Albi Xhunga: Përse për Brukselin është kaq e rëndësishme drejtësia

OPINION


Dy kushte i mbeten Shqipërisë për të mbajtur konferencën e parë ndërqeveritare, e cila do të hapte përmbajtësisht negociatat e anëtarësimit, të cilat u hapën formalisht që në muajin mars dhe që bartnin 15 kushte me të cilat është bërë aq shumë politikë në Tiranë. Drejtësia ishte kryefjala e atyre kushteve dhe drejtësia ishte kryefjala e progres-raportit të fundit të Komisionit Europian që raportonte me superlativa për progresin e bërë, duke i sugjeruar vendeve anëtare hapjen e negociatave për Shqipërinë në muajin dhjetor nëse përmbusheshin edhe dy kushte të fundit, formimi i Gjykatës Kushtetuese dhe miratimi i ligjit të medias (ligji anti-shpifje) në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias.  

Pra Shqipëria nuk penalizohet thjesht nga rrefuzimi i vendeve skeptike, të cilat do të mbeteshin pa argument nëse dy kushtet plotësohen, por penalizohet nga mos plotësimi i tyre. Por nëse marrim të mirëqenë faktin se mazhoranca do ta miratojë në njërën nga dy seancat e mbetura të dhjetorit ligjin e mediave sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias, pasi për të mbajtja e konferencës ndërqeveritare do të ishte një armë e fortë politike përpara zgjedhjeve të 25 prillit, formimi i Gjykatës Kushtetuese duket të jetë një ekuacion goxha më i komplikuar dhe megjithë presionin e faktorit ndërkombëtar dhe ambasadorëve në Tiranë, askush nuk mund të garantojë suksesin dhe akoma më pak suksesin në kohën e duhur.


Beteja për Gjykatën Kushtetuese dhe ashpërsia e presidentit

Pak iu la në dorë politikës shqiptare në formimin e organeve të reja të Reformës në Drejtësi, e cila u ideua pikërisht për të çliruar sistemin nga kthetrat e politikës. Por mesa duket kjo ‘’pak’’ përmban pjesën më nevralgjike të drejtësisë së re, Gjykatën Kushtetuese. Megjithëse Gjykata Kushtetuese nuk është pjesë e gjyqësorit, fuqia e saj për të bërë nul vendimin e çdo gjykate e bën atë një kështjellë të rëndësishme për politikën për t’i bërë ballë nesër çdo vendimi eventual të Gjykatës së Posaçme. Për ta ilustruar më mirë atë që mund të ndodhë nesër me Gjykatën Kushtetuese nëse ajo kapet na vjen në ndihmë shembulli slloven.

Kryeministri slloven, Janez Jansa, i cili ka qenë kryeministër edhe më 2004 dhe më 2012, u dënua nga një gjykatë me dy vjet burg për korrupsion në vitin 2014, 9 muaj nga të cilët i kaloi në paraburgim. Ai u akuzua se në vitin 2006 kishte marrë para, të cilat do të përdoreshin për të financuar partinë e tij, nga një firmë finlandeze e quajtur Patria e specializuar në aeronautikë dhe materiale ushtarake me të cilën shteti slloven kishte firmosur kontratën më të madhe në historinë e tij për blerje mjetesh të blinduara. Mirëpo një vit më vonë Gjykata Kushtetuese Sllovene e anulloi vendimin dhe përveç lirisë Janez Jansa rifitoi edhe pushtetin dhe këtë vit u bë për herë të tretë kryeministër. Për të portretizuar Janez Jansa, një ish gazetar disident, i burosur nga ish regjimi Jugosllav dhe i shndërruar në politikan të ekstremit të djathtë mjaftojnë disa fakte:

Jansa ishte i vetmi lider europian që përgëzoi presidentin Trump për fitoren e zgjedhjeve presidenciale të këtij viti. Sllovenia bën pjesë në ato vende që akuzohen se përdorën pandeminë për të kufizuar lirinë e shtypit. Kërcënimet dhe fyerjet ndaj gazetarëve nuk janë një fenomen i rrallë për kryeministrin slloven. Më 2016 ai i quajti prostituta dy gazetare. Ndërkohë në muajin prill gazetari i njohur investigativ, Blaz Zgaga u përball me një ortek kërcënimesh nga ana e kryeministrit vetëm se kishte kërkuar informacion për menaxhimin e pandemisë. Ndërsa më 15 maj Sllovenia bëhet vendi i parë europian që njofton fundin e pandemisë.

Fakti që një gjykatë kushtetuese mund të anullojë çdo vendim të gjykatave më të ulta mund të shpjegojë edhe ashpërsinë më të cilën presidenti i Republikës, shkëlqesia e tij z. Ilir Meta po ndeshet në çdo etapë të formimit të Gjykatës Kushtetuese edhe pse mazhoranca hoqi dorë nga shkarkimi i tij. Në përpjekjen e tij të dëshpëruar për të pasur nesër një shumicë të favorshme në gjirin e kësaj gjykate presidenti nuk hezitoi në një nga daljet e tij të fundit televizive as të sulmojë hapur dhe në mënyrë të ulët ambasadoren amerikane në Tiranë.

Lufta për Gjykatën Kushtetuese zbret edhe në Gjykatën e Lartë, pasi është kjo e fundit që emëron tre anëtarë të saj, të cilët nesër mund të vendosin nga anon balanca. Beteja vazhdon…

Problemet e Bashkimit Europian me vendet autoritare e me drejtësi të kapur

Bashkimi Europian ka plot probleme në gjirin e tij, por një nga më të theksuarit është mungesa e gjyqësorit të pavarur në disa prej vendeve anëtarëve. Ky fakt dhe mungesa e mekanizmave për t’iu imponuar shteteve anëtare në respektimin e vlerave europiane e bëjnë atë të jetë shumë i kujdesshëm në hapjen e portës për anëtarët e rinj. Më 21 korrik të këtij viti BE-ja arriti një akord historik për rimëkëmbjen ekonomike të zonës euro pas krizës të shkaktuar nga pandemia. Një plan 750 miliardësh u aprovua unanimisht nga të gjitha vendet anëtare. Entuziazmi ndër liderët europianë ishte ekzaltues dhe kjo shpjegohet me vështirësitë e shpeshta të unionit për të arritur akorde unanime.

Mirëpo katër muaj më vonë gjithçka hidhet në erë. Hungaria dhe Polonia bllokojnë planin e rimëkëmbjes. Shkak bëhet një kusht i vendosur nga Komisioni Europian sipas të cilit shtetet anëtare duhet të respektojnë shtetin e së drejtës që të mund të përfitojnë nga ndihma 750 miliardëshe. Kjo nuk u pëlqeu Hungarisë dhe Polonisë, të cilat bllokuan gjithçka.

Qeveritë e Polonisë dhe Hungarisë akuzohen se kanë instrumentalizuar drejtësinë dhe se kanë kufizuar lirinë e shtypit. Këto dy shtete kanë ndërruar shpesh gjyqtarët e gjykatave kushtetuese me qëllim vënien e tyre nën kontrollit e pushtetit ekzekutiv. Një mënyrë e përdorur është ulja e moshës së pensionit, çka largoi nga detyra një të tretën e gjyqtarëve kushtetues në Poloni, të cilët u zëvendësuan me gjyqtarë të pranueshëm për maxhorancën.

Reporterët pa Kufij e rendisin Hungarinë në vendin e 89 për lirinë e shtypit (mes Kirgistanit dhe Siera Leones). Ndërsa për Freedom House Hungaria nuk është një shtet demokratik. Artikulli 7 i Traktatit të Amsterdamit, i cili lejon saksionet kundra shteteve që nuk respektojnë shtetin e së drejtës (duke iu hequr të drejtën e votës) është gati e pamundur të aplikohet, megjithëse procedura ka nisur që më 2016 për Hungarinë dhe më 2017 për Poloninë. Ngërçi vjen pasi për aplikimin e tij duhet akordi unanim i të gjitha vendeve anëtare (përveç vendit ndaj të cilit merren sanksionet) dhe në këtë rast Hungaria dhe Polonia përdorin të drejtën e vetos për të ndihmuar njëra-tjetrën.

Ironikisht plani i rimëkëmbjes ekonomike bllokohet nga Polonia megjithëse ky vend do të ishte përfituesi më i madh i kësaj ndihme 750 miliardëshe. Por mesa duket dëshira për të konservuar privilegjet që një sistem drejtësie i kapur ia lejon qeverisë polake është më e fortë sesa dëshira për të ndihmuar ekonominë e vendit dhe popullin e saj.

Kur gjeopolitika përplaset me parimet

Kur Bashkimi Europian u zgjerua në lindje, kjo nuk u bë sepse vendet e lindjes ishin vende që bartnin vlerat dhe standardet e tij, por thjesht për pragmatizëm gjeopolitik. Shkëputja e tyre nga influenca ruse prevalonte në raport me gjendjen e demokracisë në to. Edhe në Ballkanin Perëndimor kemi pak a shumë të njëjtën situatë. Përpjekja për të shtrirë influencën në rajon e fuqive si Kina, Rusia dhe Turqia bën që Brukseli të ketë një qasje dashamirëse me këto vende, megjithëse respektimi i shtetit të së drejtës ndër to lë shumë për të dëshiruar. Fakti që Serbia dhe Mali i Zi i kanë hapur tashmë negociatat nuk shpjegohet me përparimin e tyre drejt vlerave perëndimore, por me tendencën e lartë që ato kanë për të rënë nën influencat ruse e kineze. Kjo tendencë është shumë më e ulët për Maqedoninë (e cila pa mbështetjen amerikane rrezikon deri ekzistencën e saj si shtet) dhe inekzistente për Shqipërinë, e cila ka në popullsinë e saj një vokacion të qartë perëndimor.

Pra kemi një favorizim të Serbisë dhe Malit të Zi për shkak të frikës që BE ka se këto vende mund të bien nën influenca të huaja dhe një penalizim të Shqipërisë dhe Maqedonisë pikërisht sepse ky risk është më i ulët. Të mos harrojmë miliardat e investuara nga Kina në Serbi dhe afërsinë e saj historike me Rusinë, si edhe situatën aktuale në Malin e Zi ku duket se vetëm një politikan shqiptar (Dritan Abazi) mund të pengojë rënien e shtetit të vogël ballkanik nën influencën serbe.  

Tani Bashkimi Europian gjendet mes dilemës nëse duhet të tolerojë për shkak të rëndësisë gjeopolitike, apo të imponojë respektimin e vlerave perëndimore me çdo çmim. Këtu vijmë tek shembulli i mësipërm, ku pranimi i vendeve autoritare krijon ngërçe të forta në union dhe nëse vende të tjera që nuk janë gati do të kapërcenin pragun e tij, Viktor Orban do të kishte më shumë aleatë në kundërshtimet që i bën Brukselit.

Por Shqipëria nuk duhet të bëjë këto kalkulime kulisash në rrugën e saj drejt Europës. Formimi i gjykatave dhe institucioneve të pavarura do t’u shërbejë në radhë të parë shqiptarëve për të pasur një shoqëri funksionale dhe të pa korruptuar. Në një vend ku drejtësia funksionon gjithçka funksionon. Nëse Shqipëria arrin të formojë një shtet funksional të së drejtës, dera e Europës do të jetë e hapur. Beteja për një Gjykatë Kushtetuese të pavarur është hapi i parë dhe më i rëndësishmi në rrugën e saj europiane.




Skip to toolbar