Ahmetaj: Në mars 2022 s’do ketë asnjë shenjë nga tërmeti

AKTUALITET


Ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj ka zbuluar afatet se kur do të mbyllet procesi i rindërtimit për dëmet e shkaktuara nga tërmeti i frikshëm i 26 nëntorit të 2019-ës.

Në një intervistë për rubrikën ‘Opinion’ në ‘News24’ Ahmetaj premtoi publikisht në emër të qeverisë se brenda majit të vitit që vjen të gjitha njësitë individuale (banesat) do të jenë ndërtuar, ndërkohë që rreth 90% e pallateve do të jenë gati në tetor të 2021-it.


Po ashtu ai theksoi se në mars të 2022-it nuk do të kenë më asnjë shenjë nga tërmeti famëkeq që goditi vendin tonë dhe që shkaktoi 51 të vdekur. Ndër të tjera Ahmetaj nuk kurseu as ironitë në drejtim të opozitës dhe akuzave që PD-së, ndërsa iu sugjeroi që t’i kthehen tabelës së shumëzimit.

PJESË NGA INTERVISTA
Një vit nga tërmeti i 26 nëntorit, që shkaktoi 51 të vdekur dhe la të pastreha qindra shqiptarë. Në c’pikë jemi sot pas 1 viti?

Opozita siç doli dhe sot ka si qëllim që të bëjë pis çdo proces. Rindërtimi është proces unik. Me çdo lloj procesi rindërtimit, edhe në vendet e zhvilluara, janë me 6-8 vite ku njerëzit vërtiten nëpër kontejnerë dhe çadra. Është totalisht social dhe është në ADN të profilit tonë si maxhorancë, ky proces është totalisht social dhe i majtë. Shumë vende të botës në raste të tilla i ofrojnë qytetarëve kredi me kushte të buta. Për një sekondë ju ftoj të imagjinoni mbi 28-30 mijë familje që të rreshtoheshin tek bankat e Shqipërisë dhe të kërkonin kredi. Ndërsa ne kemi bërë një instrument social dhe shtëpitë do të jenë falas, të 4 programet janë sociale. I pari janë grantët. Kur del PD dhe flet ato që flet, ku në një pandemi dhe në një gjëmë që ndodhi me tërmetin, do të kishte hije që të ishte mbështetëse dhe të na shtynte që të ecnim përpara dhe jo bolori dhe fake news dhe fakte të rreme siç e kanë strategji. Hedhin fakte të paqena. Ne japim shtëpi falas. Grantet e rikonstruksionit janë 10.4 mld lekë deri më sot të aprovuara. Janë 6.4 mld të shpërndara në duart e familjeve, janë 28 mijë familje që përfitojnë nga grantet e rikonstruksionit. Janë 74 mln dollarë që familjet shqiptarë, ku kanë marrë për të rikontruktuar shtëpitë e tyre. Sot janë 1234 familje në çadra. Të 100 mln dollarët do të shkojnë për ta. Sot në Durrës, në Shijak, në Kavajë, janë duke u rikonstruktuar ambientet e përbashkëta, dhe shumë familje janë kthyer në shtëpi. Programi i dytë, i njësive individuale, janë rreth 1 mijë familje që do të festojnë vitin e ri në shtëpitë e tyre të reja të bëra falas. Në Thumanë janë bërë lagje moderne, me shtëpi më të mira se ato që humbën. Deri në 31 dhjetor do të jenë përfitues rreth 1 mijë familje, janë çelësa reale, janë shpirtra reale që përfitojnë. Programi tjetër, shkollat. Pashë dje një qesharak nga zonat e dëmtuara që fliste për një shkollë. Ne do ndërtojmë 155 shkolla me standarde të BE. Janë 52 shkolla në vlerësim që mund t’i shtohen kësaj liste. Shkeleni një nga shkollat që ka mbaruar, standarde europiane. Nuk është ky investim në 30 vite. Programi i katërt; pallatet. Janë 59 shkolla që po bëhen nga buxheti i shtetit. Pallatet janë një projekt tjetër. Ka nisur ndërtimi i tyre në lagjen ‘5 Maji’, në Kavajë dhe në Durrës. Shumë shpejt do të nisë në Kombinat ndërtimi i pallateve. Të nderuar qytetarë, që akoma nuk e keni të mundur të hyni në shtëpitë tuaja, s’kemi humbur asnjë ditë. Procesi i rindërtimit është sa ¼ e ndërtimeve të tjera. Kur nisëm në Laç, nisën që nga plaku dhe deri më i riu andej nga boloria politike, dhe thanë; ‘nuk po punohet’. Po e keni parë se çfarë po ndodh atje? Një model ndërtimi. E mbani mend Laçin e PD? ! Edhe ai përrua që kalonte mes Laçit, do sistemohet. Me Abu Dabin firmosëm 75 mln dollarë. Në vend që opozita të thoshte ‘faleminderit’ për këtë qeveri, nisi të thoshte; ‘u firmos atje, këtu, pse shkuan?!’ 75 mln dollarë që na i japin Emiratet. Ju them qytetarëve të Durrësit që paratë e Emirateve na i kanë dhuruar, dhe do i punojnë dhe do ndërtojnë vetë. Se pastaj nis boloria. Ja ku është marrëveshja (tregon marrëveshjen) E firmosur në një ambient të hapur, për shkak të pandemisë. Ja t’ju tregoj shumën; 75 mln dollarë.

Këto 75 mln do përdoren për Durrësin?
Po është diznjenuar vetëm për Durrësin ky grant. Për Bashkinë e Durrësit.

Kur nis ky projekt?
Ne po dorëzojmë projektet e pikëzuara dhe të Spitallës, skuadrës që dërgon javën që vjen donatorin. Dhe më pas vendoset kompania që do të ndërtojë. Në krye të 2-3 javëve do të nis ndërtimi i pallateve. Shikoni Fushë-Krujën, Laçin, apo Thumanën. Dua të falënderoj donatorët, duke nisur nga Emiratet e Bashkuara, nga Turqia, nga Komisioni Europian. Komisioni Europian është donatori kryesor në Rindërtim, 150 mln euro. Më pas është dhe Gjermania, Danimarka, Britania, Serbia, etj.

Qeveria është akuzuar nga opozita, se nuk keni mbajtur premtimet e dhëna. Pra ju akuzon se keni ndërtuar 2.6 % të shtëpive nga ato që premtuat, apo se nuk keni ndërtuar asnjë spital apo pallat. Si i përgjigjeni këtyre akuzave?
S’kam punë me opozitën. Ajo ka bolorinë e vetë politike dhe vetëm gënjen. I ftoj që të bëjnë një kalkulim, se për to janë tmerrësisht të saktë (Ironizon). Janë sot në përfundim e sipër 28 shkolla që po bëhen nga buxheti i shtetit, 2.6% janë këto nga 155. Duhet ta bëjë njëri llogarinë, që ta bëjë sak, se kanë llahtarisur njerëzit me tabelën e shumëzimit. Në 31 dhjetor mbarojnë rreth 1 mijë banesa. Po në 100 mln dollarë, janë shpërndarë 74 mln dollarë. 2.6 % është kjo? Se na llahtarisët! Procesi nuk është i kollajtë. Është gjetur financimi, është strukturuar në buxhet. Është proces i kujdesshëm dhe i përgjegjshëm. Pastaj janë bërë projektet, prokurimet, apo shpronësimet me shkëmbim apo ato me mjete monetare. Bolorisë politike nuk i referohem fare, i them që; ‘kthehuni tek tabela e shumëzimit’. Është një spital në Laç që po ndërtohet. Durrësi dhe Kavaja, Vlora, janë thuajse gati. Kemi kapacitete rreth 25 % dhe në Tiranë. Shqipëria është vlerësuar dhe nga OBSh si një vend me një sistem mbi mesataren, më i miri në rajon. Por ne nuk jemi në garë me askënd, pasi ne jemi në garë me atë çka duam që t’i shërbejmë qytetarëve.

Procesi i rivlerësimit të një pallati vazhdon? Vjen një pyetje nga një qytetar; “Më kanë ardhur disa kohë më parë specialitet dhe thane se pallati nuk do të shembet. Përpara disa ditësh erdhën disa specialistë të tjerë dhe kanë thënë; ‘ndoshta ky pallat do të shembet’’”.
Po të ma dërgojë rastin e pallatit në fjalë, mund t’ju kthejë përgjigje. Kur bëhet vlerësimi i parë, inxhinierët bëjnë dhe një vlerësim të dytë. Kemi një rast në Durrës, që ishte për rikonstruksion DS4. Pasi inxhinierët panë kolonat dhe themelet, nxorën konkluzionin se ai është DS5. Qytetarët kishin frikë të rrinin atje. Inxhinierët bënë vlerësimin dhe e nxorën DS5. Pra një pallat që do të rindërtohet.

A ka një afat për rindërtimin?

Puna që po bëj për rindërtimin është një ndër më të rëndësishmet në karrierën time. Është më e rëndësishme pasi është e plotë në shpirtin tim, pasi ka të bëjë me njerëz që kanë nevojë për përkujdesje. Brenda majit të vitit që vjen të gjitha njësitë individuale do të kenë mbaruar. Brenda majit edhe të gjitha DS4 do të jenë riparuar, patjetër dhe DS1 deri në DS3. Laçi, gjysma e pallateve do të jetë gati në mars. Rreth 90 përqind e pallateve do të jenë gati në tetor 2021. Në mars 2020 nuk do të shihni asnjë shenjë të tërmetit, dhe të gjitha banesat do të jenë të rindërtuara ose rikonstruktura. Kjo është përgjigje zyrtare por dhe personale. Në emër të kryeministrit ky është një skedë të mirëmenduar. Askush nuk do të ngelet pa shtëpi.




Skip to toolbar