Protestat nis me tensione, flakë tek Kryeministria

Protesta e opozitës së bashkuar ka nisur me tensione të shumta që me bashkimin e kryetarit të PD.

Protetsueset kanë shkatërruar gardhin e hekurit dhe janë përplasur me policinë duke i vënë flakën derës së Kryeministrisë. Zjarrfikësit nga brenda goditës po mundohen të fikin flakët që janë përhapur në derën hyrëse.

Janë të shumta kapsollat, tymueset dhe boja që vijojnë të hidhen në drejtim të Kryeministrisë, ndërkohë që policia bën thirrje që të tilla veprime të ndalohen.

“Ruani qetësinë, ruani gjakftohtësinë. Mos hidhni lëndë piroteknike, fishekzjarrë, kapsolla dhe tymuese në drejtim të punonjësve të Policisë.

Hedhja e kapsollave dhe lëndëve piroteknike rrezikon jetën e punonjësve të Policisë.”

Disa banorë kanë çarë gardhin e policisë duke u vendosur në hyrjen e Kryeministrisë, ndërsa Basha bën thirrje të mos cenohen efektivët blu.

Protesta, me mijëra qytetarë nisen drejt Tiranës

Me mijëra qytetarë kanë vendosur t’u bashkohen ditën e sotme protestuesve në Tiranë. Ato janë nisur nga qytetet e ndryshme të Shqipërisë për të protestuar në kryeqytet.

Nga qyteti i Korçës PD thotë se janë nisur 1500 qytetarë, nga Devolli 900, nga Kolonja 500 ndërsa nga Pogradeci 1000 protestues. Gjithashtu me dhjetëra të tjerë raportohet se janë nisur nga qyteti i Fierit.

Simpatizantë të PD dhe LSI-së janë nisur edhe qytetet e Vlorës, Beratit, Kukësit, Shkodrës, Dibrës etj. për të marrë pjesë në protestën e opozitës.

Protesta do të nis para Kryeministrisë ku do të kërkohet largimi i kryeministrit Rama, ndërsa nuk dihet ende skenari se si do të vijojë ajo.

Protesta e opozitës, Tirana blindohet nga policia

Opozita e bashkuar do të zhvilloj sot protestën e saj kombëtare në orën 18:30 siç ka paralajmëruar më herët. Policia e Shtetit ka marrë masa për mbarëvajtjen e saj dhe sigurimin e rendit publik duke vendosur kamera në rrugët kryesore si dhe forcat RENEA dhe efektivët e gardës do të monitorojnë protestuesit nga godinat e larta. Mbi 1500 forca policie do të janë të aktivizuara gjatë pasdites së sotme, ndërsa Kryeministria dhe Parlamenti janë rrethuar me gardh metalik. Në gatishmëri do të qëndrojnë edhe ambulancat dhe forcat zjarrfikëse për çdo të papritur.

Opozita ka kërkuar leje deri në mesnatë për zhvillimin e protestës, ndërsa policia e Tiranës ka dhënë leje deri në orën 20:30.

Opozita përgatitet për protestën, por mban të fshehtë skenarin

Ndryshe nga protestat e tjera ku opozita pak a shumë e shfaqte skenarin e protestës, këtë të sotmin e ka mbajtur të fshehtë. Protesta sot do të zhvillohet në orën 18:30 në sheshin përpara Kryeministrisë.

Kjo është protesta e katërt e opozitës dhe sipas tyre kjo është vendimtarja, pasi do të sjellë largimin e Ramës.

Në lidhje me këtë protestë ka reaguar edhe Ambasada  Amerikane në Tiranë ku në një mesazh të publikuar bënte thirrje që çdokush që merr pjesë të distancohet nga dhuna dhe çdo thirrje për dhunë.

Ndërkohë policia ka marrë masa për të shmangur incidentet dhe ka angazhuar ashtu si dhe herët e tjera mbi 1500 efektivë policie, automjete të hedhjes së ujit si dhe garda e republikës do të jenë të angazhuara si pjesë e planit të masave.

Ambasada Amerikane apel opozitës: Protestoni pa dhunë

Ambasada Amerikane i ka bërë thirrje sot opozitës që në protestën e nesërme të mos ketë veprime të dhunshme. Në një mesazh të postuar në Facebook, Ambasada thekson se është e paligjshme dhe jo demokratike të kryesh akte dhune dhe të shkatërrosh pronën publike.

“E drejta për t’u përfshirë në protesta paqësore është një e drejtë themelore demokratike. Përgjatë muajve të fundit, pjesa më e madhe e pjesëmarrësve kanë ushtruar të drejtën e tyre për të protestuar paqësisht. Megjithatë, në çastin kur një protestë paqësore njolloset nga një akt dhune, qoftë edhe nga një individ, qëllimi demokratik i protestës kompromentohet. Është e paligjshme dhe jo demokratike të kryesh akte dhune, përfshirë edhe shkatërrimin e pronës. Iu bëjmë thirrje të gjithë personave të përfshirë në protestën e së shtunës që të refuzojnë dhunën për të siguruar një protestë paqësore dhe konstruktive”, bën thirrje Ambasada e SHBA-së në Tiranë.

Basha nga Gjirokastra: Nuk ka BE pa votë të lirë

Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me strukturat e partisë në Gjirokastër. Gjatë fjalës së tij Basha u bëri thirrje qytetarëve të bashkohen në protestën e 11 majit për të rrëzuar qeverinë e krimit. Basha tha se nuk mund të ketë integrim të vendit nëse nuk ka votë të lirë dhe beteja që opozita ka nisur është transformimi politik i vendit për të përmbushur standardet europiane.

“Nuk është thjesht beteja për rotacionin politik, sepse ai është i pashmangshëm, por është beteja për të drejtat dhe vlerat europiane, duke nisur me votën e lirë. Nuk ka Europë për vendet që s’kanë votën e lirë dhe që qeverisen nga krimi. Nuk ka Europë në një vend që nuk respekton kriteret minimale të shtetit të së drejtës. S’ka Europë në një vend ku qeveria është bërë njësh me krimin dhe u ka dhënë oligarkëve të gjithë buxhetin e shtetit, tenderat dhe gjithçka. Beteja dhe zotimi ynë i parë është transformimi politik i vendit sipas standardeve europiane. Ne demokratët jemi të qartë e të vendosur. Në Europë shkohet me zgjedhje të lira dhe me balancim pushteti e drejtësi të pavarur.” – tha Basha

Lirohet Klevis Balliu

Ditën e sotme u zhvillua seanca gjyqësore me dyer të mbyllura ndaj ish deputetit demokrat Klevis Balliu dhe 3 personave të tjerë.

Balli së bashku me 3 të arrestuarit e tjerë, u ndaluan nga policia gjatë një proteste 2 ditë më parë tek Unaza e Re.

Ndonëse Prokuroria kërkoi masën “arrest me burg”, gjykata ka vendosur që të 4 të pandehurit të liheshin të lirë dhe vendosi masën “detyrim paraqitje”.

Balliu akuzohej për goditje për shkak të detyrës, kundërshtim me dhunë i policisë,organizim dhe pjesëmarrje në tubime të paligjshme, pengim i qarkullimit të mjeteve, shkatërrim prone, prishje e qetësisë publike.

Klevis Balliu dhe 4 të tjerë të arrestuar për dhunë ndaj policisë

Policia e Tiranës në bashkëpunim me prokurorinë, përveç ish deputetit Klevis Balliu ka arrestuar dhe 4 persona të tjera me akuzën e veprimeve të dhunshme ndaj policisë gjatë protestave të djeshme në zonën e Unazës së Re.

Policia njofton se 23 persona të tjerë po procedohen në gjendje të lirë ndërsa 3 persona janë shpallur në kërkim.

“Për sulmet dhe veprimet e dhunshme mbi punonjësit e policisë janë arrestuar shtetasit:

– K.B., 30 vjeç, banues në Tiranë

– L.M., 42 vjeç, banues në Tiranë

– S.H., 34 vjeç, banues në Tiranë

– E.S., 41 vjeç, banues në Tiranë.

Po punohet për identifikimin, kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë që kanë kryer veprime të dhunshme gjatë protestës së djeshme.

Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme për veprat penale ”Kundërshtim me dhunë të punonjësit të rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, ”Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Shkatërrimi i pronës””, njofton policia.

Dhuna tek Unaza e Re, 4 policë të plagosur

Pas përplasjes së efektivëve blu me disa banorë tek Unaza e Re, kanë mbetur të plagosur 4 policë.

Në një deklaratë për mediat policia ka thënë se efektivët janë plagosur pas goditjes me objekte të forta.

“Gjatë tubimit të paligjshëm zhvilluar sot në mesditë në aksin kryesor rrugor në zonën e Unazës së Re, një grup protestuesish kanë goditur me sende të forta duke plagosur 4 punonjës policie, 3 nga forcat “Shqiponja” dhe 1 nga FNSH. Efektivët e Policisë po marrin ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës në Tiranë dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Në orët e pasdites policët e lënduar i vizitoi në spital Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu dhe drejtues të larte të PSH.

Policia e Shtetit nën drejtimin e Prokurorisë po vijon veprimet procedurale dhe hetimore për të përballur me drejtësinë, autorët e sulmit mbi forcat e rendit.” – thuhet në njoftimin e policisë

“Shqipëria me axhendë të re, ofron edhe turizëm protestash”

Në prag të çeljes së sezonit turistik, kryeministri Rama ishte i pranishëm në hapjen e aktivitetit turistik “Festat lokale 2019” në Ishull Lezhë, ku foli për rritjen e numrit të turistëve të huaj dhe angazhimin e qeverisë për të shtuar aktivitete kulturore për argëtimin e tyre.

Rama gjithashtu ironizoi edhe protestat e opozitës duke i klasifikuar edhe ato si pjesë e atraksionit turistik.

‘Ne mund të bëhemi një vend, që do mund të ofrojmë edhe turizëm protestash. Duke qenë se janë protesta me orar dhe stacione të përcaktuar dhe me të gjithë atë skenografinë e përgatitur për të argëtuar njerëzit përmes ekraneve, duke iu sugjeruar edhe vizitorëve të shohin edhe një protestë. me shumë mundësi turistët do të numërohen si protestues dhe do i rrisin numrin artificialisht.” – tha Rama

Skip to toolbar