Voltana Molotovi i shkruan ambasadorëve: Kërkon administrim ndërkombëtar të Shkodrës si në 1913

AKTUALITET


Pasi doli me zë e me figurë dhe tha se po të kishte mundësi do të gjuante me molotov, Voltana e Shkodrës tani u është drejtuar me një letër ambasadorëve në Tiranë, të cilëve u kërkon hetim ndërkombëtar për zgjedhjet e 30 qershorit.

Por ajo që bie në sy është kërkesa për administrim ndërkombëtar të Shkodrës siç ka ndodhur në vitet 1913. Një kërkesë kjo e paprecedentë dhe që bie në kundërshtim me Kushtetutën.

“Sot, në 2019, nuk mund t’ia dorëzojmë atë as Kryeministrit e as të emëruarit të tij 8%. Në vitet 1913-1914 dhe 1918-’20, ky qytet me rendësi vitale për të gjithë kombin është qeverisur nga komisione ndërkombëtare të fuqive të mëdha. E ndoshta është prapë rasti, dhe jo vetëm për Shkodrën.

Ndaj ju drejtohem Ju, në emër të qytetarëve shkodranë, që ne jemi të gatshëm më parë të pranojmë një komision administrativ europian, besimplotë te vullneti i tyre demokratik derisa të shkohet në zgjedhje të vërteta, sesa të biem nën diktaturën e pakicës së pakicës votuese.

Për këtë, në emër të Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, ju kërkoj publikisht të takohemi për të biseduar mbi këtë situatë të pazakontë, me shpresën që do të bëheni garant i vullnetit qytetar. Duke ju falënderuar për gjithçka keni bërë e bëni për vendin tim”, shkruan Ademi.

Para procesit zgjedhor, Ademi u vendos në krye të protestave të dhunshme të opozitës në qytetin e Shkodrës ku edhe u dogj një shkollë dhe u sulmua me molotov KZAZ e Bushatit.

Ndryshe nga thirrja e ndërkombëtarëve që të zgjedhurit e rinj vendorë të marrin zyrat dhe të nisin menjëherë punën, Ademi shprehet se nuk do të lëvizë nga zyra e kryetares së Bashkisë së Shkodrës.

Voltana Ademi ia ka dërguar letrën të gjithë ambasadorëve të huaj të akredituar në Tiranë përfshirë këtu edhe Ambasadës Amerikane, e cila e bëri të qartë thirrjen e saj për zgjedhjet.

SHBA tha se kontestimi i zgjedhjeve bëhet vetëm në Gjykatën Kushtetuese.



Skip to toolbar