Letrën e shtatë publike, kryeministri Rama ia kushton demokratëve dhe jo kreut të PD-së. Ndryshe nga herët e tjera, në këtë letër kryeministri zgjedh t’i drejtohet demokratëve dhe t’ua sqarojë atyre sesi qëndron e vërteta. Ai bën të ditur se Basha ka braktisur zgjedhjet sepse ka frikë nga humbja, por edhe nga drejtësia.
Në letrën e gjatë të postuar në facebook kryeministri teksa i drejtohet demokratëve dhe thotë se sot PS nis fushaten zgjedhore, ndersa rruga e nisur nga opozita, dëmton Shqipërinë.
“Fatkeqësisht, jo vetëm për ju po edhe për vendin, udhëheqja juaj politike ka hyrë në rrugën pa krye të frikës nga zgjedhjet, të panikut nga drejtësia dhe të kërcënimeve e të orvajtjeve të dëshpëruara, në dëm të Shqipërisë e të çdo shqiptari të interesuar për paqe sociale, zhvillim ekonomik, integrim të plotë të vendit në Bashkimin Europian”, shkruan Rama.
Ai më tej sqaron se vetpërjashtimi nga zgjedhjet i një partie politike, nuk i bën ato jo demokratike, pasi të gjithë kanë të drejtë të marrin pjesë në zgjedhje, por i tremben sfidës elektorale.
“Udhëheqja juaj nuk do zgjedhje, sepse i trembet një disfate elektorale të radhës. Ndërsa ne nuk e shkelim dot detyrimin, sepse duam të zgjidhemi në zgjedhjet e radhës. Kam dëgjuar shpesh pyetjen: A mund të bëhen zgjedhje demokratike pa opozitën?
Zgjedhje demokratike do të thotë që të gjithë të gëzojnë të drejtën të zgjidhen. Por nëse përjashtimi në çfarëdo forme i opozitës nga zgjedhjet i bën ato antidemokratike, vetëpërjashtimi i një partie kryesore nga zgjedhjet nuk i bën ato jodemokratike”, shkruan Rama.
Ai gjithashtu kujton se prekja e zgjedhjeve, bllokimi apo dëmtimi i tyre dënohet rëndë në Kodin Penal. Në përfundim kryeministri thekson sërish se zgjedhjet do të zhvillohen në 30 qershor.
LETER E SHTATE PUBLIKE JO PER LULZIM BASHEN
Bashkëqytetarë demokratë,
sot Partia Socialiste nis zyrtarisht fushatën e zgjedhjeve të 30 qershorit. Ndërsa partia të cilës ju i përkisni si anëtarë apo që e keni votuar, si mbështetës ose simpatizantë, nuk merr pjesë në këto zgjedhje. Fatkeqësisht, jo vetëm për ju po edhe për vendin, udhëheqja juaj politike ka hyrë në rrugën pa krye të frikës nga zgjedhjet, të panikut nga drejtësia dhe të kërcënimeve e të orvajtjeve të dëshpëruara, në dëm të Shqipërisë e të çdo shqiptari të interesuar për paqe sociale, zhvillim ekonomik, integrim të plotë të vendit në Bashkimin Europian.
Braktisja pa kthim e parlamentit, nxitja e dhunës, bojkotimi i zgjedhjeve, janë në thelb arratisje nga misioni, funksioni dhe korniza e vlerave të një partie demokratike. Jam sinqerisht i keqardhur për këtë.
Unë nuk jam ai që ju doni të shihni në krye të vendit. Nuk më keni votuar dhe sot nuk ju kërkoj të më votoni, po thjesht shpresoj të më lexoni.
Kur kemi vendosur të jetojmë në një sistem shumëpartiak dhe të synojmë bashkimin e Shqipërisë me Europën, kemi sfiduar një histori të gjatë e aspak bujare në aspektin e traditës demokratike. Hymë në rrugën krejt të re të demokracisë, pas një gjysëm shekulli diktaturë komuniste dhe një mënyre jetese të imponuar, ku kundërshtari politik ishte thjesht një armik për t’u luftuar pa asnjë mëshirë, e për t’u asgjësuar pa asnjë ngurrim. Sot e gjithë ditën, jeta jonë politike vuan ende nga paaftësia për ta respektuar kundërshtarin pa e sakatuar publikisht, me sulme që rëndom tejkalojnë çdo kufi etik dhe kthehen shpesh në dhunë gjuhe të përdalë me egërsi, deri në farë e në fis. Por sidoqoftë, kemi tejkaluar një fazë të rëndë, kur kundërshtarët politikë sakatoheshin me dhunë fizike ose kur protestat ishin të rrezikshme, sepse armët e shtetit përdoreshin për të qëlluar me plumba mbi protestuesit apo reagimi policor ndaj tyre kthehej në hu masiv. Kësisoj, edhe pse rikthimi fatkeq i protestave të dhunshme së fundmi ka treguar se ende s’jemi deprimitivizuar politikisht, kemi bërë sidoqoftë progres të madh në qasjen e qeverisë e në sjelljen e forcave të policisë ndaj protestuesve. S’është pak.
Disa mijëra ndër ju, keni marrë pjesë në protestat partiake të kohëve të fundit dhe shumë të tjerë prej jush, i mbështesni ato edhe pse, bazuar në anketimet tona, po edhe në çfarë tregojnë anketimet e pavarura të bëra nga miqtë tanë ndërkombëtarë, shumica e demokratëve nuk mbështesin as djegien e mandateve, as dhunën e ushtruar në protesta dhe as bojkotin e zgjedhjeve nga ana e udhëheqjes suaj. Gjithësesi, juve as ju pyeti kush për këto vendime politike ekstreme dhe politikisht vetëvrasëse, as nuk është qëllimi im këtu t’ju them çfarë duhet të bëni me udhëheqjen tuaj, e cila ka humbur shikimin pasi s’di të shohë përtej hundës së vet.
Askush ndër ju mbase, unë jo e jo, s’e kishte menduar se do të vinte dita kur partia juaj, e lindur si parti parlamentare nga zgjedhjet e para pluraliste, as të mos ishte më parlamentare dhe as të mos futej në zgjedhje. Çudi dhe degradim i madh njëkohësisht! Por sot, me një vendim sovran të udhëheqjes së asaj partie jemi përpara këtij fakti të kryer dhe s’kemi, mesa duket, asnjë mundësi ta zhbëjmë një zhvillim kaq negativ.
Zgjedhjet janë një e drejtë e panegociueshme kushtetuese e të gjithë atyre që duan të zgjedhin dhe një detyrim i pashmangshëm kushtetues i të gjithë atyre aë duan të zgjidhen.
Udhëheqja juaj nuk do zgjedhje, sepse i trembet një disfate elektorale të radhës. Ndërsa ne nuk e shkelim dot detyrimin, sepse duam të zgjidhemi në zgjedhjet e radhës.
Kam dëgjuar shpesh pyetjen: A mund të bëhen zgjedhje demokratike pa opozitën?
Zgjedhje demokratike do të thotë që të gjithë të gëzojnë të drejtën të zgjidhen. Por nëse përjashtimi në çfarëdo forme i opozitës nga zgjedhjet i bën ato antidemokratike, vetëpërjashtimi i një partie kryesore nga zgjedhjet nuk i bën ato jodemokratike.
Prandaj unë e ngre ndryshe pyetjen: A mundet që zgjedhjet demokratike të bëhen vetëm nëse do opozita?
Imagjinoni për një moment sikur zhvillimi i zgjedhjeve në këtë vend të varet nga do apo s’do opozita të bëhen! Mendje të lehta politike e mediatike, kanë rrahur së fundmi shumë ujë në havan, lidhur me sa e tmerrshme qenka të bëhen zgjedhjet pa opozitën dhe sa e thjeshtë qenka, që të shtyhet data e zgjedhjeve meqë s’do opozita!
Sinqerisht ju them, po të ishte kaq e thjeshtë, do të isha unë i pari që do të merrja flamurin e shtyrjes së zgjedhjeve, sepse në fund të fundit do të parapëlqeja të përqëndrohesha non stop tek punët e qeverisë, pa qenë nevoja t’i bija rreth e përqark për fushatë Shqipërisë. Por jo vetëm pse është e pamundur nga pikëpamja kushtetuese, por edhe pse është e tmerrshme nga këndvështrimi i bashkëjetesës demokratike, unë mbetem absolutisht kundër idesë së shtyrjes së zgjedhjeve.
Si mund të vendoset – ku është parë? – ky rregull i ri i bashkëjetesës demokratike, që zgjedhjet të varen nga dëshira ose mungesa e dëshirës së një pale për zhvillimin e tyre, në datën e caktuar nga Kushtetuta. Kjo s’është punë date apo stine, kjo është punë qëndrueshmërie e themelit të jetës demokratike. Imagjinoni pak sikur të hapej rruga e një marrëzie të tillë jo vetëm qartësisht antikushtetuese, po edhe thelbësisht antidemokratike, se çfarë do të ndodhte në zgjedhjet pas këtyre zgjedhjeve, në ato pas tyre dhe me radhë, kur sipas tekave të opozitës së radhës (apo edhe të palës tjetër në qeveri pse jo!) data e zgjedhjeve të kthehej, nga një detyrim kushtetues për ata që duan të zgjidhen, në një lojë politike e kujtdo që nuk do zgjedhje!
Disa mendje ndër ato të lehtat që lartpërmenda i bien shkurt: Po ik ti (dmth unë) e pastaj le të bëhen bashkë, andej nga vjeshta, zgjedhjet vendore e ato të përgjithshme dhe fitoji prapë po deshe, se po vazhduam kështu vendi do shkojë në përplasje civile! Kjo është një recetë nga ato që heqin dhimbjen e kokës duke e paralizuar komplet trupin! Imagjinojeni pak çfarë rruge e tatëpjetë hapet për demokracinë tonë nesër, nëse sot vendoset precedenti që mjafton të ikësh nga parlamenti, të ushtrosh dhunë e të kërcënosh me moslejim të zgjedhjeve lokale dhe e përmbys, mu në mes të mandatit qeverinë e zgjedhur – duke provokuar zgjedhje të reja kur do ti, madje me kryeministrin që vendos ti! Nuk është e nevojshme besoj të zgjatem në këtë pikë, sepse s’ka mendje normale që s’e kupton çfarë çorapi do të ishte një jetë e tillë politike, ku fituesi nuk qeveris dot sipas kontratës me popullin dhe humbësi i imponohet me dhunë edhe vetë popullit!
Shkurt, çdo zgjidhje anormale në emër të normalitetit demokratik sot, kthehet në bumerang që prodhon anormalitet antidemokratik, për vite me radhë nesër.
Edhe dy fjalë për moslejimin e zgjedhjeve. Eshtë krim dhe ndëshkohet rëndë nga Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë, kushdo që e kryen një krim të tillë. Po jo vetëm kaq, cilido që do të kuturisej të prekte një hallkë të vetme të procesit zgjedhor dhe do të dënohej më pas për krime zgjedhore në Shqipëri, nuk do ta kishte më të mundur të shkelte për gjithë jetën në Shtetet e Bashkuara (do të merrte në qafë edhe familjarët e afërt sipas ligjit përkatës në SHBA) dhe as do të kalonte dot më, kontrollin e kufijve të Bashkimit Europian duke u përfshirë në listën e kompjuterizuar të personave me rekorde kriminale, të cilët nuk hyjnë dot në territorin e Unionit.
A i’a vlejnë të gjitha këto pasoja të rënda për të shkuar pas berihait? Nuk besoj dhe jam i bindur se nuk do të ketë njerëz të zakonshëm, që të bëhen pjesë e një marrëzie kaq të jashtëzakonshme.
Në 30 qershor do të votohet në të 61 bashkitë e vendit. Ne do të bëjmë më të mirën për t’i dhënë Kukësit, Shkodrës, Kamzës, Lezhës, Devollit, Mallakastrës e me radhë bashkive blu, qeverisjen e munguar deri më sot, pavarësisht nëse ju do të dilni apo jo në votime. Kudo ku do të fitojmë aty ku kemi kundërshtarë të regjistruar, njësoj si aty ku s’kemi të tillë, ne do të jemi në dispozicion të të gjithë qytetarëve pa dallim. Betejën politike me udhëheqjen tuaj ne e kemi fituar dukshëm e bindshëm, sa për meritën tonë aq edhe për paaftësinë e asaj udhëheqjeje – ndajeni vetë cila nga të dyja peshon më shumë. Por betejën e vërtetë, më të vështirën, ne e kemi me plagët e qyteteve e të fshatrave kudo në Shqipëri, po sidomos aty ku ende era e ndryshimit të madh urban të katër viteve të fundit, s’ka fryrë sa e si duhet si pasojë e keqqeverisjes vendore të shumë bashkiakëve demokratë.
Me respekt të plotë për të drejtën tuaj për të menduar ndryshe prej meje, ju përshëndes e ju uroj çdo të mirë e shëndet në familjet tuaja.
Edi Rama
1 qershor, 2019