Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka dhe trajneri Edy Reja kanë arritur në parim marrëveshjen për të vijuar bashkëpunimin. Të martën, palët, trajneri Reja dhe drejtues të FSHF-s, zhvilluan një takim që zgjati disa orë për të diskutuar detajet e kontratës. Nga ajo që mësoi Realstory.al, FSHF i propozoi trajnerit Reja një kontratë 4-vjeçare, por tekniku italian refuzoi një bashkëpunim kaq të gjatë. Shkak, sipas burimeve, ishte mosha e madhe e trajnerit. Megjithatë, në përfundim të takimit duket se doli “tym i bardhë”.
Federata dhe Edy Reja kanë arritur në parim të vijojnë bashkëpunimin, ndërsa kontrata pritet të jetë 4-vjeçare, çka lë të kuptohet se Reja është tërhequr nga kushti i tij për të mos nënshkruar më shumë se dy vite me Shqipërinë. Ndërkohë, Presidenti i FSHF-s, Armand Duka në një ndërhyrje live në emisionin “Punto Nuovo sport Show” në Radio Punto Nuovo në Itali, është shprehur se trajneri nuk rrezikon, pavarësisht rezultateve në ndeshjet e fundit.
“Do të isha i kënaqur nëse do të ishimin kualifikuar, por futbolli ky është. Ne bëmë mirë në disa ndeshje, më pak në të tjerat. E filluam keq me Turqinë në shtëpi, s`patëm fat në transfertë. Nuk patëm përqëndrimin e duhur në të gjitha ndeshjet. Reja nuk rrezikon asgjë. Ai ka bërë punë të mirë. Me siguri ka pjesën e tij të gabimeve, si të gjithë ne. Ndaj Andorrës u desh të bënim më mirë, e nënvlerësuam, por Reja nuk rrezikon”, u shpreh Duka.
Ndërkohë, për gazetën Panorama Sport, presidenti i FSHF-s është shprehur se marrëveshja do të finalizohet së shpejti. “Nuk kemi akoma një marrëveshje, por kjo nuk do të thotë që nuk do të finalizohet me sukses në të ardhmen”. Dy ditët në vijim pritet të jenë vendimtare për të mësuar gjithçka ka ndodhur për arritjen e marrëveshjes mes FSHF dhe trajnerit Edy Reja.