Konferenca e Donatorëve/ BE-OKB-BB do hartojnë raportin me qeverinë

Bashkimi Europian, Kombet e Bashkuara dhe Banka Botërore, me kërkesë të qeverisë shqiptare, janë përfshirë në procesin e vlerësimit të dëmeve nga tërmeti. Në një komunikatë zyrtare të Delegacionit të BE në Tiranë, mësohet se objektivi kryesor i këtij angazhimi është ndihma për qeverinë shqiptare për të vlerësuar ndikimin e tërmetit dhe për të përcaktuar një strategji të rimëkëmbjes, përfshirë vlerësimin e kostove financiare.

“Ekipet e specializuara, me ekspertë ndërkombëtarë dhe kombëtarë, tashmë kanë filluar të punojnë së bashku me zyrtarët qeveritarë që nga 16 dhjetori për të rënë dakord mbi metodologjitë e mbledhjes së të dhënave. Ata aktualisht janë duke vlerësuar ndikimin në sektorët e shëndetësisë, arsimit, strehimit, turizmit dhe punësimit, në infrastrukturën e komunitetit. Sektorët ndërkufitar të makroekonomisë dhe varfërisë, mbrojtja sociale dhe mbrojtja civile, si dhe ulja e rrezikut nga katastrofat, janë shikuar me kujdes”, thuhet në deklaratën e BE.

“BE qëndroi pranë Shqipërisë që nga dita e parë pas tërmetit me dhembshuri dhe veprim. Ne jemi duke udhëhequr Vlerësimin e Nevojave të Pas katastrofës në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë, i cili do të jetë baza e konferencës së donatorëve të udhëhequr nga BE që do të zhvillohet në fillim 2020”, tha ambasadori i BE në Shqipëri Luigi Soreca.

“KB përmes shumë agjencive të saj – veçanërisht UNDP, UNICEF dhe OBSH, përfshirë agjensi të specializuara si UNESCO, FAO dhe Organizata Botërore e Turizmit, po kontribuojnë në këtë vlerësim të shpejtë për të ndihmuar Shqipërinë të rimarrë veten shpejt. Ndërtimi i kapaciteteve institucionale të Shqipërisë për të zvogëluar rrezikun dhe për të përmirësuar reagimin e ardhshëm ndaj katastrofave duhet të jetë një përparësi”, tha Koordinatori i Përhershëm i KB në Shqipëri, Brian J. Williams.

“Banka Botërore po punon ngushtë me qeverinë shqiptare, BE dhe OKB si pjesë e ekipit të PDNA”, tha Maryam Salim, menaxher Bankës Botërore për Shqipërinë. “Banka Botërore ka përgatitur një vlerësim të shpejtë të situatës duke përdorur metodologjinë globale të shpejtë të vlerësimit të dëmtimit pas katastrofës (GRADE), me mbështetje nga BE, e cila siguron vlerësimet fillestare të dëmeve ekonomike në sektorë dhe shpërndarjen hapësinore të tyre dhe do të futet në raportin e PDNA. Ne presim që PDNA të prodhojë një pasuri të të dhënave dhe një analizë të dëmeve dhe të rekomandojë veprime rimëkëmbje”.

PDNA do të përfundojë me një raport gjithëpërfshirës duke përfshirë një strategji të rimëkëmbjes që do të prezantohet nga Qeveria në Konferencën e Donatorëve që do të zhvillohet në fillim të vitit 2020.

Tërmeti, Zvicra: Ndihmuam Shqipërinë me 1.4 milion euro

Ambasada e Zvicrës njoftoi se dha rreth 1.4 milion euro ndihma për Shqipërinë për të prekurit nga tërmeti. Në njoftimin e ambasadës së Zvicrës, thuhet se “pas tërmetit të 26 nëntorit, një reagim i shpejtë nga Zvicra në thirrjen për mbështetje të Shqipërisë sjellë lehtësim për mbi 5.200 njerëz të prekur. Një vlerësim i Ndihmës Humanitare Zvicerane ka zbuluar se mbështetja për pasojat e tërmetit në Shqipëri arrin mbi 1 milion Euro – ndërsa 450,000 euro të tjera ndahen për rindërtimin e qendrave shëndetësore. Mbështetjen e drejtpërdrejtë e kanë përfituar 5.200 njerëz me përqendrim në zona më pak të mbuluara nga donatorë të tjerë si zonat rurale dhe segmentet më të varfra të popullsisë. Tre linjat e para të veprimeve përfshijnë inspektimin inxhinierik-strukturor, strehimin dhe një skemë pilot të mbështetjes financiare”, thuhet në njoftimin e ambasadës së Zvicrës.

“Mbështetja zvicerane për pasojat e tërmetit ishte e shpejtë, efikase dhe gjithëpërfshirëse”, thotë ambasadori zviceran Adrian Maître. “Ekipi nga Ndihma Humanitare në Bern, Ambasada, dhe projektet tona kanë koontribuuar të gjithë dhe siguruan maksimumin që mundëm për të ndihmuar njerëzit më të prekur nga tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit. Për më tepër, pas një kërkese të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ne kemi rënë dakord të shtojmë mbi 450,000 Euro për rindërtimin e disa qendrave shëndetësore në zonat e prekura ”, shprehet Ambasadori Maître.

“Faza e re e mbështetjes përqendrohet në rindërtimin e të paktën 5 qendrave shëndetësore brenda dhe rreth rajonit të Durrësit që pësuan dëme serioze strukturore nga tërmeti dhe nuk konsiderohen të sigurta për qytetarët dhe stafin. Përafërsisht 45,000 njerëz janë të mbuluar nga këto 5 qendra, të cilët aktualisht marrin vetëm shërbime minimale të kujdesit shëndetësor”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

“Për familjet që janë prekur rëndë, një skemë pilot e mbështetjes financiare po vazhdon të mbulojë nevojat e tyre më urgjente për riparimin e shtëpive dhe trajtimin e nevojave themelore. Mbështetje e mëtutjeshme zvicerane do të sigurohet bazuar në vlerësimin e nevojave që do të bëhet nga Qeveria e Shqipërisë së bashku me partnerët ndërkombëtarë në janar 2020. Ambasada do të vendos adaptime të mundshme të programit të bashkëpunimit zviceran bazuar në vlerësimin e nevojave dhe pasi të diskutojë me qeverinë dhe partnerët e saj”, përfundon njoftimi.

Tërmeti, Xhaçka në Bubq: Nisim së shpejti rindërtimin

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka zhvilloi një vizitë në fshatin Bubq të Krujës, një nga zonat më të prekura nga tërmeti. Gjatë takimit me banorët, Xhaçka u shpreh se së shpejti do të nisë dhe rindërtimi i banesave për familjet e prekura nga tërmeti. Ajo tha se prioritet do të jenë familjet me fëmijë të vegjël.

“Shumë shpejt do të nisë edhe faza më e rëndësishme, ajo e rindërtimit, në qarqet Durrës, Tiranë e Lezhë. Do bëjmë çmos që, prioritet të kenë familjet me fëmijë të vegjël e që nuk mund të jetojnë në këto kushte. Kuptoj të gjitha vështirësitë dhe ne po punojmë në garë me kohën që rindërtimi i shtëpive të nisë sa më shpejt”, tha ministrja Xhaçka gjatë bashkëbisedimit me banorët e Bubqit dhe Mazhës së Madhe.

Sipas të dhënave paraprake, të cilat përditësohen çdo ditë gjatë verifikimit të ekspertëve shqiptarë dhe të huaj në terren, deri më sot në qarqet e prekura janë inspektuar rreth 15 mijë objekte, nga të cilat 2 300 banesa të dëmtuara rëndë, ndërsa 292 pallate deri më tani janë të pabanueshme përkohësisht.

Pas mbylljes së fazës së dytë, verifikimit të dëmeve, do të nisë puna për rindërtimin masiv të banesave të dëmtuara me angazhimin edhe të firmave të ndërtimit për riparimin e pallateve që ato kanë ndërtuar si dhe ndërtimin e lagjeve të reja dhe banesave ekologjike (në zonat rurale) në Tiranë, Durrës, Thumanë, Kurbin dhe Laç për të strehuar banorët, shtëpitë e të cilëve u shkatërruan plotësisht nga tërmeti.

Gjatë vizitës në Bubq dhe Mazhë e Madhe, Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka u shoqërua nga nxënës të shkollës 9-vjeçare “Edit Durham”, të cilët kishin përgatitur pako me dhurata për 120 fëmijë të këtyre zonave.

“Tërmeti, krenar për qeverinë”, Rama: Të pastrehët, i çuam në hotele

Kryeministri Edi Rama e nisi fjalën e tij në Kuvend me vlerësime për qeverinë, që sipas tij ka menaxhuar në mënyrë të mirë situatën pas tërmetit. “Së pari dëshiroj të shpreh dhe një herë ndjenjën e krenarisë sime për qeverinë që unë drejtoj dhe për shumicën qeverisëse për të gjithë ministrat dhe deputetët dhe kryetarët e bashkive të angazhuar në vijën e parë që në orën e parë në përballimin e pasojave tragjike. Unë nuk e di nëse dikush do të kishte imagjinuar se qeveria e Shqipërisë do të arrinte të bënte atë që bëri. Në kushtet e një befasie të jashtëzakonshme ku mijëra njerëz u gjetën në rrugë”, tha Rama.

Më tej, ai foli për akomodimin e personave të mbetur të pastrehë nga tërmeti. Rama tha se në Shqipëri ka pasur fatkeqësi që njerëzit janë kalbur në çadra. Ndërsa tani, sipas tij, njerëzit u strehuan dhe në hotele luksi. “Në Shqipëri ka pasur fatkeqësi natyrore dhe njerëzit janë kalbur rrugëve nëpër çadra dhe janë harruar. 4 mijë e 132 persona, njerëz të kategorive të ndryshme sociale janë akomoduar në hotele që për standardet e Shqipërisë janë hotele luksi”.

“Për 6178 persona në fshat që e kanë të vështirë dhe të pamundur të lëvizin nga trualli i shtëpisë. Vazhdon procesi i plotësimit të nevojave për çadrat dimërore. Mjafton te shihet tabela e përkujdesjes specifike shëndetësore për të gjithë këta njerëz për të kuptuar çfarë kapërcimi epokal në adresimin nga ana e shtetit të nevojave të njerëzve të goditur nga një fatkeqësi natyrore”, tha Rama.

Në fund të fjalës, lidhur me tërmetin, Rama tha se ka nisur puna për planet e reja të zhvillimit. Ai tha se do të ketë transformim tërësor urban dhe social në të gjitha vendet e prekura nga tërmeti. “Ka nisur puna për planet e reja të zhvilimit. Falë solidaritetit të madh shqiptar janë grumbulluar fonde të konsiderueshme. Shumë shpejt do shihet transformimi tërësor urban dhe social që nga plaga e madhe e krijuar në Thumanë deri tek shtëpia më e largët e familjes që është në rrezen e përcaktuar nga kufijtë e gjendjes së jashtëzakonshme”.

“Me një grup arkitektësh të huaj dhe me shumë ekspertë shqiptarë do vijojë puna për te ndërtuar. Thumana e nesërme nuk do të ngjajë në asgjë me Thumanën para 26 nëntorit. Banorët do të jetojnë në një zonë që nga pikëpamja urbane do të jetë një shembull që do të rrezatojë fuqinë e vizionit dhe vullnetit tonë përtej Shqipërisë. Do të jemi këtu në vitin 2020 ku do t’i shihni të verifikuara”, tha Kryeministri.

I shpëtuan tërmetit në Thumanë, Rama çon Aurelin dhe Alesion në shkollë

Ashtu siç u kishte premtuar, Kryeministri Edi Rama shoqëroi mëngjesin e të hënës në ditën e parë të shkollës pas tërmetit, dy djemtë që u hodhën nga ballkoni duke i shpëtuar rrënimit të pallatit në Thumanë. Aurel Lala, 10 vjeç dhe Alesio Cakoni 7 vjeç, u rikthyen në shkollë pas tre javësh. Ata u shoqëruan nga kryeministri me makinën e tij të punës drejt shkollës “Ahmet Zogu” në Kamëz, qytet ku tashmë kanë dhe banesat e reja.

Alesio Cakoni humbi motrën dhe babain nga tërmeti i 26 nëntorit në Thumanë, ndërsa ai mbijetoi së bashku me nënën dhe gjyshen. Aurel Lala humbi gjyshen dhe motrën nga tërmeti, ndërsa tani së bashku me familjarët e tjerë janë sistemuar në Kamëz. Gjatë bisedës me fëmijët, Kryeministri Edi Rama u kërkoi atyre të jenë nxënës të mirë. Rama u premtoi fëmijëve se do t`i ndjek hap pas hapi deri në përfundim të shkollës.

“Po morët 8 me mua e keni keq punënë, 6-7 nuk bëhet llaf. Të jeni me dhjeta, unë nuk ju ndahem do t’ju ndjek hap pas hapi deri kur të mbaroni shkollën. Mos kujtoni se jam kaq i butë. Ka shumë. Në dorë e keni vetë. Çantat i keni në rregull. Erdhëm të shkolla. Emrin e Mretit ka Shkolla, Ahmet Zogu”, tha Rama.

Pasi mbërritën në shkollë, fëmijët u futën në klasat përkatëse. Ndërsa Kryeministri i prezantoi nxënësit e tjerë me dy shokët e rinj të klasës. Drejtori i shkollës u dhuroi të dy fëmijëve uniformën e ekipit kombëtar të futbollit dhe nga një top për secilin. Kujtojmë se më herët, Aureli dhe Alesio u surprizuan nga kryeministri, i cili organizoi një takim me dy futbollistët e Juventus, Cristiano Ronaldo dhe Gianluigi Buffon.

“Mungesë përgjegjësie. Do shporreni”, Rama mesazh Bashës dhe abuzuesve të fondeve

Kryeministri Edi Rama mbajti një videomesazh pasditen e të shtunës ku foli për tërmetin. Rama u shpreh se konferenca e donatorëve do të mbahet në Shqipëri në fund të janarit të vitit të ardhshëm. “Me arkitekt të huaj dhe vendas për planet e rindërtimit si dhe për ndërhyrjen tërësore në Thumanë, ku do të përqëndrohet për një model shembull rilindjeje. Konferenca e Donatorëve, me vendim të KE do ta mbajmë në Tiranë, mes fundit të janarit dhe shkurtit, në varësi të raportit përfundimtar të të dëmeve. Brenda 2020 askush të mos mbetet në preskektivën e qartë dhe konkrete”.

Duke folur për rindërtimin, Rama tha se banorët e fshatrave të prekur nga tërmeti dhe që mbetën pa shtëpi, do ta gëzojnë shtëpinë e re brenda vitit 2020. Ndërsa për banorët që jetojnë në qytete, Rama tha se ata do të kenë gati apartamentet deri në qershor të vitit 2021. “Brenda 2020 banorët e fshatit  do ta gëzojnë vitin e ri në një shtëpi të re, brenda qershorit 2021 ato të qyteteve të jenë në apartamente të reja”, tha Kryeministri. Ndërkohë, Rama tha se hetimet vazhdojnë intensivisht për të dërguara përpara drejtësisë personat që kanë abuzuar me ndërtimit. “Vazhdojnë intensivisht hetimet për të dokumentuar përgjegjësit e çdo kahu e niveli për dëmet e shkaktuara si pasojë e abuzimeve në ndërtim. Sot janë kryer arrestimet e para, mos dëgjoni ato që gam-gamosin përnatë pse nuk kanë arrestime”, tha Rama.

Gjatë videomesazhit, një moment të gjatë i kushtoi edhe liderit të opozitës Lulzim Basha. Fillimisht, Rama e përshëndeti për vetëpërmbajtjen kreun e PD, por nuk ngurroi ta kritikonte për  refuzimin e ftesës për t`u ulur së bashku në një tryezë të përbashkët. Rama tha se refuzimi që Basha i bën ftesës së tij është mungesë përgjegjësie.  “Opozita  është inekzistente në detyrën e saj, përveç daljeve sporadike. Dua ta falënderoj Lulzim Bashën për një vetëpërmbajtje në momente të vështira, u përpoq të mos bëhej i tepër me fjalorin e rëndë. E kritikoj për refuzimin e përsëritur dhe absurd që të mos ulen në tryezën e bashkëpunimit, nuk e di pse refuzon, por di që refuzimi është mungesë e plotë e përgjegjësisë”, tha kryeministri.

Gjithashtu, Rama paralajmëroi qytetarët se nuk do të merret as me akuzat që opozita mund të drejtojë ndaj qeverisë në ditëtët në vijim në lidhje me menaxhimin e situatës pas tërmetit. Rama tha se ai do të merret me sfidën e jashtëzakonshme të rindërtimit, ndërsa u shpreh se Shqipëria do të ringrihet më e fuqishme pas kësaj situate. “Opozita ka nisur të jap shenjat e para të një lufte të egër prej balte, ku dita ditës do t`u mërzisin me akuza, shpifje, gjysmë të vërteta. Kjo është puna e tyre me Bashën. Nuk merrem dhe nuk do merrem me ta. Unë dhe ne duhet të merremi me sfidën e jashtëzakonshme që na ka vënë përpara Zoti duke na goditur si s’ka më rëndë, por edhe duke na dhënë mundësinë që të ngrigemi përtej politikës, përtej vetëvetes”.

Në fund, Rama dha dhe një mesazh për qytetarët, ku i garantoi se ai vetë do të bëjë të çmos që çdo donacion i dhuruar për rindërtimin të mos shpërdorohet. Rama tha se nëse do të ketë dhe vërtetohen akuza për shpërdorime, jo vetëm që zyrtarët do të largohen nga radhët e qeverisjes, por do të dërgohen përpara drejtësisë.  “Do të bëj çmos që çdo qindarkë të shpenzohen me ndershmëri dhe zgjuarsi dhe që transparenca të jetë makimale, nëpërmjet Komitetit të Rindërtimit, pa dallim feje. Do kërkoj verifikimin dhe argumentimin e saj të çdokujt që bën një akuzë, dhe po pati bazë çdo abuzues do të shporret nga rradhët tona dhe të shkojë para drejtësisë”, tha Rama.

Dosja “tërmeti”, Olsian Çela u kërkon prokurorëve hetim të shpejtë

Pak ditë pasi u zgjodh Prokuror i Përgjithshëm, Olsian Çela zhvilloi një takim me prokurorët e Prokurorisë së Tiranës, ku të pranishëm ishin dhe drejtues të këtij institucioni. Sipas një njoftimi të bërë nga  Prokuroria e Përgjithshme, Çela mësohet të ketë diskutuar për disa tema që lidhen me funksionimin e policisë gjyqësore, organizimin e punës pas rritjes së numrit të prokurorëve etj.

“Në takim u diskutuan probleme që lidhen me funksionimin e policisë gjyqësore, vleresimin e performancës së saj, organizimin e punës pas rritjes së numrit të prokurorëve në këtë prokurori, çështje që lidhen me zbatimin e ligjit për prokurorinë, pavarësinë dhe përgjegjshmërinë e prokurorëve, ndërtimin e një sistemi efikas të monitorimit të zbatimit të ligjit në këto aspekte, si dhe u trajtuan  çështje  që lidhen me zbatimin e ligjit, ‘Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar”, thuhet ndër të tjera në deklaratë.

Gjithashtu, sipas njoftimit të Prokurorisë së Përgjithshme, Olsian Çela i kushtoi vëmendje të veçantë punës për hetimin e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti. Sipas njoftimit, mësohet se kreu i akuzës u dha mbështetjen prokurorëve për hetimin e shpejtë dhe të plotë të rasteve dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale abuzuesit me detyrën.

“Në fokus  të veçantë të takimit ishte mbështetja që Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela  i ofroi drejtuesve dhe prokurorëve të kësaj prokurorie  për procedimet që lidhen me dëmet e shkaktuara nga tërmeti i datës 26 nëntor, përmes sigurimit të asistencës teknike dhe ekspertizës që do të ndihmojnë  në  hetimin e shpejtë dhe të plotë të rasteve. Ai inkurajoi prokurorët të kryejnë hetime gjithëpërfshirëse, për të individualizuar autorët e veprave penale dhe për t’i vënë ata para përgjegjësisë penale”, thuhet në njoftimin zyrtar të Prokurorisë së Përgjithshme.

Takimi me drejtuesit e Prokurorisë së Tiranës, i Olsian Çelës, dhe kërkesa për hetimin e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti, vjen fill pas takimit që kreu i akuzës zhvilloi me ambasadorin e BE dhe të ngarkuarën me punë të SHBA në Tiranë. Gjatë takimit, Luigi Soreca dhe Leyla Moses-Ones i shprehën mbështetjen Prokurorit të ri të Përgjithshëm edhe për hetimin e përgjegjësve për dëmet që shkaktoi tërmeti. /Realstory.al/

Basha, qeverisë: Po abuzohet me ndihmat

Pas tërmetit, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha po i rikthehet retorikës së zakonshme politike. Të enjten ai akuzoi qeverinë për menaxhim jo të mirë të situatës, duke u shprehur se shumë familje ende nuk kanë marrë asnjë ndihmë. Madje, Basha akuzoi se shpërndarja e ndihmave është bërë në mënyrë selektive për miq dhe kushërinj partiakë.

“Në më shumë se dy javë që nga dita e tërmetit, familje të tëra nuk kanë marrë ende asnjë ndihmë, edhe në rastet kur kanë qënë me fat, u është dashur të presin me orë të tëra apo të sorollaten nëpër zyra për të marrë “ kuponin”. Në shumë raste, shpërndarja e ndihmave është bërë në mënyrë selektive për miq e kushërinj dhe me preferenca partiake. Nese nuk do të ishte ndihma e vullnetarëve, mjaft familje nuk do të kishin as buke për fëmijët e tyre”.

“Shumë familje janë jashtë dhe pa asnjë ndihmë në këtë të ftohtë. Qytetarët thonë se nuk i njohin personat e ngarkuar për situatën, ndërkohë që nuk ka asnjë informacion për fondet e vëna në dispozicion për emergjencën. Asnjë transparencë, se kur do të nisë rikonstruksioni i banesave të dëmtuara , si do të bëhet, fondet e akorduara, e shumë pyetje të tjera pa përgjigje”, shkruan ndër të tjera Basha.

Më tej, Basha shprehet grupet e inspektimit janë kaotike. Sipas kryedemokratit, dy javë pas tërmetit, ende nuk ka një bilanc të plotë të evidentimit të dëmeve. “Sot kemi hyrë në javën e tretë pas tragjedisë së rëndë dhe ende nuk kemi evidentimin e plotë të: sa banesa janë dëmtuar, sa pallate janë shpallur të pabanueshëm, sa qytetarë kanë mbetur të pastrehë, sa qytetarë janë strehur në hotele dhe sa janë ende në qiell të hapur. cila është lista e objekteve të dëmtuara dhe për të cilat deri më tani ka vendim për prishje. cilat janë shkollat e dëmtura dhe kur ishin ndërtuar apo rikonstruktuar ato”, shprehet Basha.

Dëmet e tërmetit, shkollës 9-vjeçare në Darzezë i vihet shirit

Shkolla 9-vjeçare në Darëzezë të Fierit është mbyllur dhe do të prishet për shkak të dëmeve të mëdha që ka pësuar pas tërmetit të 26 nëntorit. 92 nxënësit e kësaj shkolle, mes tyre 32 fëmijë të arsimit parashkollor, do të dërgohen në një shkollë në fshatin Povelc.

Shkollës në Darëzezë i është vënë shiriti dhe do të shembet me vendim nga Komisioni i Emergjencave Civile pas vlerësimit të dëmeve nga tërmeti i 26 nëntorit.

Gjatë tërmetit janë dëmtuar shkolla edhe në Durrës e Tiranë, ku disa prej tyre janë mbyllur duke transferuar nxënësit në shkolla të tjera. Disa pritet të riparohen, ndërsa disa te tjera që kanë pësuar dëme në strukturë do të shemben dhe të bëhen të reja. Tërmeti i 26 nëntorit la pas 51 viktima dhe shumë dëme materiale.

U strehuan në Kosovë pas tërmetit, Haradinaj: Familjet do t`i kthejmë me dinjitet

Pas kalimit të situatës së vështirë pas tërmetit, familjet shqiptare që u strehuan në Kosovë do të rikthehen në vend. Kryeministri në Detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj njoftoi të dielën se familjet shqiptare do të rikthehen me dinjitet në Shqipëri. Ai tha se do të vihen në dispozicion mjete transporti për ta, duke u kërkuar angazhim të gjitha komunave në Kosovë që të marrin masa për kthimin e familjeve në mënyrë dinjitoze.

“Kosova ka hapur dyert dhe zemrat, për t’i strehuar dhe ndihmuar gjithë bashkëkombësit tanë, pas tërmetit me pasoja tragjike që preku Shqipërinë. Tani pas kësaj faze emergjente të përkrahjes dhe akomodimit, ne po hyjmë në një fazë tjetër, të rikthimit të të gjithë banorëve të Shqipërisë në vendlindjen e tyre”.

“Përkitazi me këtë proces, ne kemi vënë në dispozicion transport për rikthimin e të zhvendosurve, por sot kërkojmë që në këtë etapë të rikthimit vullnetarë të përfshihen edhe të gjitha Komunat, ku ka të strehuar, duke vënë në dispozicion mekanizmat e tyre, numër kontakti, Drejtorit e emergjencave dhe transportin”.

“Secili qytetarë, meriton një kthim të dinjitetshëm dhe Institucionet tona e kanë për obligim, ta garantojnë dhe të respektojnë këtë të drejtë. Zyra e Kryeministrit, do të jetë në gjendje gatishmërie për çdo kërkesë eventuale të ndihmës, qoftë për Komunat tona, qoftë për autoritetet shqiptare”.

“Po nesër, të gjitha ndihmat e grumbulluara nga qytetarët tanë në Kazermën e FSK-së në Prizren, do të dërgohen nga Ushtria jonë, në mënyrë institucionale, në depot e rezervave shtetërore të Shqipërisë. Kosova do të vazhdojë të jetë në gjendje gatishmërie, për çdo ndihmë të kërkuar, për popullin e Shqipërisë”, shkruan Haradinaj.

Skip to toolbar