Ambasada gjermane i kujton opozitës vijën e kuqe

Deutsche Welle raporton se ambasadorja gjermane në Tiranë, Susanne Schütz i ka treguar opozitës vijën e kuqe. Ajo bëri thirrje të premten që protesta e opozitës të jetë ”paqësore, pasi ҫdo element dhune përbën vijë të kuqe”.

Thirrjet për shmangien e dhunës kanë karakterizuar qëndrimin e BE, trupit diplomatik dhe organizatave ndërkombëtare të pranishme në Tiranë që kanë vënë në dukje njëzëri të drejtën themelore të protestës në demokraci, por pa ushtruar asnjë akt dhune dhe shkatërrimi.

Për të shmangur aktet e mundshme të dhunës në protestën e mbrëmjes së sotme, janë angazhuar rreth 1300 efektivë të policisë së shtetit, të përqendruar në mbrojtje të godinës së Kryeministrisë.

1300 policë bëhen gati për protestën

Në orën 18.00 të mbrëmjes së sotme, opozita do të zhvillojë një tjetër protestë në Tiranë, ndërkohë që 1300 efektivë të policisë do të angazhohen për garantimin e sigurisë.

Mediat televizive i referohen burimeve pranë policisë teksa njoftojnë se për garantimin e sigurisë së institucioneve shtetërore gjatë protestës, do të marrin pjesë 1300 policë, përfshi këtu edhe efektivë të reparteve special si Shqiponjat, FNSH dhe RENEA të cilët  do të jenë të përqendruar pranë kryeministrisë.

Në rreshtin e parë përballë protestues pritet që të vendoset një kordon i përbërë nga punonjësit e rendit dhe ata Shqiponja, ndërsa forcat e FNSH do të jenë në gatishmëri të ndërhyjnë në rast se situata agravon.

Ndërkohë që opozita nuk ka zbardhur asnjë detaj se çfarë pritet të ndodhë gjatë protestës e cila sot ndryshe nga herët e tjera do të zhvillohet pasdite.

Gazi lotsjellës ndërpret fjalën e Bashës

Pas zhvendosjes së protestuesve tek Parlamenti duket se situata është tensionuar, pasi policia ka nisur hedhjen e kapsollave me gaz lotsjellës duke shpërndarë turmën e tyre.

Kanë mjaftuar 4 kapsolla me gaz lotsjellës që me mijëra protestues që ishin mbledhur aty të largoheshin.

Pas pastrimit disi të ajrit dhe largimit të gazit, protestuesit janë mbledhur sërish para parlamentit, ku bashkë më to ndodhej edhe kryetari i PD, Basha.

Mirëpo policia ka vendosur sërish të largojë protestuesit këtë herë edhe me përdorimin e ujit me presion. Gjatë kësaj kohë Basha ka tentuar të mbajë sërish një fjalë por duket se është ndërprerë nga hedhja e një kapsolle tjetër me gaz lotsjellës, që vijojnë të hidhen sa herë protestuesit përpiqen të mblidhen para parlamentit.

Protesta nis me tym, bojë e domate drejt Kryeministrisë

Ashtu siç ishte lajmëruar protesta e opozitës së bashkuar ka nisur në orën 18:00, ku me mijëra qytetarë kanë mbushur rrugët e Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Kryetarët së opozitës, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi kanë dalë nga selitë e tyre përkatëse rreth 30 minuta më vonë për t’ju bashkuar protestuesve.

Kanë qenë të shumta tymuese me tym të zi, flakadanët, shishet me bojë, domatet dhe bidonat me qumësht që janë derdhur dhe gjuajtur në drejt të Kryeministrisë.

Gjithashtu pankartat dhe banderolat me shkrimet “Rama ik” apo “ Qeveria e Krimit’ dhe çadrat e printuara me shkrimin “IK” kanë qenë të shumta në duart e protestuesve. Policia ka rrethuar Kryeminsitrinë dhe qëndron në gadishmëri të plotë.

Rrethohet me hekur Kryeministria, me mijëra protestues drejt Tiranës

Ndryshe nga herët e tjera, protesta e opozitës sot do të mbahet pasdite dhe pritet të nisë në orën 18:00.

Policia e Shtetit dhe Ministria e Brendshme kanë marrë masa të larta të sigurisë duke u përgatitur për çdo të papritur të mundshme që mund të dal gjatë protestës. Tubimi pritet të jetë paqësor, por mund të shfaqen edhe incident si në rastet e tjera ku është dashur përdorimi i gazit lotsjellës dhe autoboteve me ujë.

Rreth 1500 efekti policie janë në gatishmëri ndërsa forcat RENEA dhe Garda do të jenë duke vrojtuar nga pika të ndryshme të godinave qeveritare.

E gjithë Kryeminsitria është e rrethuar me një gardh hekuri për të mbajtur larg protestuesit, ndërsa mësohet se janë vendosur edhe kamera sigurie për një monitorim më të mirë të protestës.

Gjithashtu më herët Partia Demokratike ka njoftuar se më mijëra protestues janë duke ardhur drejt Tiranës nga qytetet e tjera të Shqipërisë si Elbasani, Mati, Dibra, Bulqiza, Librazhdi etj. ku protestuesit numërohen të jenë me mijëra.

Protesta ndryshe e opozitës: 1 mandat, 300 mijë euro

Ndërsa ka nisur seanca parlamentare, opozita ka nisur protestën jashtë dyerve të parlamentit. Por sot është shfaqur ndryshe nga herët e kaluara. Janë të rinjtë e Forumit Rinor të Partisë Demokratike të cilët kanë gjetur një mënyrë origjinale për të protestuar duke vendosur një stendë para parlamentit ku “shesin” mandate deputetësh.

 “Një mandat 300 mijë euro, hajde mandate. Tre mandate 1 mln euro! Hajde mandate se u mbush, hajde mandate se u mbush parlamenti”, thërrisnin të rinjtë e FRPD.

Me këtë mënyrë ata kanë ironizuar futjen në kuvend të deputetëve të rinj nga listat e opozitës, duke nënkuptuar se ata i janë shituar qeverisë.

Pavarësisht se opozita ka braktisur kuvendin duke hequr dorë nga mandatet e deputetëve, deri tani një numër i konsiderueshëm deputetësh janë futur në kuvend duke e çuar në 102 numrin e deputetëve në sallën e kuvendit.

Protesta e 13 prillit, Basha sot mbledh Kryesinë e PD-së

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha do të mbledhë sot Kryesinë e Partisë rreth orës 11.00.

Mësohet se në këtë mbledhje do të diskutohet për mënyrën e zhvillimit të protestës së paralajmëruar të opozitës që do të zhvillohet më 13 prill.

Një tjetër pikë në axhendë është edhe diskutimi për masat organizative për vijimin e aksionit politik.

Opozita e bashkuar pasi dorëzoi mandatet e deputetëve dhe braktisi parlamentin, çdo muaj organizon protesta, përmes të cilave kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Protestuesit i bie të fikët nga gazi lotsjellës? E vërteta nga vendngjarja

Media të ndryshme online kanë botuar së fundmi foton e një protestuesi duke raportuar se i ka rënë të fikët për shkak të gazit lotsjellës, siç e shohim në foton e botuar në portalin lapsi.al. Por e vërteta është krejt ndryshe.

Gazetari i Realstory.al, Thimi Samarxhi, i cili po ndjek nga afër zhvillimet e protestës raporton se protestuesit në fakt i ka rënë të fikët para se të hidhej gazi lotsjellës dhe në një vend krejt tjetër nga është hedhur ai. Protestuesit i ka rënë të fikët në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ku nisi edhe protesta, gjë që e vërteton edhe foto që gazetari ynë dërgon nga vendngjarja. Fotot tregojnë bordurat e korsisë së biçikletave që gjenden vetëm tek bulevardi “Dëshmorët e Kombit” dhe jo para parlamentit.

Ndërkohë gazi lotsjellës është hedhur kur protestuesit janë mbledhur pranë parlamentit, shumë larg vendit ku i ra të fikët protestuesit.

Skip to toolbar