Erion Veliaj ka zhvilluar një takim elektoral me banorët e Ndroqit, të cilëve u ka premtuar se në mandatin tjetër do të ndërtohet një treg agro-ushqimor, i cili do të jetë nën menaxhimin e bashkisë dhe jo të privatit. “Mezi pres që të bëjmë disa gjëra për fshatin. Në mbledhjen e fundit të Këshillit bashkiak ne themeluam Agjencinë tonë të tregut të shumicës publik, jo privat, për t’iu përgjigjur kërkesës së shumë fermerëve këtu”, tha Veliaj.
“Krijimi i tregut të bashkisë, i tregut publik, që të konkurrojë tregun privat dhe ti japë një alternativë tjetër, për fermerin tonë ku mund të shesë sa të dojë kur të dojë, pa asnjë pengesë, është mënyra më e mirë për ta çliruar këtë situatë”, u shpreh kryebashkiaku.
Më tej, Erion Veliaj u shpreh se në mandatin e ardhshëm fokus i punës së bashkisë në zonat rurale, do të jetë asfaltimi i rrugëve fundore në të gjitha lagjet e Ndroqit. Me fokusin tek zhvillimi edhe i zonave rurale, Veliaj theksoi se krahas përmirësimit të infrastrukturës kryesore, do të vijojë puna edhe për projektin e rrugëve të brendshme të Ndroqit.
“Do të thotë që nëqoftëse në mandatin e parë mbyllëm disa nga hallet kryesore, do kemi gjithë energjinë, gjithë fuqinë dhe gjithë mbështetjen për të mbyllur edhe këto çështje. Tani që edhe ARRSH-ja po na ndihmon që ne të futemi në rrugë kapilare në të gjitha lagjet e Ndroqit”, deklaroi ai.
Brenda katër viteve, Bashkia e Tiranës ka kryer një sërë investimesh të rëndësishme në zonën e Ndroqit. Janë ndërtuar rrugët e brendshme të fshatit Ndroq , rruga që lidh rrugën nacionale Tiranë – Durrës me shkollën 9-vjeçare “Seit Brahja”. Gjithashtu janë rikonstruktuar rrugët e fshatit Haskolje, rruga për makina Pinet – Sauqet, rruga Ndroq – Kërçukje-Zbarqe, rruga e fshatit Zhurje, rruga e fshatit Kalaç.
Krahas rrugëve, një investim i rëndësishëm është bërë edhe për rrjetin e ri të ujësjellësit, ndërkohë që është punuare dhe për kanalet ujitëse duke i dhënë një zhvillim gjithë ekonomisë lokale, sikurse është kanali ”Butac-Pinet”.
Një vëmendje i është kushtuar edhe infrastrukturës arsimore, ku pas shumë vitesh, është rikonstruktuar shkolla 9-vjeçare në fshatin Shesh dhe terrenet sportive, ndërkohë që puna do të vijojë edhe për shkollën e mesme “Sadi Nuri” dhe rikonstruksionin e shkollës 9 – vjeçare “Ymer Kurti” duke zgjidhur në këtë mënyrë edhe çështjen e arsimit. Gjithashtu puna do të vijojë edhe me rrugët e tjera lidhëse.