“Dosjet e përgjimeve nuk mjaftojnë, opozita të lërë deklaratat shkatërruese”

Ndërmjetësuesi i njohur Schwarz-Schilling shpjegon për Deutsche Wellen se përse kompromisi është i pamundur mes Ramës dhe opozitës. Schwarz-Schilling thote se opozita e sotme duhet të marrë shembull nga Edi Rama si ish-kreu i opozitës dhe të largohet nga parullat revolucionare duke shkatërruar institucionin e parlamentit. Schwarz-Schilling ka folur gjithashtu edhe për dosjet e përgjimeve duke treguar se vetëm ato nuk mjaftojnë si provë, por opozita duhet të gjejë dëshmitarë për t’i verifikuar.

Deutsche Welle: Në Shqipëri kemi aktualisht një ngërç politik. BE-ja, pra, komisioneri Johannes Hahn, kërkojnë kompromis ndërmjet qeverisë dhe opozitës. Ju jeni një ndërmjetësues i njohur në Ballkan e në botë. A shihni një mundësi për arritjen e këtij kompromisi?

Christian-Schwarz-Schilling: Ndërmjetësimi në këtë nivel mund të arrihet vetëm kur të dyja palët e duan. Kur njëra palë cakton si parakusht të bisedimeve kapitullimin ose dorëheqjen e palës tjetër, atëherë metoda nuk do të funksionojë dhe nuk duhet synuar. Unë jam shumë i çuditur me deklaratat që dëgjoj nga partia e opozitës, si për shembull, deklaratat e ish-kryeministrit, Sali Berisha, i cili, në vend që të thërrasë për ballafaqimin e opinioneve të ndryshme në parlament, lëshon parulla revolucionare duke shkatërruar kështu institucionin e parlamentit.

Por politikanët e opozitës e kanë braktisur tashmë parlamentin…

Po, dhe kanë bërë gabim. Mua më kujtohet viti 2010, kur kam ndërmjetësuar mes Sali Berishës si kryeministër dhe Edi Ramës, asokohe kryetar i opozitës. Situata ishte e kundërta e kësaj që kemi sot: Edi Rama atëherë kishte paralajmëruar se do t’i dorëzonte mandatet, por ai u tregua shumë më i arsyeshëm dhe pranoi të kthehej në Kuvend. Opozita e sotme duhet të marrë shembull nga Edi Rama si ish-kreu i opozitës.

E megjithatë, komisioneri Hahn ka thënë se qeveria duhet të kërkojë dialogun me opozitën. Meqenëse ju e njihni dhe e çmoni personalisht Edi Ramën, çfarë këshille do t’i jepnit në këtë situatë?

Ai duhet të nxjerrë në plan të parë institucionin parlamentar dhe të thotë se Kuvendi duhet të formulojë një opinion për vendin. Nuk mund ta ndryshosh me dhunë maxhorancën parlamentare. Mund të shqyrtohen argumentet që sjell pakica kundër qeverisë, të cilat maxhoranca duhet t’i trajtojë me seriozitet dhe t’i përfshijë në punën e qeverisë. Por nuk është e mundur, që pakica ta shpallë veten si maxhorancë dhe të prishë kësisoj institucionin e parlamentit. Kjo nuk ecën. Maxhoranca mund të ndryshohet vetëm në zgjedhje. Dhe opozita duhet të pajtohet me këtë rezultat.

Duhet të pajtohet edhe pse ka pasur blerje votash në disa qarqe, siç pretendon opozita?

Unë nuk besoj se kjo ka ndodhur. Dihet që në përgjithësi përdoren gjithmonë ca metoda ballkanike, por nuk kam dëgjuar që Edi Rama ta ketë bërë këtë në mënyrë aq masive sa të ketë pasur efekt në rezultatin e zgjedhjeve.

Po dosjet e përgjimeve të prokurorisë, ku dëgjohen persona të lidhur me krimin e organizuar duke blerë vota në emër të kandidatëve të Partisë Socialiste?

Këto janë akuza që duhen dëshmuar. Nëse ka qenë kështu, atëherë opozita duhet të paraqesë dëshmitë dhe të bëjë një kërkesë për verifikim.

Pra, ju mendoni se vetëm përgjimet nga dosjet nuk mjaftojnë?

Jo. Ato nuk mjaftojnë.

Por në Shqipëri ka kohë që ekziston një pakënaqësi e përgjithshme, e cila vihet re jo vetëm te opozita. A pajtoheni?

Unë kam përvojë me disa shtete të Ballkanit Perëndimor. Jam shumë i lidhur me Bosnjë-Hercegovinën. Më duhet të them, se ato gjëra që ndodhin aty, as që mund të krahasohen fare me Shqipërinë. Kam parasysh partitë djathtiste kroate, HDZ, si në Kroaci, ashtu edhe në Bosnjë-Hercegovinë që bëhen bashkë, jo për ta ndërtuar, por për ta shkatëruar shtetin e Bosnjë-Hercegovinës. Përkundrazi, me projektet e ndryshme që kam në Shqipëri, kam krijuar përshtypjen se atje po bëhen përpjekje shumë serioze për reformat. Kjo duket më së miri në procesin e Vetting-ut në gjyqësor. Është një proces shumë i vështirë, por qeveria dhe Ministrja e Drejtësisë po e menaxhojnë shumë mirë.

Keni biseduar ju edhe me kreun e opozitës, Lulzim Basha?

Po, e kam takuar dy herë. Përshtypja ime është se ai është një njeri mendjemprehtë, por që synon vetëm të çojë përpara karrierën e tij dhe mendon se tani është momenti i përshtatshëm. Nuk kam përshtypjen se po digjet për vendin dhe për reformat. Kam përshtypjen se opozita po kërkon të nxisë zhvillime revolucionare për të arritur rrëzimin e qeverisë. Ne këtë nuk mund ta mbështesim, Ne duhet të mbrojmë me forcë institucionet. Aty ku prezantohen fakte, duhet hetuar më tej, por jo të bëhen polemika dhe demagogji për të shkatërruar institucionet. Kjo është shumë e rrezikshme. Për këtë shkak unë jam i mendimit se arritjet pozitive të qeverisë në Shqipëri duhen vlerësuar dhe nuk duhen përçmuar në këtë mënyrë.

Sipas të gjitha gjasave, parlamenti gjerman, Bundestag-u, do të votojë në shtator mbi çeljen e negociatave të Shqipërisë me BE-në. Çfarë duhet të ndodhë gjer atëherë, në mënyrë që kolegët tuaj të CDU/CSU-së t’i japin Shqipërisë dritën e gjelbër për çeljen e negociatave?

Deri atëherë do të duhet të dalë në pah e vërteta, konkretisht, se kush kërkon reforma, e kush përmbysje.

Intervistoi: Anila Shuka, Berlin

Prof. Dr. Christian Schwarz-Schilling ka qenë ministër gjerman për Postën dhe Telekomunikacionin. Në shenjë proteste kundër qëndrimit të qeverisë gjermane në luftën e Bosnjes ai dha dorëheqjen. Nga vitit 2006-2007 ai shërbeu si Përfaqësues i Lartë në Bosnje-Hercegovinë dhe i ngarkuar i BE për Bosnje-Hercegovinën. Në vitet e mëpasshme ai ka punuar si ndërmjetësues në Ballkan. Ekspertizën e tij si ndërmjetësues aktualisht po e përdor edhe Ministria e Drejtësisë e Shqipërisë me një projekt për implementimin e Ligji të ri për ndërmjetësimin në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve (2018) në Shqipëri. Projekti financohet nga qeveria norvegjeze.

Ish-kryeministri italian apel opozitës shqiptare: Bojkoti s’ka kuptim!

“Nuk ka sens që opozita të mos marrë pjesë në zgjedhje”. Kështu është shprehur në një intervistë për Report Tv, ish kryeministri italian, Massimo D’Alema. Ai u ka bërë thirrje politikanëve në Shqipëri që t’i japin fund protestave të dhunshme dhe të ulen në tryezën e bisedimeve. D’Alema i bëri apel opozitës që të ndalë aktet e dhunës dhe të zhvillojë protesta paqësore.

 “Natyrisht, përtej së gjithash zgjedhjet zhvillohen nën mbikëqyrjen e ndërkombëtarëve kështu që zgjedhjet në Shqipëri janë konsideruar të rregullta nga ana e vëzhguesve ndërkombëtare. Dhe natyrisht që opozita duhet të marrë pjesë në zgjedhje. Nuk ka sens qe opozita të mos marre pjesë në zgjedhje. Protesta demokrate duhet te shprehet ne forma demokratike.

Unë si mik i Shqipërisë jam i shqetësuar për tonet e pakuptueshme e të ashpra që ka marrë konfrontimi politik në vendin tuaj, dhe në bazë të zgjedhjeve dhe sjelljeve që nuk janë të kuptueshme. Ajo që unë shpresoj sinqerisht është që të rifillojë dialogu kombëtar dhe që të jetë e mundur të kthehemi në një përballje civile midis forcave kryesore të politikës.

Një vend demokratik si Shqipëria që është në rrugën e integrimit europian, ideja qe opozita te dezertojë parlamentin është e papranueshme, kështu që apeli im, është të rifilloj dialogu për të mirën e këtij vendi që nuk mund të pranojë motivet e një përplasje kaq të ashpër që në fund sipas meje përfundon me largimin e qytetareve nga politika. Unë njoh shumë qytetar shqiptarë të cilët janë të tronditur përballë kësaj përplasje të cilët ndihen të huaj sepse nuk mund të kuptojnë arsyet e kësaj përplasjeje kështu që ftesa ime është të reflektojnë, të mbizotërojë mirëkuptimi dhe të rimarrin rrugën e një dialogu ndërmjet forcave partiake me të mëdha në vend”, u shpreh D’Alema.

Ndërkombëtarët janë të gjithë në një linjë qëndrimi. Ata i bëjnë thirrje opozitës që t’i japë fund protestave të dhunshme dhe të gjejë gjuhën e dialogut me qeverinë.

Përgjigjet Basha: Do përballemi në çdo qendër votimi

Kreu i opozitës Lulzim Basha nuk ka bërë asnjë hap pas pavarësisht letrës publike të kryeministrit Rama, ku i është përgjigjur nga Durrësi, duke deklaruar se Rama kërkon kapitullimin e popullit para krimit. Në një takim me qytetarët në qytetin bregdetar, Basha tha se nuk do të ketë asnjë hap pas, ndërsa shtoi se se me 30 qershor do të ketë përballje me çdo qendër votimi.

“Na propozon që më 30 qërshor të bëjmë sehir kur ai bën grusht shteti me zgjedhje falso, kur 1.4 milionë shqiptarë janë me karta të skaduara. Që janë 1.4 milionë karta të falsifikuara. Na propozon zgjedhje në Durrës me një një asistente hajdute si kryetare bashkie tani që Vangjush Dako po e përpin vorbulla e hekurave. Na propozon Taulant Ballën  dhe Damian Gjiknurin si rojtarë të zgjedhjeve kur këta  do jenë para togave të zeza. Edi Rama na propozon kapitullimin. Na propozon zgjedhje ku nga Artur Bushi dhe Tërmet Peçi rikandidojnë, ku në fakt dekriminalizimi duhet t’i çonte përpara drejtësisë”, deklaroi Basha nga Durrësi, duke treguar vendosmërinë e opozitës se nuk do të ketë zgjedhje pa dorëheqjen e kryeministrit Rama.

“Kërkesat e opozitës janë anormale. I nxit njerëzit të futen në burg”

Deputeti socialist, Niko Peleshi i ka cilësuar anormale thirrjet e opozitës për protesta të dhunshme, që nxisin qytetarët të shkelin ligjin dhe të futen në burg. Në një intervistë të dhënë sot në News 24, Niko Peleshi u shpreh se kërkesat e opozitës janë absurde dhe antidemokratike. Sipas tij edhe nëse shtyhen zgjedhjet, kjo nuk do të sjellë asnjë ndryshim.

“Kërkesat e opozitës janë antisistem, janë realisht absurde. Populli është kundër kërkesave të tyre. Ne kemi lëshuar, teksa kishte ministra teknikë, ndërsa edhe ministrat janë ndryshuar. Sa i takon zgjedhjeve të 2017, ato kanë qenë të vëzhguara së shumti nga faktori ndërkombëtar.

Ne jemi në konflikt interesi ta gjykojmë, por edhe qytetarë të zakonshëm besoj se nuk bien dakord me kërkesat opozitare. Lidershipi opozitar nuk lejohet që të thërrasë popullin opozitar në një rrugë të paligjshme. Të ftosh qytetarët që të dalin në rrugë duke rrezikuar burgun, është absurde dhe nuk do e donim as ne si situatë.

As ne si maxhorancë nuk do donim që opozita të ishte jashtë sistemit. Për ne 30 qershori pa kundërshtar, nuk është mirë. Aspak. Unë vetë nuk ndihem aspak mirë, që PS nuk ka kundërshtar në bashkitë e vendit. Opozita do ta bëjë qimen tra. Opozita apelon anormalitet politik e ligjor. Nuk është se bëhet kiameti pse shtyn zgjedhjet, por nuk ndryshon asgjë”, tha Peleshi.

Bosch mesazh opozitës: Punoni për Shqipërinë, jo për veten

“Ju lutem, punoni për Shqipërinë, jo për veten tuaj” ka deklaruar ish-ambasadori i OSBE në Shqipëri, Robert Bosch.

Në një kërkesë drejtuar opozitës, por edhe politikanëve shqiptarë, Bosch ka kërkuar që të fokusohen më shumë në integrimin e vendit dhe interesat e popullit dhe jo për interesat e tyre personal.

“Ka diçka që dua t’ia them të gjithë politikanëve apo liderëve shqiptarë. Ju lutem, punoni për Shqipërinë, jo për veten tuaj. Mos punoni për partinë tuaj, por punoni për Shqipërinë dhe për shqiptarët. Kujdesuni për vendin dhe jo për veten tuaj apo për interesat e partisë suaj. Vetëm nëse partia ka qëllim interesat e popullit ecni përpara në integrimin evropian. Kjo bëhet duke punuar së bashku dhe jo kundër njëri-tjetrit. – tha Bosch

Këto deklarata Bosch i bëri pas një takimi që zhvilloi me kreun e Kuvendit Gramoz Ruçi dhe kreun e grupit parlamentar Taulant Balla.

Gjithashtu ai tha se Holanda duhet të njoh hapjen e negociatave për Shqipërinë, por protestat e dhunshme po sjellin sinjale negative.

Gjermania, shuplakë opozitës: Po bën politikë bllokuese

Qeveria gjermane i quan të papranueshme, jo vetëm protestat e dhunshme të opozitës, por edhe djegien e mandateve dhe bojkotin e zgjedhjeve lokale të 31 qershorit.

Ministri i Shtetit për Evropën, Michal Roth ka dhënë një intervistë për gazetën “Der Spiegel”, ku ka folur për situatën në Ballkan dhe politikën në Shqipëri.

“Protestat janë një çështje e pranueshme sigurisht në një demokraci. Por, dhuna dhe urrejtja, bojkotimi i zgjedhjeve dhe largimi i opozitës nga parlamenti janë absolutisht të papranueshme. Shqiperia ka bërë një rrugë të gjatë për në BE. Opozita po rrezikon njohjen e këtyre arritjeve me politikën e saj penguese”, është shprehur Roth.

Ndërkombëtarët prej kohësh i kanë bërë thirrje opozitës shqiptare që të heqë dorë nga protestat e dhunshme dhe të gjejë gjuhën e dialogut.

“Opozita të dënojë dhunën, po dëmton imazhin e vendit”

Për dhunën e përdorur gjatë protestës së 11 majit ka reaguar edhe misioni francez në OSBE.

Në një deklaratë misioni francez në OSBE kërkoi nga opozita të dënonte dhunën, pasi në këtë mënyrë është duke dëmtuar imazhin e vendit.

“E drejta për të protestuar paqësisht është një element thelbësor i rrugëtimit demokratik të një vendi. Megjithatë të shtunën në 11 maj në Tiranë u vunë re zhvillime të dhunshme në protestat e thirrura nga opozita. Është e rëndësishme që opozita të dënojë dhunën dhe të denoncojë autorët e saj. Dhuna kompromenton për reforma demokratike dhe dëmton imazhin e Shqipërisë.” -thuhet në deklaratë

Taulant Balla paralajmëron opozitën: Askush të mos guxojë të pengojë zgjedhjet!

Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Elbasanit, ka bërë një paralajmërin të fortë për opozitën, e cila ka deklaruar se nuk do të lejojë zhvillimin e zgjedhjeve më 30 qershor. Gjatë prezantimit të 51 kandidatëve për anëtar të Këshillit Bashkiak të bashkisë Elbasan, Balla ka paralajmëruar opozitën të mos guxojë të pengojë qoftë dhe një zgjedhës të vetëm të votojë.

“Zgjedhjet do të zhvillohen. Kush guxon të pengojë, qoftë edhe një zgjedhës të vetëm të shkojë për të ushtruar të drejtën e vet, Kodi Penal është i qartë. Të gjithë e dinë se çfarë i pret nëse guxojnë të pengojnë një zgjedhës të shkojë të votojë, nëse guxojnë të dëmtojnë një qendër votimi, apo një material votimi”.

“Çdo përpjekje, qofshin me bomba molotov, apo me dhunë kundër institucioneve për të penguar fillimin e bisedimeve, për të penguar rrugën europiane të Shqipërisë, për të penguar vijimin e mëtejshëm të Reformës në Drejtësi nuk ka për t’ja dalë dot. Kjo është një gjë e sigurt. Të gjithë shqiptarët janë të bindur se ne duhet të ecim në rrugën e nisur.”

Duke shprehur urimin për kandidatët për kryetar bashkie në Qarkun Elbasan, Balla vuri në dukje rëndësinë e zgjedhjeve të 30 Qershorit dhe momentin e rëndësishëm në të cilin ndodhet vendi.

“Kodi Zgjedhor parashikon që 30 qershori është afati i fundit për zgjedhjet vendore. Është shumë e rëndësishme që ne t’i përmbahemi respektimit të parashikimeve të Kodit Zgjedhor përsa i përket zhvillimit të fushatës”.

“Fushat do të zhvillohet vetëm në 30 ditët e parashikuara nga kodi dhe për ne si Parti Socialiste, zhvillimi i një fushte në respektim të të gjitha kushtëzimeve që vendos Kodi Zgjedhor është mjaft e rëndësishme”.

“Derisa të fillojë fushata, ne jemi shumë të vetëdijshëm se Shqipëria pret një vendim shumë të rëndësishëm siç është fillimi i bisedimeve për anëtarësim, rekomandimi i Komisionit Europian, i cili me të gjitha gjasat dhe konfirmimet do të jetë një rekomandim pozitiv”.

Bamir Topi: Jo djegie të mandateve, beteja nuk fitohet rrugëve

Bamir Topi e cilësoi të gabuar djegien e mandateve nga opozita. I pyetur nga gazetari Sokol Balla në Real Story se çfarë note do t’i vinte vendimit për djegien e mandateve, Topi tha se opozita duhet të luftonte në të gjitha fushat.

“Unë jam institucional. Asnjëherë nuk e kam menduar që një parti politike të djegë mandatet. Beteja duhet të ishte në të gjitha frontet në parlament, në terren, në arenën ndërkombëtare. Betejat nuk fitohen thjeshtë duke dalë rrugëve.” – tha Topi

Ndërsa pyetjes në duhet të jepte Rama dorëheqjen për t’i hapur rrugë zgjidhjes, Topi tha se këtë “e lente në koshiencën e gjithsecilit”.

Rama-opozitës: Hapësirë për dialog ka, shtyrje zgjedhjesh jo

Kryeministri Edi Rama thotë se është gati për dialog me opozitën, por pa cënuar Kushtetutën dhe zgjedhjet më 30 qershor janë të vendosura nga ajo, nuk mund të shtyhen. Gjithashtu Rama tha në Opinion se nuk mund të përdoren armë luftarake si molotov në një protestë duke dhunuar policinë dhe institucionet.

“Këtë filmin “ik se nuk flasim” e kam parë. Dhe ju e mbani mend shumë mirë, që unë gjatë gjithë kohës kam insistuar që nuk do iki unë, nuk do lëvizë askush dhe zgjedhjet nuk do shtyhen. Por më thoni ju mua, ku jemi ne në shkelje me interesin kombëtar, me kushtetutën ku jemi ne në shkelje me marrëdhëniet me qytetarët. Ata janë në shkelje të interesit kombëtar, ajo që bëjnë është në shkelje të interesit kombëtar. Janë në shkelje të kushtetutës, janë në shkelje me qytetarët që i kanë votuar, mund ti marrësh në qafë duke i lënë të flenë në çimento. Hapësirë për dialog dhe për bisedime ka dhe kur palët luftojnë në fushën e luftës kur luftojnë me mitraloza e raketa. Këtu nuk jemi në protestë, jemi në sulm të institucioneve. Molotovi është armë luftarake, që hidhen mbi trupat e policisë.” – tha Rama

Skip to toolbar