Kryeministri Edi Rama niset drejt Londrës, ku do të marrë pjesë në Samitin e NATO-s. Par nisjes, kreu i Qeverisë reagoi me një video-mesazh në rrjetet sociale. Kryeministri u bën thirrje qytetarëve shqiptarë të prekur nga tërmeti, që këto 24 orë që ai nuk do të jetë në terren, të mos kenë asnjë merak sepse gjithçka do të jetë si në ditët e tjera. Ndërsa shton se Samitin e NATO-s do ta shfrytëzojë për të folur për dëmet e shkaktuara nga tërmeti.
“Nesër pasdite do të nisem për Tiranë, por me një ndalesë, pasi do jem në një intervistë në “Porta-Porta”, në Romë. Pastaj do kthehem në Tiranë, ku do jem në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë. Samitin e NATO-s do ta shfrytëzoj me sa të mundem për të folur për ju. Asnjë merak për këto 24 orë, sepse do jemi në komunikim dhe në terren gjithçka do të vazhdojë po njëlloj, sipas planit”.
“Hotelet do presin qytetarët që lëvizin nga zonat urbane, ndërsa ata që nuk lëvizin dot nga toka, do vijojmë t’i pajisim me çadra. Ne nuk kemi ndërmend të flemë gjumë pa mbuluar me strehë nevojtarin e fundit dhe pa përfunduar për të gjithë programin e rindërtimit, në një banesë më të mirë se ajo që kishit. Ju lutem, sa më pak televizor, hiç portale. Siç thotë një shprehje popullore “Lavdia më e madhe nuk është të mos rrëzohesh asnjëherë, por të ringrihesh pasi rrëzohesh”. Shqipëria e plagosur kaq keq do ringrihet më fort”, tha Rama.