Juventus është dorëzuar para talenteve të Ajax në shtëpi, duke u skualifkuar në çerekfinalen e Champions League. Skuadra e Allegrit nuk ka mundur të ruajë avantazhin që i dha Cristiano Ronaldo në minutën e 28` të takimit, duke u mundur me rezultatin 1-2 nga hollandezët, të cilët shkojnë në gjysmëfinale.
Vendasit e nisën më mirë ndeshjen duke kaluar të parët në avantazh me të përhershmin, Cristiano Ronaldo. Ky i fundit realizoi me kokë në minutën e 28` pas një goditje këndi, e shërbyer nga Pjanic.
Në fakt, pas goli arbitri u konsultua me teknologjinë (VAR-in), për të konfirmuar golin e portugezit pasi miqtë patën pretendime për një faull në zonë.
Mirëpo Ajax nuk dorëzohet dhe reagon menjëherë. Van de Beek realizon golin e barazimit, pasi merr një pasim brenda zonës, dhe përballë Sheznit realizon golin e barazimit. Ky gol krijon besim te skuadra mike, megjithëse pjesa e parë mbyllet në shifra të barabarta.
Në pjesën e dytë Ajax kërkon golin e fitores, ndërsa Juve vuan problemet në mbrojtje. Kështu do të shënohej dhe goli i dytë për miqtë, nga Matthijs de Ligt. Qendërmbrojtësi holandez realizon me kokë një gol spektakolar, pas një goditje këndi.
Kështu shifrat shkojnë në 1-2 për miqtë, të cilët kanë avantazhin e tre golave, pasi kanë në favor dhe golin e shënuar në ndeshjen e parë në shtëpi, që përfundoi barazim 1-1.
Fitorja e sotme i fut në histori talentet e skaudrës së Ajax, që këtë sezon të Champions League kanë surprizuar këdo, madje duke lënë jashtë gjysmëfinales Cristiano Ronaldon, lojtarin që e ka fituar më shumë se kushdo Champions League në dekadën e fundit.