Horrat e vegjël që ngacmuan të miturën dhe pse policia e “fshehu” ngjarjen

AKTUALITET


Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në një shkollë të Durrësit, ku disa adoleshentë kanë dhunuar një vajzë vetëm 8 vjeçe. Ngjarja shokuese në shkollën “Myslim Hida” në Arapaj të Durrësit, është shënuar në përfundim të vitit arsimor. Sipas policisë, disa djem kanë kryer vepra të turpshme me të miturën, vetëm 8 vjeçe. Ata e kanë marrë të miturën, dyshohet se e kanë lidhur dhe më pas në një prej klasave të katit të katërt të shkollës, e kanë ngacmuar seksualisht. E mitura është gjetur në gjendje të tronditur nga mësuesit e shkollës, në katin e katërt.

8-vjeçarja, banuese në Arapaj, në lot u ka treguar mësuesve makabritetin e ndodhur, me aq sa mund të tregojë një fëmijë i kësaj moshe. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forca të policisë, të cilët kanë dokumentuar ngjarjen.

Pas publikimit në media të ngjarjes së rëndë të ndodhur në Shkollën 9 vjeçare në Arapaj të Durrësit, Policia ka dhënë një variant paraprak për ngjarjen. Sipas policisë ngjarja ka ndodhur më datë 4 korrik, ndërkohë që në zbatim të urdhrit të Prokurorisë, efektivët e policisë kanë arrestuar 16-vjeçarin me inicialet A.R. Po ashtu është proceduar penalisht dhe një 13-vjeçar me inicialet N.K. “Në datë 04.07.2019, pranë Komisariatit të Policisë Durrës është paraqitur dhe ka bërë kallëzim një shtetase, e cila ka shpjeguar se rreth një javë më parë vajza e saj është gënjyer nga dy shtetas po të mitur, banorë të lagjes, të cilët  kanë kryer vepra të turpshme. Për sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarjeje, Policia e Durrësit menjëherë ka kryer të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, duke e marrë në pyetje vajzën në prani të psikologes dhe nënës së saj, si dhe është komunikuar me prokuroren e gatshme pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës. Si rezultat i veprimeve të kryera, më datë 05.07.2019, është bërë ndalimi i një të mituri, i moshës 16 vjeç, ndërsa një i mitur tjetër i dyshuar si autor në këtë ngjarje është nën moshën e përgjegjësisë penale dhe është ndjekur në gjendje të lirë”, deklaroi policia.

Ndërsa Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit e ka cilësuar raportimin e kësaj ngjarje keqpërdorim mediatik. “Në lidhje me këtë ngjarje me impakt në publik dhe me pasoja për shtetasen e mitur dhe familjarët e saj, Policia e Shtetit  ka shmangur në maksimum publikimin e këtij rasti, duke e lënë  shkurt e pa detaje në uebin zyrtar”, deklaroi Policia e Shtetit, që kërkon mirëkuptimin e medias që të shmangë sa të jetë e mundur publikimin e të dhënave personale të vajzës së mitur apo detaje rreth ngjarjes. Nga ana tjetër, Prokuroria e Durrësit ka kërkuar që kjo ngjarje mos të publikohet.

Pas ngjarjes së rëndë, sociologu Gëzim Tushi ka deklaruar se rastet e kësaj natyre janë shumë më tepër nga sa marrim njoftime. Sipas tij, kjo vjen nga kultura që është në vendin tonë për të mos denoncuar rastet e abuzimeve. Sociologu shton se gjendemi në një situatë alarmante dhe u takon prindërve dhe mësuesve që të injektojnë kulturën e denoncimit tek fëmijët pasi ata janë në përgjegjësinë e tyre për gjatë gjithë ditës.



Skip to toolbar