Plagosen 4 policë në Mitrovicë, reagon Thaçi. Vuçiç kërkon ndihmë nga ndërkombëtarët

AKTUALITET


Katër policë kanë mbetur të plagosur gjatë operacionit policor në Veri të Mitrovicës, mëngjesin e së martës. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Spitalit të Mitrovicës, Nita Mustafa.

“Për momentin katër policë janë të plagosur por që janë jashtë rrezikut për jetë. Tre prej tyre janë duke u trajtuar në Emergjencë dhe njëri në Kirurgji”, tha Mustafa.

Mediat e Kosovës raportojnë se janë disa persona të arrestuar të cilët janë dërguar në Inspektoratin Policor.

Ndërkohë që pas Haradinajt ka reaguar edhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, i cili ka kërkuar mbështetje për punën e policisë, ndërsa ka theksuar se në Kosovë nuk ka vend për krim të organizuar dhe për persona që merren me aktivitete të kundraligjshme.

“Institucionet e rendit dhe ligjit kanë nevojë për besim dhe përkrahje maksimale të tërë shoqërisë në luftën e pa kompromis kundër krimit të organizuar, kontrabandës dhe korrupsionit, në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Shpreh keqardhjen time për plagosjen e policit tonë në krye të detyrës dhe i uroj shërim sa më të shpejt. Në dekadën e dytë të Republikës së Kosovës s’do të ketë vend për krim të organizuar dhe ata që merren me aktivitete të kundërligjshme do të përfundojnë prapa grilave. Operacioni i sotëm policor është në të mirë të të gjithë qytetarëve pa asnjë dallim dhe ftoj komunitetin serb në veri që ta ruajë qetësinë dhe ta përkrah luftën kundër krimit të organizuar. Forcimi i rendit dhe ligjit është jetik për barazinë e gjithë qytetarëve dhe përshpejton lëvizjen tonë drejt procesit të integrimeve euroatlantike! HTH”, shkruan Thaçi në Facebook.

Ndërkohë që mediat serbe raportojnë se Vuçiç ka mbledhur qeverinë mëngjesin e së martës dhe ka njoftuar ndërkombëtarët që të frenojnë Prishtinën. “Serbia nuk do të lejojë pastrimin etnik të ndodhë në Kosovë dhe Metohi”, raportohet të ketë thënë Vuçiç në mbledhjen e qeverisë.



Skip to toolbar