Kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi ka kërkuar me urgjencë zëvendësimin e vakancës së lënë nga prokurori Gentian Osmani, pas shkarkimit të tij nga vettingu. Ditën e premte, Këshilli i Lartë Prokurorisë zhvilloi mbledhjen ku shpalli zyrtarisht vendin vakant të lënë nga Osmani, duke i kërkuar Prokurores së Përgjithshme të përkohshme, Arta Marku të hap garën për regjistrimin e kandidaturave për të plotësuar vakancën e anëtarit-prokuror në KLP. Vendi vakant u shpall dy ditë pas vendimit të vettingut për të shkarkuar Gentian Osmanin duke shmangur kështu një ngërç të mundshëm në KLP.
Pasi paraqiten kandidaturat, Prokurorja e Përgjithshme e përkohshme Arta Marku zhvillon mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të Prokurorëve, të cilët përzgjedhin kandidatin e duhur për t’u bërë anëtari i 6 prokuror në KLP, i cili duhet të ketë kaluar vettingun.
KLP përbëhet nga 11 anëtarë, 6 prokurorë të zgjedhur nga Asambleja e Përgjithshme e Prokurorëve dhe 5 jo-prokurorë të zgjedhur nga Kuvendi.
Gentian Osmani u shkarkuar të mërkurën nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, për “mosjustifikim të pasurisë.’ Osmani ishte anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe prokuror pranë Krimeve të Rënda.
KLP ka një rëndësi të madhe në sistemin e drejtësisë, sidomos gjatë muajt shtator ku pritet të caktojë prokurorët për ngritjen e SPAK, emëron prokurorët e rinj, propozon kandidatët për Prokuror të Përgjithshëm, përcakton kriteret për përzgjedhjen e prokurorëve etj.