Deputeti i Kujtim Gjuzi ka marrë përsipër, jo vetëm të mos lejojë zgjedhjet e 30 qershorit, por edhe të rregullojë kushtet në autobusët e linjave urbane në Tiranë. Sot, ai ka bërë një kërkesë në kolegjin zgjedhor për zgjedhjet e 30 qershorit dhe menjëherë pas depozitimit të kërkesës, ai është parë në një nga autobusët e Unazës së Tiranës.
I veshur me kostum gri dhe me telefon Vertu në dorë, ai është filmuar duke biseduar për shkeljet kushtetuese të bëra nga mazhoranca, ku sipas bisedës telefonike, ai shprehet “ka shku ka marrë një subjekt politik, i cili është vetëm nismëtar. Ka shkel Kushtetutën, si Meta”. Sipas bisedës, ai ka hipur në autobus, pasi ka lënë një takim me drejtorin e burgut, për të cilin shprehet se nëse ai nuk e pret do thirrë në interpelancë Ministren e Drejtësisë që ta shkarkojë nga puna. Pas kësaj bisede telefonike me telefonin “Vertu”, deputeti Gjuzi i është drejtuar shoferit të autobusit, duke i kërkuar llogari përse nuk janë ndezur kondicionerët, duke qenë se e ka në kontratë që duhet t’i mbajë ndezur.
Deputeti Gjuzi është filmuar në autobus vetëm pak orë pasi ai ka mbajtur një konferencë për mediat, ku është shprehur se ai dhe Partia Konservatore që ai drejton nuk do t’i njohin zgjedhjet e 30 qershorit.
Ai i është drejtuar kryeministrit Edi Rama duke thënë se duhet të bëjë një ftesë zyrtare ndaj Bashës dhe jo letra të njëpasnjëshme.
“I dërgon atij letra. Që janë bërë qesharake. Letra të cilat nuk janë bërë në konsideratë. Çfarë do të bëjmë themi ne të konservatores. Te dy nuk duhet të jenë Haxhi Qamili. Shkëlqesi kryeministër ju keni përgjegjësi te ftoni opozitën zyrtarisht me shkresë zyrtare si kryeministër. Ne nuk kemi frikë nga përballja. Ftesa konservatore është se ne po shohim edhe bllokimin tonë në KQZ. Le të jemi të përgjegjës se nëse nuk do të kemi në bashkërendim qytetar konservatorët nuk do ta njohin datën 30 për zgjedhje edhe pse ne jemi regjistruar. Ne nuk njohim këtë datë. Pasi ne kundërshtojmë Presidentin e vendit”, tha Gjuzi në konferencë për shtyp.