VOA: Priten dorëheqje të tjera nga bashkia e Shkodrës, pikëpyetje për të detyrën e Voltanës

Situata e paqartë e ditëve të fundit në drejtimin e Bashkisë së Shkodrës po shoqërohet nga dorëheqjet e zyrtarëve të kësaj bashkie. I pari që dha dorëheqjen është Sekretari i Këshillit të Bashkisë, Suel Hadri. Në njoftimin e dorëheqjes ai bën të ditur se e bën këtë “për arsye personale”. Por besohet se dorëheqja e tij lidhet me konstituimin e Këshillit të ri Bashkiak, i cili zhvilloi mbledhjen e tij të parë ditën e hënë, me datë 19 gusht, në një situatë të tensionuar kur, para mjediseve ku po zhvillohej takimi, mbështetës të Partisë Demokratike protestuan duke tentuar disa herë të çajnë kordonin e policisë për t’u futur brenda në sallë.

Dorëheqja e zotit Hadri pritet të shoqërohet edhe nga të tjera dorëheqje të zyrtarëve të tjerë, gjë që lidhet me situatën e ditëve të fundit në këtë bashki.

Pas kostituimit të Këshillit Bashkiak, Prefekti i Qarkut te Shkodrës Çesk Millja i ka dërguar Presidentit të Republikës, zotit Ilir Meta, një shkresë zyrtare përmes të cilës e informon mbi konstituimin e Këshillit të ri të Bashkisë Shkodër. Gjithashtu, Prefekti Millja njofton Presidentin për vakancën e krijuar në Bashkinë Shkodër pas dorëheqjes së kryetarit të zgjedhur të bashkisë.

Presidenti Meta e ka bërë të qartë se nuk do të dekretoje zgjedhje të pjesëshme dhe se kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi, do të ushtrojë detyrën e saj deri në zgjedhjet vendore të 13 tetorit, datë për të cilën nuk janë dakortësuar forcat kryesore politikë në vend.

Në këto kushte, vetë Voltana Ademi është shprehur se do të qendrojë në detyrën e kryetares së Bashkisë Shkodër “për një periudhë tranzitore”, deri në zgjedhjet e reja vendore, të cilat ajo shpreson të zhvillohen bashkë me zgjedhjet parlamentare dhe se nuk i njeh zgjedhjet e 30 qershorit, të zhvilluara pa opozitën.

Ushtimi i kësaj detyre në ditët e ardhshme pritet të jetë mjaft i vështirë dhe me pikëpyetje. Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Dega e Thesarit, ja kanë hequr zonjës Ademi të drejtën e firmës, duke njoftuar përfundimin e mandatit të saj me datën 20 gusht. Tashmë, faturat e Bashkisë së Shkodrës firmosen nga njëri prej nënkryetarëve të bashkisë.

Ndërkohë, është paralajmëruar për javën e ardhshme mbledhja e Këshillit Bashkiak, e cila ka gjasa të autorizojë një prej nënkryetarëve të kësaj bashkie të kryej funksionin e titullarit deri në zgjedhjen e kryebashkiakut të ri.

Situata në Bashkinë e Shkodrës mori një zhvillim të papritur më 13 gusht, kur Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, paraqiti para mediave disa dokumente të ardhura nga Italia, që dëshmonin se kryebashkiaku i sapo zgjedhur i Shkodrës, Valdrin Pjetri, ishte dënuar në vitin 2003 nga gjykata italiane për trafik të lëndeve narkotike dhe se ishte dëbuar nga Italia për një periudhë 10 vjeçare. Zoti Pjetri, i cili fillimisht i mohoi akuzat, me 15 gusht dha dorëheqjen nga marrja e mandatit të kryetarit të Bashkisë Shkodër, duke ia paraqitur dorëheqjen Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Këshillit të ri Bashkiak të Shkodrës.

Bashkia e Shkodrës është një nga bastionet e Partisë Demokratike. Ajo është drejtuar nga demokratët që nga viti 1992, me përjashtim të vitit 1996 kur drejtimin e kësaj bashkie e fitoi një formacion i ri politik, me shtrirje lokale, “E Djathta e Bashkuar Shkodrane”./VOA/

Voltana Ademi i ankohet qeverisë: Jam e ligjshme, më jepni lekë se do punoj

Me anë të një letre, dërguar Ministres së Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj dhe përfaqësive diplomatike në vendin tonë, Voltana Ademi, kryebashkiakja në detyrë e Shkodrës, ankohet se Dega e Thesarit në qytetin veriperëndimor ka bllokuar punën e bashkisë. Sipas letrës së Voltana Ademit, mësohet se Dega e Thesarit nuk ka pranuar të paguajë faturat e shërbimeve të Bashkisë Shkodër. Sipas Voltana Ademit, ky veprim i Degës së Thesarit është i paligjshëm. “Me këto veprime të jashtëligjshme nuk po bllokoni kryetaren e bashkisë Shkodër, por qytetarët dhe shërbimet ndaj tyre.

ju keni bllokuar sot rikonstruksionin e rrugës Oblikë-Velinaj-alimetaj, shërbimin e gjelbërimit, shërbimin e varrezave, shërbimet për mbirëmbajtjen e stadiumit “Loro Boriçi”, e të tjera punë në proces”, shkruan ndër të tjera Voltana Ademi. Më tej, në letër ajo citon dhe përgjigjen që i ka kthyer në rrugë elektronike Dega e Thesarit në Shkodër, që i sqaron se mandati i saj (Voltana Ademit), përfundon këtë 20 gusht në orën 16:30.

“Sipas ligjit, Kryetares së Bashkisë i mbaron mandati më datë 20.08.2019, ora 16:30 sipas orarit zyrtar”, thuhet në emailin e dërguar nga Dega e Thesarit në drejtim të Bashkisë Shkodër. Ndërkohë, po në këtë email, Dega e Thesarit, i sqaron kryebashkiakes së Shkodrës, se në ‘vijim do të jetë këshilli bashkiak që do të zgjidhë problemin’.

Në fakt, Realstory.al lajmëroi të hënën, se ndonëse Voltana Ademi do të jetë në krye të bashkisë deri në zgjedhjet e ardhshme, sipas ligjit për Pushtetin Vendor, mandati i saj në këtë periudhë tranzitore do të jetë i kufizuar për shkak të fuqive ligjore që ka këshilli bashkiak në marrjen e shumë vendimeve (lexo këtu shkrimin)

Ndërkohë, në letrën drejtuar Ministres së  Financave dhe ambasadorëve, Voltana Ademi shkruan në fund se për këtë veprim do të vihet në dijeni Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonel në Këshillin e Europës, ndërsa kërkon që Drejtoria e Thesarit në Shkodër të tërhiqet nga ky veprim.

Këshilli bashkiak i kufizon pushtetin, Voltana Ademi ‘zbaton vendimet’ e tij

Të hënën paradite u bë konstituimi i këshillit bashkiak të Shkodrës, dalë prej zgjedhjeve të 30 qershorit. Në mbledhjen, që u shoqërua me protesta, mungoi Valdrin Pjetri, i cili nuk u paraqit të bënte betimin si kryetar i bashkisë së Shkodrës, pasi më herët lajmëroi se ‘nuk do të merrte mandatin’. Në këto kushte, Voltana Ademi do të vijojë të jetë kryetare e bashkisë së Shkodrës, deri në zgjedhjet e ardhshme për kryebashkiak, që me gjasa do të mbahen së shpejti, duke përdorur nenin 161 të Kodit Zgjedhor, që parashikon një dispozitë ligjore për nxjerrjen të pavlefshme të zgjedhjeve (lexo shkrimin në Realstory.al).

Megjithatë, edhe pse një situatë konfuze sa i përket mbajtjes së zgjedhjeve, Voltana Ademi do ta ketë të vështirë të drejtojë Shkodrën në kushte normale. Pasi, sipas ligjit për Pushtetin Vendor, këshilli bashkiak është një institucion i rëndësishëm vendimarrës për çështje të rëndësishme. Konkretisht, sipas Nenit 54 të ligjit për Pushtetin Vendor, përcaktohen qartë kompetencat që ka Këshilli bashkiak.

Veç faktit që miraton rregulloren e brendshme të komisioneve të ndryshme të këshillit, emëron zëvendëskryetarin apo sekretarin  e tij, Këshilli bashkiak miraton nivelin e pagave apo shpërblimet për punonjësit e bashkisë. Miraton aktet e themelimit të ndërmarrjeve, shoqërive tregtare, si dhe të personave të tjerë juridikë që krijon vetë ose me të cilët është bashkëthemelues.

Miraton buxhetin dhe ndryshimet e tij. Në vendimin për miratimin e buxhetit miraton, gjithashtu, edhe numrin e maksimal të punonjësve të bashkisë, si dhe të njësive e institucioneve buxhetore në varësi të bashkisë. Miraton tjetërsimin ose dhënien në përdorim të pronave të tretëve; organizon dhe mbikëqyr kontrollin e brendshëm të bashkisë; vendos për taksat e tarifat vendore, sipas këtij ligji dhe legjislacionit tjetër në fuqi.

Vendos për marrjen e kredive dhe shlyerjen e detyrimeve ndaj të tretëve; vendos për krijimin e institucioneve të përbashkëta me njësi të tjera të vetëqeverisjes vendore, përfshirë subjektin e kompetencave të përbashkëta ose me persona të tretë; vendos për fillimin e procedurave gjyqësore për çështje të kompetencës së vet; zgjedh përfaqësuesit e këshillit bashkiak në këshillin e qarkut, të cilët, në jo më pak se 50 për qind të tyre, duhet t’i përkasin gjinisë më pak të përfaqësuar; vendos për dhënien ose deklarimin e mbarimit të mandatit të këshilltarit, kur ekzistojnë kushtet e parashikuara në nenin 49 të këtij ligji, etj.

Pra duke u nisur nga këto kompetenca, Këshilli bashkiak është një parlament i rëndësishëm lokal, që do të ketë në dorë çdo vendimmarrje për qytetarët e Shkodrës, duke anashkaluar edhe kryetaren e bashkisë. Madje, Këshilli bashkiak do të mund të mbikëqyr punën e bashkisë dhe të Voltana Ademit, deri në zgjedhjen e kryetarit të ri. Në këto kushte, Voltana Ademi do të ketë pushtet të kufizuar, e cila gjithashtu, sipas Nenit 64 të ligjit për Pushtetin Vendor, sipas pikës ‘b’ të këtij neni, ka detyrën për të ‘zbatuar aktet e këshillit bashkiak’. Do të jetë parlamenti i ri lokal që do të qeverisë Shkodrën, duke e detyruar Voltana Ademin të zbatojë vendimet e tij.

Voltana nuk tërhiqet: Për Shkodrën vendos Kushtetuesja

“Unë jam kryetarja e Bashkisë së Shkodrës dhe dita e hënë është një ditë e zakonshme pune për mua dhe administratën e Bashkisë Shkodër”, kështu është shprehur kryebashkiakja me mandat të përfunduar në Shkodër, Voltana Ademi, në një intervistë dhënë gazetës Panorama.

Megjithëse të hënën konstituohet këshilli i ri bashkiak i Shkodrës, Ademi thotë se kjo mbledhje është e jashtëligjshme pasi thirret jashtë afateve ligjore.

“Mbledhja e thirrur nga prefekti i Shkodrës është qartësisht antiligjore. Ajo është thirrur jashtë afateve që përcakton ligji 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”. Neni 48 i këtij ligji e përcakton qartë se Këshilli e zhvillon mbledhjen e tij jo më vonë se 20 ditë nga data e shpalljes së rezultatit nga organi kompetent. Mbledhja thirret jo më vonë se 20 ditë nga sekretari i Këshillit dhe në mungesë të tij, nga prefekti, afat i cili ka përfunduar në datën 16 gusht 2019. Siç dihet botërisht, KQZja nuk kishte kuorum për shpërndarjen e mandateve të Këshillave Bashkiakë. PS-ja e ankimoi në Kolegjin Zgjedhor, dhe ky i fundit në datën 26 korrik përfundoi të ashtuquajturin proces dhe mori përsipër shpërndarjen e mandateve për të gjithë këshillat në të gjithë bashkitë e vendit. Me një përllogaritje të thjeshtë, nga data 26 korrik deri me 19 gusht, janë më shumë se 20 ditë. Pra, mbledhja e ditës së hënë, datë 19 gusht 2019, është thirrur nga prefekti përtej afateve, në shkelje të ligjit. Duke iu kthyer shpërndarjes së mandateve të këshillave nga Kolegji Zgjedhor, ka një histori tjetër paligjshmërie. Është shkelje flagrante e Kushtetutës dhe e Kodit Zgjedhor. Në asnjë ligj dhe në asnjë nen, Kolegjit Zgjedhor nuk i jepet e drejta të shpërndajë mandatet për të zgjedhurit për organet e pushtetit vendor. Por nuk po zgjatem, sepse siç e kam paralajmëruar, kjo do të jetë një tjetër çështje që do të shqyrtojë Gjykata Kushtetuese”, është shprehur Ademi e cila vijon të mbrojë zyrën, ndryshe nga sa bënë kryebashkiakët e tjerë të djathtë.

Ajo shprehet se do të vijojë të punojë deri në zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, për të cilat thotë se do të bëhen shumë shpejt.

Rasti i Dibrës dhe hapësira ligjore, ja si PS mund ta largojë Voltana Ademin

Pavarësisht dorëheqjes së Valdrin Pjetrit nga marrja e detyrës së kryetarit të ri të Bashkisë Shkodër, Partia Socialiste ka vendosur që në datën 19 gusht të bëhet konstituimi i këshillit të ri bashkiak. Sipas ligjit “Për pushtetin vendor”, në nenin 61, për “Përfundimin para kohe të mandatit të kryetarit të bashkisë”, në pikën 1/a thuhet se “mandati i kryetarit të bashkisë përfundon para afatit në rast kur kryetari, nuk pranon të bëjë betimin”. Më pas, në pikën 2 të këtij neni, përcaktohet dhe procedura që ndiqet në rastet e dorëheqjes.

“Kryetari i bashkisë në rastet e dorëheqjes e depoziton atë pranë këshillit bashkiak përaktës. Sekretari i këshillit, për ndjekjen e procedurave të nevojshme, njofton prefektin për dorëheqjen e kryetarit”, thuhet në pikën 2 të nenit 61. Në këto kushte, duket se mazhoranca nuk do të lejojë që procedurat e dorëheqjes së Valdrin Pjetrit t`i ndjekë sekretari i mëparshëm i këshillit bashkiak të Shkodrës, por përmes konstituimit të këshillit të ri, këtë detyrë do ta bëjë sekretari i ri i këshillit bashkiak.

Por në këtë pikë, mazhoranca ka dhe arsye të tjera pse duhet të bëjë konstituimin e këshillit bashkiak. Në kushtet kur Valdrin Pjetri nuk do të jetë më kryetar bashkie, mazhoranca, duke shfrytëzuar nenin 61 të ligjit të pushtetit lokal, duket se do të përdor një plan “B” për të drejtuar Shkodrën, duke mos e lënë qytetin verior në dorë të Voltana Ademit, mandati i së cilës përfundon në datën 20 gusht. Konkretisht, në nenin 4, shkruhet se “Në rastet e përfundimit të parakohshëm të mandatit, organizohen zgjedhjet e pjesshme për kryetarin e bashkisë, në përputhje me dispozitat e Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë”.

Por, duke marrë parasysh faktin që Ilir Meta mund të mos dekretojë një datë të re për zgjedhjet në Shkodër, dhe në kushtet kur 13 tetori nuk njihet nga qeveria si datë për zgjedhjet lokale (pasi e ka rrëzuar Kolegji Zgjedhor), mazhorancës i vjen në ndihmë pika 5 e nenit 61 të ligjit “Për pushtetin vendor”. Konkretisht, në këtë pikë thuhet: “Me përfundimin para kohe të mandatit të kryetarit të bashkisë, sipas këtij neni, deri në zgjedhjen e kryetarit të ri, funksionet e tij i kryen zëvendëskryetari i bashkisë.

Në rastet kur ka më shumë se një zëvendëskryetar bashkie, këshilli përkatës, me shumicën e votave të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të tij, cakton një nga zëvendëskryetarët të kryejë funksionet e kryetarit deri në zgjedhjen e kryetarit të ri”. Pra, kjo pikë mund t`i japë zgjidhje situatës në Shkodër, në mënyrë që mazhoranca të ketë kontrollin e bashkisë. Por fillimisht, do të duhet të sqarohet pika 4 e nenit 60, po në këtë ligj, ku shkruhet se “Ushtrimi i mandatit të kryetarit të bashkisë fillon në çastin kur bën betimin dhe përfundon kur bën betimin kryetari pasardhës”.

Sipas këtij përcaktimi ligjor, kryetarit të bashkisë i mbaron mandati kur bën betimin i riu. Në këto kushte, mund të ekzistojë edhe një tjetër skenar, pavarësisht dorëheqjes pa e bërë betimin, Valdrin Pjetri mund të betohet më 19 gusht sa për të bërë të pavlefshëm mandatin e Voltana Ademit, dhe më pas të deklarojë dorëheqjen zyrtare para këshillit të ri bashkiak, por duke emëruar një zëvendës kryetar. Në këto kushte zgjidhet një zëvendës kryetar, që merr drejtimin e Bashkisë Shkodër, deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Drejtimi i bashkisë nga zëvendëskryetari nuk është një rast i panjohur në vendin tonë. Në 21 maj të vitit 2016, këshilli bashkiak i Bashkisë Dibër, vendosi të emëronte zëvendës kryetarin e bashkisë, Et’hem Fida si drejtues të Bashkisë, pas largimit të Shukri Xhelilit, që iu publikua një videoskandal. Fida e drejtoi bashkinë e Dibrës deri në momentin që u mbajtën zgjedhjet e reja, data e të cilave u përcaktua pas vendimit të formës së prerë nga gjykata. Megjithatë, rasti Pjetri dhe Shkodra janë në kushte të tjera, por në thelb është i njëjtë. Tashmë mbetet për t`u parë se çfarë do të ndodhë të hënën më 19 gusht, nëse do të jetë ky skenari, apo mazhoranca ka menduar diçka tjetër./Realstory.al/.

Valdrin Pjetri drejtor që në kohën e Berishës, PD u kujtua tani (për të shpëtuar Voltanën)

Të martën Partia Demokratike publikoi disa dokumente, që sipas Selisë Blu, tregojnë se Valdrin Pjetri ka qenë i dënuar në Itali. Kryebashkiaku i ri i Shkodrës, zgjedhur nga radhët e Partisë Socialiste në 30 qershor, i ka mohuar akuzat. Për rastin në fjalë ka reaguar dhe Kryeministri Edi Rama, i cili është distancuar duke u shprehur se “Valdrin Pjetri dhe PS i kanë rrugët e ndara derisa të zbulohet e vërteta”.

Por, megjithëse PD i publikoi vetëm këtë 13 gusht dokumentet që akuzojnë Valdrin Pjetrin se ka fshehur të dhënat për të shkuarën e tij, Selia Blu nuk e njeh sot kryebashkiakun e ri të Shkodrës. Valdrin Pjetri është bërë pjesë e politikës në vitin 2010, kohë kur në qeveri ishte PD e drejtuar nga Berisha.

Sipas jetëshkrimit të tij, publikuar në faqen zyrtare të Agjencisë së Regjistrimit të Pronave, mësohet se Pjetri në vitin 2010 mori detyrën e Administratorit të Agjencisë së Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (ligji Anti Mafia dhe Financim Terrorizmi). Këtë fakt e citonte dhe Zëri i Amerikës në një shkrim të publikuar gjatë pasdites të së martës.

Çështja Pjetri, a duhet të kandidojë më PS një emër nese zgjedhjet përsëriten?

Më pas, në vitin 2014-2015, Valdrin Pjetri ka mbajtur detyrën e Drejtorit të Drejtorisë së Pronave në Ministrinë e Mbrojtjes. 2014-2017, Kryetar i Komisionit të Demontimit të Municioneve në Ministrinë e Mbrojtjes. 2015-2018 ka qenë Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimeve Mbështetëse në Minitrinë e Mbrojtjes. Janar 2018 – maj 2018 Regjistrues në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë.

Pra, Valdrin Pjetri nuk është rastësisht në politikë, madje ai ka mbajtur poste të larta drejtuese, si në administratën e qeverisë Berisha dhe të Ramës. Por publikimi i dokumenteve për dënimin e tij nga PD, vijnë në një moment kur Selia Blu është futur dhe më thellë në krizën që krijoi vetë, duke refuzuar çdo mundësi dialogu me qeverinë, dhe humbur çdo pushtet pas zgjedhjeve të 30 qershorit.

PD duket i “shpëtoi” përkohësisht zyrën Voltana Ademit në Shkodër, pasi është shtyrë konstituimi i këshillit bashkiak deri në zbardhjen zyrtare të vërtetës për Valdrin Pjetrin. Por njëkohësisht, në media, lëvizja e PD po shihet edhe si një mundësi për zgjidhjen e krizës, duke përsëritur zgjedhjet në Shkodër dhe jo vetëm.

PD e Shkodrës, letër SHBA dhe BE: Të rrijë dhe pak Voltana

Bashkia Shkodër, bastioni i fundit i PD-së, pritet të “rrëzohet” shumë shpejt me betimin e kryebashkiakut të ri, Valdrin Pjetri. Këtë e ka kuptuar edhe Voltana Ademi, e cila paraditen e së enjtes paralajmëroi kapitulimin, duke iu drejtuar mbështetësve të vet se tashmë e vetmja rrugë kanë mbetur gjykatat. Ndërsa disa orë më vonë qëndrimin tërheqës e ka konfirmuar edhe dega e Partisë Demokratike në Shkodër, e cila ka nisur një letër duke “përdorur” qytetarët e saj, që i drejtohet për ndihmë ndërkombëtarëve me një gjuhë thuajse lutëse që të mbajnë edhe pak Voltanën në krye të bashkisë. Konkretisht, PD Shkodër ka kërkuar që kryetari i zgjedhur i Bashkisë Shkodër, Valdrin Pjetri mos të betohet derisa të vijë një përgjigje për akuzat që vetë PD ka ngritur ndaj tij, ku pretendon se ai është ndaluar nga policia italiane në vitet 2001-2002.

Në një letër pa firmë dhe vulë, që PD e Shkodër ka shpërndarë për mediat, ka deklaruar se qytetarët shkodranë u kanë kërkuar ambasadorëve të SHBA dhe BE të “ushtrojnë presion te Rama për të mos konstituuar këshillin e ri bashkiak, deri sa Italia të kthejë përgjigje”.

 “Kërkojmë prej jush të ushtroni presion si mjeti i vetëm që funksionon mbi qeverinë e Edi Ramës, që një njeri i akuzuar për shkelje të rëndë të ligjit, i akuzuar për precedent kriminal, të mos kostituohet si kryetar i Bashkisë së Shkodrës me datë 15 gusht, kjo, derisa shteti italian të përgjigjet zyrtarisht për akuzat ndaj zotit Valdrin Pjetri! Kështu ndihmojmë edhe vetë zotin Pjetri sot, për të mos e shpallur “non grata” në Bashkinë e Shkodrës nesër.”- shkruhet në letër

Në fakt në gjuhën e përdorur “nga qytetarët” në letër duket se dhe ato janë “infektuar” nga fjalori i kryedemokratit Basha dhe Voltana Ademit, të cilët gjithashtu flasin për 6 % e qytetarëve që votuan dhe se sa të turpshme ishin zgjedhjet e 30 qershorit, zgjedhje që në fakt u njohën me ligj nga Kolegji Zgjedhor dhe nga i gjithë faktori ndërkombëtar.

E vetmja shpresë sot për shqiptarët e cfilitur, të vjedhur, të mashtruar, mbeten SHBA-të, dhe Europa demokratike! Me 30 qershor në Shkodër nuk pati zgjedhje por votime nga më të turpshmet e të paimagjinueshmet! Megjithatë kaq e madhe ishte diferenca ndërmjet vullnetit qytetar dhe rezultatit, saqë kandidati monist mori vetëm 6% të votave të njerëzve të administratës, te të joshurëve dhe të kërcënuarve!”.- thuhet në letër

Voltana duket se i ka ulur kryet dhe e ka kuptuar se nuk mund të mbajë dot me dhunë zyrën e bashkisë, në një kohë kur edhe ligji edhe gjykatat e vendit kanë folur në favor të 30 qershorit, që konsiderohen nul nga opozita jashtëparlamentare. Në mungesë të mbështetjes së Bashës, por dhe figurave të Partisë Demokratike për të mbajtur bashkisë, siç u pa në rastin e Kamzës, duket se Voltana i ka kthyer shpresat e saj nga “lutjet” e vetë shkodranëve.

Voltana nuk lëshon bashkinë, ambasadori i OSBE i shkon në zyrë

Ambasadori i OSBE, Bernd Borchardt ka zhvilluar një takim me kryebashkiaken në ikje të Shkodrës Voltana Ademi. Takimi mes tyre ka zgjatur dy orë dhe një nga çështjet kryesore që është diskutuar ka qenë pikërisht lirimi i zyrës nga ana e Ademit.

Në një kohë kur Bashkitë e tjera të vendit po konstituohen, Ademi ka bërë rezistencë të hapur, duke thënë se nuk do ta lirojë zyrën, madje ajo ka kërkuar një komision ndërkombëtar si në vitin 1913 për të drejtuar Shkodrën.

Në përfundim të takimit, Borchardt ka bërë një prononcim të shkurtër për mediat, duke thënë se është diskutuar për zgjedhjet e 30 qershorit dhe situatën politike në vend.

Ndërsa Ademi, ka publikuar foto nga takimi me ambasadorin e Prezencës së OSBE-së në Tiranë z. Bernd Borchardt dhe ka bërë publike temat e diskutuara pa prekur çështjen e lirimit të zyrës.

“Gjatë takimit që zgjati rreth 2 orë, janë diskutuar tema të aktualitetit politik në vend, problematikat e gjetjet e raportit paraprak te OSBE/ODIHR për procesin e 30 qershorit, kerkesa e paraqitur ne Gjykatë Kushtetuese nga Shoqata e Bashkive të Shqipërisë si dhe për situatën që ka pasuar votimin e 30 qershorit.

Në kuadër të projektit të bashkëpunimit, Prezenca e OSBE-së në Tiranë, ka përzgjedhur Bashkinë e Shkodrës ndër 61 bashkitë në vend për për një projekt të ri për mbështetjen e qëndrueshmërisë të administratës publike, Kryebashkiakja Ademi shprehu gatishmërinë personale dhe të administratës së Bashkisë se Shkodres për të qenë pjesë e këtij projekti me një rëndësi të veçantë, jo vetëm për administratën por edhe zhvillimin e qytetit të Shkodrës”, shkruan Ademi në facebook.

Kryebashkiakia e Shkodrës, Voltana Ademi si para zgjedhjeve të 30 qershorit ashtu edhe pas tyre tregoi se ishte demokratja më e zjarrtë në krah të Bashës që përdori çdo mjet, përfshi këtu dhe molotovin vetëm e vetëm që të pengonte zhvillimin e zgjedhjeve. Ndërsa pas 30 qershorit ajo ndërmori disa hapa, si depozitimi i kërkesë padisë në gjykatë për mos njohjen e zgjedhjeve dhe deri te kërkesa drejtuar ambasadorëve ndërkombëtarë që të ngrenë një komision ndërkombëtar për drejtimin e Shkodrës të ngjashëm me atë të vitit 1913. Kërkesë kjo që u cilësua si qesharake dhe e pavend në situatën aktuale të Shqipërisë dhe nuk u mor seriozisht nga ambasadorët e huaj.

Pavarësisht të gjithave gjykata njohu zgjedhjet në Shkodër dhe ia dha mandatin Valdrin Pjetrit, kandidatit socialist që fitoi në 30 qershor dhe Voltanës tani i duhet të lirojë zyrën.

Kryebashkiakët e PD rrezikojnë një vit burg nëse nuk lirojnë zyrën

‘Vazhdimi i ushtrimit të funksionit shtetëror apo të shërbimit publik nga ana e personit që është vënë në dijeni të vendimit apo rrethanës që u ka dhënë fund ushtrimit të tyre, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit”, ky është përcaktimi i nenit 249 të Kodit Penal, për “Kryerjen e funksionit pas dhënies fund të tij”. Ky nen parashikon qartë se çdo zyrtarë i lartë që ‘vijon të kryejë detyrën, pasi është vënë në dijeni të vendimit se funksioneve të tij u është dhënë fund”, përfundon në burg. Ky nen i Kodit Penal prek të gjithë zyrtarët publik, përfshirë këtu edhe kryetarët në ikje të bashkive në vend, që refuzojnë të lirojnë zyrat që kanë mbajtur për katër vjet. Në këto kushte, nga Devolli, në Kavajë, Kamëz, Shkodër, Selenicë, e ku do opozita ka drejtuar bashktië katër vitet që shkuan, kryetarët që largim janë subjekt i trajtimit të ligjit sipas këtij neni, nëse do të refuzojnë të lirojnë zyrat, apo thënë ndryshe, nëse do të vijojnë të ushtrojnë funksione shtetëror apo të shërbimit publik, pasi janë lajmëruar se këtyre funksioneve u është dhënë fund.

Devolli ishte bashkia e parë, ku PD mati forcën duke mos lejuar hyrjen normale në zyrën e bashkisë të kryetarit të ri, Eduard Duro. I zgjedhuri i PD, Bledjon Nallbati, që drejtoi Devollin në katër vitet që shkuan, ditën që u bë betimi i të zgjedhurit të ri në krye të bashkisë, qëndroi në zyrë duke mos pranuar të largohej prej saj. Në këto kushte, Eduard Duro u detyrua që të hapte me forcë derën e bashkisë, duke u futur në zyrën e kryetarit të premten e javës së kaluar. Ndërkohë, prej ditësh, në Devoll PD vijon protestat duke mos lejuar, që Eduard Duro, të ushtrojë normalisht funksionet e tij ligjore si kryetar i bashkisë. Ndërkohë, ish-kryetari i PD-së, është shprehur se “do të zbatoj dekretin e presidentit, duke ushtruar detyrën time si kryetar në shërbim të qytetarëve”. E njëjta situatë u pa një ditë më parë edhe në qytetin e Kavajës.

Militantët e Partisë Demokratike të udhëhequr nga ish-kryetari i bashkisë, Isa Sakja, penguan me forcë betimin si kryetar të ri të bashkisë të Redian Kralit. Megjithatë, i zgjedhuri në 30 qershor për të drejtuar Bashkinë Kavajë, bëri betimin në ambientet e prefekturës, por kur shkoi në bashki, derën e gjeti të mbyllur. U desh ndërhyrja me forcë për të hapur bravën e derës, në mënyrë që kryetari Redian Krali të futej në zyrën e tij si kryetar i ligjshëm i bashkisë së Kavajës. Këto skena, pritet të ndodhin kudo në bashkitë ku PD ka qeverisur për katër vitet që shkuan. Shkodra dhe Kamza, janë dy bashkitë ku kryetarët e zgjedhur nga PD, Voltana Ademi dhe Xhelal Mziu kanë paralajmëruar se nuk do të lirojnë zyrën. Radha e betimit të kryetarëve të rinj, Valdrin Pjetrit në Shkodër dhe Rakip Sulit në Kamëz, ende nuk ka ardhur për këto bashki, megithatë paralajmërimet e Ademit dhe Mziut të lën të kuptosh se nuk do të ketë një situatë normale./Realstory.al/

Dështon beteja e Voltana Ademit, gjykata i jep mandatin Valdrin Pjetrit

Valdrin Pjetri është zyrtarisht kryetar i ri i Bashkisë Shkodër. Ka qenë Gjykata e Shkallës së Parë në këtë Rreth, që këtë të premte ka konfirmuar mandatin e Pjetrit, i cili u shpall fitues në zgjedhjet e 30 qershorit si kryetar i bashkisë së qytetit verior të vendit. Në këtë mënyrë, kërkesë-padia e Voltana Ademit, që kërkonte të mos njiheshin zgjedhjet në Shkodër, tashmë rrëzohet me vendimin e të pretemtes nga gjykata e këtij qyteti.

Pritet që pas këtij vendimi të dalë dhe ai i Kolegjit Zgjedhor, që do të bëj të mundur shpërndarjen e këshilltarëve në këshillat bashkiak, duke i hapur rrugë aktit të fundit të marrjes së mandatit nga Valdrin Pjetri, betimin në këshill. Përballë Valdrin Pjetrit nuk pati asnjë kandidat në zgjedhjet e 30 qershorit.

Kryetari i sapozgjedhur i Bashkisë Shkodër do të ketë një rol të rëndësishëm jo vetëm si kryetar i Bashkisë Shkodër, por edhe si drejtues politik i këtij qarku. Kryeministri Edi Rama i ka besuar të riut shkodran, drejtimin politik të qarkuat dhe organizimin e strukturave të Partisë Socialiste, detyrë që më parë e kishte Ditmir Bushati.

Shkodra ishte një nga bashkitë më të problematike gjatë procesit elektoral për zgjedhjet e 30 qershorit. Gjatë periudhës së fushatës zgjedhore, kryetarja në largim e bashkisë, Voltana
Ademi mobilizoi strukturat e këtij institucioni dhe militantët e Partisë Demokratike duke shkatërruar materialet zgjedhore.

Për këto veprime në shkelje të Kodit Zgjedhor dhe atij Penal, ndaj Voltana Ademit janë ngritur pesë akuza nga Policia e Shkodrës, ndërsa Prokuroria ka njoftuar pas zgjedhjeve se vijon hetimet për të gjitha shkeljet.

Skip to toolbar