“Do deklarojnë pasurinë si politikanët”, Lleshaj: Do shkatërrojmë bizneset kriminale

#NËRADAR


Ligji që synon të ashpërsojë goditjen kundër krimit të organizuar nxiti debate të ashpra në studion e “Real Story”. Gazetarja Klodiana Lala u shpreh se ligji cënon lirinë dhe të drejtat e njeriut, ndërsa policia merr kompetenca që nuk i takojnë. Megjithatë, Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj u shpreh se ligji ka target të kufizuar, kryesisht krimin e organizuar, personat e dënuar për trafik droge apo terrorizëm. Sipas Ministrit, ligji ka garanci se do të zbatohet, ndryshe nga ligji Anti-Mafia që nuk u zbatua kurrë, sipas ministrit.

“Subjektet e këtij ligji janë personat që kanë kryer një vepër penale. Pra që janë dënuar për një kategori të caktuar veprash penale, krimi organizuar, droga apo terrorizmi. Ndaj këtyre personave ka dorë më të lirë policia për tu marrë me ta. Ky ligj ka karakter administrativ. Ligji anti-mafia nuk është zbatuar asnjë ditë. Ky ligj ka garanci për t`u zbatuar. Do shkatërrojmë bizneset kriminale. Krimi organizuar edhe pse është i fshehtë, por ka një gjë që është e dukshme, pasuria e tyre. Ne do shkatërrojmë këtë model të biznesit të tyre. këtë do bëjmë, do t`i japim fuqi policisë që të sekuestrojë në çast bizneset e kriminelëve”, tha Lleshaj.

Si kontrollohet një person që ka 12 mijë euro të ardhura dhe ka makinë 120 mijë euro? Kësaj pyetje të drejtuesit të emisionit “Real Story”, Sokol Balla, ministri Lleshaj iu përgjigj se ky është synimi i ligjit për personat e dënuar për vepra të rënda penale. Sipas tij, për shkak të mungesës së një ligji për deklarimin e pasurisë për qytetarët e thjeshtë, ky ligj i detyron personat e dënuar të deklarojnë se si e kanë bërë pasurinë, të cilën duhet ta provojnë në gjykatë.

“Ne na mungon detyrimi i qytetarëve për të deklaruar pasurinë. Ky ligj, thotë, për një të dënuar që ka dalë nga burgu: t`i që ke këtë makinë luksoze, shko në gjykatë, provoje që është makina jote dhe hajde merre. Pra gjithë cikli mbyllet në gjykatë. Nëse policia e ka gabim, do e dëmshpërblejë. E ka të shkruar ligji. Ne po i vendosim kriminelët në situatë siç kemi vendosur politikanët dhe gjyqtarët, pra të deklarojnë të ardhurat e tyre. Nëse ka mos përputhje të mbajnë përgjegjësi”, tha Lleshaj./Realstory.al/



Skip to toolbar