Zëvendëskancelari austriak Heinz Christian Strache ka dhënë dorëheqjen një ditë pas publikimit të videos, ku ai përfshihet në një skandal korrupsioni.
Në video, Strache shfaqet duke diskutuar kontrata qeveritare me një investitore të dyshuar ruse në këmbim të mbështetjes në fushatë. Video u publikua nga gazetat gjermane der Spiegel dhe Süddeutsche Zeitung dhe shfaqet Strache dhe Johann Gudenus, politikan i Partisë së Lirisë duke biseduar me një grua e cila prezantohet si mbesa e një oligarku rus. Gruaja ofron të blejë 50 % të gazetës austriake Kronen-Zeitung që të mbështesë Partinë e Lirisë.
Zëvendës kancelari Strache tha se po largohet për të mos dëmtuar më qeverinë, por është viktimë e një sulmi politik.
“Po largohem për të shmangur dëmtimin e mëtejshëm te qeverisë. Jam viktimë e një sulmi politik. Takimi në Ibiza është i vërtetë. Video është regjistruar ilegalisht, por unë nuk kam pranuar asnjëherë donacione nga investitorja ruse apo t’i kem dhënë asaj ndonjë biznes.”- tha Strache