Albi Xhunga: Mbështetja e sinqertë e një gjermaneje të vogël për opozitën

Më të fundit


Kancelaritë perëndimore dhe ambasadat e huaja në Tiranë nuk janë shprehur në lidhje me publikimin e të dhënave të qytetarëve të Tiranës, apo keqpërdorimin e tyre, pasi kjo tashmë është çështje e drejtësisë. Opozita në këtë rast nuk ka përse të kompleksohet duke e interpretuar këtë si një mungesë përkrahje ndaj saj. Mirëpo reagimet nuk është se kanë munguar.

Plot tre herë gjatë ditës së djeshme, shkëlqesia e tij, presidenti i republikës, zoti Ilir Metaj, i është referuar një politikaneje gjermane, e cila i ka shkruar kryeministrit të Shqipërisë, një letër plot indinjatë dhe kërkesë llogarie në lidhje me abuzimin e të dhënave nga patronazhistët e PS. Shkëlqesia e tij i kërkonte kryeministrit t’u përgjigjej pyetjeve të politikanes gjermane.


Rezarta Reimann, një politikane lokale gjermane, që referuar emrit duhet të ketë origjinë shqiptare, e ka shkruar këtë letër në cilësinë e lartë të nënkryetares së grupit socialdemokrat të këshillit bashkiak të Schwabach (provincë e Nurembergut me 40 mijë banorë). Që ta sqarojmë edhe njëherë për të shmangur keqkuptimet. Zonja Reimann nuk është nënkryetare e këshillit bashkiak të qytezës së paqtë Schwabach. Ajo ka nderin të jetë vetëm nënkryetare e grupit socialdemokrat të këtij këshilli. Nuk dihet nëse edhe kryetari i grupit socialdemokrat të këshillit bashkiak të Schwabach e ka dhënë miratimin e tij për këtë letër. 

Pasi konferenca për shtyp e shkëlqesisë së tij dha sigurinë se ky lajm nuk ishte ndonjë prodhim i rubrikave humoristike të shtypit, vura re se zonja Reimann kishte reaguar ashpër edhe për çështjen e Teatrit Kombëtar, Reformës në Drejtësi etj, me anë të letrave publike. Nëse ndiqet ky ritëm, në ditët në vijim pritet që zonjë Reimann të reagojë me vendosmëri për situatën e përplasjeve SHBA-Kinë, pa miratimin e grupit socialdemokat të këshillit bashkiak të qytezës Schwabach.

Sipas presidentit kjo letër publike e zonjës Rezarta Reimann është censuruar nga shtypi. Ky ndoshta është një tregues se në Shqipëri ka ende media serioze. Por nëse konstatimi i shkëlqesisë së tij është i saktë, që dmth se letra është censuruar nga shtypi enkas, ky është padyshim një favor që shtypi, ndoshta padashur, i bën shkëlqesisë së tij. Ky lajm i kalon kufijtë e qesharakes. 

Le të bëhemi pak seriozë. Shqipëria është vend i varfër dhe i vogël dhe zërat që vijnë nga jashtë kanë ndikim. Por kjo natyrisht ka një kufi. Zonja Reimann ka një pozicion të nderuar, si përfaqësuese lokale e qytetit ku jeton. Por t’i shkruash një kryeministri të një shteti, ta marrësh atë në pyetje publikisht, duhet pak më shumë se kaq. Nëse kjo mund të merret seriozisht, atëherë na mbetet vetëm të presim reagimin e vendosur të specialistëve gjermanë të midhjes dhe të peshkut. 




Skip to toolbar