Kisha Ortodoske e Shqipërisë ka reaguar mëngjesin e së hënës për krizën politike në vend duke apeluar për zgjidhjen sa më parë të saj.
Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat, Kisha Ortodokse shpreh me shqetësim dhe keqardhje se rrugët e pajtimit po ngushtohen, ndërsa thekson se ashpërsimi i konfliktit sjell pasoja të rënda për vendin.
Kisha apelon për gjetjen e zgjidhjes në të mirë të popullit shqiptar.
Pak ditë më parë të njëjtin apel për zgjidhje e ka bërë Kisha Katolike dhe Komuniteti Mysliman shqiptar.
Deklarata e plotë e KISHËS ORTHODHOKSE AUTOQEFALE TË SHQIPËRISË
Duke e ndjekur me kujdes situatën konfliktuale politike që është krijuar në vendin tonë kemi shpresuar se palët, nëpërmjet një përpjekjeje dhe mirëkuptimi të ndërsjellë, do të gjenin një zgjidhje, të pranueshme për të gjithë.
Por, me keqardhje po shikojmë se rruga e pajtimit dhe e mirëkuptimit sapo vjen dhe po ngushtohet, duke rrezikuar kështu ashpërsimin e konfliktit, i cili mund të sjellë pasoja shumë të rënda për të tashmen dhe të ardhmen të Shqipërisë .
Prandaj, me shqetësim të madh dhe përulësi, do të lutemi në të gjitha kishat që Perëndia i paqes dhe i urtësisë të inkurajojë të gjithë ata që kanë përgjegjësinë e drejtimit të vendit, që të ndërgjegjësohen për rëndësinë e detyrës, me të cilën janë ngarkuar, të gjejnë rrugën e pajtimit dhe të mirëkuptimit dhe të ofrojnë zgjidhje konkrete për të gjitha problemet, për të mirën e vendit dhe të popullit tonë.