Ku ndodhet Ervis Martinaj? Taulant Balla flet në “Real Story”

Më të fundit


Kapja e të shumëkërkuarit, Ervis Martinaj mbetet një nga prioritetet kryesore të Policisë së Shtetit, sipas ministrit të Brendshëm, Taulant Balla.

Në emisionin “Real Story” në ABC News, Balla u shpreh se shumë shpejt do të ketë rezultate konkrete në lidhje me çështjen e Ervis Martinajt.

“Unë e kam informacionin që ka deri më tani Policia e Shtetit, dhe sa herë ulemi me Drejtorin e Përgjithshëm për çështjet që ne kemi si çështje, që kanë të bëjnë me prioritetet kryesore të punës së policisë për personat në kërkim, ngjarje të rënda kriminale apo zbulimin e autorëve, edhe kjo ngjarje kriminale, është në grupin e çështjeve prioritare, por do kërkoja mirëkuptimin tuaj për të mos dëmtuar hetime, dhe një punë intenstive, që zhvillohet edhe në këtë moment që flasim për këtë çështje, mos ta komentoj dhe iu jap fjalën që do të vij përsëri në emisionin tuaj me rezultate konkrete shumë shpejt. Jo sot nuk mund t’iu them një përgjigje për këtë çështje”, theksoi ai.

Balla nënvizoi se te Departamenti i Krimit Ekonomik ka pasur dështime, dhe se në 100 ditë nuk mund ta ndryshojë qasjen e policisë në këtë fushë.

“Kryeminsitri shpesh kur ka prezantuar ministrat e Brendshëm apo drejtorët e policisë ka vënë theksin te nevoja e ridimensionimit të rolit goditës të policisë në atë që ka të bëjë me krimin ekonomik. E vërteta është që edhe kolegët e mi kanë bërë punë të mira në shumë drejtime të punës së policisë, por te deparatamenti i krimit ekonomik do thoja se është dështuar në mënyrë të suksesshme. Unë nuk kam një shkop magjik, që në 100 ditë të ndryshoj qasjen e policisë në këtë fushë. Me drejtuesit e policisë po planifikojmë një reformë dhe qasje të re policisë kriminale me fokus krimin ekonomik. Sot kemi patur urdhra të firmosur nga gjykata, sot kemi disa të arrestuar për të njëjtat akuza si në Maqedoninë e Veriut, që bëhet fjalë për mashtrim me TVSH dhe që mund t’iu them që është vetëm fillimi. Sapo kemi zbuluar një skemë që replikohet në mënyrë të përditshme jo vetëm në Tiranë, por edhe pjesë të caktuara të vendit. Na duhet që të shtojmë forcat e policisë por që të kenë edhe profesionalizmin e duhur. Kam nisur që në akademinë e policisë të kemi sa më shumë djem e vajza që të kenë studiuar ligj dhe ekonomi në mënyrë që të rrisëm numrin e ekspertëve brenda policisë për të hetuar në mënyrë të thellë çdo lloj forme të krimit ekonomik apo evazionit fiskal. Edhe në luftën kundër kontrabandës, kemi një qasje të re, por bie dakord me atë që thoni se na duhen rezultate konkrete”, nënvizoi ministri.

Ai u shpreh se për të si ministër, dështimi nuk është opsion, teksa shtoi se nuk negocion asgjë për suksesin e policisë.

“Një nga ndërhyrjet që kam patur në kuvend së fundmi dhe besoj kam qenë i qartë, është se për mua marrja e detyrës si ministër i brendshëm është detyra më e rëndësishme publike dhe një përgjegjësi shumë e madhe tek e cila kam vetëm një zgjidhje, të kem sukses, dështimi nuk është opsion. Për suksesin e policië së shtetit unë nuk negocioj me asgjë tjetër. Dua të jetë e qartë, të ndaj ministrin e Brendshëm Taulant Balla nga politikani edhe në debatin parlamentar. Kam bërë aq shumë debate, sa tani më duhet të fokusohem më shumë te pjesa e ministrit të brendshëm. Kundërshtarët e mi politikë në pamundësi për të ngritur akuza të natyrave të tjera kanë ngritur akuza. Unë kam vënë një standard të gjitha akuzat kanë shkuar në gjykatë. Dua të jem i qartë, cfarë kanë me politikanin Taulant Balla të vazhdojnë dhe unë do shkoj në gjykatë, me ministrinë e brendshme, ministrin e Brendshëm dhe policinë e Shtetit, nuk kanë asnjë shanc në kuptimin që unë të harxhoj një minutë, të harxhoj kohë. Ju thash kur e kam marrë këtë detyrë e kam marrë me përgjegjësinë dhe angazhimin që këtu nuk mund të kem dështime, dhe me garancinë e mbështetjes, së fortë politike, nga shumica kryeministri, nga të cilët jam shumë i sigurtë që pritshmëritë e publikut do mundohemi t’i adresojmë, nuk po them t’i bëjmë të gjitha realitet. Pyesni cdo qytetar, cfarë duan nga policia?

Tani kjo punë o bëhet kështu o s’bëhet fare. Unë mendoj që në realizimin e objektivave që kemi përcaktuar do kemi kundërshtime. Në 2016 kur miratoheshin ndryshimet kushtetuese për reformën në drejtësi, kishte një palë që ishte kundra, edhe për këtë rol të ri do ketë dhimbje reagime, nga një pjesë e caktuar e politikës. Por sa kohë që shumica e qytetarëve shumica parlamentare dhe kryeministri më mbështesin në realizimin e këtyre objektivave besoj, që kjo është ajo që na duhet. Ka edhe një element tjetër, gjej mbështetje të madhe të partnerëve ndërkombëtarë të Shqipërisë”, përfundoi ministri Balla.



Skip to toolbar