Metani në krye të ILD, PD: Shërbëtor i Ramës në drejtësi

Emërimi i Artur Metanit në krye të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë është dënuar nga Partia Demokratike, duke e cilësuar si një dështim të reformës në drejtësi dhe politizimit të saj. Përmes një deklarate, PD shprehet se Metani, vëllai i deputetes Eglantina Gjermeni, është shërbëtori dhe militant partiak i Edi Ramës dhe emërimi i tij është në kundërshtim me ligjin. ILD do të hetojë prokurore e gjyqtarë dhe sipas PD-së emërimi i Metanit, është kapje e sistemit nga Rama për të mos lejuar hetimet e vjedhjeve të votave nga qeveria.

Sot u emërua si Inspektor i Lartë i Drejtësisë vartësi i Edi Ramës, vëllai i ish ministres dhe deputetes së tij. Artur Metani, që duhet të garantojë pavarësinë e drejtësisë nga politika, u emërua sot në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet. Sot është një ditë e keqe për demokracinë dhe drejtësinë në Shqipëri. Emërimi i Artur Metanit në krye të Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë, në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet, është një emërim partiak në një nga pikat kyçe të sistemit të drejtësisë, që verifikon dhe nis hetime për të gjithë gjyqtarët, prokurorët, si dhe për anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqesor dhe atë të Prokurorisë.

Vartës i Edi Ramës për vite me radhë, Artur Metani nuk do t’i shërbejë drejtësisë së pavarur. Ai është emëruar aty për të qenë  shërbëtor i Edi Ramës. Me këtë emërim Edi Rama investohet personalisht kundër prokurorëve dhe gjyqtarëve që gjykojnë dosjet e korrupsionit, vjedhjen e votave nga qeveria e Edi Ramës apo lidhjet e tij me krimin e organizuar. Emërimi i Artur Metanit, një militanti partiak, vartës i Ramës, vëlla i deputetes dhe ish ministres së Ramës është një tjetër zhgënjim i thellë për të gjithë shqiptarët që prisnin drejtësi të pavarur nga reforma në drejtësi e cila, me hapin e sotëm është pranë vdekjes klinike” shprehet PD.

Artur Metanit iu besua posti i drejtimit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë gjatë seancës së parë të sesionit të ri parlamentar për 2020, me 98 vota pro, të mazhorancës dhe opozitës parlamentare.

Akuzat e PD për 64 milionë euro humbje, OSHEE: Ka qenë vit i vështirë, kryem investime

Partia Demokratike tha të premten se Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike është duke u zhytur në një gropë të madhe abuzimesh dhe korrupsioni. Me anë të një deklarate për mediat, zyrtarit i PD-së, Ervin Minarolli tha se OSHEE ka dalë me 64 milionë euro humbje për vitin që lam pas.  “Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka humbur 64 milionë euro vitin që shkoi, duke e zhytur kompaninë publike në një gropë të madhe abuzimesh dhe korrupsioni. Humbja dramatike e kaq shumë parave ndodh, kur shqiptarët paguajnë çmimin më të lartë të energjisë në rajon. 64 milionë eurot që i mungojnë arkës së Operatorit të Energjisë Elektrike janë para të futura në xhepat e Edi Ramës dhe njerëzve të tij, duke blerë energji me çmim më të lartë se tregu, apo duke përdorur paratë poblike për të mbushur xhepat e klientëve të vet, në dëm të financave të kompanisë”, tha Minarolli.

Megjithatë, lidhur me këtë deklaratë reagoi OSHEE, e cila pohon humbjet, por arsyeton se viti që sapo lam pas ishte shumë i vështirë. Sipas OSHEE, pritet që të ketë një bilanc negativ me 7.4 miliard lekë, por kjo ka ardhur, sipas OSHEE për disa arsye. “Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka përmbyllur të dhënat e treguesve kryesore ekonomiko/financiar për vitin 2019, i cili konsiderohet si më i vështiri, për shkak të thatësirës së tejzgjatur që çoi në mungesën e prodhimit nga HEC-et e Kaskadës së Drinit dhe ato private. Kostoja e pashmangshme e mbulimit me energji importi të prodhimit të munguar ashtu sikurse ekzekutimi i detyrimeve në zbatim të vendimeve të gjykatave kanë sjellë përkeqësimin e rezultatit vjetor financiar të kompanisë por nuk kanë cënuar objektivat e vendosura në raport me reduktimin e humbjeve, rritjen e arkëtimeve dhe kontributin në Buxhetin e Shtetit përmes tatim/taksave.

Humbjet në rrjetin e shpërndarjes në vitin 2019 zbritën në 21.7% (kur objektivi i BB është 23%) ndërsa një vit më parë ato ishin 23.9%. Arkëtimet pritet të arrijnë 97% të vlerës së faturuar çka përbën rritje me 2% prej parashikimit në Buxhet dhe në Planin e Rimëkëmbjes së sektorit elektroenergjetik. Të ardhurat nga shitja e energjisë për vitin 2019 rezultojnë me një rritje prej 2% ose në vlerë rreth 1.3 miliard lek krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Gjatë këtij viti, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka paguar 8.1 miliard Lek Buxhetit të Shtetit përmes tatim/taksave. Brenda kësaj shume është edhe tatim-fitimi për vitet e mëparshme në vlerën 3.3 miliard lek. OSHEE ka likujduar në këtë vit 100% të faturave korente ndaj Korporatës Elektroenergjetike, Operatorit të Sistemit të Transmetimit dhe Postës Shqiptare. Gjithashtu, është likujduar shuma prej 1.2 miliard Lek si pagesë për detyrimet e vjetra të trashëguara ndaj Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare.

Në sajë të disiplinës financiare, OSHEE ka mundësuar edhe kryerjen e investimeve të domosdoshme për të garantuar sigurinë dhe qëndrueshmërinë e rrjetit të shpërndarjes. Përtej arritjes së këtyre objektivave, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike pritet të dalë për vitin 2019 me një rezultat financiar negativ prej 7.4 miliard lekësh. Kjo shifër reflekton pashmangshmërisht angazhimin e Operatorit të Shpërndarjes për: a) garantimin e furnizimit të vazhdueshëm me energji të konsumatorëve pavarësisht thatësirës; b)   menaxhimin e situatës financiare pa rënduar mbi Buxhetin e Shtetit; c) mbajtjen e pandryshuar të tarifave të energjisë elektrike për konsumatorët final”, thotë ndër të tjera OSHEE.

PD akuza për bonusin e qirasë, reagon kreu i PS në Radë

Partia Demokratike, nëpërmjet një deklarate për mediat hodhi akuza të shtunën se në Durrës po abuzohet me bonusin e qirasë. Në deklaratën që Selia Blu publikoi, pretendonte se anëtarët e familjes Basha në Durrës, të cilët jetonin në një vilë tre katëshe në fshatin Radë në Manëz, e dëmtuar nga tërmeti, kanë përfituar tre bonuse qiraje.

“Për Manzën janë dhënë 7 bonuse qeraje, 3 prej të cilave janë për familjen e Kryetarit të Partisë Socialiste të fshatit Radë, Armand Basha. Ai është njëkohësisht shpërndarës i ndihmave në Manzë dhe pronar i firmës së ndërtimit “Armandi shpk.”. Siç tregon dokumenti, bonus qeraje ka përfituar edhe babai i Kryetarit të PS, Hysni Basha, edhe ky ndërtues dhe gjyshi i Kryetarit të PS, Murat Basha. Të tre këta jetojnë në një shtëpi, por paratë për qeranë e kanë marrë sikur të jetonin të ndarë për arsyen e vetme se drejtojnë Partinë Socialiste në zonën e manzës”, thuhej në deklaratën e PD.

Por, pak orë më vonë, pasi u publikua kjo deklaratë, reagoi edhe Armand Basha, kryetari i PS në këtë zonë njëherazi një nga tre përfituesit bonusit të qirasë në familjen Basha. Ai publikoi foto nga vila tre katëshe e dëmtuar nga tërmeti, ku banonte së bashku me disa familjarë të tij. Armand Basha publikon edhe foto të certifikatave familjare, që sipas tij vërtetojnë, se paçka se familjet jetonin në të njëjtën vilë, e shpallur e pabanueshme, ato janë të ndarë nga njëri-tjetri. Pra, pavarësisht se jetojnë në të njëjtën godinë, secili prej tyre kishte banesën e tij në ndërtesën e dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit.

“Të nderuar miq dhe të njohur, siç jeni në dijeni, në 26 Nëntor 2019, më së shumti Qarku i Durrësit, u prek nga një tërmet i fuqishëm, me pasoja tragjike dhe viktima. Për fat të mirë, unë dhe familjaret e mi, shpëtuam shëndoshe e mirë, por praktikisht banesa ime private në fshatin Radë, Manëz (Durrës), ku unë dhe familjaret e mi jetojmë, u demtua rëndë dhe është e pabanueshme, vërtetuar kjo dhe nga akt- konstatimi i banesës, firmosur nga ekipi i specialistëve të ardhur nga Turqia”.

“Gjithsesi, papritur e papandehur, sot u gjenda i ballafaquar me sulmin zyrtar të Partisë Demokratike, për shkak të funksionit përfaqësues, që kam për Partinë Socialiste në këtë zonë, ku nëpërmjet një deklarate zyrtare të tyre, hamendësojnë se kam përfituar bonuse qeraje për vete dhe familjarët e mi, në mënyrë të pamerituar, si privilegj për faktin se jam pjesë përfaqësuese e PS-së. Mendoj se PD-ja, duhet të gjente kohë për solidaritet, jo për sulme personale që është pak të thuash, se janë tepër banale e mediokre. Më poshtë gjeni 1. Certifikatat familjare, të cilat qartazi tregojnë sa persona e familje ishim në banesë, 2. Fotot e banesës private pas dëmtimit”, thuhet ndër të tjera në reagimin e Armand Bashës.

Paketa anti-shpifje, PD: Nëse Rama nuk tërhiqet, ligjet do i anulojmë ne

Partia Demokratike reagoi të mërkurën pasdite, në lidhje me paketën ligjore anti-shpifje. PD shpërndau një deklaratë për mediat, ku theksonte se “në televizioni Rai3 në Itali, emisioni “Fuori TG” i ishte kushtuar përsëri Shqipërisë, këtë herë për rrezikun e lirisë së fjalës dhe të shtypit prej nismave qeveritare”, thuhej në deklaratën e PD. Emisioni titullohej “Gojët e qepura”, ndërkohë që sipas PD është trajtuar gjatë “çështja e shumëdebatuar ditët e fundit në Shqipëri, atë të rrezikut të lirisë së fjalës në një skenar mediatik të kushtëzuar nga raportet gjithnjë e më të ngushta të linjës editoriale dhe pushtetit politik”, thuhet në deklaratën e PD.

Më tej, PD bën një koment të vetin duke u shprehur se “në këtë skenar, projektligjet e qeverisë që cënojnë rëndë informimin e publikut dhe përkeqësojnë punën e gazetarëve do të kenë efekt domino në demokracitë e brishta ballkanike.  Në Tiranë prej disa ditësh, OSBE, Këshilli i Evropës, Bashkimi Europian dhe UNDP kanë kundërshtuar draftet e ligjeve të censurës mediatike. Nga Leipzig, Vjenë, Bruksel, Berlin, 7 organizata mediatike ndërkombëtare, së bashku me 15 organizata kombëtare, prej muajsh i kanë kërkuar Kryeministrit Rama të tërheqë 2 projektligjet që shkelin standartet ndërkombëtare dhe të drejtat kushtetuese të lirisë së medias, lirisë së fjalës dhe të së drejtës për informim”.

Selia Blu mendon se dy projektligjet e propozuara nga qeveria e vendosin median online totalisht në kontrollin e ekzekutivit. Sipas PD, Edi Rama, po rikthen gjyqet politike si një presion tjetër dhe rrezik për lirinë e medias. “Edi Rama, në përpjekje për të kontrolluar çdo zë kritik, po rikthen gjyqet politike si një presion tjetër dhe rrezik për lirinë e medias. I tillë është edhe rasti i Jetmir Olldashit, i cili është kërkuar të dënohet vetëm sepse zbuloi përfshirjen në trafikun e drogës të vëllait të Ministrit të Brendshëm. 29 vjet më parë, ne u rreshtuam në krahun e lirisë së fjalës. Dhe nuk kemi ndërmend të heqim dorë prej saj”, thotë PD.

Në fund, PD thotë se rruga e vetme është tërheqja nga projektligjet antidemokratike dhe anti kushteteuese, që synojnë t`i mbyllin gojën medias online. “Rruga e vetme për Edi Ramën është tërheqja e projektligjeve antidemorkatike, antikushtetuese, që mbyllin gojën e medias online. Nëse ai do t’i shkojë deri në fund rrugës së vet të rrezikshme, që cënon më tej imazhin e Shqipërisë dhe dëmton pozicionin e vendit në OSBE, PD do ta anullojë këtë ligj antidemokratik menjëherë sapo të marrë besimin për qeverisjen e vendit”, thuhet në reagimin e Partisë Demokratike.

PD, akuza Ramës: Shkodra, 2 muaj pa drejtorë

Dega e Partisë Demokratike në Shkodër reagoi pas debateve të zhvilluara në dy mbledhjet e fundit të socialistëve për qarkun e Shkodrës, ku nuk po arrihet gjetja e mënyrës së emërimit të drejtorëve të rinj. Dega e PD Shkodër e cilëson të turpshme përdhosjen që sipas tyre po i bën kryeministri Rama Shkodrës dhe qytetarëve të saj, ku ka 2 muaj që e ka lënë qytetin pa drejtorë rajonal, pasi pret të bashkëqeverisë me krimin. Dega e PD Shkodër tha se shkodranët nuk do ja falin kurrë Ramës që tenton të tallet me ta.

Është e turpshme dhe e dënueshme përdhosja që po i bën Edi Rama qytetit të Shkodrës. Pasi i turpëroi socialistët e Shkodrës duke i kandiduar për Kryetar Bashkie, pa i pyetur, një trafikant droge të dënuar në Itali, Edi Rama ka rreth 2 muaj që ka lënë Shkodrën pa drejtorë rajonal, sepse pret që bandat të bien në ujdi për të ndarë pushtetin.

Nuk ka rëndësi për Edi Ramën se çfarë mendojnë qytetarët e Shkodrës.

Nuk ka rëndësi për Edi Ramën se çfarë mendojnë socialistët e ndershëm të Shkodrës.

Nuk ka rëndësi për Edi Ramën që Shkodra ka djem dhe vajza të talentuar, të arsimuar mirë dhe të aftë për të drejtuar administratën publike lokale.

Për të ruajtur pushtetin e tij personal, për Edi Ramën ka rëndësi vetëm vazhdimi i marrëveshjes së bashkëqeverisjes me krimin e organizuar në Shkodër. Shkodra nuk ka për t’ia falur këtë! Edi Rama duhet të mësojë se me Shkodrën as nuk mund të tallet dhe as nuk mund të luajë!  Partia Demokratike Dega Shkodër i bën thirrje qytetarëve të Shkodrës, pa asnjë dallim politik, të përbuzin këtë model qeverisjeje, ta refuzojnë fuqimisht tentativën e Edi Ramës për të veshur me pushtet krimin në Shkodrën e kulturës dhe dijes.

Shqipëria dhe Shkodra ka vetëm një rrugë!

Të ndahen nga krimi, të refuzojnë të keqen, dhe të punojmë bashkërisht për Shqipërinë si gjithë Europa!” shkruhet në reagimin e PD dega Shkodër.

PD kërkesë KQZ: Shkarkoni Kajmakun

Partia Demokratike i kërkon KQZ të shkarkojë pa vonese kreun e Bashkisë Vorë Agim Kajmaku, i cili u vërtetua se ka gënjyer në plotësimin e formularit të dekriminalizimit. Përmes një kërkesë dorëzuar KQZ-së nga Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmen Bardhi, kërkohet që ky institucion të mos e vonojë më shumë heqjen e mandatit për Agim Kajmakun, pasi tashmë kjo është vërtetuar dhe nga prokuroria shqiptare, e cila nisi dhe një hetim ndaj tij.

Kërkesa i është dorëzuar kreut të KQZ-së Klement Zguri dhe u dërgua për dijeni dhe Ambasadës së SHBA dhe BE në Tiranë. Në kërkesën e PD dërguar KQZ theksohet gjithashtu se për këtë vepër të kryer nga Agim Kajmaku, ligji parashikon humbjen e menjëhershme të mandatit dhe dënimin e tij me deri në 4 vjet burg.

 “Fakti që në Formularin e Vetëdeklarimit, nuk është pasqyruar asnjë e dhënë e përcjellë në lidhje me arrestimin dhe hetimet përkatëse në shtetin grek, si dhe identitetin e rremë të përdorur nga vetë ai, bën që Agim Kajmaku të përfshihet në kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksionit publik si Kryetar i Bashkisë. Kjo ka sjell përjashtimin e menjëhershëm dhe në çdo kohë nga funksioni publik që mban. Për prokurorinë është e provuar se Agim Kajmaku ka pasur dijeni të plotë në lidhje me faktin që ka qenë në hetim penal në Greqi dhe se ndaj tij kishte një proces gjyqësor penal në zhvillim. Ai ka kryer veprime konkrete për fshehjen e këtij fakti para autoriteteve shqiptare. Në këtë rast, anëtarët e KQZ-së duhet të zbatojnë ligjin dhe të mos i nënshtrohen urdhrave politikë të Edi Ramës, pavarësisht se ai është personi që ka emëruar në detyrë edhe Agim Kajmakun, edhe 4 nga 5 anëtarët e KQZ-së.”- thuhet në kërkesën e PD për KQZ-në.

Prokuroria e Përgjithshme deklaroi disa ditë më parë se në bazë të letërporosisë së ardhur nga Athina vërtetohet se Agim Kajmaku dhe Jorgo Toto i dënuar në Greqi, janë i njëjti person dhe se shenjat e gishtërinjve përputhen. Kjo bëri që Prokuroria të nis një hetim ndaj tij për gënjimin në formularin e dekriminalizimit dhe i dërgoi një kërkesë KQZ për heqjen e mandatit. Vetë Kajmaku ka deklaruar se nuk kishte dijeni që po hetohej në Greqi, deri sa e mori vesh nga mediat dhe u interesua në Gjykatën e Janinës.    

PS e prerë: “Zgjedhorja”, vetëm në Komision

Partia Socialiste është e prerë në lidhje me hartimin e Reformës Zgjedhore: ajo do të bëhet nga Komisioni ad-hoc i kësaj reforme. Këtë qëndrim e konfirmoi Taulant Balla, i cili u shpreh se reforma do të bëhet sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR, ndërsa shtoi, se vetëm përmes përfshirjes në Komision do të vijohet puna për mbylljen e kësaj Reforme.

“Keqardhje për qëndrimin vijues destruktiv të Partisë Demokratike ndaj Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore, duke dalë hapur kundër detyrave të vendosura nga Bundestagu gjerman. Lidhur me Reformën Zgjedhore, Bundestagu kërkon që “të merret vendim për reformën zgjedhore në përputhje të plotë me rekomandimet e OSBE/ODIHR, sigurimi i nje financimi transparent te partive dhe fushatave zgjedhore si dhe te bazohet në rezultatet e Komisionit ad-hoc të reformës zgjedhore”.

“E qartë kristal: vetëm përmes përfshirjes në Komision duhet të vijojë puna për përmbylljen e kësaj Reforme. Padyshim është i domosdoshëm konsultimi i të gjithë partive politike, por Kodi Zgjedhor do të kalojë përmes Komisionit dhe më pas pa humbur kohë në Kuvendin e Shqipërisë. Kjo duhet të jetë e qartë për këdo”, është shprehur kreu i grupit të PS.

Në këtë mënyrë, duke i lënë derën e hapur opozitës për të marrë pjesë në komision, Tulant Balla i dërgon një mesazh grupit paralel që opozita ka ngritur për hartimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor. Këto deklarata, numri dy i Partisë Socialiste i bëri nga qyteti i Elbasanit nga ku prezantoi vendimin e fundit të kryesisë së partisë për bashkëdrejtimin e degëve të PS nga një burrë dhe një grua.

Ironia e Kullurit: 13 tetori, PD do fitojë shumicën absolute

Zgjedhjet inekzistente të “13 tetorit” u bënë meme në rrjetet sociale. Por, reagimet nuk munguan as nga përfaqësues të politikës në vend. Ish-anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Edvin Kulluri, një nga kritikët e Lulzim Bashës, ironizoi të dielën për “zgjedhjet e 13 tetorit”. Kulluri shprehet se pas “fitores së opozitës me 85% të votave në 30 qershor, sot pritet fitore 100%”.

“Pas fitores së opozitës me 85% të votave në 30 qershor, sot pritet fitore me 100%! Dhe thonë se gjithë pushtetet i ka Rama. Në fakt, është e kundërta, opozita ka fituar dy zgjedhjet e fundit me shumicë absolute. Dhe pastaj vjen vjehrra e të thotë “fëmijë të dashur, çohuni nga gjumi se u bëtë vonë për shkollë”. Dhe ja kështu, kështu…”, shkruan Kulluri. Ky koment i Edvin Kullurit, i bashkohet atyre të shumë të tjerëve në rrjetet sociale, që ironizuan të dielën për zgjedhjet e “13 tetorit”.

Dekreti i Ilir Metës i datës 27 qershor, për caktimin e 13 tetorit si datë për zgjedhjet lokale u bë nul. Ishte Kolegji Zgjedhor, që para se të shpallej kjo datë, ligjëroi datën 30 qershor për mbajtjen e zgjedhjeve lokale, duke hedhur poshtë dekretin e Metës, që kërkoi anulimin e kësaj date për mbajtjen e gjedhjeve. Më pas, ishin gjykatat e shkallëve të para në vend, që njohën mandatet e të zgjedhurve të rinj nga procesi i 30 qershorit.  

PD firo në vota, Basha mbledh ish-deputetët (në ditë pushimi)

E diela nuk është ditë pushimi në PD. Një ditë pasi mblodhi kryetarët e degëve të partisë në rrethe, Lulzim Basha mblodhi të dielën afër mesditës, ish-deputetët e grupit parlamentar të partisë së tij. Situata politike në vend është arsyeja e mbledhjes, por më shumë se sa kjo, duket se situata në PD shqetëson Lulzim Bashën.  Të shtunën pasdite, Basha mblodhi drejtuesit lokal të PD-së. Fokus i takimit, sipas një komunikate të shpërndarë nga Selia Blu, ishte situata politike në vend dhe “mobilizimi i strukturave të partisë”.

Megjithatë, në takimin e zhvilluar me krerët e PD-së, Basha dha urdhër që të “hapej partia” për njerëz profesionist dhe me integritet. Ky qëndrim i Bashës vjen në një kohë kur Jozefina Topalli dha sinjale për nisjen e një “lëvizje” të re politike. Por, veç Topallit, duket se një tjetër faktor është shqetësues për kryedemokratin.  

Sipas një sondazhi që publikoi Realstory.al paraditen e të dielës, kryer nga analisti Eduard Zaloshnja, Partia Demokratike ka një tkurrje në elektorat me 70 mijë vota më pak në vetëm një muaj. Faktorët e kësaj rënie mund të lidhen me shumë arsye, por mesa duket kritikat e shtuara ndaj lidershipit të PD-së, gjejnë mbështetje në elektoratin e djathtë.

Në fakt, në deklartën e të shtunës pasdite, mund të kuptohej qartë se Selia Blu është në dijeni të sondazheve. Fakti që kryedemokrati u kërkoi drejtuesve lokal që të “mobilizohen për aksionin politik”, me “përgjegjësi” dhe “afate të qarta”, të bën të kuptosh se frika për largimin e njerëzve është vidente.  

Jozefina Topalli duket është marrë seriozisht nga kryedemorati. Nëse një lëvizje e re do të iniciohej nga ish-numri dy i PD-së, duke e nisur nga Shkodra ku Topalli gëzon mbështetje të madhe elektorale, mund të shërbente si fushë magnetike për të tërhequr shumë demokratë të pakënaqur edhe në qytete të tjera.

Një ditë pas deklaratës së Topallit, në Shkodër shkoi Rudina Hajdari, e cila u sulmua nga një militant i Partisë Demokratike. Mund të jetë rastësi, por Topalli u shpreh se lëvizja e re politike duhet të vijë nga “të rinjtë”. Rudina është e re, aq më tepër që ajo është shprehur më herët në Real Story se nuk e përjashton mundësinë e krijimit të një force politike.  

Gjithashtu, Rudina Hajdari mbështet edhe nga SHBA në Shqipëri, si një zë i arsyes në Parlament. Fakti që Hajdari këron me ngulm ndryshimin e sistemit elektoral në vend, duke propozuar sistemin “mazhoritar me lista të hapura”, të bën të besosh se nuk do të jetë e largët dita që një forcë e re politike do të krijohet në Shqipëri. /Realstory.al/

Basha: PD hapu! (Se po vjen Topalli)

Lulzim Basha mblodhi të shtunën pasdite krerët e degëve lokale të Partisë Demokratike. Për herë të parë, si duket për të shmangur spekulimet, PD shpërndau një deklaratë për mediat. Por, komunikata, më shumë se sa për dhënë informacion “zyrtar” dhe jo nga burime gazetarësh, rreth mbledhjes, duket se ka një tjetër qëllim. PD, pasi bën një përmbledhje të asaj që ndodhi në takim, në rreshtat e fundit të komunikatës, njofton një lajm. Basha ka vendosur të dëgjojë kritikët, ka vendosur hapjen e PD.

“Pranë Partisë Demokratike do të ngrihet shtabi qendror elektoral dhe politik, shtabe që do të shtrihen në mënyrë piramidale në të gjithë vendin. Puna do të përqëndrohet në planin e ofrimit të zgjidhjes për qytetarët, denoncimeve për aferat korruptive dhe kriminale të Qeverisë, bashkimin i faktorëve dhe aktorëve me potencial njerëzor dhe elektoral pranë PD, si hapja e partisë për njerëz me integritet profesional dhe moral”, shkruhet në deklaratën e PD.

Ky është paragrafi më i rëndësishëm i deklaratës, ndonëse i fshehur afër fundit të saj. Basha dëgjon kritikët e tij, të lëvizjes “Basha ik”, që i kanë kërkuar prej kohësh hapjen e partisë. Ky është një qëndrim i ri i kryedemokratit, që vjen jo vetëm prej presionit të ish-drejtuesve të PD, por edhe pas presionit të aleatëve, të cilët, në një listë me 7 kërkesa, një ndër kryesoret, kishin  hapjen e opozitës dhe vetë PD për kapacitete njerëzore “që nesër do të jenë pjesë e qeverisë”.

Prej kohësh, nga Jozefina Topalli, Arben Imami, Edvin Kulluri, Ibsen Elezi, Arben Ristani, e shumë ish-drejtues të lartë të PD, i kanë kërkuar kryedemokratit të hapë partinë. Megjithatë, ndonëse kërkesa e tyre filloi shumë herët, Basha pranon “hapjen e PD-së”, vetëm pak ditë pasi Jozefina Topalli, nga Shkodra, hodhi idenë e krijimit të një lëvizje të re politike, ndërsa deputetja e djathtë në Kuvend, Rudina Hajdari paralajmëroi “veton” për Reformën Zgjedhore. Padyshim, nëse kjo lëvzije do të krijohet, elektorati do të jetë i djathtë, madje konservator, duke nisur nga ish-të përndjekurit,  pronarët dhe shumë të pakënaqur nga drejtimi i PD-së nga Lulzim Basha.

Kryedemokrati duhet të jetë trembur nga kjo lëvizje. Fakti që ai pranon “një kërkesë të kritikëve të tij”, fill pas deklaratës së Jozefina Topallit, lë të kuptohet se Basha nuk do të pranonte kurrësesi një lëvizje tjetër të djathtë që do të copëtonte më tepër PD. Ndaj, pritet lëvizja e radhës e Bashës, nëse pas dhënies së mesazhit publik për “hapjen e partisë”, siç Berisha bëri në 2005, do t`u shtrijë dorën kritikëve të tij, apo jo!

Argumenti i mësipërm, forcohet dhe më tej, me pjesë të deklaratës, ku Basha, u kërkon drejtuesve të PD në rrethe të “mobilizohen për zgjedhje dhe aksion politik”. “Pas raportimeve për përmbushjen e detyrave për organizimin e partisë, që janë realizuar në periudhën korrik-shtator, Basha ka theksuar se tashmë partia duhet të fillojë menjëherë përgatitjet elektorale dhe për aksion politik”, shkruhet në hyrje të komunikatës së PD.

Më tej, evidentohet kriza politike, ndërsa sipas njoftimit të Partisë Demokratike, “detyra e saj dhe opozitës është të angazhohet seriozisht për të qenë pranë njerëzve dhe për t`i hapur rrugë perspektivës europiane të Shqipërisë”, shkruhet në deklaratë. Më tej, përsëritet kushti i opozitës për daljen nga kriza, që sipas Bashës janë “zgjedhje të njëkohshme parlamentare dhe lokale të parakohshme, me qeveri tranzitore që garanton standarde për zgjedhjet e lira e të ndershme”. Këtu bie në sy fakti që Basha nuk përmend “Rama ik”, kushtin e panegociueshëm deri pak kohë më parë.

Në fund të deklaratës, mësohet se Basha “u ka paraqitur kryetarëve të degëve një kalendar të qartë dhe konkret pune me përgjegjësi dhe afate të qarta”. Ndërsa, protestat, PD i ka shtyrë për një afat të dytë, që siç shkruhet në deklaratë, kjo bëhet për të “shmangur shfokusin nga çështjet kryesore që janë aktualisht në vëmendje: fazën finale të zgjidhjes së krizës politike dhe procesi i integrimit europian”, përfundon deklarata. /Realstroy.al/

Skip to toolbar