Arben Ristani tregoi në “Real Story”, se sipas tij, votat e pavlefshme të 30 qershorit, tregojnë që ka një rrevoltë ndaj qeverisë. Megjithatë, Arben Ristani shprehet se në këto momente është mirë që PD të fokusohet te vetja, duke u futur në rrugën e reflektimit. “Zgjedhjet e 30 qershorit, me votat e pavlefshme, pjesëmarrjen, treguan që ka një rritje të mosdakordësisë, të revoltës, ka vend për ndryshim, por çështja është se a do të jemi ne ata që do të bëjmë ndryshimin?! Në fakt, do të doja shumë që fokusi të ishte te qeveria, por bëjmë mirë që të kthehmi dhe te vetja. PD gjithsesi funksionon si institucion, dhe gjërat zgjidhen brenda mekanizmave që paraqet institucioni. Unë shpresoj që këto që po ndodhin të nxisin frymën e reflektimit”.
Arben Ristani shprehet se ky reflektim duhet të përfshijë edhe Lulzim Bashën, duke pranuar zgjedhjet. “Nuk është përgjegjësia vetëm për veten, por për të gjithë shqiptarët. Besoj që është moment reflektimi, duhet ta bëj dhe Bashën për këtë që po ndodhë. Duhet të kapërcejmë dhe vetveten në këtë. Po përdor një shprehje të Berishës, që i tha Bashës “në këto momente duhet të kalosh dhe detin në këmbë”. Unë besoj që në zgjedhje do shkojmë patjetër, nuk ka rrugë tjetër”, tha Ristani.
Mirëpo problemi është deviza e PD, që me Ramën nuk futet në zgjedhje. Në këtë pikë, sipas Ristanit, PD përsëri duhet të reflektojë, pra të futet në zgjedhje me Ramën, nëse s`ka mundësi për ta larguar atë në rrugë tjetër. “Me Ramën apo jo? Nëse çështja është e realizueshme, dakord, por nëse nuk e arrijmë dot, duhet të futemi në zgjedhje me Ramën, të përballemi. Shembujt i kemi, nuk do shpikim në këtë mes. Është vendimmarrja institucionale e PD është nuk ka dialog me Ramën. Unë besoj që ka nevojë për reflektim, ka nevojë që të mblidhemi ta diskutojmë. Të gjendet mënyra të shkohet në zgjedhje, qoftë dhe në zgjedhje të parakohshme. Shqiptarët të papërfaqësuar sa i përket votave të djathta. Ky rezultat është një rezultat shumë i keq që duhet korrigjuar. Prishen balancat e demokracisë, për mua do duhet të gjejmë mënyrë për të shkuar dhe në zgjedhje të parakohshme”. /Realstory.al/