Ka qenë vetë kryebashkiaku Erion Veliaj që ka zbuluar mesazhin që i ka dërguar rivalit të tij për bashkinë e Tiranës. Veliaj ka dhënë një intervistë dje për emisionin “Vizioni i Pasdites” në Vizion Plus ku ka folur për zgjedhjet e 30 qershorit dhe bindjen e tij se kjo fushatë do të jetë e qetë dhe qytetare. Ai tha se i kishte dërguar një mesazh urimi Arben Skënderajt i cili është kandidati zyrtar i Bindjes Demokratike për Bashkinë e Tiranës dhe rivali i vetëm i Veliajt në këto zgjedhje.
“I kam çuar një mesazh dhe i kam uruar shumë suksese dhe e kam ftuar për një betejë qytetare, ma kthehu në të njëjtën mënyrë duke mu përgjigjur që qyteti ka nevojë për një debat qytetar, për gjërat që mund të bëhen më mirë. Besoj që Tirana do të jetë prapë model i një fushate qytetare sepse njerëzit janë lodhur me sherre dhe bllokime dhe jam i lumtur që e njëjta gjë do të ndodhë nga dy kandidatët”, u shpreh Veliaj.