BE kërkon dialog PS-PD pa parakushte, shmang Metën

POLITIKË


Bashkimi Europian ka bërë sërish thirrje që mazhoranca dhe opozita të ulen në dialog për zgjidhjen e krizës pa parakushte, duke vënë edhe më shumë para përgjegjësisë kreun e opozitës, Lulzim Basha, i cili deklaronte më herët se nuk ka marrëveshje pa largimin e Ramës, por që ka shfaqur shenja lëkundjeje, megjithëse ende nuk i është dorëzuar presionit, para të cilit e kanë vënë edhe aleatët e tij, të cilët në mungesë të çdo përfaqësimi, pranojnë të ulen me kryeministrin.

Thirrja këtë herë ka ardhur nga zëdhënësja e BE për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, Maja Kocijancic, e cila u pyet nga Fax News për zhvillimet e fundit në Shqipëri. “Partitë politike duhet të përfshihen në një dialog të mirëfilltë, në një frymë të mirëkuptimit të ndërsjellë, pa parakushte, dhe të tregojnë përkushtim të vendosur për të gjetur konsensus për një rrugë përpara. Këshilli ka identifikuar qartë çështjet që dëshiron të shohë përpjekje të mëtutjeshme, që është ajo që Shqipëria duhet të vazhdojë të japë në funksion të diskutimit të ardhshëm nga Shtetet Anëtare të BE-së në Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme më 15 tetor”, është shprehur Kocijancic. Por, siç dihet, deri më sot, vetëm opozita ka vendosur parakushte për të zgjidhur krizën, duke kërkuar largimin e Ramës nga kryeministër, ndërsa Rama gjatë muajit maj i bëri disa herë thirrje Bashës, nëpërmjet 7 letrave drejtuar kreut të opozitës për t’i dhënë fund protestave të rrugës dhe për të gjetur çelësin e zgjidhjes. Me këtë deklaratë, BE ka shmangur rolin e kreut të shtetit, i cili u ofrua si negociator mes palëve, por që nuk u pranua nga asnjëra palë, ndërsa Meta shkoi më tutje, duke anuluar zgjedhjet, që t’i vinte në ndihmë opozitës.


Zëdhënësja e BE është pyetur edhe për hetimin e ndërmarrë ndaj Presidentit Ilir Meta, nëse do të ndikojë ndaj vendimit për negociatat, por ajo ka refuzuar të japë një përgjigje. “BE-ja është e vetëdijshme që u krijua një komitet hetimor për këtë çështje dhe se u mbajt seanca dëgjimore që përfshin Presidentin. Çështja u dërgua gjithashtu për shqyrtim në Komisionin e Venecias, i cili do të shqyrtojë aspektet ligjore. Hetimi dhe rishikimi i jashtëm nga Komisioni i Venecias janë duke vazhduar. Prandaj BE nuk ka ndonjë koment”, deklaroi Kocijancic, duke mos ndërhyrë në hetim, derisa të dalë opinioni i Venecias, megjithëse pritet të ketë një monitorim të sjelljes së Kuvendit dhe kreut të shtetit pas nxjerrjes së mendimit të Komisionit të Venecias.

Kjo deklaratë e Kocijancic duket se nuk i ka pëlqyer dhe aq Presidentit të Republikës, i cili menjëherë nxitoi që të nxjerrë këshilltarët e tij për të sulmuar sërish ndërkombëtarët. “Ju lutem dërgojini znj. Koçijançiç raportin final të misionit të OSBE/ODIHR për turpin e 30 qershorit, ku flitet dhe për dekretin e Presidentit Meta. Po kështu tregojini që Presidenti Meta është shumë i kënaqur që Kuvendi ka ftuar Komisionin e Venecias të vlerësojë nëse Presidenti Meta ka respektuar apo jo Kushtetutën”, u shpreh Presidenca. Megjithatë, ende nuk dihet sesi do të sillet kreu i shtetit nëse opinioni i Venecias do të jetë në disfavorin e tij?!




Skip to toolbar