Kurz, kërkon të rizgjidhet në Austri

AKTUALITET


Në zgjedhjet parlamentare të së dielës, ish-kancelari austriak, Sebastian Kurz kryeson sondazhet. Skandali i ish-partnerit të tij, FPÖ nuk e ka dëmtuar Kurz. Por a do të hidhet ai sërish në një shtrat me djathtistët?

Pak ditë para zgjedhjeve të dielën, parlamenti austriak shpalli emergjencën, jo atë politike, por të klimës. Me këtë aksion simbolik të gjitha partitë, përveç FPÖ-së, duan të japin një sinjal në një fushatë zgjedhore zvarritëse. Lufta kundër ngrohjes globlale është në modë tani. Edhe kandidati për kancelar, Sebastian Kurz e ka zbuluar këtë temë. Në fund të fundit, ish-kancelari i rrëzuar, Kurz, 33 vjeçar nuk mund të flasë gjithmonë për pengimin e migracionit në republikën e alpeve. Populistët e djathtë janë të vetmit që e quajnë histeri kufizimin e emetimit të CO2-it. Norbert Hofer, fytyra e re të djathtëve, e quan ndryshimin e klimës si Donald Trump apo kolegët e partisë populistë gjermane, AfD një gënjeshtër të fryrë tej mase.

Skandali “Ibiza” e rrëzoi koalicionin

Skandali i ish-kryetarit të partisë, FPÖ, Heinz-Christian Strache, që i ofroi favore një mbese të një gjoja oligarku rus, nuk luajti rol parësor në fushatë. Videoja e regjistruar në fshehtësi në Ibiza shkaktoi një tronditje të madhe në Austri duke sjellë rrëzimin e koalicionit të konservatorëve me populistët nën Sebastian Kurz. Pas skandalit, Kurz u detyrua të largojë edhe ministrin e Brendshëm të FPÖ, Herbert Kickl. Pas kësaj, FPÖ u hakmorr duke kërkuar një mocion mosbesimi për kancelarin, gjë që solli rrëzimin e tij dhe hapi rrugën për zgjedhje të reja. Partia populiste e djathtë e sheh veten si viktimë të një „bande kriminale”. Lidhur me skandalin e regjistrimit të videos qarkullojnë disa teori konspirative.

Kurz kryeson

Fundi jo i lavdishëm i koalicionit të partisë konservatore, ÖVP dhe djathtistëve të FPÖ nuk e ka dëmtuar ish-partnerin konservator. Sipas sondazheve të fundit, Sebastian Kurz me një ÖVP të prerë si me masë për të, kap vlerat e 33-35 %. Ai me gjasë ka për të marrë më shumë vota se në zgjedhjet e fundit, dhe mund të bëhet me distancë forca kryesore. FPÖ që ende duhet të luftojë me veten, nëse duhet ta nxjerrë jashtë delen e zezë me emrin, Heinz-Christian Strache mund të kapë 21-23%. Asaj i duhet të luftojë me socialdemokratët, që në sondazhe renditen me 25-23%, për të zënë vendin e dytë.

Akuza të reja kundër Strache

Ndërkohë po zhvillohen hetime kundër ish-kryetarit të përfshirë në skandal, FPÖ, Heinz-Christian Strache. Dyshohet, se ai së bashku me gruan, sekretaren dhe truprojën e tij kanë keqpërdorur fonde dhe kanë marrë para nga oligarkë të dyshimtë nga Europa Lindore. Truproja e tij ka pranuar të flasë dhe madje luan rol edhe në aferën e Ibizas. Megjithëse brenda FPÖ-së tani po nxirren në shesh shumë të palara, kryesia mbetet e qetë. „Ne kemi shumë votues tradicionalë që mbeten besnik”, tha një funksionare e lartë së fundmi.

Mes partive të vogla mund të gëzohen Të Gjelbrit. Ata pritet të kapërcejnë këtë herë pengesën e 4% dhe të futen në parlament, në të cilin ishin pjesë deri në vitin 2017. Kjo falë temës qendrore të ndryshimit të klimës, thotë kreu i të Gjelbërve austriakë, Werner Kogler.

Slloganet e fushatës

Duelet televizive gjatë fushatës përgjithësisht ishin paqësore. Kreu i ÖVP-së, Sebastian Kurz i dha vetes imazhin e djalit të thjeshtë nga fshati. Ai nuk harronte të përmendte, se tek gjyshërit në një zonë fshatare me dëshirë ka përkëdhelur dhitë. Dikur ishte e rëndësishme për të, të theksonte, si ishte rritur në një lagje punëtorësh në Vjenë. Por në këtë fushatë bëhet fjalë për vendin, identitetin dhe distancimin populist nga të ashtuquajturat elita. Slogani i fushatës zgjedhore të ÖVP-së ishte „Ne duam sërish kancelarin tonë!” Austria me sa duket do atë që njeh, nuk do eksperimente.

Në një duel të drejtpërdrejë me Sebastian Kurz, kandidatja kryesore e socialdemokratëve, SPÖ, Pamela Rendi-Wagner u tall me ndryshimin e imazhit të Kurz. Ai ia ktheu, se njeriu mund të rritet në dy vende. Kandidatja socialdemokrate megjithëse është larg ÖVP-së me vota, vendos optimizimin si kredo të fushatës. Sllogani i socialdemokratëve : “Yes, we Pam!”

Koaltion mes konservatorëve dhe populistëve të djathtë?

Sebastian Kurz para zgjedhjeve nuk ka bërë asnjë premtim për koalicion. Nga qarqet e tij thuhet, se bashkëpunimi me FPÖ është shumë i vështirë për të, pasi është personalisht i zhgënjyer. Por krijimi i një koalicioni tjetër duhet të jetë po ashtu i vështirë. Një rifreskim të aleancës dhjetëravjeçare ÖVP me SPÖ nuk e do asnjë palë. Për një mazhorancë me Të Gjelbrit, të cilin Sebastian Kurz mund ta përfytyronte, nuk do të mjaftonte. Me ndoshta një rezultat 8% ambientalistët janë shumë të dobët. Kurz madje ka pranuar, se mund të arrihet edhe tek një qeveri e drejtuar nga socialdemokratët, nëse partitë e vogla, Të Gjelbrit, partia liberale Neos, Lista Pilz dhe SPÖ shtojnë votat në këto zgjedhje.

Nga ana përmbajtësore, Sebastian Kurz nuk do kishte shumë rezerva të bënte koalicion me populistët e djathtë. Në çështjen e migracionit të dyja partitë janë të një mendimi: Bëhet fjalë për dashurinë për vendin, për identitetin austriak. Këto fjalë nuk janë të huaja për Sebastian Kurz. Por ai sheh disa pjesë të FPÖ-së si shumë të afërt me grupime ekstremiste të djathta, si lëvizja identitare. Kreu i FPÖ-së i mohon lidhje të tilla dhe i relativizon ato. Po ashtu për Sebastian Kurz është një halë në sy edhe ish-ministri i Brendshëm, Herbert Kickl. Ai është nr 2 tek populistët dhe në një parlament të ri mund të bëhet kryetar i grupit parlamentar. Kurz duhet pastaj të bashkëpunonte me të. „A do të bënit koalicion me blutë (simboli i partisë FPÖ, shën.red.), nëse Kickl nuk do të ishte”, e pyeti një moderatore e televizionit Puls, ish-kancelarin. Përgjigja e tij ishte: „Në fillim votohet, pastaj të shohim.”/DW/



Skip to toolbar