Tragjedia e 9 janarit, familjarët i drejtohen SPAK: Të zbardhet ngjarja

AKTUALITET


16 vite nga tragjedia e 9 janarit ku 28 persona humbën jetën në përpjekje për të emigruar me gomone drejt Italisë, familjarët e viktimave kërkojnë që SPAK të marrë në dorëzim dosjen dhe të zbardhë ngjarjen duke vënë përgjegjësit përpara drejtësisë.

Ndoc Bjeshka, i cili ka humbur djalin e tij të vetëm në këtë tragjedi, thekson se kjo ngjarje duhet të zbardhet. Sipas tij shteti italian ka deklaruar se janë gjetur trupa të pajetë të cilët janë fshehur nga vetë shteti shqiptar.


Ndërsa Nikoll Mhillaj, kryetar i shoqatës 9 Janari tha se SPAK duhet ta zbardhë çështjen.

“Ne kemi bërë shumë kërkesa për ta kaluar tek krimet e rënda, por nuk e kanë bërë. Tani me këtë rast që është krijuar SPAK dhe po bën bujë sikur do vendosë drejtësi në Shqipëri. I bëjmë thirrje të marrin në dorë atë dosje në Prokurorinë e Vlorës dhe ta zbardhin. Aty janë shkruar e zeza mbi të bardhë dhe është e vërtetuar me gjithçka”, është shprehur Nikoll Mhillaj, për Ora News.

Familjarët kanë emra konkretë, duke deklaruar se do të bëjnë një akt padi, ndaj atyre që kanë organizuar trafikimin e fëmijëve. Nuk kursejnë emrat nga ish Drejtori i policisë Bajram Ibraj, por edhe ish Ministrat Igli Toska dhe Pandeli Majko.

Tragjedia e 9 janarit ndodhi në afërsi të Vlorës në vitin 2004, kur gomonia me 36 klandestinë u nis në det të trazuar 5-6 ballë në drejtim të Italisë nga gjiri i Palasës. Si pasojë e mbytjes së gomones 28 persona humbën jetën ku viktimat ishin kryesisht nga zona e Shkodrës dhe të moshës nga 15 në 33 vjeç.




Skip to toolbar