Kukësi fiton Kupën e Shqipërisë, Tirana mbetet jashtë Europës

Kukësi fitoi Kupën e Shqipërisë për sezonin 2018-2019 në edicionin e 67-të të saj, duke mundur Tiranën 2-1 në “Elbasan Arena”. Skuadra e drejtuar nga trajneri Ernest Gjoka e mbyll sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme, duke arritur objektivin e fitores së Kupës së Shqipërisë dhe pjesëmarrjen në Europa League sezonin e ardhshëm. Ndërsa Tirana, veç faktit që i mbijetoi rënies nga kategoria, pjesa tjetër e sezonit ishte një dështim, që duhet harruar sa më parë.

Sa i përket ndeshjes, ishte Kukësi që dominoi 90-të minutat e lojës, duke kaluar në avantazh që në fillimin e pjesës së parë. Vasil Shkurtaj realizoi në minutën e 4` për ë tijët, ndërsa pjesa e parë do të mbyllej vetëm me këtë gol.

Në pjesën e dytë Tirana barazoi me anë të Majkëll Ngo, në minutën e 66-të. Barazimi i kryeqytetasve zgjati vetëm 12 minuta, sepse në minutën e 78-të, Arturo Reginaldo shënoi golin e dytë dhe atë të fitores.

Ky ishte trofeu i dytë i Kupës së Shqipërisë për Kukësin, që arrinë të triumfojë përsëri në më pak se pesë vite. Medaljet dhe trofeun për  fituesit e kësaj Kupe i dorëzuan, Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, Zv.Presidenti i FSHF, Edvin Libohova dhe Sekretari i Pergjithshëm, Ilir Shulku.

Përpara dorëzimit të medaljeve dhe trofeut për ekipin fitues, është dorëzuar edhe çmimi i golashënuesit më të mirë për sulmuesin e Kukësit, Arturo Reginaldo, nga Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.

Të dielën finalja, Ardi Mema: Nëse fitojmë Kupën e Shqipërisë, harrojmë disa gjëra!

Tirana do të përballet të dielën me Kukësin në finalen e Kupës së Shqipërisë, me ndeshjen që është vendosur të zhvillohet në stadiumin “Elbasan Arena”. Trajneri i skuadrës bardheblu, Ardian Mema, ka folur në konferencë për shtyp një ditë para kësaj ndeshje. Mema u shprehur se ekipi ka bërë ndeshje të mira gjatë sezonit, por, shton ai, Tiranës nuk i pranohet kjo gjendje, ndaj duhet të ulet për të analizuar gjithçka me drejtuesit.

“Tirana ka bërë shumë ndeshje të mira, të paktën shumica. Mund të bëjmë gjëra më të mira, por kjo i takon të ardhmes. Klubi dhe unë duhet të ulemi të bëjmë analiza të thella, pasi bëhet fjalë për tre sezone dhe nuk janë pak, që Tirana nuk del në origjinën e saj. Më kanë thënë urime pas ndeshjes, por ajo që them unë që është e turpshme kjo gjendje e Tiranës”, ka thënë Mema.

Lidhur me takimin ndaj Kukësit, trajneri i bardhebluve është shprehur se skuadra nuk duhet të humb ritmin. “Nuk do ta ulim ritmin asnjë moment. Është ndeshje e fundit dhe i vendos kapakun të gjithave. Për mua sezoni nuk është i suksesshëm, pasi Tirana ka diskutuar mbijetesën deri në javën e fundit. Nëse fitohet kupa ndoshta kjo nuk është gjë e mirë që ta them, por do të harrohen disa gjëra. Nuk mund të harrohen kurrësesi, pasi në futboll duhet të kujtohen gabimet dhe jo rezultatet e mira”, është shprehur Ardi Mema.

Ai ka folur dhe për liçensimin e klubit për kupat e europës, pasi Tirana nëse fiton Kupën e Shqipërisë, do të luajë në Europa League. “Kjo është një pyetje që duhet t’i bëhet zyrtarëve të Tiranës. Detyra ime është të punoj dhe të luftoj për të fituar Kupën. Pjesa tjetër janë raportet e Tiranës dhe federatës. Është një pyetje që mund të drejtohet te shefi i klubit. Të them të drejtën di diçka, por jam trajner dhe duhet të fitoj çdo gjë. Nuk më intereson kjo pjesë. Hapi i radhës është Kupa dhe më duhet ta fitoj”, ka përfunduar trajneri.

Verdikti i Superligës, Tirana shpëton dhe shpreson, Partizani, Kukësi e Teuta luajnë në Europë…

Dy gola të Albi Dokës dhe Hasanit shpëtojnë Tiranën nga rënia nga Kategoria Superiore. Ky ishte verdikti përfundimtar që solli java e fundit e kampionatit për këtë sezon, me ekipin bardheblu që arriti të mbijetonte pasi mundi Flamurtarin në “Selman Stërmasi” me rezultatin 3-0.

Ishte Albi Doka që zhbllokoi takimin në minutën e 65″, ndërsa mbrojtësi dyfishoi dy minuta më pas për ekipin bardheblu. Hasani të 79′ shënoi golin e tretë dhe të fundit për Tiranën, duke marrë tre pikët e fundit në kampionat për këtë sezon, pasi i japin mundësi të qëndrojë në Superligë.

Në krahun tjetër ishte Kastrioti ekipi që u rikthye në Kategorinë e Parë, nga e cila erdhi një sezon më parë. Ekipi i drejtuar nga Bledar Devolli u mund nga Kukësi në ndeshjen e fundit të kampionatit me rezultatin 3-1. Ndonëse Kastrioti kaloi në avantazh me Ymeraj në minutën e 29′, Kukësi përmbysi gjithçka me dy gola të Reginaldo (80′ dhe 90+1′) dhe Shkurtaj më (85′), duke mbajtur vendin e dytë në kampionat.

Në Gjirokastër u mbyll 1-1 sfida mes vendasve dhe ekipit kampion, Partizanit. Luftëtari kaloi i pari në avantazh në minutën e 9′, por kur dukej se gjithçka do të mbyllej me vetëm këtë gola, Çinari shënoi në minutën e tretë shtesë duke i dhënë barazimin në ndeshjen e fundit të kampionatit Partizanit.

Dy gola të shënuar në minutat shtesë nga Kallaku dhe Kamara i dhanë fitoren Teutës përballë Laçit, me durrsakët që renditen përfundimisht në vendin e tretë dhe do të marrin pjesë në turet kualifikuese të Europa League sezonin e ardhshëm. Partizani do të luajë në turet kualifikuese të Champions League, ndërsa Kukësi në Europa League.

Megjithatë, nëse Kukësi fiton Kupën e Shqipërisë të dielën, do të jetë dhe Skënderbeu ekipi tjetër që do i bashkohet skuadrave që do të luajnë në Europë, ndërsa nëse fitorja e Kupës i shkon Tiranës, do të jenë bardheblutë që do kenë një biletë për në Europa League.

Protesta e opozitës rrezikon zhvillimin e finales së Kupës së Shqipërisë

Të dielën më 2 qershor do të zhvillohet ndeshja finale e Kupës së Shqipërisë mes Tiranës dhe Kukësit. Takimi është vendosur të luhet në stadiumin “Elbasan Arena” në orën 19:00, ndërsa një ditë më parë dolën në shitje dhe biletat për këtë ndeshje. Mirëpo në të njëjtën ditë, ndoshta dhe në të njëjtën orë, pritet të mbahet protesta e shtatë kombëtare e opozitës në kryeqytet.

Duke pasur parasysh protestat e mëparshme të opozitës, policia pritet të angazhojë 1200 deri në 1500 efektivë policie për garantimin e sigurisë publike. Një pjesë e konsiderueshme e efektivëve të policisë vijnë nga Drejtoritë Vendore të Policisë nga Qarqet më të afërta, përfshi Elbasanin. Kjo do të thotë se do të reduktohet numri i efektivëve të policisë që do të jenë në detyrë për të garantuar sigurinë publike në qytet dhe aktivitete të ndryshme të jetës publike, përfshi dhe ato sportive.

Në këtë logjikë rrezikon pikërisht edhe ndeshja finale e Kupës së Shqipërisë Tirana-Kukësi, pasi një pjesë e konsiderueshme e Bluve të Elbasanit, përfshi RENA, FNSH DHE SHQIPONJA, do të jenë në Tiranë te protesta e opozitës. “Sa herë ka protestë opozita ne dërgojmë forca policie në Tiranë. Për ndeshjen e të dielës ende nuk kemi një vendim, mund të dërgojmë efektivë në stadium, por varet nga numri që do të kërkohet, pasi është ndeshje e rëndësishme”, i tha një burim i sigurt në Drejtorinë e Policisë së Elbasanit, RealStory.al.

Megjithatë, një tjetër burim pranë Federatës Shqiptare të Futbollit u shpreh “nuk kemi asnjë ndryshim plani deri tani. Kanë dalë në shitje biletat dhe presim që ndeshja të zhvillohet”. Gjithësesi, gjatë ditës së sotme pritet të vendoset përfundimisht se çfarë do të bëhet, pasi pas datës 1 qershor nis zyrtarisht dhe fushata për zgjedhjet elektorale nga Partia Socialiste, e cila praktikisht mund të zhvillojë aktivitete në fundjavë duke kërkuar edhe mbështetjen e policisë për mbarvajtjen e tyre.

Në këto kushte policisë i shtohet më shumë punë, pasi në të njëjtën ditë do të duhet të kryejë detyrat e saj funksionale për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, të garantojë sigurinë gjatë protestës së opozitës dhe njëkohësisht finalen e Kupës së Shqipërisë.

Tirana pa frymë një javë, për një pikë. Gjithçka vendoset të enjten

Tirana ka marrë një fitore të artë në ndaj Laçit në ndeshjen e parafundit të kampionatit, duke hedhur një hap të rëndësishëm në luftën për mbijetesë. Ekipi bardheblu ka fituar me rezultatin 3-1 në fushën e kurbinase.

Greca shënoi golin e parë për të besuarit e Ardi Memës në minutën e 6` të takimit, teksa më herët ishte Cobbinah që humbi një penallti. Megjithatë mesfushori e shleu gabimin në minutën e 36` duke shënuar golin e dytë për Tiranën.

Pas pushimit Laçi duket më i organizuar në fushën e lojës, duke ngushtuar shifrat me Shtubinën në minutën e 61`, ndërsa humbën dhe një penallti. Megjithatë, në kushte të tilla Tirana mendon vetëm për të mbyllur ndeshjen.

Kështu ndodhi në minutën e 83` të sfidës kur Hasani shënon golin e tretë dhe vulos shifrat në 3-1 për bardheblutë. Tashmë mbijetesa do të vendoset në ndeshjen e fundit të kampionatit, pasi Kastrioti fitoi ndaj Teutës me rezultatin 2-1.

Tirana është vetëm dy pikë larg Kastriotit të vendit të fundit, ndërsa në ndeshjen e fundit do të ketë përballë Flamurtarin në shtëpi, ndërsa krutanët do të luajnë ndaj Kukësit. Skënderbeu nga ana tjetër ka fituar ndaj Luftëtarit me rezultatin 2-0, me gola të shënuar nga Pervan në minutën e 26` dhe 50`.

Kryeqyteti vlerësohet nga “Urban Future”, Veliaj: Tirana qytet i mundësive!

Tirana ka marrë vlerësimet më të larta për transformimin që ka pësuar në 4 vitet e fundit në Forumin Global “URBAN FUTURE 2019”, që u zhvillua në Oslo. I pranishëm në këtë takim, më i madhi i urbanistëve nga vende të ndryshme të botës, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shpreh se ndihet krenar që kryeqyteti vlerësohet nga të gjithë për ndryshimet që ka pësuar, jo vetëm në infrastrukturë, por edhe në mentalitet.

“Ishte një kënaqësi e jashtëzakonshme të isha në Oslo, udhëtimi im i fundit për të përfaqësuar Tiranën, për këtë mandat të parë. Ka qenë një kënaqësi e veçantë dhe më ka dhënë një krenari të veçantë të përfaqësoj qytetin tim, kryeqytetin tonë, ku me kaq shumë dashuri e përkushtim kemi bërë gjithë këto ndryshime. Më vjen mirë që u vlerësuan në Oslo, nga forumi më i madh i urbanistëve, me rreth 3000 pjesëmarrës nga vende të ndryshme të botës, të gjitha ndryshimet që kanë marrë çmime, si sheshi “Skënderbej”, Pazari i Ri, por edhe ndryshimi i mentalitetit dhe kulturës, nga korsitë e biçikletave tek transformimi i çerdheve, kopshteve dhe tani shkollat e reja”, theksoi Veliaj.

Veliaj u shpreh se Tirana është shembulli më i mirë se si me kreativitet dhe falë mobilizimit qytetar mund të realizohen gjëra të mrekullueshme. Ai nënvizoi se Tirana është qyteti i mundësive, pasionit dhe i dëshirës për të kontribuar.

“Kjo tregon që qytetet, pavarësisht nëse janë vende të varfra apo të pasura, me pak kreativitet dhe me shumë mobilizim qytetar, mund të bëjmë gjëra të mrekullueshme. Kur flas për pyllin orbital, që në fakt është mbjellë kryesisht nga kontributet e njerëzve, fëmijëve, për ditëlindje apo të familjeve, në kujtim të të afërmve të tyre, më mbush me krenari se jemi qyteti i mundësive. Ndoshta, jo qyteti më i pasur, por qyteti i mundësive, i pasionit dhe i dëshirës për të kontribuar”, deklaroi kreu i Bashkisë së Tiranës.

Kryebashkiaku Veliaj siguroi për një fushatë dinjitoze dhe premtoi zbatimin e projekteve të nisura edhe në zona të tjera të kryeqytetit në mandatin e dytë. “Jemi mobilizuar për një fushatë qytetare, dinjitoze dhe duam që ato eksperimente që bëmë në mandatin e parë, t’i zbatojmë masivisht edhe në cepa të tjerë të Tiranës, në mandatin e dytë”, theksoi ai.

Gjatë vizitës, kryebashkiaku Veliaj u prit në një takim edhe nga kryetarja e Bashkisë së Oslos, Marianne Borgen, me të cilën bisedoi rreth projekteve në infrastrukturë, transport dhe çështjeve mjedisore. Në shenjë mirënjohje, Veliaj i dorëzoi homologes Marianne Borgen edhe “Kullën e Sahatit”.

Veliaj shprehu bindjen se ky bashkëpunim i nisur mes dy qyteteve do të shtohet në katër vitet e ardhshme. “Jam i bindur që me bashkëpunimin që nisëm me kryetaren e Bashkisë së Oslos, do të kemi më shumë partneritete, ku do të mësojmë nga më të mirët. Vërtet Norvegjia është një nga vendet më të pasura në botë, por ama shumë ndryshime janë identike si të Tiranës, heqja e makinave nga qendra e qytetit dhe kthimi i njerëzve në qendër të qytetit. Mezi pres që në mandatin tjetër, jo vetëm të bashkëpunojmë me më shumë qytete si Oslo, por ta ngremë akoma më lart emrin e Tiranës”, tha ai.

Tirana në agoni, Kastrioti shpreson ende!

Tirana nuk ka shkuar më shumë se barazimi 0-0 me Kastriotin, në takimin që u quajt ndryshe dhe si “derbi mbijetesës”. Ky barazim nuk vlen asgjë më shumë se u zgjat mundimin të dyja ekipet, që tashmë do të luajnë dy finale, të cilat do të vendosin fatet e sezonit.

Me një stadium në heshtje, pasi klubi bardheblu nuk pranoi të shlyente dënimin duke e paguar në formë gjobe, ndeshja ka qenë e karakterit fizik, ku gjyqtarit maqedonas i është dashur të ndalojë shumë herë lojën.

Në pjesën e parë Tirana u mundua të shkonte te porta kundërshtare, por ishin krutanët ata që shfaqën më shumë rrezik në portën e Ilion Likës. Ky i fundit ka bërë heroin disa herë për Tiranën si gjatë fraksionit të parë dhe atij të dytë ndeshjes.

Pas pushimit ekipi i Bledar Devollit ka pasur rastet më të mira për shënim, por me Turtullin në qendër të mbrojtjes dhe Likën të vëmendshëm, krutanët nuk i dolën të ndëshkonin kryeqytetasit. Pas barazimit të sotëm Tirana shkon në kuotën e 41 pikëve, dy më shumë se Kastrioti.

Derbi i mbijetesës për Tiranën luhet pa tifozë, Fanatics: A ka më turp?!

Tirana do të përballet me Kastriotin në ndeshjen e radhës ditën e shtunë, e cila do të jetë një ndeshje derbi për të dyja skuadrat, që i ndajnë mes tyre dy pikë nga lufta për mbijetesë.

Kjo sfidë është tepër delikate për të dyja ekipet, për vetë pozitat në renditje. Megjithatë, përfshi ngarkesën e tepërt psikologjike dhe presionit, të dyja skuadrat, por më shumë Tirana, do të kenë një minus të madh në këtë ndeshje.

Stadiumi “Selman Stërmasi” është i dënuar dhe ndeshja do të luhet me dyer të mbyllura. Tirana kishte mundësi që dënimin e dhënë nga Komisioni i Disiplinës ta paguante si detyrim financiar, dhe për rrjedhojë në stadium të ketë prani tifozësh, që do të ishin lojtari i 12-të për këtë ndeshje.

Ky vendim i klubit nuk është pritur mirë nga tifozët ultras të Tiranës. “Fanatics” ka reaguar me një status në Facebook, duke e cilësuar si “turp” vendimin e klubit për ta zhvilluar ndeshjen me “silenciator”.

“Ai që e rrëzoi dhe po e rrëzon prap Tironën, vendos që stadiumi nesër ndaj Kastriotit te jetë bosh! Ata që e rrëzuan Tironën dhe po e rrëzojnë prap, qënkan “më rehat” dhe “pa presion”, pa praninë e tifozëve! A KA MË TURP SE KTA!? KTA NUK JAN TIRONA! IKNI NGA TIRONA!”, shkruajnë ultrasit bardheblu.

Veliaj: Durim, do ndërhyjmë për çdo rrugicë

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj publikon foto të ndërhyrjes së bashkisë në rregullimin e rrugëve dhe rrugicave të kryeqytetit. Veliaj tha se bashkia i njeh të gjitha zonat problematike dhe shumë shpejt do rregullohen.

“Unë e di ekzaktësisht çfarë rrugësh kanë ende nevojë për ndërhyrje në Tiranë. Ashtu si çdo muaj, edhe këtë herë ekipi ndërhyri në : Kashar, rruga e Kavajës, rruga Bardhyl, rruga Dervish Hatixheja, rruga Pjetër Budi, rruga Vangjush Furrxhi, rruga Viena në Sauk dhe rruga e Durrësit. Ndaj pak durim e besim, sepse do ndërhyjmë për çdo problematikë në të gjitha rrugët e rrugicat e Tiranës.” – shkruan Veliaj

Veliaj është zgjedhur kandidat nga PS për të marrë një mandat të dytë për kreun e Bashkisë Tiranë.

Partizani Kampion i Shqipërisë, Çinari shkruan historinë në derbi (video)

Në “Selman Stërmasi”, këtë të diel u luajt akti i katërt dhe i fundit i derbit mes Partizanit dhe Tiranës për këtë sezon, me spektatorin që nuk ka zhgënjyer as në këtë përballje, pasi i shtuan dhe më tepër bukurinë fitores 2-1 të Partizanit në këtë sfidë.

Emocioni dhe spektakli nuk kanë munguar për asnjë çast, me 22 “aktorët” që kanë bërë gjithçka për të triumfuar, por në fund Partizani ja doli të fitonte me Çinarin që shënoi dy gola historik, që praktikisht janë golat e fitores së titullit kampion. Ky i fundit mungonte në shtëpinë e kuqe prej 26 vjetësh.

Në krahun tjetër, bardheblutë, dolën të thyer e shumë të dëshpëruar nga kjo sfidë, pasi kjo humbje i rikthen makthin e rënies nga kategoria, pasi Kastrioti fitoi ndaj Flamurtarit dhe është vetëm dy pikë larg bardhebluve.

Pjesa e parë ëahtë mbyllur në barazim 1-1, me të kuqtë që dominuan gjatë 45′ dhe krijuan më shumë raste shënimi. Pjesa e parë la pasur shumë ndërprerje të lojës për shkak të faulleve të shumta. Kjo ka bërë që në disa raste të shfaqet tension në fushë, teksa nga tribunar ka pasur kore fyese ndaj arbitrit të ndeshjes, Kridens Meta.

Megjithatë, me kalimin e minutave, të besuarit e Gegës kanë rritur presingun ndaj kundërshtarit duke u afruar më shumë në portën e Tiranës.

Pas 30-të minutash lojë ka ardhur dhe shpërblimi për të kuqtë, me Çinarin që ka realizuar një gol të bukur nga jashtë zone. Kështu Partizani kalon në avantazh, teksa trajneri Gega dhe tifozët janë të papërmbajtshëm në festën e tyre.

Por festa në kampin e kuq nuk ka zgjatur shumë, pasi pak minuta nga fundi i pjesës së parë, Greca ka vendosur barazpeshën me një gjuajtje nga brenda zonës, duke i kaluar topin mbi kokë portierit Alban Hoxha.

Pjesa e dytë ka nisur me të njëjtin ritëm si e para, teksa në 20-të minutat e para të fraksionit të dytë loja ka qenë e ashpër dhe me ndërhyrje të rrezikshme.

Këmbëngulja e Partizanit dhe dëshira për të festuar titullin kampion në derbi, u shpërblye përsëri. Një aksion i bukur nga krahët me topin që hidhet në zonë aty ku vjen Çinari me shpejtësi dhe gjuan direkt, duke përfituar nga gafa e daljes para kohe të portierit Abibi. 2-1 dhe në stadiun shpërthen festa, ndërsa Tirana zhytet në dëshpërim.

Skip to toolbar