U filmuan duke vjedhur ndihma, arrestohen dy policë e një zjarrfikës

AKTUALITET


Dy punonjës policie dhe një punonjës i shërbimit zjarrfikës janë arrestuar, pasi dyshohen për mashtrim dhe shpërdorim detyre. Arrestimi i tyre ka ardhur pas publikimit të një video nga JOQ, në të cilën tregohej një punonjës policie me makinë të policisë, duke çuar disa ndihma në shtëpinë e tij. Për këtë video, policia ka arrestuar nëpunësit, por ka proceduar penalisht edhe dy gra.

Ministria e Brendshme deklaroi se Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat ka arrestuar mbrëmë në flagrancë shtetasit A.Z., me detyre Shef i Seksionit të Rendit pranë Komisariatit të Policisë Rinas, për veprën penale të “Mashtrimit në bashkëpunim”; E.H., me detyrë Komandant skuadre në Seksionin e Rendit pranë Komisariatit të Policisë Rinas për veprën penale “Shpërdorim detyre”; A.T., me detyrë punonjës i shërbimit zjarrfikës pranë PMNZSH Kombinat, për veprën penale të “Mashtrimit, e kryer në bashkëpunim”.


Gjithashtu janë proceduar në gjendje të lirë shtetaset V.Z. dhe Sh.T. për veprën penale të “Mashtrimit”, kryer në bashkëpunim.

Procedimi i tyre u krye pas hetimeve të zhvilluara në lidhje me publikimin e një video në media, ku shfaqeshin pamje të transportimit e përvetësimit të një sasie të konsiderueshme pakosh ushqimore (të sekuestruara në cilësinë e provës materiale) të destinuara për banorët e prekur nga situata e tërmetit.

Materialet hetimore procedurale do t’i dërgohen Prokurorisë Tiranë për hetime të mëtejshme. SHÇBA fton çdo qytetar të denoncojë në numrin jeshil 0800 90 00, për çdo rast abuzimi të punonjësve të Policisë së Shtetit, duke garantuar reagim të shpejtë e në kohë.




Skip to toolbar