premten në një konferencë për shtyp ku u përpoq të pajtohej me presidentin Meta, i cili vetëm një ditë më herët e kërcënoi hapur se do t’i merrte drejtimin e opozitës në rast se ai nuk përballet me Ramën në zgjedhje më 13 tetor. Por gjithsesi kreu i PD-së, u shfaq kaotik në qëndrimet e tij, ndërsa nga njëra anë e cilësoi 13 tetorin si datën e vetme kushtetuese për zhvillimin e zgjedhjeve nga ana tjetër tha se PD nuk do të marrë pjesë.

Lidhur me pyetjen se përse nuk u regjistrua në zgjedhjet e 13 tetorit, Basha u përgjigj se partitë politike nuk shkelin kushtetutën nëse nuk marrin pjesë në zgjedhje,  prandaj është në dorën e tyre të regjistrohen ose jo.

“13 tetori është e vetmja datë kushtetuese, dhe të gjithë institucionet përgjegjëse duhet të respektojnë dekretin e Presidentit.

Kush do të veprojë kundër do të dalë para përgjegjësisë. Detyrimet kushtetuese të KQZ janë të përgatiten për zgjedhje.

Nëse partitë nuk hyjnë në zgjedhje nuk kanë shkelur kushtetutën, por kur institucionet shkelin kushtetutën do të dalin para ligjit dhe herët ose vonë do të mbajnë përgjegjësi,”-ka thënë Basha duke e bërë më shumë lëmsh qëndrimin e tij.

Ai u përpoq ta shfaqte qëndrimin e Metës në të njejtën linjë me atë të opozitës, megjithëse deklaratat e presidentit kohët e fundit kanë qenë sulme të hapura kundër Bashës dhe qëndrimit të tij të pandryshuar për të refuzuar 13 tetorin.

“Presidenti po përpiqet në mënyrë aktive në zgjidhjen e krizës. Thelbi i qëndrimit të presidentit është i njëjtë me qëndrimin e Partisë Demokratike dhe aleatëve tanë, që ne kërkojmë të vijmë në pushtet me zgjedhje. Qëndrimi ynë ndaj zgjedhjeve të organizuara nga Edi Rama ka qenë i qartë, transparent, i argumentuar dhe tashmë i faktuar”, shprehet Basha, ku paradoksalisht brenda një paragrafi ka dy fjali me qëndrime të ndryshme.

Basha gjithashtu është i paqartë edhe kur i përgjigjet pyetjes se si do ta largojë Edi Ramën kur nuk futet në zgjedhje.

“Edi Ramën do e largojmë përmes një marrëveshje që do të vijë nga dialogu. Ne jemi të gatshëm për dialog, por ai refuzohet nga kupola e krimit që është Edi Rama”, thotë Basha, ndërsa shton më tej se ai ende shpreson që Rama të japë dorëheqjen pasi, sipas tij, kështu bëjnë liderët në Europë kur përballen me akuza të forta si përgjimet e publikuara nga BILD.

Më tej Basha zbulon se aksioni i opozitës në shtator do të jetë nisja e protestave, ndërsa shton se ato nuk janë ndërprerë kurrë, megjithëse protesta e fundit e PD-së ka qenë ajo e pas 30 qershorit dhe më pas u shtynë për shkak se njerëzit ishin me pushime.

“Nuk ka pikë dyshimi që opozita do vijojë me protestat në shtator sepse ne nuk jemi larguar asnjëherë”, thotë Basha, i cili vazhdon të mbrojë aksionin 6 mujor të PD-së, që nisi me djegien e mandateve të deputetëve dhe bojkotin e 30 qershorit.

Ai sulmoi mediat duke thënë se ata janë kthyer në mercenarë dhe paguhen nga Rama e oligarkët e tij kur shkruajnë se PD dështoi me 30 qershorin dhe me djegien e mandateve. Për Bashën është krejt e kundërta, që të dyja këto vendime kanë qenë të drejta sipas tij.

Basha vazhdon të shpresojë se zgjidhja do të vijë nga ndërkombëtarët. Ai bëri të ditur se delegacione të ndryshme ndërkombëtarësh do ta vizitojnë Shqipërinë gjatë muajit gusht dhe shtator. “Vizita do të ketë shumë edhe në gusht, të faktorit ndërkombëtar, por pengesa e vetme për zgjidhjen e krizës me pasoja të rënda për sigurinë dhe stabilitetin e vendit është refuzimi i Ramës, për të pranuar krizën dhe për ti dhënë zgjidhje krizës sipas parimeve dhe standardeve evropiane”, tha Basha i cili kërcënoi se nëse vazhdohet kështu vendi rrezikon shumë.

Një tjetër pikë e konferencës ishte përpjekja e Bashës për të treguar se opozita nuk është e përçarë, pavarësisht faktit se si Mediu ashtu edhe Kryemadhi iu drejtuan KQZ-së me kërkesën për t’u regjistruar në zgjedhje dhe PD, jo. Basha tha se ky vendim i aleatëve është rakorduar në tryezë me të, por ai i qëndron vendimit politik të marrë nga strukturat e partisë se nuk ka zgjedhje me Ramën kryeministër dhe pa qeveri teknike. Pra edhe gjatë konferencës së të premtes Basha nuk ofroi asnjë ide sesi do të zgjidhjet kriza, po thjesht përsëriti qëndrimin e tij të pandryshuar. Nuk dihet ende sesi do të lexohet nga Meta ky qëndrim i tij, i cili të enjten në një mesazh drejtuar Bashës tha se Rama nuk mundet me fjalë por duke u përballur në zgjedhje. Madje Meta me gjuhën e kryeopozitarit bëri thirrje që opozita të bashkohet dhe të mbështesë dekretin e tij./Reasltory.al

Skip to toolbar