Vritet një politikane kurde e 8 civilë në Siri, SHBA paralajmëron, Turqia: Nuk ndalojmë

BOTA


Një politikane kurde 35-vjeçare është vrarë në mesin e 9 civilëve të tjerë gjatë ofensivës së Ankarasë përgjatë kufirit mes Turqisë dhe Sirisë. Lajmin e bëri të ditur një monitorues i të drejtave të njeriut.

 “Nëntë civilë janë ekzekutuar në momente të ndryshme në pjesën jugore të qytetit Tal Abyad”, tha Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut. Sipas forcave kurde, në mesin e personave të vrarë është politikania Hevrin Khalaf dhe shoferi i saj.


Forcat Demokratike Siriane thanë përmes një deklarate se ajo është nxjerrë nga makina  gjatë një sulmi të përkrahur nga forcat turke dhe është ekzekutuar nga grupet mercenare të mbështetura nga Turqia.

 “Kjo është dëshmi e qartë se shteti turk po e vazhdon politikën kriminale kundër civilëve të paarmatosur”, thuhet në deklaratë.

Khalaf ishte sekretare e përgjithshme e partisë “E Ardhmja e Sirisë”. Mutlu Civiroglu, njohës i politikës kurde, tha se vdekja e saj është një humbje e madhe. “Ajo kishte talent për diplomaci. Ajo gjithmonë merrte pjesë në takimet me amerikanët, francezët dhe delegacionet e huaja”, tha ky analist.

Turqia dhe aleatët e saj e filluan të mërkurën ofensivën kundër njësiteve kurde, të cilat janë shtylla e Forcave Demokratike Siriane.

Media britanike “The Guardian” shkruan se Presidenti turk, Erdogan, ka thënë se dëshiron ta krijojë një zonë të lirë në veri të Sirisë, ku do të mund të vendoseshin refugjatët që tashmë jetojnë në Turqi.

Në Shtëpinë e Bardhë, Sekretari i Thesarit Steven Mnuchin vuri në dukje Turqinë se mund të përballet me “sanksione të fuqishme” për përfshirjen e saj ushtarake, dhe se SHBA “do të mbyllë ekonominë turke” nëse Ankaraja shkon shumë larg. Ministria e jashtme e Turqisë thotë se operacioni ushtarak turk në Siri do të vazhdojë “me vendosmëri”, pavarësisht paralajmërimeve të SHBA për sanksione të mundshme.

Në një deklaratë të premten vonë, zëdhënësi i ministrisë Hami Aksoy tha se Turqia kishte informuar SHBA për të gjitha nivelet e operacionit kundër luftëtarëve kurdë sirianë. “Turqia po lufton organizatat terroriste që janë një kërcënim për sigurinë e saj kombëtare dhe kjo luftë do të vazhdojë me vendosmëri”, tha Aksoy. Duke iu përgjigjur kërcënimit të sanksioneve amerikane, Aksoy tha se askush nuk duhet të dyshojë se ne do të përgjigjemi kundër secilit hap në masën e plotë të reciprocitetit”.

Forcat kurde Siriane kanë qenë partneri i Uashingtonit në terren në luftën kundër Shtetit Islamik, por konsiderohen si terroristë nga Ankaraja për shkak të lidhjeve të tyre me një kryengritje kurde në Turqi.




Skip to toolbar