Mediu Bashës: Larg rusëve!

AKTUALITET


Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu në platformën e hartuar me 7 kërkesa që aleatët e djathtë i kanë propozuar Bashës, vë theksin tek domosdoshmëria që opozita duhet të mbajë një qëndrim të qartë në lidhje me influencën ruse. Mediu shkruan në një nga pikat e platformës se ndikimi rus dhe ai kinez në ekonomi përbën rrezik për sigurinë e vendit. “Opozita në tërësi duhet të mbajë një qëndrim të qartë për influencat ruse dhe kineze në ekonominë shqiptare si kërcënim për Sigurinë dhe pozicionin tonë si vend anëtar i NATO”, shkruan Mediu në platformën që i ka propozuar Bashës.

Një tjetër pikë e rëndësishme në platformë është edhe sugjerimi që  kriza të zgjidhet përmes dialogut me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve, një propozim ky krejt ndryshe nga qëndrimi i kreut të PD-së, Basha vetëm pak kohë më herët. “Dialogu për zgjidhjen e krizës së rëndë politike me prezencë të ndërkombëtarëve, me prioritet zgjedhjet e lira dhe të ndershme, si rruga për daljen nga kriza”, shkruan Mediu.


Ndërsa Basha u shpreh vetëm pak ditë më herët se zgjidhja e krizës nuk do të vijë nga jashtë, por nga brenda. “S’ka zgjidhje nga jashtë. Zgjidhja do të vijë nga brenda. Jashtë kemi pasur miq, por kjo krizë nuk zgjidhet duke bërë viktimë apo duke parë nga qielli. Zgjidhet duke marrë në dorë fatet tona”, tha Basha nga Shkodra vetëm pak ditë më herët.

Më tej 7 shtyllat që përmban kjo platformë parashikojnë propozime për mënyrën e organizimit të koalicionit opozitar, si parashikimin e mbledhjeve periodike të krerëve të partive aleate, por edhe mbledhje në nivel sekretarësh organizativë; hartimin e një axhende veprimi të opozitës të mirëpërcaktuar dhe të detajuar me pika dhe afate konkrete, ku duhet të parashikohen aktivitetet e ndryshme, mitingjet protestat e deri edhe takimet në nivel lokal. Pra Mediu propozon një unifikim të partive opozitare në tërësi në çdo veprim dhe aksion. Më tej një tjetër shtyllë janë edhe unifikimi i qëndrimeve që opozita duhet të mbajë për reformën zgjedhore dhe për reformën në Drejtësi, ku propozohet mbështetja e saj. Ndërsa lihet 10 ditë afat për partitë aleate që të bëjnë propozimet konkrete për reformën zgjedhore.

Më tej propozohet hapja e opozitës duke thithur brenda saj sa më shumë të rinj si dhe krijimi i senatit të opozitës që do të përbëhet jo vetëm nga figura politike por edhe intelektuale.

Të gjitha këto pika i propozohen kreut të PD-së dhe pritet shqyrtimi në tryezën e koalicionit opozitar./realstory.al




Skip to toolbar