OSBE-ODIHR ka publikuar Raportin Paraprak për zgjedhjet lokale të 30
qershorit. Ambasadorja Aundrey Glover foli në një konferencë për shtyp, ku
prezantoi në përgjithësi disa nga gjetjet e këtij raporti. Por, Realstory.al,
ka siguruar të plotë raportin e OSBE-ODIHR për zgjedhjet lokale, duke sjellë në
mënyrë të analizuar gjetjet kryesore të tij. Së pasi, në raport, vlerësohet fakti
që zgjedhjet ishin të qeta, ndërsa në raport, vlerësohet dhe procesi i numërimit.
“Zgjedhjet ishin të qeta, vlerësohet procesi i numërimit: Ajo çka ishte
pozitive, ishte se votimi u zhvillua përgjithësisht në mënyrë të qetë dhe
paqësore, ndërkohë që numërimi u vlerësua në përgjithësi pozitivisht, ndonëse
disa procedura nuk u ndoqën gjithmonë me korrektesë”, shkruhet në raport.
Megjithatë raporti thekson se interpretimet kontradiktore të dekretit të
Ilir Metës për anulimin e zgjedhjeve, si dhe thirrjet ndaj zgjedhësve për
bojkotim, kanë cënuar, sipas OSBE-ODIHR, besimin e publikut te procesi. “Përbërja
e paekuilibruar politikisht e administratës zgjedhore, thirrjet e partive
opozitare ndaj zgjedhësve për të bojkotuar zgjedhjet dhe interpretimet
kontradiktore të vlefshmërisë së dekreteve të Presidentit që anulonte zgjedhjet
e 30 qershorit cenuan besimin e publikut te procesi”.
Raporti vlerëson pozitivisht progresin që ka bërë vendi ynë në raport
me barazinë gjinore në zgjedhje. Në një prej pikave të tij, vlerësohet fakti që
KQZ-ja nuk ka pranuar të rregjistrojë listat për Këshillat Bashkiake, nga partitë
që nuk plotësonin 50% të përfshirjes së secilës gjini. “Në përputhje me ligjin,
u regjistruan vetëm ato lista kandidatësh për anëtarë këshillash bashkiakë që
plotësonin kushtin e përfshirjes së 50 për qind të secilës gjini, ku një në dy
kandidatë t’i përkiste secilës gjini. Sistemi i kuotave ka krijuar një mjedis
të favorshëm për pjesëmarrje më të madhe të grave në jetën politike, por të
pakta janë gratë që mbajnë pozicione drejtuese në partitë politike”.
Mungesa e partive opozitare në zgjedhje, pamundësoi, sipas OSBE-ODIHR,
zgjedhjen mes alternativave politike, ndërsa shton se ka pasur presione ndaj punonjësve
të administratës për të demonstruar publikisht preferencat politike. “Pavarësisht
kësaj, zgjedhësit nuk patën mundësi të plota zgjedhjeje mes alternativave
politike, duke qenë se partitë kryesore opozitare vendosën të mos marrin pjesë
në zgjedhje. Qytetarët, sidomos ata që punonin për administratën publike, u
përballën me presione direkte dhe indirekte për të demonstruar preferencat e
tyre politike”.
Në raport, evidentohet fakti që mosmarrëveshjet për çështje zgjedhore,
përfshirë dhe dekretin për anulimin e zgjedhjeve, u zgjidhën nga organet
ligjore, për administrimin e zgjedhjeve, KQZ dhe Kolegji Zgjedhor. “Mosmarrëveshjet
zgjedhore u zgjidhën përgjithësisht nga KQZ-ja dhe nga Kolegji Zgjedhor brenda
afateve të parashikuara”.
Zhvillimi i zgjedhjeve në kushte paqësore evidentohet shpesh në raportin e OSBE-ODIHR. Në
një prej paragrafëve të këtij raporti, procesi i votimit vlerësohet pozitiv në
94% të qendrave të votimit, megjithëse, janë vrejtur parregullsi, si votimi në
grup, në 12% të qendrave të votimit. “Dita e zgjedhjeve qe përgjithësisht
paqësore, me protesta të vogla dhe disa raste të izoluara vandalizmi ose dhune
të vërejtura në disa zona. Sipas KQZ-së, votimi nuk mund të zhvillohej në
shtatë qendra votimi. Me ndryshime mes bashkive të ndryshme, pjesëmarrja arriti
në 21.6 përqind në shkallë vendi. Votimi u vlerësua pozitivisht në 94 përqind
të qendrave të votimit të vëzhguara nga MVZ-ja e ODIHR-it. Votimi në grup, duke
përfshirë edhe votimin familjar, si dhe votimi me prokurë u vu re në 12 përqind
të vëzhgimeve. Pothuajse dy të tretat e qendrave të vëzhguara të votimit nuk
krijuan mundësi për hyrjen në mënyrë të pavarur të zgjedhësve me aftësi të
kufizuar”.
Veprimtaria e opozitës gjatë muajit të fushatës, evidentohet gjithashtu
si një nga problematikat e këtij raporti paraprak. OSBE shkruan se dhuna dhe
vandalizmi shënjuan protestat e opozitës kundër institucioneve shtetërore. “Protesta
të vazhdueshme të opozitës, të drejtuara nga PD-ja, u shenjuan nga dhuna dhe
vandalizmi kundër institucioneve shtetërore, duke përfshirë më vonë edhe
administratën zgjedhore”.
Ndërkohë, në raport shtohet fakti që kryeministri Edi Rama kërkoi
mbajtjen e zgjedhjeve më 30 qershor, për të mos cënuar “bashkëjetesën
demokratike” dhe krijimin e një precedenti në të ardhmen. “Kryeministri i hodhi
poshtë kërkesat e opozitës dhe, duke paralajmëruar se kjo mund të çonte në
krijimin e një precedenti që do të kërcënonte atë çka ai e përshkroi si
“bashkëjetesë demokratike” të qeverive të zgjedhura dhe të opozitave të tyre
parlamentare, bëri thirrje që zgjedhjet të mbaheshin siç ishin planifikuar”.
Në një tjetër moment, OSBE-ODIHR, shprehet se dekretet e 10 dhe 27
qershorit të Presidentit Ilir Meta, kontribuan në pasigurinë juridike dhe
politike në vend. “Dekretet e 10 qershorit dhe 27 qershorit të Presidentit dhe
veçanërisht reagimet e ndryshme që ata ngjallën mes aktorëve institucionalë dhe
politikë, kontribuuan të gjitha bashkë në pasiguri juridike dhe politike”.
Më tej, vëzhguesit ndërkombëtar të OSBE-ODIHR, shprehen se thirrjet e opozitës
drejtuar elektoratit për të bojkotuar zgjedhjet, ndikuan negativisht në besimin
e publikut te procesi zgjedhor. “Kombinimi i thirrjeve të opozitës drejtuar
elektoratit për të bojkotuar zgjedhjet, anshmërisë politike të autoriteteve
bashkiake dhe përbërjes së paekuilibruar të administratës zgjedhore ndikuan
negativisht në besimin e publikut te procesi zgjedhor”.
Në këto kushte, OSBE-ODIHR, shkruan se thirrjet e PD dhe LSI, që u kërkonin
qytetarëve të mos ushtronin të drejtën për të votuar, dhe në kushtet e një
numri të vogël kandidatësh, gara thelbësore që iu ofrua qytetarëve, ishte pjesëmarrja
ose jo në zgjedhje. “Si PD-ja, ashtu edhe LSI-ja, u bënë thirrje njerëzve që të
mos ushtronin dhunë në ditën e zgjedhjeve. Në rrethanat e një numri të vogël
kandidatësh dhe shumë garave pa kundërshtarë, zgjedhja thelbësore që iu ofrua
qytetarëve në një mjedis fushate përçarës ishte nëse duhet të merrnin apo jo
pjesë në zgjedhje”.
Media televizive, sipas OSBE-ODIHR, ka qenë neutrale por dhe e
pozicionuar, ndaj partive politike në vend. Ndërkohë, një nga pikat thelbësore të
këtij raporti, është puna e Prokurorisë së Përgjithshme. OSBE-ODIHR shprehet se
akuat për thirrje publike për dhunë, organizime të paligjshme, shkatërrim të pronës
si dhe pengim të administratës zgjedhore, partitë opozitare i kanë motivuar
politikisht disa prej këtyre rasteve. Por, raporti shprehet se mungesa e
efikasitetit në hetimet penale të këtyre krimeve, qoftë edhe në të shkuarën, ka
krijuar perceptimin e pandëshkueshmërisë së krimeve zgjedhore.
“Akuzat përfshinin thirrje publike për dhunë, organizimin ose
pjesëmarrjen në manifestime të paligjshme, bllokim rrugësh, shkatërrim të
pronës me lëndë shpërthyese, si dhe pengim të administratës zgjedhore dhe
shkatërrim të materialeve zgjedhore. Partitë opozitare i konsiderojnë të
motivuara politikisht disa prej këtyre rasteve. Përveç kësaj, disa
bashkëbisedues të MVZ-së së ODIHR-it shprehën shqetësime rreth mungesës në
përgjithësi të efikasitetit të hetimeve penale, gjë që çon në perceptimin e
përhapur të pandëshkueshmërisë për krime zgjedhore në të kaluarën, përfshirë
edhe veprat e shitblerjes së votave dhe ushtrimin e presionit mbi votuesit”.
Në fund, raporti fokusohet te dita e zgjedhjeve, ku janë vrejtur disa parregullsi,
përfshi hapjen me vonesë të disa qendrave të votimit dhe moszbatimin e
procedurave standarde nga komisionerët për hapjen e këtyre qendrave, megjithatë.
“Hapja e votimit u vlerësua negativisht në 9 prej 73 qendrave të vëzhguara të
votimit, ku gjysma u hapën me vonesë, kurse shumica me më pak se 15 minuta
vonesë. Në 11 qendra votimi, vëzhguesit e MVZ-së së ODIHR-it vunë re se nuk u
ndoqën procedurat e hapjes së votimit, duke përfshirë mosdepozitimin e të
dhënave të vulosjes së kutive të votimit. Votimi qe përgjithësisht i qetë dhe u
vlerësua pozitivisht në 94 përqind të qendrave të votimit të vëzhguara nga
MVZ-ja e ODIHR-it”.
Por, raporti thekson faktin që në shumë bashki, u tentua pamundësimi i
zgjedhjeve nga të zgjedhurit vendor të opozitës, të cilët nuk lejuan përdorimin
e ambienteve publike të përdoreshin si qendra votimi. “Votimi u krye pas një
sërë njoftimesh nga shumica e bashkive të drejtuara nga opozita se zgjedhjet
nuk do të zhvilloheshin më 30 qershor. Disa kryetarë bashkish u përpoqën të
përdorin kompetencat e tyre për të mos lejuar përdorimin e ndërtesave publike
si qendra votimi. Në një numër të vogël qendrash votimi pati dëmtime nga
zjarrvënia para ditës së zgjedhjeve”.
Një tjetër aspekt i raportit është fakti se votuesit kanë shfaqur frikë, se pjesëmarrja e tyre në procesin e votimit, do të shfaqte preferencën e tyre politike, sidomos në ato bashki ku PS kandidonte e vetme. “Disa votues kishin frikë se qoftë edhe vetëm pjesëmarrja në votim do të shfaqte preferencën e tyre politike, sidomos në ato bashki ku kandidatët e PS-së garonin pa kundërshtarë”. Ndërsa, shton më tej, se në pothuajse të gjitha qendrat e vëzhguara, procedurat e mbylljes së kutive janë zbatuar me korrektesë. “Në pothuajse të gjitha rastet e vëzhguara, procedurat e mbylljes u ndoqën me korrektesë dhe KQV-të i transferuan materialet në VNV pa vonesë. Transferimi dhe marrja e materialeve u vlerësuan pozitivisht në të gjitha 62 rasteve të vëzhguara, përveçse në 2 prej tyre”. /Relastory.al/