Kulluri: “Faji, i Bashës”

AKTUALITET


Përfaqësuesi më i fortë i lëvizjes “Basha IK” mendon se platforma me 7 kërkesa e aleatëve të Partisë Demokratike nuk mund ta nxjerrë PD-në nga kriza, pasi kriza në këtë parti mban emrin e kryetarit të saj dhe përgjegjës për mungesën e garës dhe meritokracisë është vetëm Basha. Kulluri shkruan se për shkak të Bashës demokratët janë të shpërfillur dhe të padëgjuar në nivel lokal ku nuk ka transparencë dhe nuk ka rregulla të qarta përfaqësimi.

“Propozimet e ardhura nga partitë e vogla nuk mund të jenë zgjidhje për krizën e PD, pasi janë demokratët ata që duhet të vendosin të ardhmen e partisë së tyre. Problemet e thella të PD nuk janë çështje e një grupi ish zyrtarësh të PD por krizë përfaqësimi, krizë gare, meritokracie dhe mbi të gjitha krizë e një leadership-i arbitrar ku vendos për çdo gjë vetëm 1 njeri, Lulzim Basha! Kjo nuk është parti demokratike apo perëndimore dhe as model më i mirë për një qeverisje të nesërme që në fakt është e pamundur. Së dyti, “këto sëmundje” janë të shtrira vertikalisht në PD, pra në bazë. Demokratët janë po njësoj të shpërfillur dhe të padëgjuar në nivel lokal ku s’ka garë, transparencë dhe rregulla të qarta përfaqësimi. Së treti, PD ka nevojë për debat urgjent ku të “kuvendohet” për të tre palë zgjedhjet e humbura të 2015, 2017 dhe 2019 më keq akoma në tavolinë!”, shkruan Kulluri.


Ai i propozon Bashës që të përballet me personat që mendojnë ndryshe nga ai dhe të nisë një bashkëbisedim serioz me demokratët që kanë një mendim kritik për situatën. Ai gjithashtu propozon që PD të përcaktojë menjëherë shtyllat e një programi qeverisës.

“Basha dhe ekipi i tij duhet të dalin përballë demokratëve në bashkëbisedim me ata që nuk kanë qenë dakord me këto vendime që kanë çuar në humbje të njëpasnjëshme! Politika është perceptim që vjen prej besimit dhe aftësisë! Së katërti, PD ka nevojë urgjente të përcaktojë parimet kryesore të një programi qeverisës të qartë ideologjikisht dhe praktikisht. Situata e rëndë e qeverisjes kërkon një debat për vlerat që përfaqëson Partia Demokratike”, shkruan Kulluri.

“Çdo levizje “makiazhi” qe u gjen nje vend pune ca politikaneve, nuk është zgjidhje”, shton më tej ai.

Në përfundim Kulluri shkruan se platforma e aleatëve të djathtë nuk është gjë tjetër veçse konstatim i krizës ku ndodhet opozita. Për këtë arsye Kulluri bën thirrje të merren masat sepse zgjedhjet e 2021 janë afër!/realstory.al




Skip to toolbar