Ankaraja paralajmëroi se sanksionet amerikane
do të vinin në rrezik të madh vazhdimin e përdorimit nga SHBA-ja, të bazave
ajrore ushtarake që ndodhen në territorin turk. Ky zhvillim vjen në një kohë
kur Uashingtoni po shqyrton mundësinë e vendosjes së sanksioneve ndaj Turqisë,
për shkak të blerjes nga kjo e fundit, të sistemeve raketore ruse.
Përdorimi i bazës ajrore Inçirlik shihet si jo
vetëm me rëndësi jetike ushtarake, por nënvizon marrëdhëniet strategjike mes dy
aleatëve të NATO-s.
“Aktualisht po përpilojmë masat e
kundërpërgjigjes, që lidhen qoftë me bazën e Inçirlikut, apo atë të Kureçikut
(baza amerikane të radarëve në Turqi) si dhe çështje të tjera”, tha
ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu në Uashington këtë javë, në atë që shihet
si përshkallëzimi më i fundit në tensionet mes dy vendeve.
“Nëse Amerika bën hapa shumë negative
ndaj nesh, nëse do të ketë sanksione apo hapa të mëtejshëm, do të kemi një
përgjigje ndaj saj”, shtoi ai.
Sipas njoftimeve muajin e kaluar, presidenti
turk Rexhep Tajip Erdogan bëri një kërcënim të ngjashëm lidhur me përdorimin e
bazës së Inçirlikut, gjatë takimit të tij me Presidentin Donald Trump në
periferi të takimit të grupit të G 20-s që u mbajt në Osaka të Japonisë.
Blerja nga Turqia e sistemeve ruse të mbrotjes
raketore S-400 shkel atë që njihet si Akti mbi Përgjigjen ndaj Kundërshtarëve
të Amerikës Përmes Sanksioneve (CAATSA), që ndalon blerjet e mëdha të pajisjeve
ushtarake ruse.
Sipas CAATSA-s, Ankaraja mund të përballet me
sanksione të forta ekonomike.
Blerja e sistemeve S-400 solli si rezultat
përjashtimin e Turqisë nga programi për blerjen e avionëve amerikanë F-35.
Zyrtarët amerikanë besojnë se vendimi i Turqisë për të përdorur teknologjinë
ruse me radare të avancuar, mund të kompromentojë sistemet ushtarake të NATO-s.
F-35 është avioni më i ri luftarak i NATO-s me teknologji të avancuar.
Analistët thonë se Ankaraja e ka parë
gjithmonë përdorimin e bazës së Inçirlikut nga SHBA-ja, si një levë të
rëndësishme për ta përdorur në kohë tensionesh mes dy palëve. Gjatë kohës së
Luftës së Ftohtë, baza e madhe ajrore e vendosur pranë kufirit sirian ka qenë
jetike për interesat strategjike të SHBA-së. Sipas agjencive mbikëqyrësve
bërthamore, në bazën e Inçirlikut ndodhet 50 armë bërthamore.
Forcat amerikane vazhdojnë ta përdorin
Inçirlikun në përpjekjet kundër grupit terrorist të Shtetit Islamik, si në Irak
ashtu edhe në Siri. Ajo gjithashtu përdoret si një qendër e rëndësishme
logjistike. Por analistët thonë se rëndësia e Inçirlikut shtrihet përtej
interesave ushtarake./VOA/