Presidenti i Republikës Ilir Meta ka marrë
pjesë sot në një aktivitet të zhvilluar nga një universitet privat ku dha dhe
një mesazh për politikën në tërësi dhe për qeverinë në veçanti. Duke iu
referuar protestave të studentëve ai tha se është e domosdoshme që të krijohet
një klimë e re e dëgjimit të njëri –tjetrit.
“Është
e domosdoshme të krijojmë një klimë të re të dëgjimit të njëri-tjetrit, në
mjediset universitare e shoqërore dhe politike. Duhet të jemi gjithnjë të hapur
ndaj mendimit kritik dhe përmirësues në mënyrë që shoqëria jonë të reflektojë
dhe të reformohet vazhdimisht.
Protestat e drejta të studentëve gjatë
dhjetorit të kaluar treguan se zbatimi i ligjit aktual të Arsimit të Lartë ka
probleme dhe vështirësi për të siguruar autonominë dhe pavarësinë financiare të
duhur për një funksionim më të mirë dhe më cilësor e më të aksesueshëm të
universiteteve publike. Njëkohësisht edhe përsa i takon përfshirjes së duhur
edhe të studentëve në organet përfaqësuese dhe administrative.
Reforma në arsimin e lartë dhe kërkimi
shkencor duhet të ketë një frymë më gjithëpërfshirëse dhe duhet të synojë
krijimin e kushteve të duhura për të përmirësuar cilësinë e mësimdhënies dhe
njëkohësisht të përdorimit dhe menaxhimit të burimeve të brendshme njerëzore
dhe financiare të universiteteve në mënyrë të pavarur dhe të pakushtëzuar nga
politika.
Infrastruktura dhe hapësirat universitare janë
shumë të rëndësishme. Ato duhet të jenë pjesë integruese e universiteteve dhe
kampuseve dhe të kthehen në qendra të gjalla në shërbim të studentëve e në
mjedise gjithëpërfshirëse edukuese, shkencore, kulturore e sportive.
Si pasuri shumë e rëndësishme të
universiteteve publike ato nuk duhet të ngushtohen, por të zgjerohen më tej e
të modernizohen në dobi të studentëve, pedagogëve dhe të aktivitetit të tyre
shkencor.
Vonesa e pajisjes së studentëve me “Kartën e
Studentit” është e pajustifikuar dhe mbetet një detyrim imediat për t’u
garantuar studentëve të drejtave që burojnë prej saj ashtu si të studentëve të
tjerë në vendet e rajonit dhe të Europës.
Është shumë e rëndësishme që mes stafit
akademik, pedagogëve dhe studentëve në universitetet tona të vendoset një
dialog i vazhdueshëm dhe i qëndrueshëm i bazuar në respektin e ndërsjelltë në
dobi të cilësisë së mësimdhënies.
E kemi të domosdoshme të krijojmë një klimë të
re të dëgjimit të njëri-tjetrit, jo vetëm në mjediset universitare e shoqërore,
por edhe në ato politike, duke qenë gjithnjë të hapur ndaj mendimit kritik dhe
përmirësues në mënyrë që shoqëria jonë të reflektojë dhe të reformohet
vazhdimisht.
Jam shumë i shqetësuar nga fakti që pjesa
dërrmuese e të rinjve tanë, e po kështu edhe të studentëve, ende dëshirojnë të
largohen nga vendi.
Kjo sjell jo vetëm probleme demografike, por
në radhë të parë sociale e familjare, madje edhe kombëtare. Ne duhet ta
dekurajojmë si shoqëri largimin e trurit dhe të forcave të reja dhe më krijuese
të shoqërisë, duke u ofruar të rinjve tanë më shumë shpresë e alternativa
edukimi dhe pune, që plotësojnë pritshmëritë e tyre dhe që zhvillojnë në mënyrë
të qëndrueshme ekonominë e vendit.”- u shpreh Presidenti Meta.
Duket se ky mesazh lidhet edhe me protestat e opozitës,
njëra prej të cilave pritet të zhvillohet nesër në Tiranë.