Dako: Përgjimet janë manipuluar, nuk jam duke folur me Astrit Avdylaj

Kryetari i Bashkisë Durrësit, Vangjush Dako ka folur për përgjimet e publikuara nga “Bild”,  duke i cilësuara to si manipuluese dhe që nuk ka asgjë të vërtetë. Unë nuk kam qenë fare duke folur me Astrit Avdylajn por me dikë tjetër ka thënë Dako në “Opinion”.

“Në përgjimin numër pesë unë nuk jam duke folur me Astrit Avdylin tani. Gjejeni ju me kë jam duke folur. Këtë ta sfidoj këtu. Nëse është e vërtetë që po flas me Astrit Avdylajn… Një mëndje e hollë e ka manipuluar për të krijuar një lidhje me 5 telefonatat e tjera. Në përgjimin pesë unë nuk jam duke folur me Avdylajn. Në prokurori kam dhënë dëshminë time dhe më kanë pyetur dhëmbë e dhëmballë për çdo gjë. Kanë sekuestruar të gjitha dosjet e Bashkisë në raport me këta. Unë këto i kam dëgjuar nga ju nga mediat nëpërmjet gazetës gjermane. Unë të them nuk jam duke folur me të, të bëj sfidë të hapur. Mund të jetë gabuar prokuroria.”- tha Dako

Përgjimet, Edi Rama: Kam neveri, janë mbajtur në sirtar për shantazh politik

Kryeministri Edi Rama ka folur për herë të parë në emisionin “Real Story” në Vizion Plus të gazetarit Sokol Balla në lidhje me publikimin e gjashtë përgjimeve të dosjes “Nr.339”. Rama e nisi fjalën e tij duke e quajtur urdhër absurd atë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, për të ndaluar publikimin në media të këtyre përgjimeve.

“Së pari dua të them diçka që më duket e rëndësishme, se s`më është dhënë mundësia ta them më parë. Është një urdhër absurd ai i prokurorisë për të ndaluar mediat për të publikuar këtë. Mediat për atë punë janë të nxjerrin çdo gjë, nuk ka asnjë kufizim për këtë. Mediat janë lajmsi që në këtë rast nuk ka asnjë faj”, tha fillimisht Rama.

Më tej, ai ka folur për audiopërgjimet, duke u shprehur se ndien neveri për përgjimet, pasi, sipas tij, ato janë të rrezikshme në aspektin e devijimit nga e vërteta. Megjithatë, Rama tha se Vangjush Dako tashmë nuk është më kandidat për bashkinë e Durrësit, ndaj është i lirë të përgjigjet për të vërtetën.

Çështja ka disa aspekte, së pari e kam thënë, unë kam nerveri nga përgjimet dhe përdorimi i përgjimeve. Janë shumë të rrezikshme në aspektin e devijimit nga e vërteta. Thënë kjo ka një aspekt moral, jemi në kushtet kur kryetari i Bashkisë së Durrësit nuk është më kandidat i bashkisë, por është një njeri i lirë, që duhet të përgjigjet deri në fund lidhur me të vërtetën. Përgjimet nuk janë prova, por indicie që duhet hetuar”, tha Kryeministri Edi Rama.

Më tej, Kryeministri u shpreh se kemi të bëjmë me një katastrofë nga pikëpamja e gjithë këtij procesi, pasi sipas tij, prokurorët kanë përgjegjësi të ruajnë sekretin hetimor dhe të hetojnë. “Shikoj që ka një shëmti kur dëgjon biseda të caktuara, por se sa këto janë muhabete të materializuara në fakte, apo se sa këto janë muhabete njerëzisht që kontrollojnë planetin në telefon. Thënë kjo ka një aspekt ligjor, këtu kemi të bëjmë me një katastrofë nga pikëpamja e gjithë këtij procesi. Është përgjegjësi e prokurorëve të hetojnë, të ruajnë sekretin hetimor dhe të përputhim gjithçka. Zanafilla është te Policia e Shtetit, që ka filluar në ndjekjen e një bërthame”, u shpreh Rama.

Në fund, Edi Rama tha se e gjithë kjo nuk është gjë tjetër veç se për shantazh politik. Kryeministri u shpreh se përgjimet janë mbajtur në sirtar vetëm për shantazh politik. “Për sa i përket aspektit politik, këtu ka dicka që se ka thënë askush. Por që është aspekti më problematik, unë besoj se kjo është një dosje që është mbajtur në sirtar për shantazh politik. Kjo është një dosje që lidhet me atë që unë e kam thënë “tërmeti që do krijojë Reforma në Drejtësi në këtë proces”, tha Rama.

Në fund, Rama tha se publikimi i dy audiopërgjimeve në një gazetë gjermane ka dhe dy aspekte, sugjestionimin e shqiptarëve, ndërsa aspekti i dytë lidhet me kohën e publikimit, që përkon me momentin kur Shqipëria pret dritën jeshile nga Gjermania për çeljen e negociatave. Këtë, Rama e quajti ushqim që helmon duke u dhënë argumenta atyre që duan të kapen.

Një material i tillë nuk është përdorur as për të hetuar, as për të kapur në flagrancë, por është përdorur për t`u mbajtur dhe për t`u nxjerrë nga politika për qëllime politike. Këto copa materiali dhe merren dhe nxirren që të ekspozohen në një gazetë me shumë tirazh shumë të gjatë në Gjermani, që synon dy gjëra: për të sugjestionuar shqiptarët këtu nga që e nxori Gjermania, dhe nga ana tjetër kjo ekspozohet në momentin kur ne presim nga gjermania të marrim një dritë jeshile për negociatat. Ky është ushqim që helmon duke u dhënë argumenta atyre që duan të kapen”, u shpreh Edi Rama.

Meta, “presion” prokurorisë për përgjimet

Gati 24 orë pasi dy prokurorët Dritan Prençi dhe Vladimir Mara kërkuan ndalimin e publikimit nga media të audiopërgjimeve të dosjes “339”, ka ardhur reagimi i Presidentit të Republikës Ilir Meta. Ky i fundit tregohet i shqetësuar për shkresën e firmosur nga dy prokurorët e Krimeve të Rënda, duke u shprehur se ajo indirekt intimidon median.

“Presidenti i Republikës duke shprehur shqetësim të thellë në lidhje me këtë urdhër të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda thekson se: Referencat ligjore të nenit 104 të Kodit të Procedurës Penale, nenit 295/a, paragrafi i 3-të të Kodit Penal, të përdorura nga organi i Prokurorisë përcaktojnë detyrime ligjore që i adresohen për zbatim punonjësve të shtetit dhe nxjerrja e një urdhëri të tillë, indirekt intimidon median e lirë, ç’ka është e papranueshme për një shoqëri demokratike”, shprehet kreu i shtetit.

Pra, Meta duke cituar disa nene të Kushtetutës dhe Kodit të Procedurës Penale, “ushtron presion” ndaj Prokurorisë, duke u shprehur se asnjë urdhër nuk mund të ketë autoritet mbi këtë të drejtë themelore.

Asnjë urdhër nuk mund të ketë autoritet mbi këtë të drejtë themelore kushtetuese të medias së lirë e të pavarur Presidenti i Republikës, inkurajon organin e Prokurorisë të hetojë me përparësi, paanësi dhe profesionalizëm këtë dosje të bërë publike por edhe çdo dosje tjetër që ka të bëjë me manipulimin e zgjedhjeve apo intimidimin e qytetarëve me qëllim deformimin e vullnetit te tyre të lirë dhe shtrembërimin e rezultatit të zgjedhjeve”, thotë ndër të tjera Meta.

Në fund, Ilir Meta shpreh gjithashtu shqetësimin, se vonesat për hetimin nuk i shërben interesit publik. “Çdo vonesë në hetimin dhe zbardhjen e së vërtetës nga ana e organit të Prokurorisë, nuk i shërben interesit publik të përgjithshëm”, shton Meta, teksa e mbyll deklaratën e tij duke thënë se rikthimi i besimit te zgjedhjet e lira, do të jetë vendimtar për hapjen e negociatave me Be.

Rikthimi i besimit tek zgjedhjet e lira dhe të ndershme është vendimtar jo vetëm për bashkëjetesën tonë të shëndetshme demokratike si shoqëri, por edhe për celjen e negociatave për antarësimin në Bashkimin Evropian sa më parë”.

Deklarata e plotë e Ilir Metës

REAGIM I PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË SH.T.Z ILIR META

Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta ka ndjekur me shumë vëmendje dhe shqetësim të thellë publikimet e gazetës së njohur gjermane “Bild”, të interceptimeve të bisedave telefonike mes disa funksionarëve publikë në Qarkun e Durrësit me persona me precedentë kriminal gjatë procesit të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017.

Presidenti i Republikës gjithashtu është njohur edhe me reagimin e organit të Prokurorisë ndaj publikimit të këtyre interceptimeve, që nëpërmjet një urdhërese kërkon ndalimin e publikimit të tyre në media.

Presidenti i Republikës duke shprehur shqetësim të thellë në lidhje me këtë urdhër të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda thekson se: Referencat ligjore të nenit 104 të Kodit të Procedurës Penale, nenit 295/a, paragrafi i 3-të të Kodit Penal, të përdorura nga organi i Prokurorisë përcaktojnë detyrime ligjore që i adresohen për zbatim punonjësve të shtetit dhe nxjerrja e një urdhëri të tillë, indirekt intimidon median e lirë, ç’ka është e papranueshme për një shoqëri demokratike.

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, mbron të drejtën themelore të qytetarëve për informim. Neni 22 i saj sanksionon qartë se :

1.Liria e shprehjes është e garantuar.

2.Liria e shtypit, e radios dhe e televizionit është e garantuar.

3.Censura paraprake e mjeteve të komunikimit ndalohet.

Ndërsa neni 23, pika 1 sanksion qartë se: E drejta e informimit është e garantuar.

Asnjë urdhër nuk mund të ketë autoritet mbi këtë të drejtë themelore kushtetuese të medias së lirë e të pavarur.

Presidenti i Republikës, inkurajon organin e Prokurorisë të hetojë me përparësi, paanësi dhe profesionalizëm këtë dosje të bërë publike por edhe cdo dosje tjetër që ka të bëjë me manipulimin e zgjedhjeve apo intimidimin e qytetarëve me qëllim deformimin e vullnetit te tyre të lirë dhe shtrembërimin e rezultatit të zgjedhjeve.

Çdo vonesë në hetimin dhe zbardhjen e së vërtetës nga ana e organit të Prokurorisë, nuk i shërben interesit publik të përgjithshëm.

Presidenti i Republikës mbështet reagimin e sotëm të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë lidhur me këtë çështje dhe inkurajon të gjithë gazetarët kurajozë në denoncimin e fakteve dhe të dhënave kriminale.

Rikthimi i besimit tek zgjedhjet e lira dhe të ndershme është vendimtar jo vetëm për bashkëjetesën tonë të shëndetshme demokratike si shoqëri, por edhe për celjen e negociatave për antarësimin në Bashkimin Evropian sa më parë.

Ragimi i dytë i Prokurorisë së Krimeve të Rënda

Pas urdhrit të dhënë më 5 qershor ku kërkohej ndalimi i publikimit të përgjimeve të dosjes 339 në lidhej me shitblerjen e votës në Durrës dhe Shijak, duket se Prokuroria e Krimeve të Rënda është tërhequr duke sqaruar se ky urdhër nuk prek mediat për cenimin apo kufizimin e lirisë së saj. Sipas njoftimit të prokurorisë, ndalimi i publikimi të materialeve dhe sekreteve hetimore prek prokuror, oficer të policisë gjyqësore, mbrojtës ligjor, të pandehur dhe çdo subjekt tjetër që është njohur apo merr dijeni për aktet e procedimit penal për shkak të funksionit që kryen.

“Ky ndalim ligjor synon të ruajë sekretin hetimor dhe gjen zbatim për të gjithë subjektet procedurale të çështjes penale nr. 339 të vitit 2016, si prokuror, oficer të policisë gjyqësore, mbrojtës ligjor, të pandehur dhe çdo subjekt tjetër që është njohur apo merr dijeni për aktet e procedimit penal për shkak të funksionit që kryen.”

Njoftimi i plotë i Prokurorisë së Krimeve të Rënda

“Sipas Urdhrit të Prokurorëve, datë 05.06.2019, të dërguar për njoftim në media, në lidhje me ndalimin e publikimit të akteve sekrete të procedimit penal nr. 339 të vitit 2016, sqarojmë se ndalimi i publikimit, është i bazuar në ligjin procedural dhe atë material në fuqi, (nenet 103, 104 e 105 të Kodit të Procedurës Penale dhe neni 295/a të Kodit Penal).

Ky ndalim ligjor synon të ruajë sekretin hetimor dhe gjen zbatim për të gjithë subjektet procedurale të çështjes penale nr. 339 të vitit 2016, si prokuror, oficer të policisë gjyqësore, mbrojtës ligjor, të pandehur dhe çdo subjekt tjetër që është njohur apo merr dijeni për aktet e procedimit penal për shkak të funksionit që kryen.

Në fazën ku ndodhet hetimi i kësaj çështjeje, nxjerrja e akteve me të dhëna të ndryshme që përbëjnë sekret hetimorë, mund të ndikojë në rezultatet e hetimit, tjetërsimin apo deformimin e provave si dhe sigurinë e shtetasve emrat e të cilëve mund të bëhen publike nga publikimi i paautorizuar i akteve sekrete, të cilët janë pyetur apo do të pyeten për faktet objekt hetimi.

Duke vlerësuar rolin e mediave në informimin e publikut, ju bëmë me dije se ky urdhër nuk ka për qëllim kufizimin apo cenimin e lirisë së mediave, por vetëm arsyet ligjore të lartpërmendura.”

Përgjimet, deputeti Ndraxhi: S’kam pasur kurrë komunikim me Avdylajt

Deputeti i PS në Shijak, Ilir Ndraxhi ka qenë një nga personat e përfshirë në përgjimet e publikuara nga “Bild”, ku emri i tij u përmend në një telefonatë mes Astrit Avdylaj dhe vëllait të deputetit për ta futur atë në listat e kandidatëve. Në një deklaratë për televizionin A2 CNN, Ndraxhi ka thënë se nuk ka pasur kurrë komunikime personale me Astrit Avdylaj dhe nuk janë takuar asnjëherë. Deputeti shton se të vetmin komunikim Astrit Avdylaj e ka pasur me vëllain e tij, ku i ka kërkuar që “unë të pranojë kandidimin pasi e kemi krenari në zonë.’

Nuk kam folur në asnjë moment me Astrit Avdylajn. Nuk ka pasur ndikim në kandidimin tim. Absolutisht asnjë lloj kontakti me të. Asnjëherë! Asnjë takim personal me të. Ai ka marrë vëllain tim. I ka thënë të lutem ta pranojë kandidimin Iliri sepse e kemi krenari ta kemi në zonë. Unë nuk kam folur me të. Madje, ata kanë qenë në burg e unë nuk e kam ditur që ata kanë dalë në liri. Edhe vëllai u çudit kur dolën përgjimet. Ai ka folur me të, siç ka folur edhe me shumë njerëz të tjerë. 200 apo 500 votat që mund të ketë ai, nuk kanë asnjë ndikim në 8000 vota që unë kisha në zonë falë popullaritetit tim. Isha i katërti në listë. Kam dale deputet nga mbështetja e votuesve të mi”, thotë Ndraxhi.

Deputeti socialist ka deklaruar gjithashtu se nuk do të lërë mandatin e deputetit dhe se është i hapur në çdo rast nëse organet e drejtësisë do të kërkonin paraqitjen e tij.

Opozita i kërkoi dorëheqjen, Arbana: E kam ndërgjegjen e pastër

Elton Arbana, emri i të cilit është përfshirë në përgjimet e publikuara nga gazeta gjermane “Bild” ka reaguar sërish sot pas kërkesës së Partisë Bindja Demokratike, ku kërkoi dorëheqjen e tij nga kandidimi si kryetar Bashkie për Shijakun.

Arbana ka zgjedhur që këtë herë të flas me një status të gjatë në Facebook-un e tij ku thotë se e ka ndërgjegjen e pastër dhe falë parimeve të tij të forta morale është zgjedhur edhe si kandidat i PS për Bashkinë Shijak. Ai i ka cilësuar si biseda boshe dhe baltosëse përgjimet e publikuara nga “Bild”, ndërsa thotë se nuk ka asnjë nevojë të bëjë deklarata vetëmbrojtëse.

“Njerëzit mos të lodhen me biseda boshe edhe përgjime baltosëse, por të shohin përpara drejt ëndrrës europiane! Askush nuk mund të manipulojë të vërtetën: Unë jam i përzgjedhur nga Partia Socialiste, a e dini pse? Sepse i dua dhe më duan të gjithë shijaksit. Sepse duke qenë prind, familjar, qytetar veproj drejt ndaj vetes dhe tjetrit, jo thjesht për shkak të frikës së ligjit, por për shkak të zërit të ndërgjegjes, të cilit i bindem për të shkuar drejt të mirës me potencial të plotë moral. Ky nuk është instinkti im i vetëmbrojtjes, është vetëm një zë kumbues brenda vetes që më thotë: Nuk ka jastëk më të mirë sesa një ndërgjegje e pastër! ” – shkruana Arbana

Nuk ka jastëk më të mirë, sesa një ndërgjegje e pastër!Unë e dua Shqipërinë, e dua Shijakun tim, prandaj kam zgjedhur…

Gepostet von Elton Arbana – Faqja Zyrtare am Donnerstag, 6. Juni 2019

Prokuroria, urdhër qesharak për heqjen e përgjimeve

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nxjerrë urdhër ndalimi për publikimin e përgjimeve të dosjes 339, i firmosur nga prokurorët Vladimir Marra dhe Dritan Prençi. Një shkresë komike në fakt që bie ndesh me të drejtën kushtetuese për informim. Mesa duket meqë nuk ka ç’ti bëjnë gomarit, i bien samarit. Megjithëse me këtë deklaratë rolet e gomarit dhe samarit ngatërrohen, është vetë gomari që i bie samarit. Argumenti : Urdhri nuk i adresohet mediave por vendos detyrim për oficerët e policisë gjyqësore dhe prokurorët

Gazeta gjermane Bild ka publikuar gjashtë përgjime të reja mes Astrit Avdylajt, anëtar i bandës së Shijakut, i cili komunikon me Kryetarin e Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, Kryetarin e Bashkisë së Shijakut, Ardian Kokomani dhe funksionarë të tjerë të PS-së në Durrës.

Më herët, Prokuroria e Përgjithshme, Prokuroria për Krimet e Rënda dhe Prokuroria e Tiranë dënuan publikimin e këtyre përgjimeve duke e cilësuar si cenim të sekretit hetimor dhe kërkuan që të hetohet për të vënë para përgjegjësisë personat e implikuar.

Përgjimet e fundit Dako-Avdylaj:

Reagon Kryemadhi: Rama të largohet, përgjimet faktojnë vjedhjen e votës!

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ka reaguar pasditen e kësaj të mërkure për publikimin e përgjimeve të dosjes nr.339, nga gazeta gjermane Bild. Sipas Kryemadhit, këto fakte i vënë vulën tjetërsimit të votës nga krimi i organizuar për llogari të Rilindjes.

“Faktet e bëra publike nga gazeta gjermane ‘Bild’, i vënë vulën tjetërsimit të votës nga krimi i organizuar për llogari të Rilindjes. Këto fakte janë vetën një pjesë e puzzle-it gjigand të bashkëpunimit të krimit të organizuar me zyrtarët e Rilindjes, të të gjitha niveleve. Unë kam denoncuar publikisht me fakte, që në tetor të 2017, lidhje të tjera të elementëve kriminalë direkt me Edi Ramën”, shkruan Kryemadhi.

Përgjimet e fundit Dako-Avdylaj:

Më tej, në reagimin e saj në Facebook, Kryemadhi ka komentuar dhe një foto, të cilin e ka publikuar së bashku me reagimin, ku shkruan se “këtu mund të shikoni Edin të rrethua nga “stafi” i tij elektoral në qarkun e Durrësit”.

Këto incizime nuk janë rastësi, as të vetmet prova për tjetërsimin e votës së shqiptarëve. Ato shtrihen kudo nga Jugu në Veri. Nga Shkodra në Dibër. Nga Elbasani në Lezhë. Nga Vlora në Berat. Nga Tirana në Fier. Kudo në të gjithë Shqipërinë. Për çdo shqiptar është më se e qartë: Krimi i organizuar është ulur këmbëkryq në kutitë e votimit, në Parlament, në karrigen e Kryeministrit, në qeveri”, shkruan ajo.

Në fund, Monika Kryemadhi shprehet se Qeveria është ilegjitime, ndërsa Rama të japë dorëhqejen. “Zgjedhjet, Parlamenti, Kryeministri dhe Qeveria janë ilegjitime. Koha e këtij Kryeministri ka mbaruar! Dorëheqja është e vetmja rrugëdalje e tij. Popullin nuk e ndal dot askush të thotë sot fjalën e tij dhe t’i rikthejë legjitimitetin zgjedhjeve, parlamentit, qeverisë, që sot janë marrë peng nga bandat e Rilindjes. Asnjë hap pas!”, përfundon komenti i Monika Kryemadhit.

Faktet e bëra publike nga gazeta gjermane ‘Bild’, i vënë vulën tjetërsimit të votës nga krimi i organizuar për llogari …

Gepostet von Monika Kryemadhi am Mittwoch, 5. Juni 2019

Vangjush Dako flet për përgjimet: Janë absurde, telefonin do ta mbaj hapur për këdo

E ndërsa në media janë publikuar bisedat telefonike mes kryetarit të Bashkisë së Durrësit dhe anëtarit të bandës kriminale të Shijakut, Vangjush Dako thotë se këto përgjime i duket absurde.

Në një bisedë telefonike në Ora news Dako thotë se ai është kryetar bashkie, dhe si i tillë do t’i hapë telefonin dhe do të flasë me çdo qytetar.

“I pashë dhe i dëgjova përgjimet. Për mua janë diçka absurde, sepse unë jam kryetar bashkie dhe telefonin do t’ua hap çdo qytetari. Nuk kam asnjë koment. Kjo është çështje mediatike”, është shprehur ai.

Gazeta gjermane Bild publikoi të mërkurën disa përgjime telefonike ku përmendet emri i kryebashkiakut të Durrësit dhe ku aludohet për shit-blerje votash dhe përcaktim të kandidatëve për deputetë në listat e PS-së.

Përgjimet e fundit Dako-Avdylaj:

Ulsi Manja: Të hetohen dhe të dënohen prokurorët dhe oficerët që nxorrën sekretin

Kryetari i Komisionit Parlamentar të Ligjeve kërkoi në një konferencë për shtyp që prokuroria të nisë hetimin dhe të vërë para ligjit ata prokurorë apo oficerë gjyqësor që kanë nxjerrë në publik sekretin hetimor.

Ai tha se nxjerrja e sekretit hetimor është vepër penale. Sipas Ulsi Manjës përdorimi i dosjes 339 nga Partia Demokratike, kujton kohërat e errëta të diktaturës kur njerëzve i bëhej gjyq publik.

“Jam i shqetësuar për dy gjëra. Është koha që prokuroria dhe policia gjyqësore të vlerësojnë seriozisht çështjet e daljes në publik të sekretit hetimor dhe të kthehen në hullitë e zbatimit të ligjit penal. Jo vetëm për personat e dosjes 339 por për çdo person tjetër dhe të hetojë  të gjithë ata prokurorë dhe oficerë që  kanë braktisur misionin që i ngarkon kushtetuta duke i marrë dhe duke i çuar dosjet penale nën hetim në zyrat e PD-së duke thyer rëndë sekretin hetimor.

Për të gjitha ata që janë juristë e dinë shumë mirë që  sekreti hetimor është vepër e dënueshme sipas kodit penal.

Prokuroria e ka për detyrë që të hetojë autorët e përfshirë për vepra penale, edhe brenda rradhëve të veta.

Jam i shqetësuar për përdorimin politik të dosjes 339 nga PD e cila ka dalë në rrugë dhe po e kthen në një gjyq publik si në kohërat më të errëta të diktaturës”, tha Ulsi Manja, duke iu referuar përgjimeve të dalë në gazetën gjermane Bild.

Përgjimet e fundit Dako-Avdylaj:

Dosja 339/1, Gjykatës i dërgohen 12 të pandehurit e parë

Prokuroria e Krimeve të Rënda do të dërgojë për gjykim 12 të pandehurit e parë për dosjen e famshme 339  ku bëhet fjalë për përgjimet në lidhje me shit-blerjen e votës, ku del në skenë edhe emri i kryetarit të Bashkisë Durrës, Vangjush Dako. Disa ditë më parë Dako ka dëshmuar për rreth 5 orë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ndërsa ka mohuar të ketë dijeni për shit-blerjen e votave.

Vendimi për gjykimin e 12 personave u vendosur nga prokurorët Dritan Prençi dhe Vladimir Mara. Prokuroria ka deklaruar se brenda çështjes së dosjes 339 janë evidentuar 7 grupe kriminale, ndërsa vijojnë ende hetimet. Edhe kryeprokurorja Arta Marku deklaroi sot në Komisionin e Ligjeve se shumë shpejt do të ketë një vendim të prokurorëve për këtë çështje.

12 të pandehurit janë Ramadan Dushaj, Rezart Çaçani, Fatbardh Gostini, Neritan Saraçi, Ardit Haxhagiqi, Gentjan Marku, Oltion Noka, Fation Marku, Samuel Ndoka, Vilson Ndoka, Elis Guri dhe Luan Boça, të gjithë të akuzuar për veprën penale të “Prodhim dhe shitja e lëndëve narkotikëve në bashkëpunim” në formën e grupit të strukturuar kriminal. Pikërisht në këtë dosje hetimore është vënë nën hetim dhe ish-deputeti Ndoka, i cili është xhaxhai i Samuelit, por dhe halla e këtij të fundit Mimoza Ndoka, pasi akuzohen për tjetërsimin e pronave në bregdetin e Lezhës, kryesisht tek “Rrana e Hedhun” dhe në lagunën e Kunes. Por për çështjen e abuzimit me pronat, prokuroria e Krimeve të Rënda ende nuk ka konkluduar me mbylljen e hetimeve pasi është në fazën e përfundimit të dosjeve për disa nga të pandehurit e dosjes 339/1.

Skip to toolbar