Është shtyrë për në datën 25 shkurt seanca për shqyrtimin e kërkesës e ILD-së për shkarkimin e gjyqtares Enkelejda Hoxha. Vendimi është marrë sot nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, ndërsa kërkesa për shkarkim lidhet me rastin e lirimit me kusht të Hekuran Billës.
Pas diskutimeve në sallë, KLGJ vendosi që avokati i Hoxhës, që tashmë është pas hekurave, të depozitojë mbrojtjen me shkrim më 23 shkurt. Sipas KLGJ-së, kërkesat do të diskutohen pas paraqitjes së mbrojtjes.
Në mbyllje të kësaj seance, inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, në një prononcim për mediat tha se nuk ishte dakord për këtë shtyrje, pasi gjyqtarja dhe avokati kishin pasur kohë mjaftueshëm që të njiheshin me dosjen.
“Avokati kërkoi shtyrjen e seancës, dhe unë nuk isha dakord. Sepse mendoj se magjistrat edhe avokati ka pasur kohën e mjaftueshme që të njihej me argumentet dhe provat që shoqërojnë argumentet e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë. KLGJ mori një vendim për ta shtyrë seancën dhe unë e respektoj këtë vendim.”, tha Metani.
Teksa u pyet në lidhje me faktin nëse ka një marrëveshje, Metani tha se; “Nuk ka një kërkesë zyrtare për marrëveshje. Kur të vijë zyrtarisht, do e lexoj.”.
Kujtojmë se gjyqtarja u pezullua nga KLGJ pas arrestimit me urdhër të SPAK. Gjyqtarja Hoxha akuzohet për korrupsion dhe shpërdorim detyre pasi në funksionin e saj publik lironte persona me dënime për vepra të rënda penale, kundrejt përfitimeve personale.
Në fakt gjyqtarja nuk ishte e vetmja, pasi bashkë me të u arrestuan dhe 9 persona të tjerë teksa rol kryesor në skemën korruptive kishin sekretarja e Gjykatës, Manuela Mallkuçi dhe avokati Aldo Tabaku.