Tërmeti dhe Covid-i, dy ekspertët e njohur i vënë notën qeverisë! A e kaloi provën e vështirë Rama?!

AKTUALITET


Dy ekspertët e njohur të ekonomisë, Selami Xhepa dhe Ardian Civici, i kanë vënë nga një notë qeverisë shqiptare, për mënyrën se si e ka menaxhuar krizën e thellë të tërmetit dhe pandemisë së koronavirusit.

Të ftuar në emisionin “Real Story”, në News24, të dy ekspertët i kanë vënë notë kaluese qeverisë, ndonëse kanë theksuar problematikat e shumta në menaxhim.


Xhepa: Unë i jap notë kaluese qeverisë, jo ngelëse, por një notë kaluese shumë të vështirë, sepse e vërteta është që kemi pasur probleme. Nuk heq dorë nga kritikat, e para që përgjigjja ka qenë shumë e vakët, sa i takon shtresave në vështirësi. Edhe për faktin që FMN ishte kritikë, ku kritika kryesore ishte për transparencën. Duhet të jemi tepër të kujdesshëm, se bëhet fjalë për banesa sociale. Mendoj se qeveria duhet të jetë shumë e hapur dhe transparente. Është gjëja më normale që të dimë sa çelësa janë dhënë deri tani. Këtu bëhet gjithçka vetëm për fushatë. Duhet të dimë nëse janë përfshirë edhe ata që kanë qenë në punë të zezë, sepse edhe ata janë qytetarë të këtij vendi. Informaliteti është një problem i madh. Ajo që unë këmbëngul është se nuk është problemi i vitit 2020. Ne duam të shohim një kuadër më të gjatë kohor, nëse është Shqipëria në gjendje për t’u përballur. A po shkon Shqipëria lart apo poshtë? Këtë duhet të dimë.

Civici: Këto dy goditje që ne morëm, sidomos kjo e pandemisë, na treguan para pasqyrës të metat e ekonomisë shqiptare. Mendoj që një pjesë e madhe e pasojave negative, që po vuajmë, nuk ishte vetëm e lidhur me këto dy goditje, por me strukturën e ekonomisë. Taksat nuk duhet të shihen si shkopi magjik që zgjidhin problemet, se problemi madhor është tek organizimi i ekonomisë sonë. Mendoj se problemi jonë nuk është rritja e taksave apo taksat e larta, por janë elementë të tjerë, që rëndojnë. Duhet të mendojmë si të përmirësohet struktura e ekonomisë, organizimit, etj. Këtu qëndron thelbi i goditjes që na dha tërmeti e pandemia. Na nxorën në dukje një nga elementet më negativë të strukturimit të ekonomisë sonë. Ka nevojë për një rritje të profesionalizmit. Nëse do t’i vija një notë, do të isha te nota 6 ose 6 e gjysmë maksimumi.




Skip to toolbar