Humbja në derbi ka tronditur pozitat e stafit teknik dhe të disa lojtarëve. Presidenti bardhebluve ka paralajmëruar lojtarët dhe drejtuesit e skuadrës për masa, pas dështimit në derbi. “Ishte lojë në favor të Partizanit. Rezultati vendos gjithçka. E merituan fitoren, i uroj suksese. Duhet të flasin specialistët dhe trajneri se çfarë i mungoi Tiranës”.
“Për mua ishte shumë e rëndësishme si ndeshje, duhet të vazhdojmë kampionatin, sepse kampionati është i gjatë. Kemi folur shumë shpejt për objektivat. Ishte një ndeshje që shpresonim dhe unë kisha bindje që do ta fitonim. Ja që fati nuk ishte me ne, e fitoi Partizani”, tha Halili.
I pyetur nëse rrezikon trajneri të shkarkohet, Halili u shpreh me fjalët: “E çfarë nuk bën vakti të gjitha i kemi në tavolinë”. Të hënën pritet një mbledhje urgjente te Tirana, për të vendosur rreth vazhdimësisë së lojtarëve dhe stafit teknik, ndërsa presidenti i klubit bardheblu paralajmëroi edhe largim lojtarësh nga ekipi i parë.
“Skuadra ka lojtarë goxha të mirë. Kam besim që ato do bëjnë më të mirën në të ardhmen. Duhet t’i marrin gjërat shtruar. Do shikojmë te drejtuesit, aty e kemi problemin. Do marrim masa për më të mirën. Do ketë lojtarë që do luajnë te ekipi B dhe nuk do luajnë kurrë tek ekipi i parë siç luajtën”, u shpreh Halili.