Pas ftesës së Ramës për dialog, Basha mbledh aleatët

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha do të zhvillojë sot një takim me krerët e partive aleate të koalicionit opozitar me të cilët pritet të diskutojë për hapat që do të marrë në vazhdim opozita.

Mbledhja me aleatët vjen vetëm një ditë pas ftesës zyrtare të Ramës për dialog.

Takimi me aleatët do të zhvillohet në orën 10:30 dhe pritet që pas mbledhjes palët të dalin me një vendim. Deri tani opozita ka qenë e vendosur për të vazhduar me protestat e dhunshme ndërsa kërkesat e tyre jane krijimi i një qeverie të përkohshme, shtyrja e datës së zgjedhjeve, si dhe largimi i Ramës nga posti i kryeministrit.

Një ditë më parë në ftesën e tij Rama shkruante se është i hapur për dialog, por nuk ka asnjë fuqi ligjore që të ndryshojë datën e zgjedhjeve.

Rama: Çfarë e pengon Metën të mbrojë zgjedhjet?

Pas kritikave të Metës për Reformën në Drejtësi por edhe për krizën politike në vend, ka ardhur reagimi i Ramës. Në dy mesazhe në twitter Rama pyet se çfarë e pengon Metën të mbrojë datën e zgjedhjeve të dekretuar prej tij, por që me këmbëngulje po kërkohet nga opozita të shtyhet. Rama shkruan se është ende në pritje të apelit të Presidentit për mbrojtjen e datës së zgjedhjeve, ndërsa referuar kritikave për Reformën në Drejtësi, ai bën thirrje që të tregohet i duruar, pasi çdo reformë kërkon kohën e saj.

“Padiskutim Presidenti ka të drejtë kur thotë djegia e mandateve është e papranueshme po dhe më i papranueshëm është përbetimi për të djegur zgjedhjet!S’e dimë opinionin e Presidentit për këtë dhe bashkë me kritikat e tij,mezi e presim apelin e vonuar në mbrojtje të 30 qershorit.

A e pengon mungesa e Gjykatës Kushtetuese Presidentin e Republikës të mbrojë datën e zgjedhjeve që sipas Kushtetutës ai e ka dekretuar? Falë Vetingut GJK është sot një djep bosh pa shejtanin brenda! Kjo është më shumë se gjysma e një pune të madhe që kërkon durimin e kohën e saj”, shkruan Rama.

Dosja “978” dhe humbja e qetësisë nga Ilir Meta

Gazeta “Tema” ka publikuar  sot një shkrim ku bën me dije se ekziston një dosje me numër 978, në të cilën rezulton të jetë i përgjuar presidenti Ilir Meta, i cili i ka kërkuar para një biznesmeni për zgjedhjet e vitit 2009. Sipas “Tema”, kjo dosje është mbajtur e fshehur nga ish kryeprokurori Adriatik Llalla, por është pikërisht kjo dosje që ka bërë që Presidenti Meta të shpërthejë ashpër sot kundër reformës në Drejtësi dhe kryeministrit Rama.

Shkrimi i plotë i gazetës “Tema”

Në një kohë, kur vendi është përfshirë nga kriza politika dhe opozita akuzon mazhorancën se ka blerë vota, në dritë ka dalë një skandal që objekt ka presidentin Meta, në kohën kur ai drejtojnte Lëvizjen Socialiste për Integrim.

Bëhet fjalë për trukim zgjedhjesh nga Meta në vitin 2009.  Ka qenë gazetari Artan Hoxha që së fundmi në emisionin Opinion, i cili, bazuar në përgjimet e Prokurorisë deklaroi se Meta ishte kapur duke i kërkuar një biznesmeni 200 mijë euro për fushatën zgjedhore të  vitit 2009.

Sipas gazetarit Artan Hoxha, dosja ku rezulton i përfshirë presidenti Ilir Meta mban numrin “978”.

Gjithçka është mësuar pas vënies në përgjim  në vitin 2008,  të  ish-administratorit të  DIA-s, Kastriot Ismailajt, i cili është i akuzuar për pastrim të rreth 7 milionë eurove.

Në përgjime është regjistruar edhe SMS e marrë nga Ismailaj nëpërmjet numrit të  telefonit (0682031701) ,  i cili  dyshohet  se është përdorur nga  Meta.

Sipas procesverbalit, të Departamentit të Hetimit të Krimeve në Policinë e Shtetit, që mban datën, 28.06.2009, rezulton se me datë 22.06. 2009, dy ditë para se të mbaheshin zgjedhjet vendore, Kastriot Ismailaj, ishte kontaktuar nga Ilir Meta, i cili i kishte kërkuar 200 mijë me patjetër.

“Nesër në darkë (më 23 qershor), duhet të takohemi patjetër. Më duhen 200 mijë patjetër. Mos harro”, shkruhet në SMS.

Një ditë pas publikimit të këtij lajmi vetëm në pak media (dhe këtu duket qartë se nga kush janë të kapura mediat, që fshehën denoncimin e Artan Hoxhës), Ilir Meta është shfaqur në një eveniment që kishte lidhje me sfidat e sigurisë në Ballkan.

Por, më shumë se sa për sfidat e sigurisë në Ballkan, Ilir Meta, jo më me “dashuri dhe qetësi” është shfaqur nervoz dhe pjesën më të madhe të fjalimit të tij, ja ka kushtuar reformës në drejtësi dhe krizës politike në vend, duke bërë përgjegjës Edi Ramën.

Presidenti me sa duket e ka humbur qetësinë, pasi në ditët në vijim është paralajmëruar se do të botohen detaje të tjera nga dosja “978”, e cila e implikon atë në një aferë të rëndë.

Jo vetëm atë, por edhe Prokurorinë, e cila nën drejtimin e Adriatik Llallës, e varrosi këtë dosje.

Dhe sa më shumë detaje të dalin nga kjo dosje, aq më nervoz dhe agresiv do ta shohim në ditët në vijim presidentin dhe partinë e gruas së tij./TemA

“Kush prek zgjedhjet i ndalohet përjetësisht të shkojë në SHBA dhe BE”

Në fjalën e tij sot, Rama i kërkoi deputetëve dhe kandidatëve për kryetarë bashkish që gjatë fushatës të informojnë mirë shqiptarët për ndëshkimet e rënda që parashikon Kodi Penal për ata persona që synojnë të bllokojnë apo prishin zgjedhjet.

“Në asnjë cep bashkie nuk duhet të vihet në dyshim a do bëhen apo jo zgjedhje. Kush i afrohet një qendre votimi, djeg veten, jo zgjedhjet. Sa më shumë të informohen për Kodin Penal, dhe nuk ja vlen të digjesh për politikën më kriminale të mundshme që të nxit të shkosh me këmbët e tua në burg, të dënuar për krime zgjedhore që u hiqet e drejta për hyrjen në SHBA dhe BE. Nuk dua t’ja shoh asnjë shqiptari këtë qeder, dhe të mbetet tërë jetën pa hyrë në BE dhe SHBA dhe shkoi e vajti pas udhëheqje që kërkon ta bëjë përshesh Shqipërinë. Do faktojmë me audio, me video me foto, çdo shkelje. Ne do të bëjmë një fushatë, në radhë të parë demokracinë, për përgjegjësinë e çdo kujt që tu rri larg të mbyturve që duan të mbytin Shqipërinë.”, tha Rama.

Opozita i bojkoton, por OSBE nis përgatitjet për zgjedhjet. Kërkon vëzhgues

Pavarësisht se opozita në Shqipëri ka bojkotuar zgjedhjet e 30 qershorit, ndërkombëtarët kanë nisur përgatitjet. Kështu OSBE ka shpallur njoftimin dhe ka çelur aplikimet për vëzhgues për zgjedhjet e 30 qershorit në Shqipëri.

Në faqen zyrtare të OSBE për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut ( ODIHR) është shpallur thirrja për vëzhgues në zgjedhjet lokale të 30 qershorit.

OSBR është institucioni më i lartë evropian që monitorin mbarëvajtjen e proceseve zgjedhore dhe i certifikon ato në përfundim të të gjithë procesit duke dhënë vlerësimin nëse zgjedhjet ishin të lira dhe demokratike dhe se rezultati pasqyron vullnetin e popullit. Pra megjithëse opozita ka vendosur të marrë pjesë në zgjedhje, kjo nuk përbën problem për OSBE e cila bëhet gati për procesin zgjedhor në Shqipëri.

Nëse zgjedhjet bëhen sot, PS del fituese

Nëse sot shqiptarët do t’i drejtoheshin kutive të votimit në zgjedhje të parakohshme parlamentare, Partia Socialiste do të fitonte me 50-54 % (përfshirë marzhin e gabimit).

Ky është rezultati i sondazhit të kryer nga Instituti italian GPF Inspiring Resarch.

Sipas sondazhit Partia Demokratike do të pasonte PS me 33-37 % të votave, ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim do të fitonte vetëm 4-6 % të votave.

“Nuk ka asnjë paketë negocimi dhe as negociata për të shtyrë zgjedhjet”

Nuk ka asnjë negociata dhe as paketë negocimi me opozitën. Kështu është shprehur kryeministri Edi Rama në konferencën e sotme për shtyp ku sqaroi njëherë e mirë se nuk do të pranojë negociata për të shtyrë zgjedhjet. Rama tha se për t’u futur në dialog me opozitën është i hapur edhe pa ndihmën e ndërkombëtareve, ndërsa theksoi se ka qenë PD që ka hedhur lajmin se ekziston një paketë negocimi, vetëm që të pengonte kandidatët që regjistroheshin në garën elektorale si të pavarur apo nën siglën e ndonjë partie tjetër.

“Shpreh mirënjohjen për përfaqësuesit e unionit kristian demokrat, të cilës i ka rënë edhe PD si anëtare e familjes, që mbajtën një qëndrim absolutisht korrekt dhe të qartë.

Sa i përket dialogut unë nuk kam nevojë as për gjermanë as për amerikanë as për holandezë, as për francezë, as për anglezë, as për norvegjezë, për tu ulur dhe për të dialoguar. Personalisht. E kam thënë dhe e përsëris që dialogu është i patjetërsueshëm dhe i pazëvendësueshëm në procesin e bashkëjetesës politike në një vend normal dhe në një shoqëri që bazohet në zgjedhjet e saj tek vota. E kam kërkuar këtë gjë edhe kur nuk kishte kapsolla dhe mbase pala tjetër kishte më pak nevojë për dialog. Sot pala tjetër ka më shumë se asnjëherë për dialog. Dhe vendi ka më shumë se asnjëherë nevojë për dialog, sepse nuk ja kanë borxh shqiptarët politikanëve që në vend të mendojnë se çfarë do bëjnë me familjen ditën e shtunë, ose të pushojnë, duhet të festojnë vitin e ri që ëndërron imagjinata qesharake e udhëheqësve të PD-së dhe të përballojnë zhurma që as për Vit të ri në kohën kur ishin armët rrugëve nuk i dëgjonin. Për sa i përket dialogut nuk diskutohet që është gjithmonë i nevojshëm, jo më për të krijuar komunikim mes njerëzve, që përfaqësojnë të tjerë që kanë një barrë të madhe për t’i përfaqësuar.

E dyta, në leximin tim miqtë gjermanë kanë shprehur gatishmërinë për të ndihmuar, shumë e mirëseardhur, por negociata nuk ka, që të jemi të qartë. Në kuptimin e një procesi negociatash që lidhet me 30 qershorin, se nuk kemi asnjë mundësi të negociojmë kushtetutën e Shqipërisë. Bëmë një marrëveshje në 2017 nuk e negociuam Kushtetutën e Shqipërisë, e kam refuzuar që në sekondën e parë dhe deri në sekondën e zgjedhjeve përtej afatit kushtetues. Këto nuk shtyhen dot asnjë ditë se për shkak se presidenti mes 23-shit dhe 30-ës ka zgjedhur 30-ën. Zgjedhjet e 30 qershorit do të mbahen më 30 qershor. Unë nuk kam asnjë mundësi reale për të fantazuar, sepse është kushtetuta e Shqipërisë.

Do të shikoni shumë paketa këto ditë, paketa që prodhohen këtu për shumë arsye të ndryshme, për t’i thënë kryetarëve të bashkive, që PD-së, që tundimet për tu regjistruar si të pavarur, apo me një parti tjetër, janë gabim, sepse ndërkohë ka një paketë, paketa për të mbajtur njerëzit që kanë filluar të firojnë nga manifestimet”, tha Rama.

“Është koha për fushatë dhe dialog me të vetëpërjashtuarit”

Kryeministri Rama ka njoftuar se do të dalë në një konferencë për shtyp sot në orën 13 për të folur për fushatën zgjedhore si dhe për dialogun me opozitën.

“Në 13.00 me gazetarët, pas regjistrimit të kandidatëve tanë për 61 bashkitë dhe listave të këshilltarëve bashkiakë për mandatin e ri të qeverisjes vendore. Koha për fushatën zgjedhore të 30 qershorit dhe për vijimin e përpjekjeve për dialog me të vetëpërjashtuarit nga zgjedhjet”, shkruan Rama në twitter.

Fatos Klosi: Palët kanë rënë dakord, zgjedhjet do të bëhen në tetor

Teksa opozita vijon me protesta të dhunshme, ish kreu i SHISH-it, Fatos Klosi thotë se ka një marrëveshje mes Ramës e Bashës që zgjedhjet lokale të shtyhen dhe të zhvillohen në tetor. Ndërsa zgjedhjet parlamentare do të zhvillohen vitin e ardhshëm.

Këtë deklaratë Klosi e bëri mbrëmë në emisionin “360 Gradë” në Ora news.

“Zgjedhjet do të bëhen në tetor, kanë rënë dakord. Zgjedhjet lokale, të Kuvendit mbase janë vitin tjetër.

Do bëhen në tetor dhe kanë rënë dakord. Në gjithmonë kemi “ngrënë” me njëri-tjetrin dhe pastaj kemi dalë bllof se të tjerë vendosin dhe ne bëjmë debate, mundohemi te arsyetojme”, është shprehur Klosi, ndërsa ka shtuar më pas se PD do të humbasë në këto zgjedhje sërish.

Përfundon afati për regjistrim. Opozita mbetet jashtë zgjedhjeve

Dje në mesnatë ka qenë afati i fundit zyrtar për partitë që të regjistrohen në KQZ për të marrë pjesë në zgjedhjet e qershorit. Nga KQZ është zyrtarizuar regjistrimi i 61 kandidatëve të Partisë Socialiste dhe kandidatët e Partisë Bindja Demokratike.

Ndërkohë që partitë e opozitës si PD dhe LSI mbetën zyrtarisht jashtë zgjedhjeve të qershorit për shkak se nuk kanë dorëzuar asnjë dokument për t’u regjistruar në KQZ.

Deri  tani kandidatët për Bashkinë e Tiranës duket se janë dy, Erjon Veliaj për PS-në dhe Arbën Skënderi për Bindjen Demokratike.

Skip to toolbar