Realstory.al ka mësuar ekskluzivisht se 28 deputetë i kanë bërë një kërkesë Kuvendit të Shqipërisë, ku kërkojnë shkarkimin e Arben Malajt, nga detyra e anëtarit të Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shipërisë. Mësohet se kërkesa është depozituar tashmë në Kuvend, dhe shkarkimi i Malajt pritet të bëhet në seancës plenare të së enjtes. Argumenti i paraqitur nga deputetët për shkarkimin e Arben Malajt, është shkelja e etikës.
Kërkesa për shkarkimin e Arben Malajt është firmosur nga një pjesë e deputetëve të cilët në 2018 e propozuan: Taulant Balla, Antonela Mema, Ervin Bushati dhe Ervin Skuqi. Arben Malaj u zgjodh si anëtar i Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë në dhjetor të vitit 2018, i propozuar nga Partia Socialiste dhe i mbështetur në Kuvend. Megjithatë, Malaj, gjatë javëve dhe muajve të fundit, ka lënë mënjanë detyrën e tij si anëtar i Këshillit Mbikqyrës në BSH, dhe është rikthyer në ‘zanatin’ e vjetër, politikën.
Ai shpesh ka folur kundër kryetarit të Bashkisë Erion Veliaj, duke e cilësuar edhe “arrogant”, apo kundër Partisë Socialiste. “Është rritur arroganca e qeverisjes ndaj shqiptarëve. Rritja e arrogancës fillon nga Bashkia e Tiranës. Kam kundërshtuar moslejimin e shitësve në rrugë. Nuk po flas për qumështin, por si mund të sillesh me arrogancë për atë që nxjerr dy tufa presh, një arkë domate, disa qepë për të blerë një palë këpucë, për të dërguar djalin në shkollë apo për të shkuar diku”.
“Ne qeverisim me gjoba, jo me zemër. Dhe pastaj harxhon mijëra orë në TV duke mbjellë pemë për të përmirësuar imazhin. I gatshëm të përballem me Veliajn për këto çështje. Nuk kthehem në politikë nëpërmjet kësaj PS-je. PS e vërtetë janë njerëzit e thjeshtë, jo ato që vodhën pushtetin” , u shpreh në maj të këtij viti Arben Malaj. Ndaj, për këtë arsye, deputetët socialistë kanë vendosur të kërkojnë shkarkimin e Arben Malajt, i cili në fakt, më herët, ka qenë pjesë e kësaj organizate politike duke mbajtur gjithmonë poste të larta drejtuese.