Cakaj: Luftën kundër terrorizmit, ta nisim që nga shkolla

AKTUALITET


Ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj mendon se luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit fetar mund ta nisim që nga shkolla, duke hartuar kurrikula shkollore që zhbëjnë doktrinat e shtrembëruara fetare. Kështu është shprehur Cakaj gjatë një mbledhje të nivelit të lartë të zhvilluar në Nju Jork, ku merrte pjesë edhe kancelarja gjermane Merkel.

Kjo mbledhje kishte në fokus diskutime mbi përpjekjet ndërkombëtare për vënien në zbatim të Strategjisë Globale të OKB-së kundër Terrorizmit, si dhe shqyrtimin e arritjeve të deritanishme të nismave franceze dhe jordaneze në lidhje me shmangien e përdorimit të platformave të internetit për motive të ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.


Në një status në Facebook, lidhur me pjesëmarrjen e tij në këtë mbledhje, Ministri në Detyrë Cakaj u shpreh se pavarësisht fitores ushtarake dhe territoriale mbi ISIL, një sfidë tjetër mbetet angazhimi i përbashkët për të zhbërë hapësirën e mundshme të narrativave që nxisin veprimet ekstremiste dhe të dhunshme.

Kjo, sipas Cakaj, kërkon një bashkërendim më të gjerë përpjekjesh të kompanive teknologjike, shoqërisë civile dhe bashkësive fetare e qeverive të vendeve përkatëse.

“Shqipëria ka qenë historikisht një vend shembull i harmonisë ndër-fetare dhe ka prirë në shumë angazhime luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm nëpërmes mekanizmave të saj të sigurisë. Për më shumë, Shqipëria dallohet në rajon e më gjerë edhe për zhvillimin e kurikulave të veçanta shkollore që kanë për qëllim zhbërjen e interpretimeve të shtrembëruara të doktrinave të ndryshme fetare. Së këndejmi, angazhimi i Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm është në përputhje me sfidat bashkëkohore dhe në bashkërendim të plotë me partnerët ndërkombëtarë”,- përfundon  Cakaj.




Skip to toolbar