U arrestua për rrugën Tiranë-Elbasan, Kryemadhi riciklon Dash Xhikën

AKTUALITET


Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi në një takim që ka zhvilluar të hënën pasdite në qytetin e Elbasanit ka pasur në krahun e saj të djathtë, Dashamir Xhikën, ish drejtorin e ARRSH-së, të arrestuar për abuzime me fondet e rrugës Tiranë-Elbasan. Por siç duket Kryemadhi ka vendosur ta riciklojë kandidatin e LSI-së për deputetet në qarkun e Elbasanit në zgjedhjet e vitit 2017.

Kujtojmë se Dashamir Xhika u arrestua më 2 shkurt 2018, me akuzën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës për rrugën e Gjinarit, por masa u ndryshua dhe u hetua në detyrim paraqitje. Xhika dhe zyrtari tjetër i ARRSH-së, Andi Toma u arrestuan dhe akuzuan se abuzuan me fondet e rrugës Elbasan-Gjinar në vlerën e 5 mln eurove.


Po në 2018 pas disa muajve burg, Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, e liroi Xhikën më 23 korrik, vendim që u mor në fshehtësi. Në vendim thuhej se Xhika mund të gjykohej nën masën e sigurisë “arrest shtëpie”, pasi nuk ndodhej në gjendje të mirë shëndetësore.

Por në 1 shator të vitit të kaluar, Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda vendosi të rikthejë në burg, ish-drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Dashamir Xhika. Megjithatë në 23 nëntor të 2018 Gjykata e Shkallës së Parë ndryshoi masën e sigurisë për ish-kreun e ARRSH, Dashamir Xhika nga ‘arrest me burg’ në ‘arrest shtëpie’ dhe më pas e la në ‘detyrim paraqitje’.

Gjatë hetimeve për abuzimet në rrugën Elbasan-Gjinar, Xhika u hetua edhe për rrugën Tiranë-Elbasan dhe dosja përfundoi në gjykatë në datë 8 mars të këtij viti. Në dosjen penale të prokurorisë, Xhika është i pandehur me dy persona të tjerë zyrtarë të ARRSH Aksel Qorduka dhe Albens Alite, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë ndërmarrë një sërë veprimesh të paligjshme, gjatë ndërtimit të rrugës Tiranë-Elbasan, duke shkaktuar një dëm financiar në buxhetin e shtetit prej 36.8 milion dollarë.




Skip to toolbar