Një grabitje me maska ka ndodhur në mes të ditës në Tiranë, në një zonë mjaft të populluar. Gjatë mesditës së martë një person i armatosur dhe me maskë ka grabitur një zyrë financiare që shërbente për dhënie kredish në shuma të vogla. Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Muhamet Gjollesha” në zonën e “Zogut të Zi”.
Autori ka qenë i maskuar dhe nën kërcënimin e armës tip pistoletë ka marrë një sasi të konsiderueshme parash. Pas vjedhjes ai është larguar me vrap.
Efektivët e policisë “Shqiponjat”, Patrulla e Përgjithshme dhe Forca e Posaçme Operacionale e DVP Tiranë janë vënë në ndjekje të autorit.