KQZ kërkon “paratë” e partive

AKTUALITET


Zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj u bëri thirrje partive politike që morën pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit që të dorëzojnë raportin me bilancet financiare. Afati përfundimtar për dorëzimin e tyre është data 26 shtator.

 “Partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhje kanë detyrimin që 60 ditë nga shpallja e rezultatit të zgjedhjeve të dorëzojnë pranë KQZ-së raport që përmban në mënyrë të saktë të ardhurat e përfituara apo që partia politike ka patur në gjendje, të gjitha shpenzimet e kryera në mënyrë të detajuar, bilancin e pasurive apo detyrimet që ka partia politike, për periudhën nga caktimi i datës së zgjedhjeve deri në ditën e zgjedhjeve”, tha zëdhënësja e KQZ ndër të tjera.


Deri tani, nga 36 parti politike pjesëmarrëse në zgjedhjet e 30 qershorit, pranë KQZ-së e kanë dorëzuar raportin financiar të fushatës zgjedhore vetëm 5 parti politike.

KQZ njofton se në rast se nuk dorëzohet ky raport edhe nga partitë e tjera, atëherë në zbatim të ligjit “Për partitë politike”, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të marrë masa administrative për këto parti që shkelin ligjin.

“Brenda datës 26 nëntor audituesit ligjorë duhet të depozitojnë raportet e monitorimit të fushatës zgjedhore dhe brenda datës 16 dhjetor 2019 raportet e auditimit financiar të partive politike.

Raportet e dorëzuara pranë KQZ-së, do të publikohen në faqen zyrtare të KQZ-së, cec.org.al, brenda 10 ditëve nga dorrëzimi i tyre.

Zbatimi i ligjit 90/2017 nga subjektet politike është një nga faktorët kryesorë të rritjes së transparencës dhe zbardhjes së financave të partive politike gjatë fushatës zgjedhore, një nga çështjet e trajtuara gjerësisht edhe në raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR-it”, tha zëdhënësja e KQZ-së.




Skip to toolbar